Add parallel Print Page Options

35 Perëndia i tha Jakobit: "Çohu, ngjitu në Bethel dhe vendosu aty; dhe bëj aty një altar Perëndisë që t’u shfaq, kur ikje para vëllait tënd Esau".

Atëherë Jakobi i tha familjes së tij dhe gjithë atyre që ishin me të: Hiqni nga rrethi juaj perënditë e huaja, pastrohuni dhe ndërroni rrobatt tuaja;

pastaj të ngrihemi dhe të shkojmë në Bethel, dhe unë do t’i bëj një altar Perëndisë që plotësoi dëshirën time ditën e fatkeqësisë sime dhe që më shoqëroi në udhëtimin që kam bërë".

Atëherë ata i dhanë Jakobit tërë perënditë e huaja që kishin dhe varëset që mbanin në veshë; dhe Jakobi i fshehu nën lisin që ndodhet pranë Sikemit.

Pastaj ata u nisën dhe tmerri i Perëndisë ra mbi të gjitha qytetet rreth tyre, kështu që nuk i ndoqën bijtë e Jakobit.

Kështu Jakobi arriti në Luc, domethënë në Bethel, që ndodhet në vendin e Kanaanit; erdhi aty me të gjithë njerëzit që ishin me të.

Dhe aty ndërtoi një altar dhe këtë vend e quajti El-Bethel, sepse aty i qe çfaqur Perëndia kur po ikte para vëllait të tij.

Atëherë vdiq Debora, taja e Rebekës, dhe e varrosën poshtë Bethelit, në këmbët e lisit që u quajt Alon-Bakuth.

Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit, kur ky po vinte nga Padam-Arami dhe e bekoi.

10 Dhe Perëndia i tha: "Emri yt është Jakob; ti nuk do të quhesh më Jakob, por emri yt do të jetë Izrael". Dhe i vuri emrin Izrael.

11 Pastaj Perëndia i tha: "Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm; ti bëhu i frytshëm dhe shumëzo; një komb, madje një tërësi kombesh do të rrjedhin prej teje, dhe disa mbretër kanë për të dalë nga ijët e tua;

12 dhe do të të jap ty dhe pasardhësve të tu pas teje vendin që i dhashë Abrahamit dhe Isakut".

13 Pastaj Perëndia u ngjit më lart nga ai, nga vendi ku i kishte folur.

14 Atëherë Jakobi ndërtoi një përmendore, një përmendore prej guri, në vendin ku Perëndia i kishte folur; mbi të hodhi pak verë dhe derdhi ca vaj sipër.

15 Dhe Jakobi e quajti Bethel vendin ku Perëndia i kishte folur.

16 Pastaj u nisën nga Betheli; kishte edhe një copë rrugë për të arritur në Efratë, kur Rakela lindi. Ajo pati një lindje të vështirë;

17 dhe gjatë lindjes së vështirë mamia i tha: "Mos ki frikë, sepse edhe këtë herë ke një djalë".

18 Dhe ndërsa shpirti po e linte (sepse vdiq), i vuri emrin Ben-Oni, por i ati e quajti Beniamin.

19 Kështu Rakela vdiq dhe u varros në rrugën e Efratës (domethënë të Betlemit).

20 Dhe Jakobi ngriti mbi varrin e saj një përmendore. Dhe kjo përmendore ekziston ende sot e kësaj dite mbi varrin e Rakelës.

21 Pastaj Izraeli u nis dhe ngriti çadrën përtej Migdal-Ederit.

22 Dhe ndodhi që, ndërsa Izraeli banonte në atë vend, Rubeni shkoi e ra në shtrat me Bilbah, konkubinën e atit të tij. Dhe Izraeli e mori vesh.

23 Bijtë e Jakobit ishin dymbëdhjetë. Bijtë e Leas ishin: Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isakari dhe Zabuloni.

24 Bijtë e Rakelës ishin: Jozefi dhe Beniamini.

25 Bijtë e Bilhahut, shërbëtorja e Rakelës, ishin: Dani dhe Neftali.

26 Bijtë e Zilpahës, shërbëtorja e Leas, ishin: Gadi dhe Asheri. Këta janë bijtë e Jakobit që i lindën në Padan-Aram.

27 Pastaj Jakobi erdhi tek Isaku, i ati, në Marme, në Kirjath-Arba (domethënë në Hebron), ku Abrahami dhe Isaku kishin qëndruar ca kohë.

28 Isaku jetoi njëqind e tetëdhjetë vjet.

29 Kështu Isaku dha shpirt, vdiq dhe u bashkua me popullin e tij, ishte i plakur dhe i ngopur me ditë; dhe Esau dhe Jakobi, bijtë e tij, e varrosën.

36 Këta janë pasardhësit e Esaut, që është Edomi.

Esau i mori gratë e tij nga bijat e Kanaanëve: Adën, e bija e Elonit Hiteut, dhe Oholibamahën, e bija e Cibeonit Hiveut;

dhe Basemathin, e bija e Ismaelit dhe motra e Nebajothit.

Ada i lindi Esaut Elifazin;

Basemathi lindi Reuelin, kurse Oholibamahu lindi Jeushin, Jalamin dhe Korahin. Këta janë bijtë e Esaut që i lindën në vendin e Kanaanit.

Pastaj Esau mori gratë e tij, bijtë dhe bijat e tij, gjithë njerëzit e shtëpisë së tij, kopetë e tij, tërë bagëtinë e tij dhe tërë pasurinë që kishte blerë në vendin e Kanaanëve, dhe shkoi në një vend, larg vëllait të tij Jakob,

sepse pasuritë e tyre ishin tepër të mëdha, që ata të mund të banonin bashkë; vendi ku rrinin nuk ishte në gjendje t’i mbante për shkak të bagëtisë së tyre.

Kështu Esau u vendos mbi malin e Seirit; Esau është Edomi.

Këta janë pasardhësit e Esaut, atit të Edomitëve, në malin e Seirit.

10 Këta janë emrat e bijve të Esaut: Elifazi, i biri i Adës, gruaja e Esaut; Reueli, i biri i Bazemathës, gruaja e Esaut.

11 Bijtë e Elifazit qenë: Temani, Omari, Cefoni, Gatami dhe Kenaci.

12 Timna ishte konkubina e Elifazit, i biri i Esaut. Ajo i lindi Amalekun Elifazit. Këta qenë bijtë e Adës, gruaja e Esaut.

13 Këta qenë bijtë e Reuelit: Nahathi dhe Zerahu, Shamahu dhe Micahu. Këta qenë bijtë e Basemathës, gruaja e Esaut.

14 Këta qenë bijtë e Oholibamahës, e bija e Anahut, e bija e Cibeonit, gruaja e Esaut; ajo i lindi Esaut: Jeushin, Jalamin dhe Korahun.

15 Këta qenë krerët e bijve të Esaut: bijtë e Elifazit, i parëlinduri i Esaut; kreu Teman, kreu Omar, kreu Cefo, kreu Kenaz,

16 kreu Korah, kreu Gatam dhe kreu Amalek; këta qenë krerët e rrjedhur nga Elifazi në vendin e Edomit; ata qenë bijtë e Adës.

17 Këta qenë bijtë e Reuelit, i biri i Esaut: kreu Nahath, kreu Zerah, kreu Shamah dhe kreu Micah; këta qenë krerët e rrjedhur nga Reueli në vendin e Edomit; ata qenë bijtë e Basemathës, gruaja e Esaut.

18 Këta qenë bijtë e Oholibamahës, gruaja e Esaut, kreu Jeush; kreu Jeush, kreu Jalam dhe kreu Korah; ata qenë krerët e rrjedhur nga Oholibamah, e bija e Anahut dhe gruaja e Esaut.

19 Këta qenë bijtë e Esaut, që është Edomi, dhe këta qenë krerët e tyre.

20 Këta qenë bijtë e Seirit, Horeut, që banonin atë vend: Lotani, Shobali, Cibeoni, Anahu.

21 Dishoni, Etseri dhe Dishani. Këta qenë krerët e Horejve, bijtë e Seirit, në vendin e Edomit.

22 Bijtë e Lotanit qenë: Hori dhe Hemami; dhe motra e Lotanit qe Timna.

23 Këta qenë bijtë e Shobalit: Alvani, Manahathi, Ebali, Shefo dhe Onami.

24 Këta qenë bijtë e Cibeonit: Aja dhe Anahu. Anahu është ai që zbuloi në shkretëtirë ujëra të nxehta ndërsa po kulloste gomarët e Cibeonit, atit të tij.

25 Këta qenë bijtë e Anahut: Dishoni dhe Oholibamah, e bija e Anahut.

26 Këta qenë bijtë e Dishonit: Hemdani, Eshbani, Ithrani dhe Kerani.

27 Këta qenë bijtë e Etserit: Bilhani, Zaavani dhe Akani.

28 Këta qenë bijtë e Dishanit: Utsi dhe Arani.

29 Këta qenë krerët e Horejve: kreu Lothan, kreu Shobal, kreu Cibeon, kreu Anah,

30 kreu Dishon, kreu Etser, kreu Dishan. Këta qenë krerët e Horejve, krerët që ata patën në vendin e Seirit.

31 Këta qenë mbretërit që mbretëruan në vendin e Edomit, para se ndonjë mbret të sundonte mbi bijtë e Izraelit:

32 Bela, i biri i Beorit, mbretëroi në Edom, dhe emri i qytetit të tij qe Dinhabah.

33 Bela vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Jobabi, i biri i Zerahut, nga Botsrahu.

34 Jobabi vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Hushami, nga vendi i Temanitëve.

35 Hushami vdiq, dhe në vend të tij mbretëroi Hadabi, i biri i Bedadit, që mundi Madianitët në fushat e Moabit; dhe emri i qytetit të tij qe Avith.

36 Hadadi vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Samlahu, nga Masrekahu.

37 Samlahu vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Sauli nga Rohoboth, mbi Lumë.

38 Sauli vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Baal-Hanani, i biri i Akborit.

39 Baal-Hanani, i biri i Akborit, vdiq dhe në vendin e tij mbretëroi Hadari. Emri i qytetit të tij qe Pau, dhe emri i gruas së tij qe Mehetabel, e bija e Metredës dhe e Mezahabut.

40 Këto qenë emrat e krerëve të Esaut, simbas familjeve të tyre dhe territoreve të tyre, me emrat e tyre; kreu Timnah, kreu Alvah, kreu Jetheth,

41 kreu Oholibamah, kreu Elah, kreu Pinon,

42 kreu Kenac, kreu Teman, kreu Mibcar,

43 kreu Magdiel dhe kreu Iram. Këta qenë krerët e Edomit simbas vendbanimit të tyre, në vendin që zotëronin. Ky qe Esau, ati i Edomitëve.

37 Por Jakobi banoi në vendin ku i ati kishte qëndruar, në vendin e Kanaanëve.

Këta janë pasardhësit e Jakobit. Jozefi, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kulloste kopenë bashkë me vëllezërit e tij; i riu rrinte me bijën e Bilhahës dhe me bijtë e Zilpahës, që ishin gratë e babait të tij. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq që përhapej mbi sjelljen e tyre.

Por Izraeli e donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij, sepse ishte biri i pleqërisë së tij; dhe i bëri një rrobe të gjatë deri te këmbët.

Por vëllezërit e tij, duke parë që i ati i tyre e donte më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë, filluan ta urrejnë dhe nuk mund t’i flisnin në mënyrë miqësore.

Por Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe këta e urryen edhe më tepër.

Ai u tha atyre: "Dëgjoni, ju lutem, ëndrrën që pashë.

Ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaja u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi".

Atëherë vëllezërit e tij i thanë: "A duhet të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?". Dhe e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij dhe të fjalëve të tij.

Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yjee përkuleshin para meje".

10 Dhe ai ia tregoi këtë ëndërr atit të tij dhe vëllezërve të tij; i ati e qortoi dhe i tha: "Ç’kuptim ka ëndrra që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?".

11 Dhe vëllezërit e tij e kishin zili, por i ati e mbante përbrenda këtë gjë.

12 Ndërkaq vëllezërit e Jozefit kishin vajtur për të kullotur kopenë e atit të tyre në Sikem.

13 Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Vëllezërit e tu a nuk janë ndofta duke kullotur kopenë në Sikem? Eja, do të dërgoj tek ata". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".

14 Izraeli i tha: "Shko të shikosh në se vëllezërit e tu janë mirë dhe në se kopeja shkon mirë, dhe kthehu të më japësh përgjigje". Kështu e nisi në luginën e Hebronit dhe ai arriti në Sikem.

15 Ndërsa ai endej në fushë, një burrë e gjeti dhe e pyeti: "Çfarë kërkon?".

16 Ai u përgjegj: "Jam duke kërkuar vëllezërit e mi; të lutem më trego se ku ndodhen duke kullotur bagëtinë".

17 Ai burrë i tha: "Ata kanë ikur së këtejmi, sepse i dëgjova që thonin: Të shkojmë në Dothann"". Atëherë Jozefi shkoi të kërkojë vëllezërit e tij dhe i gjeti në Dothan.

18 Ata e panë së largu, dhe para se t’u afrohej, komplotuan kundër tij për ta vrarë.

19 Dhe i thanë njëri tjetrit: "Ja ku po vjen ëndërruesi!

20 Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç’përfundim do të kenë ëndërrat e tij".

21 Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: Nuk do ta vrasimm".

22 Pastaj Rubeni shtoi: "Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj". Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t’ia shpënë të atit.

23 Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rrobja e gjatë që i arrinte deri te këmbët;

24 pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda.

25 Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan Ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t’i çuar në Egjipt.

26 Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Ç’dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij?

27 Ejani, t’ia shesim Ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan.

28 Ndërsa po kalonin ata tregtarë Madianitë, ata e ngritën dhe e nxorën Jozefin jashtë pusit dhe ia shitën Ismaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e shpunë Jozefin në Egjipt.

29 Rubeni u kthye te pusi, por Jozefi nuk ishte më në pus. Atëherë ai i çorri rrobat e tij.

30 Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: "Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?".

31 Kështu ata muarën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e futën rrobën në gjak.

32 Pastaj e çuan rrobën te babai dhe i thanë: "Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rrobja e birit tënd".

33 Dhe ai e njohu dhe tha: "Éshtë rrobja e tim biri, e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë".

34 Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë.

35 Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet dhe tha: "Unë do të zbres në Sheol pranë birit tim për të mbajtur zi". Kështu e qau i ati.

36 Ndërkaq Madianitët e shitën Jozefin në Egjipt dhe ia shitën Potifarit, oficer i Faraonit dhe kapiten i rojeve.