Add parallel Print Page Options

25 Pastaj Abrahami mori një grua tjetër, që quhej Keturah.

Dhe kjo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Madianin, Ishbakun dhe Shuahin.

Jokshanit i lindi Sheba dhe Dedani. Bijtë e Dedanit ishin Asshurimi, Letushimi dhe Leumimi.

Bijtë e Madianit ishin Efahu, Eferi, Hanoku, Abidahu dhe Eldaahu. Tërë këta ishin bijtë e Keturahut.

Dhe Abrahami i dha Isakut gjithçka zotëronte;

por bijve që Abrahami kishte pasur nga konkubinat u dha disa dhurata dhe, sa ishte ende gjallë, i dërgoi larg birit të tij Isakut, drejt lindjes, në një vend të lindjes.

Këto janë vitet e jetës së Abrahamit: ai jetoi gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet.

Pastaj Abrahami dha frymën e fundit dhe vdiq në pleqëri të mbarë, i shtyrë në moshë dhe i ngopur me ditë, dhe u bashkua me popullin e tij.

Dhe bijtë e tij Isaku dhe Ismaeli e varrosën në shpellën e Makpelahut në arën e Efronit, biri i Zoarit, Hiteut, që ndodhet përballë Mamres,

10 arë që Abrahami u kishte blerë bijve të Hethit. Aty u varrosën Abrahami dhe e shoqja Sara.

11 Mbas vdekjes së Abrahamit, Perëndia bekoi birin e tij Isakun; dhe Isaku qëndroi pranë pusit të Lahai-Roit.

12 Tani këta janë pasardhësit e Ismaelit, bir i Abrahamit, që egjiptasja Agar, shërbëtorja e Sarës, i kishte lindur Abrahamit.

13 Këta janë emrat e bijve të Ismaelit, simbas emrit të brezave të tyre: Nebajothi, i parëlinduri i Ismaelit; pastaj Kedari, Abdeeli, Mibsami,

14 Mishma, Dumahu, Masa,

15 Hadari, Tema, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu.

16 Këta janë bijtë e Ismaelit dhe emrat e tyre, simbas fshatrave dhe fushimeve të tyre. Ata qenë dymbëdhjetë princërit e kombeve të tyre përkatës.

17 Por këto janë vitet e jetës së Ismaelit, gjithsej njëqind e tridhjetë e shtatë vjet; pastaj ai dha frymë dhe vdiq, dhe u bashkua me popullin e tij.

18 (Dhe bijtë e tij banuan nga Havilahu deri në Shur, që është në lindje të Egjiptit, në drejtim të Asirisë). Ai u vendos në prani të të gjithë vëllezërve të tij.

19 Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit.

20 Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isaku ishte dyzet vjeç kur mori për grua Rebekën, e bija e Bethuelit, Arameu i Paddan-Aranit dhe motra e Labanos, Arameut.

21 Isaku e luti Zotin për gruan e tij sepse ajo ishte shterpë. Zoti ia plotësoi dëshirën dhe Rebeka, gruaja e tij, u ngjiz.

22 Por fëmijët shtynin njeri-tjetrin në barkun e saj dhe ajo tha: "Në qoftë se është kështu (që iu përgjigj Zoti), pse gjendem unë në këto kushte?". Dhe kështu vajti të konsultohet me Zotin.

23 Dhe Zoti i tha: "Dy kombe ndodhen në barkun tënd dhe dy popuj kanë për të dalë nga përbrendëshmet e barkut tënd. Njeri nga këta dy popuj do të jetë më i fortë se tjetri, dhe më i madhi do t’i shërbejë më të voglit".

24 Kur erdhi koha për të që të lindte, ajo kishte në bark dy binjakë.

25 Dhe i pari që doli jashtë ishte i kuq; ai ishte krejt si një mantel leshtor, prandaj i vunë emrin Esau.

26 Pastaj doli vëllai i tij, i cili me dorë mbante thembrën e këmbës të Esaut; prandaj e quajtën Jakob. Por Isaku ishte shtatëdhjetë vjeç kur Rebeka i lindi.

27 Dy fëmijët u rritën dhe Esau u bë një gjahtar i sprovuar, një njeri fshatarak, ndërsa Jakobi ishte një njeri i qetë, që jetonte në çadra.

28 Por Isaku e donte Esaun, sepse mishin e gjahut e pëlqente; Rebeka nga ana e saj donte Jakobin.

29 Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur.

30 Dhe Esau i tha Jakobit: "Të lutem, më lërë të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur". Për këtë arësye e quajtën Edom.

31 Por Jakobi iu përgjegj: "Më shit më parë parëbirninë tënde".

32 Esau tha: "Ja unë jam duke vdekur, ç’dobi kam nga parëbirnia?".

33 Atëherë Jakobi tha: "Më parë betomu". Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij.

34 Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij.

26 Por ndodhi një mungesë ushqimesh në vend, përveç asaj të parës që kishte ndodhur në kohën e Abrahamit. Pastaj Isaku shkoi tek Abimeleku, mbreti i Filistejve në Gerar.

Atëherë Zoti iu shfaq dhe i tha: "Mos zbrit në Egjipt, qëndro në vendin që do të të them.

Qëndro në këtë vend dhe unë do të jem me ty dhe do të të bekoj, sepse kam për të të dhënë ty dhe pasardhësve të tu tërë këto vende dhe do ta mbaj betimin që i kam bërë Abrahamit, babait tënd,

dhe do t’i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit; do t’u jap atyre tërë këto vende, dhe të gjitha kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu,

sepse Abrahami iu bind vullnetit tim dhe respektoi urdhërat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia".

Kështu Isaku qëndroi në Gerar.

Kur njerëzit e vendit i bënin pyetje rreth gruas së tij, ai u përgjigjej: "Éshtë motra ime," sepse kishte frikë të thoshte: "Éshtë gruaja ime," sepse mendonte: "Njerëzit e vendit mund të më vrasin për shkak të Rebekës, sepse ajo është e pashme".

Kur kishte kaluar një kohë e gjatë në atë vend, Abimelekut, mbretit të Filistejve, i rastisi të shikojë nga dritarja dhe pa Isakun që përkëdhelte Rebekën, gruan e tij.

Atëherë Abimeleku thiri Isakun dhe i tha: "Ajo është me siguri gruaja jote; si bëhet që ti the: "Ajo është motra ime"?". Isaku iu përgjegj: "Sepse thoja: "Nuk do të doja të vdes për shkak të saj"".

10 Abimeleku tha: "Ç’është kjo që na bëre? Ndokush nga populli mund të binte lehtë në shtrat me gruan tënde dhe ti do të na kishe ngarkuar me faj të rëndë".

11 Kështu Abimeleku i dha këtë urdhër tërë popullit: "Kushdo që prek këtë njeri ose të shoqen do të dënohet pa tjetër me vdekje".

12 Isaku mbolli në atë vend dhe po atë vit korri një prodhim njëqind herë më të madh; dhe Zoti e bekoi.

13 Ky njeri u bë i madh dhe vazhdoi të rritet deri sa u bë jashtëzakonisht i madh.

14 Ai arriti të zotërojë kope dhënsh dhe qesh dhe kishte një numër të madh shërbëtorësh. Kështu Filistejtë e patën zili,

15 dhe për këtë arësye i zunë, duke i mbushur me dhe, tërë puset që shërbëtorët e babait të tij kishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij.

16 Atëherë Abimeleku i tha Isakut: "Largohu nga ne, sepse ti je shumë më i fuqishëm se ne".

17 Kështu Isaku u largua që andej dhe u vendos në luginën e Gerarit, dhe aty banoi.

18 Dhe Isaku filloi të hapë puse uji që ishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij, dhe që Filistejtë i kishin mbyllur mbas vdekjes së Abrahamit, dhe u vuri po ato emra që u kishte vënë babai i tij.

19 Pastaj shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë dhe gjetën aty një pus me ujë të freskët.

20 Por barinjtë e Gerarit u grindën me çobanët e Isakut, duke u thënë: Uji është ynii". Dhe ai e quajti pusin Esek, sepse ata e kishin kundërshtuar.

21 Shërbëtorët hapën pastaj një pus tjetër, por ata kundërshtuan edhe për këtë. Dhe Isaku e quajti Sitnah.

22 Atëherë ai u largua që andej dhe hapi një pus tjetër për të cilin nuk pati kundërshtim. Dhe ai e quajti atë Rehoboth, sepse ai tha: "Tani Zoti na ka vënë larg dhe ne do të kemi mbarësi në këtë vend".

23 Pastaj së këtejmi Isaku u ngjit në Beer-Sheba.

24 Dhe Zoti iu shfaq po atë natë dhe i tha: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, babait tënd; mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të të bekoj dhe do të shumoj pasardhësit e tu, për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim".

25 Atëherë ai ndërtoi në atë vend një altar dhe përmendi emrin e Zotit, dhe po aty ai ngriti edhe çadrën e tij. Aty shërbëtorët e Isakut hapën një pus.

26 Pastaj Abimeleku nga Gerari shkoi tek ai bashkë me Ahucathin, mikun e tij, dhe me Pikolin, kreun e ushtrisë së tij.

27 Dhe Isaku u tha atyre: "Pse keni ardhur tek unë, për deri sa më urreni dhe më keni larguar prej jush?".

28 Atëherë ata u përgjigjën: "Ne e pamë qartë që Zoti është me ty. Kështu thamë: "Le të bëjmë një betim midis nesh, midis nesh dhe teje, dhe të përfundojmë një aleancë me ty":

29 dhe kështu ti nuk do të na bësh asnjë të keqe, ashtu si ne nuk të kemi prekur, nuk të kemi bërë veçse të mira dhe të kemi lënë të ikësh në paqe. Ti je tani i bekuari i Zotit".

30 Kështu Isaku shtroi për ta një banket dhe ata hëngrën e pinë.

31 Të nesërmen në mëngjes u ngritën herët dhe shkëmbyen një betim. Pastaj Isaku i përcolli dhe ata ikën në paqe.

32 Po atë ditë ndodhi që shërbëtorët e Isakut erdhën për ta lajmëruar për pusin që kishin hapur duke i thënë: "Kemi gjetur ujë".

33 Dhe ai e quajti atë Shibah. Për këtë arësye qyteti mban emrin Beer-Sheba edhe sot e kësaj dite.

34 Në moshën dyzetvjeçare Esau mori për grua Juditin, të bijën e Beerit, Hiteut dhe të Basemathit, bijë e Elonit, Hiteut.

35 Këto u bënë shkas për një hidhërim të thellë të Isakut dhe të Rebekës.