A A A A A
Bible Book List

Zanafilla 27-29Albanian Bible (ALB)

27 Kur Isaku u plak dhe sytë e tij u dobësuan aq shumë sa nuk shikonte më, ai thirri të birin Esau dhe i tha: "Biri im!".

Esau i tha: "Ja ku jam!". Atëherë Isaku i tha: "Ja, unë jam plak dhe nuk e di në ç’ditë kam për të vdekur.

Prandaj merr tani armët e tua, kukurën dhe harkun tënd, dil nëpër fushat dhe kap për mua kafshë gjahu;

pastaj më përgatit një gjellë të shijshme nga ato që më pëlqejnë dhe sillma, që unë ta ha dhe shpirti im të të bekojë para se të vdes".

Tani Rebeka rrinte duke dëgjuar, ndërsa Isaku i fliste birit të tij Esau. Kështu Esau shkoi nëpër fusha për të gjuajtur kafshë të egra për t’ia shpënë të atit.

Atëherë Rebeka i foli Jakobit, birit të saj, dhe i tha: "Ja, unë dëgjova babanë tënd që i fliste Esaut, vëllait tënd duke i thënë:

"Më sill gjah dhe më përgatit një gjellë të shijshme, që unë ta ha dhe të të bekoj në prani të Zotit, para se të vdes".

Prandaj, biri im, bindju zërit tim dhe bëj atë që të urdhëroj.

Shko tani në kope dhe më sill dy keca të mirë; unë do të përgatis një gjellë të shijshme për babanë tënd, nga ato që i pëlqejnë atij.

10 Pastaj ti do t’ia çosh babait tënd që ta hajë, dhe kështu ai do të bekojë para se të vdesë".

11 Jakobi i tha Rebekës, nënës së tij: "Ja, vëllai im Esau është leshtor, ndërsa unë e kam lëkurën të lëmuar.

12 Ndofta babai im më prek me dorë; do t’i dukem atij mashtrues dhe do të tërheq mbi vete një mallkim në vend të një bekimi".

13 Por nëna e tij iu përgjegj: "Ky mallkim le të bjerë mbi mua, biri im! Bindju vetëm asaj që të thashë dhe shko të marrësh kecat".

14 Ai vajti pra t’i marrë dhe ia çoi nënës së tij; dhe e ëma përgatiti me to një gjellë të shijshme, nga ato që i pëlqenin babait të tij.

15 Pastaj Rebeka mori rrobat më të bukura të Esaut, birit të saj më të madh, që i mbante në shtëpi pranë vetes, dhe ia veshi Jakobit, birit të saj më të vogël;

16 dhe me lëkurët e kecave veshi duart e tij dhe pjesën e lëmuar të qafës së tij.

17 Pastaj vuri në dorë të Jakobit, birit të saj, gjellën e shijshme dhe bukën që kishte përgatitur.

18 Atëherë ai shkoi tek i ati dhe i tha: "Ati im!". Isaku u përgjegj: "Ja ku jam; kush je ti, biri im?".

19 Atëherë Jakobi i tha babait të tij: "Jam Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më ke thënë. Tani çohu, ulu dhe fillo të hash nga gjahu im, me qëllim që shpirti yt të më bekojë".

20 Por Isaku i tha të birit: "Por si bëre që e gjete kaq shpejt, biri im?". Ai u përgjegj: "Sepse Zoti, Perëndia yt, bëri që të vijë tek unë".

21 Atëherë Isaku i tha Jakobit: "Afrohu dhe lërmë të të prek, biri im, për të ditur nëse je pikërisht biri im Esau ose jo".

22 Dhe kështu Jakobi iu afrua Isakut, babait të tij; dhe mbasi ky e preku me dorë, tha: "Zëri është i Jakobit, por duart janë duart e Esaut".

23 Kështu ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore ashtu si duart e vëllait të tij Esau; dhe e bekoi.

24 Dhe tha: "A je ti me të vërtetë biri im Esau?". Ai u përgjigj: "Po".

25 Atëherë Isaku i tha: "Më shërbe që të ha nga gjahu i birit tim dhe shpirti im të të bekojë". Kështu Jakobi i shërbeu dhe Isaku hëngri. Jakobi i solli edhe verë dhe ai e piu.

26 Pastaj babai i tij Isaku i tha: "Tani afrohu dhe më puth, biri im".

27 Dhe ai u afrua dhe e puthi. Dhe Isaku ndjeu erën e rrobave të tij dhe e bekoi duke thënë: "Ja, era e tim biri është si era e një fushe, që Zoti e ka bekuar.

28 Perëndia të dhëntë vesën e qiellit dhe pjellorinë e tokës, si edhe bollëkun e grurit dhe të verës.

29 Të shërbefshin popujt dhe kombet u përkulshin para teje. Qofsh pronar i vëllezërve të tu dhe bijtë e nënës sate u përkulshin para teje. I mallkuar qoftë cilido të mallkon, i bekuar qoftë cilido të bekon!".

30 Dhe ndodhi që, pikërisht kur Isaku kishte mbaruar së bekuari Jakobin dhe ky sapo ishte larguar nga prania e të atit Isak, vëllai i tij Esau u kthye nga gjahu.

31 Edhe ai përgatiti një gjellë të shijshme dhe ia shpuri babait të tij dhe i tha: "Çohu ati im dhe ha nga gjahu i birit tënd, me qëllim që shpirti yt të më bekojë".

32 Isaku, babai i tij, i tha: "Kush je ti?". Ai u përgjegj: "Jam Esau, biri yt i parëlindur".

33 Atëherë Isakun e zunë ca të dridhura shumë të forta dhe i tha: "Kush është ai, pra, që gjuajti gjahun dhe ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti dhe e bekova; dhe i bekuar ka për të mbetur ai".

34 Me të dëgjuar fjalët e të atit, Esau dha një ulurimë të fortë dhe shumë të hidhur. Pastaj i tha të atit: "Bekomë edhe mua, ati im!".

35 Por Isaku iu përgjigj: "Yt vëlla erdhi me mashtrim dhe mori bekimin tënd".

36 Esau i tha: "Jo më kot është quajtur Jakob? Ai ma zuri vendin deri tani dy herë: më hoqi parëbirninë dhe ja tani po merr bekimin tim". Pastaj shtoi: A nuk ke ruajtur një bekim për mua??".

37 Atëherë Isaku u përgjegj dhe i tha Esaut: "Ja, unë e bëra zotrinë tënd dhe i dhashë tërë vëllezërit e tij si shërbëtorë, dhe e pajisa me grurë dhe me verë; ç’mund të bëj për ty, biri im?".

38 Esau i tha babait të tij: "A ke vetëm këtë bekim, ati im? Bekomë edhe mua, o ati im!". Dhe Esau ngriti zërin dhe qau.

39 Isaku, babai i tij, u përgjigj duke i thënë: "Ja, banesa jote do të privohet nga pjelloria e tokës dhe nga vesa që zbret nga lartësia e qiellit.

40 Ti do të jetosh me shpatën tënde dhe do të jesh shërbëtori i vëllait tënd; por do të ndodhë që, kur do të luftosh, do ta thyesh zgjedhën e tij nga qafa jote".

41 Kështu Esau filloi ta urrejë Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati, dhe tha në zemër të vet: "Ditët e zisë për babanë po afrohen; atëherë do të vras vëllanë tim Jakobin".

42 Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj më të madh, ajo dërgoi ta thërrasin birin e saj më të vogël, Jakobin, dhe i tha: "Ja, Esau, yt vëlla, ngushëllohet ndaj teje, duke menduar të të vrasë.

43 Prandaj, biri im, bindju fjalëve që të them: Çohu dhe ik shpejt në Haran te Labano, vëllai im;

44 dhe qëndro ca kohë me të, deri sa t’i kalojë zemërimi vëllait tënd,

45 deri sa mëria e vëllait tënd të largohet prej teje dhe ai të harrojë atë që i ke bërë; atëherë do të dërgojë njerëz që të të marrin prej andej. Pse duhet t’ju humbas që të dyve brënda një dite të vetme?".

46 Pastaj Rebeka i tha Isakut: "Jam neveritur nga jeta për shkak të bijave të Hethit. Në rast se Jakobi merr për grua një nga bijat e Hethit, një grua si ato të vendit, ç’më duhet jeta?".

28 Atëherë Isaku thiri Jakobin, e bekoi, i dha këtë urdhër dhe i tha: "Mos u marto me një grua nga Kanaanët.

Çohu, shko në Padan-Aram, në shtëpinë e Bethuelit, i ati i nënës sate, dhe merr për grua një nga bijat e Labanos, vëllait të nënës sate.

Perëndia i plotfuqishëm të bekoftë, të bëftë pjellor dhe të shumoftë, në mënyrë që ti të bëhesh një kuvend popujsh,

dhe të dhëntë bekimin e Abrahamit ty dhe pasardhësve të tu, në mënyrë që ti të jesh zot i vendit ku banon si i huaj dhe që Perëndia ia fali Abrahamit".

Kështu Isaku e nisi Jakobin, që shkoi në Padan-Aram te Labano, biri i Bethuelit, Arameu, i vëllai i Rebekës, nëna e Jakobit dhe e Esaut.

Por Esau pa që Isaku kishte bekuar Jakobin dhe e kish nisur në Padan-Aram që të merrte atje një grua por, duke e bekuar, i kishte dhënë këtë urdhër duke thënë: "Mos merr grua nga bijat e Kanaanit";

dhe Jakobi i ishte bindur të atit dhe nënës së tij, dhe ishte nisur për në Padan-Aram.

Kur Esau u bind se bijat e Kanaanit shiheshin me sy të keq nga Isaku, babai i tij,

shkoi tek Ismaeli dhe mori Mahalathin, të bijën e Ismaelit, që ishte biri i Abrahamit, dhe motër e Nebajothit, me qëllim që ajo të bëhej gruaja e tij, përveç grave të tjera që kishte.

10 Dhe Jakobi u nis në Beer-Sheba dhe shkoi në drejtim të Haranit.

11 Arriti në një farë vendi dhe aty kaloi natën, sepse dielli kishte perënduar. Atëherë mori një nga gurët e atij vendi, e vuri nën krye të tij dhe aty ra në gjumë.

12 Dhe pa në ëndërr një shkallë të mbështetur mbi tokë, maja e së cilës prekte qiellin; dhe ja engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin në të.

13 Dhe ja, Zoti ndodhej në majë të saj dhe i tha: "Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, babait tënd, dhe Perëndia i Isakut; tokën mbi të cilën je shtrirë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu;

14 dhe pasardhësit e tu do të jenë si pluhur i tokës, dhe ti do të shtrihesh në perëndim dhe në lindje, në veri dhe në jug; dhe tërë familjet e tokës do të bekohen nëpërmjet teje dhe pasardhësve të tu.

15 Dhe ja, unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të vesh, dhe do të të sjell përsëri në këtë vend; sepse nuk do të të braktis para se të bëj atë që të kam thënë".

16 Atëherë Jakobit i doli gjumi dhe tha: "Me siguri Zoti është në këtë vend dhe unë nuk e dija".

17 Dhe pati frikë e tha: "Sa i tmerrshëm është ky vend! Kjo nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë, dhe kjo është porta e qiellit!".

18 Kështu Jakobi u ngrit herët në mëngjes, mori gurin që kishte vënë nën krye të vet, e ngriti si një përmendore dhe derdhi vaj mbi majën e saj.

19 Dhe e quajti këtë vend Bethel, kurse më parë emri i qytetit ishte Luc.

20 Pastaj Jakobi lidhi një kusht duke thënë: "Në qoftë se Perëndia do të jetë me mua dhe do të më mbrojë gjatë këtij udhëtimi që jam duke bërë, në qoftë se do të më japë bukë për të ngrënë dhe rroba për t’u mbuluar,

21 dhe do të kthehem në shtëpinë e babait tim në paqe, atëherë Zoti do të jetë Perëndia im;

22 dhe ky gur që kam ngritur si përmendore, do të jetë shtëpia e Perëndisë; dhe nga të gjitha ato që do të më japësh, unë do të japë të dhjetën"

29 Pastaj Jakobi u nis dhe shkoi në vendin e lindorëve.

Shikoi dhe pa një pus në një arë, dhe aty pranë tri kope dhensh të mbledhura tok, sepse ai pus shërbente për t’u dhënë ujë kopeve të dhenve; dhe rrasa mbi grykën e pusit ishte e madhe.

Aty mblidheshin zakonisht tërë kopetë; atëherë çobanët e hiqnin rrasën nga gryka e pusit dhe u jepnin ujë dhenve; pastaj e vinin përsëri rrasën në vendin e saj, në grykën e pusit.

Dhe Jakobi u tha atyre: "Vëllezër të mi, nga jeni?" Ata u përgjigjën: Jemi nga Haranii".

Atëherë ai u tha atyre: "E njihni ju Labanon, birin e Nahorit?". Ata u përgjigjën: "E njohim".

Ai u tha atyre: "A është mirë ai?". Ata u përgjigjën: "Éshtë mirë; dhe ja bija e tij Rakela, e cila po vjen me delet".

Ai tha: "Ja, është ende ditë për diell dhe nuk ka ardhur koha për të mbledhur bagëtinë; jepuni ujë deleve dhe pastaj i çoni të kullosin"

Por ata u përgjigjën: "Nuk mundemi deri sa të gjitha kopetë të mblidhen, e të kemi hequr rrasën nga gryka e pusit; atëherë do t’u japim ujë deleve".

Ai po vazhdonte të fliste me ta kur arriti Rakela me delet e të atit, sepse ajo ishte një bareshë.

10 Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanos, vëllai i nënës së tij, dhe delet e Labanos, vëlla i nënës së tij, ai u afrua, e hoqi rrasën nga gryka e pusit, dhe i dha ujë kopesë së Labanos, vëllait të nënës së tij.

11 Atëherë Jakobi puthi Rakelën, ngriti zërin dhe qau.

12 Pastaj Jakobi e njoftoi Rakelën se ishte i një gjaku me të atin dhe ishte bir i Rebekës. Dhe ajo vrapoi t’ia tregonte të atit.

13 Sapo Labano dëgjoi lajmet e Jakobit, birit të motrës së tij, vrapoi drejt tij, e përqafoi, e puthi dhe e çoi në shtëpinë e tij. Dhe Jakobi i tregoi Labanos tërë ato gjëra.

14 Atëherë Labano i tha: "Ti je me të vërtetë nga mishi dhe gjaku im!". Dhe ai qëndroi një muaj me të.

15 Pastaj Labano i tha Jakobit: "Pse je fisi im duhet të më shërbesh pa marrë asgjë? Më thuaj sa duhet të jetë paga jote".

16 Tani Labano kishte dy bija: e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.

17 Lea kishte sy të perënduar, por Rakela ishte e hijshme dhe e pashme.

18 Prandaj Jakobi e donte Rakelën dhe i tha Labanos: "Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël".

19 Labano iu përgjigj: "Më mirë të ta jap ty se sa një njeriu tjetër; rri me mua".

20 Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte.

21 Pastaj Jakobi i tha Labanos: "Më jep gruan time, sepse afati u mbush dhe lejo që të bashkohem me të".

22 Atëherë Labano mblodhi tërë burrat e vendit dhe shtroi një banket.

23 Por, kur ra mbrëmja, ai mori bijën e tij Lea dhe e çoi te Jakobi, që hyri te ajo.

24 Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Zilpah si shërbyese të Leas, bijës së tij.

25 Të nesërmen në mëngjes, ai pa se ishte Lea. Atëherë Jakobi i tha Labanos: "Çfarë më bëre? A nuk të kam shërbyer për Rakelën? Pse më mashtrove?".

26 Labano u përgjegj: "Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë, nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes.

27 Mbaro javën e kësaj dhe do të japim edhe tjetrën, për shërbimin që do të më bësh për shtatë vjet të tjera".

28 Atëherë Jakobi bëri si i thanë dhe mbaroi javën e Leas; pastaj Labano i dha për grua bijën e tij Rakela.

29 Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Bilhah si shërbyese Rakelës, bijës së tij.

30 Dhe Jakobi hyri gjithashtu te Rakela dhe e dashuroi atë më tepër se Lean; dhe shërbeu shtatë vjet të tjera te Labano.

31 Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë.

32 Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një djalë që e quajti Ruben, sepse tha: Zoti e pa trishtimin tim; prandaj tani burri im do të më dojëë".

33 Pastaj u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë dhe ajo tha: "Zoti e pa se nuk kisha dashuri, prandaj më dha edhe këtë bir". Dhe e quajti Simeon.

34 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë, dhe tha: "Kësaj radhe burri im do të më dojë, sepse i kam lindur tre bij". Prandaj u quajt Levi.

35 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi djalë dhe tha: "Këtë radhë do të kremtoj Zotin". Prandaj e quajti Juda. Pastaj nuk pati më fëmijë.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes