A A A A A
Bible Book List

Zanafilla 32-34Albanian Bible (ALB)

32 Ndërsa Jakobi vazhdonte rrugën e tij, i dolën përpara engjëj të Perëndisë.

Mbasi i pa Jakobi, tha: "Ky është fushimi i Perëndisë"; dhe e quajti atë vend Mahanaim.

Pastaj Jakobi dërgoi para tij disa lajmëtarë vëllait të tij Esau, në vendin e Seirit, në fushën e Edomit.

Dhe u dha atyre këtë urdhër duke thënë: "Do t’i thoni kështu Esaut, zotërisë tim: "Kështu thotë shërbyesi yt Jakobi: Unë kam banuar pranë Labanos dhe kam qëndruar aty deri tani;

kam qe, gomarë, kope, shërbyes dhe shërbyese; dhe këtë po ja tregoj zotërisë tim, për të gjetur hir në sytë e tu"".

Lajmëtarët u kthyen pastaj te Jakobi, duke i thënë: "Vajtëm te vëllai yt Esau; dhe tani ai po vjen vetë që të takohet me ty dhe ka me vete katërqind burra".

Atëherë Jakobin e zuri një frikë e madhe dhe një ankth dhe ndau dysh njerëzit që ishin me të, kopetë, bagëtinë e trashë dhe devetë, dhe tha:

"Në qoftë se Esau vjen kundër njerit grup dhe e sulmon, grupi që mbetet do të mund të shpëtojë".

Pastaj Jakobi tha: "O Perëndi i atit tim Abraham, Perëndi i atit tim Isak, o Zot, që më ke thënë: "Ktheu në vendin tënd dhe pranë fisit tënd dhe unë do të bëj të mirë,"

10 unë nuk jam i denjë i të gjitha mirësive dhe i gjithë besnikërisë që ke treguar ndaj shërbyesit tënd, sepse unë e kalova këtë Jordan vetëm me shkopin tim dhe tani janë bërë dy grupe.

11 Çliromë, të lutem, nga duart e vëllait tim, nga duart e Esaut, sepse unë kam frikë nga ai dhe druaj që ai të vijë për të më sulmuar, pa kursyer as nënat as fëmijët.

12 Dhe ti the: "Pa tjetër, unë do të të bëj mirë dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit, që nuk mund të llogaritet se është shumë e madhe"".

13 Kështu Jakobi e kaloi natën në atë vend, dhe nga ato që kishte nëpër duar ai zgjodhi një dhuratë për vëllanë e tij Esau:

14 dyqind dhi, njëzet cjep, dyqind dele dhe njëzet desh,

15 tridhjetë deve qumështore me të vegjëlit e tyre, dyzet lopë dhe dhjetë dema, njëzet gomarica dhe dhjetë mëza.

16 Pastaj ua dorëzoi shërbyesve të tij, çdo kope për llogari të vet, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Kaloni para meje dhe lini një farë hapësire midis një kopeje dhe tjetrës".

17 Dhe i dha urdhër të parit: "Kur vëllai im Esau do të të takojë dhe do të të pyesë: "I kujt je ti dhe ku shkon? Të kujt janë këto kafshë para teje?,"

18 ti do të përgjigjesh: "Janë të shërbëtorit tënd Jakobit; është një dhuratë e dërguar zotërisë tim Esau; dhe ja, ai vetë po vjen mbas nesh"".

19 Ai i dha të njëjtin urdhër të dytit, të tretit dhe gjithë atyre që ndiqnin kopetë, duke u thënë: "Në këtë mënyrë do t’i flisni Esaut kur do ta takoni;

20 dhe do t’i thoni: "Ja, shërbëtori yt Jakobi është duke ardhur vetë pas nesh"". Sepse thoshte: "Unë do ta qetësoj me dhuratën që më paraprin e pastaj do të shikoj fytyrën e tij; ndofta do të më presë mirë".

21 Kështu dhurata shkoi para tij, por ai e kaloi natën në fushim.

22 Por atë natë ai u ngrit, mori dy gratë e tij, dy shërbëtoret dhe të njëmbëdhjetë fëmijët e tij dhe e kaloi vaun e lumit Jabbok.

23 I mori me vete dhe bëri që të kalonin përruan të gjitha gjërat që zotëronte.

24 Kështu Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë luftoi me të deri në agim.

25 Kur ky burrë e pa se nuk mund ta mundte, i preku zgavrën e ijës; dhe zgavra e ijes së Jakobit u përdrodh, ndërsa ai luftonte kundër tij.

26 Dhe ai tha: "Lërmë të shkoj, se po lind agimi". Por Jakobi iu përgjegj: Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!!".

27 Tjetri i tha: "Cili është emri yt?". Ai u përgjegj: "Jakob".

28 Atëherë ai i tha: "Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Israel, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar".

29 Jakobi i tha: "Të lutem, tregomë emrin tënd". Por ai iu përgjegj: "Pse e do emrin tim?".

30 Dhe kështu ai e bekoi. Atëherë Jakobi e quajti këtë vend Peniel, sepse tha: "E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal".

31 Mbasi ai kaloi Penielin, dielli po ngrihej; dhe Jakobi çalonte për shkak të ijës.

32 Për këtë arësye, deri në ditën e sotme, bijtë e Izraelit nuk e hanë gilcën e kofshës që kalon nëpër zgavrën e ijës, sepse ai njeri kishte prekur zgavrën e ijës së Jakobit në pikën e gilcës së kofshës.

33 Jakobi ngriti sytë, vështroi dhe pa që po vinte Esau, që kishte me vete katërqind burra. Atëherë i ndau bijtë e tij midis Leas, Rakelës dhe dy shërbyeseve të tij.

Në krye vuri shërbyeset dhe bijtë e tyre, pastaj Lean dhe bijtë e saj dhe së fundi Rakelën dhe Jozefin.

Ai vetë kaloi para tyre dhe u përkul deri në tokë shtatë herë deri sa arriti pranë vëllait të vet.

Atëherë Esau vrapoi drejt tij, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë.

Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët dhe tha: "Kush janë këta me ty?". Jakobi iu përgjigj: "Janë bijtë që Perëndia pati mirësinë t’i japë shërbyesit tënd".

Atëherë u afruan shërbyeset, ato dhe bijtë e tyre, dhe u përkulën.

U afruan edhe Lea dhe bijtë e saj, dhe u përkulën. Pastaj u afruan Jozefi dhe Rakela, dhe u përkulën edhe ata.

Esau tha: "Çfarë ke ndërmend të bësh me tërë atë grup që takova?". Jakobi u përgjigj: "Éshtë për të gjetur hir në sytë e zotërisë tim".

Atëherë Esau tha: "Kam mjaft për vete, o vëllai im; mbaj për vete atë që është jotja".

10 Por Jakobi tha: "Jo, të lutem; në qoftë se kam gjetur hir në sytë e tu, prano dhuratën time nga dora ime, sepse kur pashë fytyrën tënde, për mua ishte njëlloj sikur të shikoja fytyrën e Perëndisë, dhe ti më ke pritur mirë.

11 Pranoje, pra, dhuratën që të është sjellë, sepse Perëndia është treguar shumë i mirë me mua dhe unë kam gjithçka". Dhe nguli këmbë aq shumë, sa që Esau pranoi.

12 Pastaj Esau tha: "Le të nisemi, të fillojmë të ecim dhe unë do të shkoj para teje".

13 Por Jakobi u përgjigj: "Zotëria im e di që fëmijët janë në moshë të vogël dhe që kam me vete dele dhe lopë qumështore; po t’i mbajmë keq qoftë edhe një ditë të vetme, tërë kafshët kanë për të vdekur.

14 Le të kalojë zotëria im para shërbëtorit të tij, dhe unë do ta ndjek ngadalë me hapin e kafshëve që më paraprijnë dhe me hapin e fëmijëve, deri sa të arrijë te zotëria im në Seir".

15 Atëherë Esau tha: "Më lejo të paktën të lë me ty disa nga njerëzit që janë me mua". Por Jakobi u përgjigj: "Pse ta bëjmë këtë? Mjafton që unë të gjej hir në sytë e zotërisë tim".

16 Kështu po atë ditë Esau u rikthye në rrugën e tij drejt Seirit.

17 Jakobi u nis në drejtim të Sukothit, ndërtoi atje një shtëpi për vete dhe kasolle për bagëtinë; prandaj ai vend u quajt Sukoth.

18 Pastaj Jakobi, duke u kthyer nga Padan-Arami, arriti shëndoshë e mirë në qytetin e Sikemit, në vendin e Kanaanit, ku ngriti çadrat e tij përballë qytetit.

19 Dhe bleu nga bijtë e Hamorit, at i Sikemit, për njëqind copë paresh, pjesën e fushës ku kishte ngritur çadrat e tij përballë qytetit.

20 Pastaj aty ngriti një altar dhe e quajti El-Elohej-Izrael.

34 Por Dina, vajza që Lea i kishte lindur Jakobit, doli për të parë bijat e vendit.

Dhe Sikemi, biri i Hamorit Hiveut, princi i vendit, sa e pa e rrëmbeu, ra në shtrat me të dhe e dhunoi.

Dhe shpirti i tij u lidh me Dinën, të bijën e Jakobit; ai e dashuroi vajzën dhe i foli zemrës së saj.

Pastaj i tha të atit Hamor: "Ma jep këtë vajzë për grua".

Por Jakobi dëgjoi që ai e kishte çnderuar bijën e tij Dina; por bijtë e tij ishin nëpër fushat me bagëtinë e tij, dhe Jakobi heshti deri sa u kthyen.

Atëherë Hamori, ati i Sikemit, shkoi tek Jakobi për t’i folur.

Sapo dëgjuan për atë që kishte ndodhur, bijtë e Jakobit u kthyen nga fushat; ata ishin të hidhëruar dhe shumë të zemëruar, sepse ai kishte kryer një veprim të turpshëm në Izrael, duke rënë në shtrat me të bijën e Jakobit, gjë që nuk duhej bërë.

Por Hamori u foli atyre duke thënë: "Shpirti i tim biri Sikem është lidhur me bijën tuaj, prandaj jepjani për grua;

të bëjmë krushqi bashkë: na jepni bijat tuaja dhe merrni bijat tona.

10 Kështu ju do të banoni me ne dhe vendi do të jetë në dispozicionin tuaj; banoni në të, bëni tregëti dhe blini prona".

11 Pastaj Sikemi u tha të atit dhe të vëllezërve të Dinës: "Bëni që unë të gjej hir në sytë tuaj dhe do t’ju jap çfarëdo gjë që do të më kërkoni.

12 Më caktoni madje një pajë të madhe dhe një dhuratë, dhe unë do t’ju jap sa të kërkoni, por ma jepni vajzën për grua".

13 Atëherë bijtë e Jakobit iu përgjegjën Sikemit dhe Hamorit, të atit, dhe u folën atyre me dredhi, sepse Sikemi kishte çnderuar motrën e tyre Dina,

14 dhe u thanë atyre: "Nuk mund ta bëjmë këtë gjë, domethënë ta japim motrën tonë një njeriu të parrethprerë, sepse kjo do të ishte një turp për ne.

15 Vetëm me këtë kusht do ta pranojmë kërkesën tuaj, domethënë po të jetë se bëheni si ne, duke rrethprerë çdo mashkull nga ju.

16 Atëherë ne do t’ju japim bijat tona dhe do të marrim bijat tuaja, do të banojmë bashkë me ju dhe do të bëhemi një popull i vetëm.

17 Por në qoftë se nuk doni të na dëgjoni dhe nuk dëshironi të rrethpriteni, ne do të marrim bijën tonë dhe do të ikim".

18 Fjalët e tyre i pëlqyen Hamorit dhe Sikemit, birit të Hamorit.

19 Dhe i riu nuk vonoi ta kryejë atë gjë, sepse e donte të bijën e Jakobit dhe ishte njeriu më i nderuar në tërë shtëpinë e të atit.

20 Hamori dhe Sikemi, bir i tij, erdhën në portat e qytetit të tyre dhe u folën njerëzve të qytetit të tyre, duke thënë:

21 "Këta njerëz dëshirojnë të jetojnë në paqe me ne; le të rrinë në vendin tonë dhe të merren me tregti, sepse vendi është mjaft i madh edhe për ata. Ne do të marrim bijat e tyre për gra dhe do t’ju japim bijat tona.

22 Por këta njerëz do të pranojnë të banojnë me ne për të formuar një popull të vetëm, me të vetmin kusht që çdo mashkull te ne të rrethpritet, ashtu si rrethpriten ata.

23 Bagëtia e tyre, pasuria e tyre dhe kafshët e tyre a nuk do të bëhen ndofta një ditë tonat? Le të pranojmë kërkesën e tyre dhe ata do të banojnë bashkë me ne".

24 Dhe të gjithë ata që dilnin nga portat e qytetit dëgjuan fjalët e Hamorit dhe të birit të tij Sikem; dhe çdo mashkull u rrethpre, tërë ata dilnin nga porta e qytetit.

25 Por ndodhi që ditën e tretë, ndërsa ata vuanin, dy nga bijtë e Jakobit, Simeoni dhe Levi, vëllezër të Dinës, morën secili shpatën e vet, u vërsulën mbi qytetin që rrinte në siguri dhe vranë tërë meshkujt.

26 Vranë me shpatë edhe Hamorin dhe birin e tij Sikem, pastaj muarrën Dinën nga shtëpia e Sikemit dhe ikën.

27 Bijtë e Jakobit u vërsulën mbi të vrarët dhe plaçkitën qytetin; sepse motrën e tyre e kishin çnderuar.

28 Kështu ata morën kopetë me bagëti të imët dhe të trashë, gomarët e tyre, gjithçka që ishte në qytet dhe gjithçka që ishte nëpër fushat,

29 dhe morën me vete si plaçkë tërë pasuritë e tyre, tërë fëmijët e tyre të vegjël, gratë e tyre dhe gjithçka ndodhej në shtëpitë.

30 Atëherë Jakobi i tha Simeonit dhe Levit: "Ju më keni futur në telashe duke më bërë të urryer nga banorët e vendit, Kanaanët dhe Perezejtë. Me qenë se ne jemi pakicë, ata do të grumbullohen kundër meje dhe do të më sulmojnë, dhe unë ashtu si shtëpia ime do të shfarosemi".

31 Por ata u përgjigjën: "A duhet ta trajtonte ai motrën tonë si një prostitutë?".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes