Add parallel Print Page Options

20 Abrahami u zhvendos së këtejmi duke vajtur në Negev, dhe banoi në Kadesh dhe në Shur mandej u vendos në Gerar.

Tani Abrahami thoshte për Sarën, gruan e tij: "Éshtë motra ime". Kështu Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz për të marrë Sarën.

Por Perëndia iu shfaq Abimelekut në një ëndërr nate dhe i tha: "Ja, ti je duke vdekur, për shkak të gruas që ke marrë, sepse ajo është e martuar".

Por Abimeleku nuk i ishte afruar asaj dhe tha: "Zot, a do ta shkatërroje një komb, edhe sikur ai të ishte i drejtë?

Ai nuk më ka thënë: "Éshtë motra ime," dhe ajo vetë ka thënë: "Éshtë vëllai im"? E bëra këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sime dhe me duar të pafajshme".

Dhe Perëndia i tha në ëndërr: "Po, unë e di që e ke bërë këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sate, ndaj të ndalova të kryesh një mëkat kundër meje; ndaj nuk të lejova ta prekësh.

Tani ktheja gruan këtij njeriu, sepse ai është një profet; dhe do të lutet për ty dhe ti ke për të jetuar. Por, në rast se nuk ia kthen, dije që me siguri ke për të vdekur, ti dhe tërë njerëzit e tu".

Kështu Abimeleku u zgjua herët në mëngjes, thirri gjithë shërbëtorët e tij dhe u tregoi tërë këto gjëra. Dhe ata njerëz i zuri një frikë e madhe.

Pastaj Abimeleku thirri Abrahamin dhe i tha: "Ç’na bëre? Dhe çfarë kam bërë unë kundër teje që më solle një mëkat kaq të madh si mua ashtu edhe mbretërisë sime? Ti më bëre gjëra që nuk duheshin bërë".

10 Pastaj Abimeleku i tha Abrahamit: "Çfarë mendoje të bëje duke vepruar në këtë mënyrë?".

11 Abrahami u përgjegj: "E bëra sepse thoja me veten time: "Sigurisht, në këtë vend nuk kanë frikë nga Perëndia; dhe do të më vrasin për shkak të gruas sime".

12 Përveç kësaj ajo është në të vërtetë motra ime, bijë e babait tim, por jo bijë e nënës sime; dhe pastaj u bë gruaja ime.

13 Dhe kur Perëndia më çoi të bredh larg shtëpisë së babait tim, unë i thashë: "Ky është favori që do të më bësh; kudo që të shkojmë, do të thuash për mua: Éshtë vëllai im"".

14 Atëherë Abimeleku mori dhentë, qetë, shërbyesit dhe shërbëtoret, dhe ia dha Abrahamit; dhe i kthehu gruan e tij Sara.

15 Pastaj Abimeleku tha: "Ja, vendi im të qëndron përpara; qëndro aty ku të pëlqen".

16 Dhe Sarës i tha: "Ja, unë i dhashë vëllait tënd njëmijë copë argjendi; kjo do të shërbejë për të mbuluar fyerjen që të është bërë para të gjithë atyre që janë me ty; kështu je e përligjur para të gjithëve".

17 Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia shëroi Abimelekun, gruan e tij dhe shërbyeset e saj, dhe ato mundën të pjellin.

18 Sepse Zoti e kishte shterpëzuar plotësisht tërë shtëpinë e Abimelekut, për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.

21 Zoti vizitoi Sarën, siç i kishte thënë; dhe Zoti i bëri Sarës ato që i kishte premtuar.

Dhe Sara u ngjiz dhe lindi një djalë me Abrahamin në pleqërinë e tij, në kohën e caktuar që Perëndia i kishte thënë.

Dhe Abrahami ia vuri emrin Isak birit që i kishte lindur dhe që Sara kishte pjellë.

Pastaj Abrahami e rrethpreu birin e tij Isak kur ishte tetë ditësh, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia.

Por Abrahami ishte njëqind vjeç, kur i lindi biri i tij Isaku.

Dhe Sara tha: "Perëndia më ka dhënë çka duhet për të qeshur, kushdo që do ta dëgjojë ka për të qeshur bashkë me mua".

Dhe tha gjithashtu: "Kush mund t’i thoshte Abrahamit që Sara do të mëndte fëmijë? Sepse unë i linda një djalë në pleqërinë e tij".

Kështu, pra, fëmija u rrit dhe u zvordh; dhe ditën që Isaku u zvordh Abrahami shtroi një gosti të madhe.

Tani Sara pa që djali që i kishte lindur Abrahamit nga Agari, egjiptasja, qeshte.

10 Atëherë ajo i tha Abrahamit: "Përzëre këtë shërbyese dhe birin e saj, sepse i biri i kësaj shërbyese nuk duhet të jetë trashëgimtar me birin tim, me Isakun".

11 Kjo gjë s’i pëlqeu aspak Abrahamit, për shkak të djalit të tij.

12 Por Perëndia i tha Abrahamit: "Mos u hidhëro për shkak të djalit dhe të shërbyeses sate; dëgjo tërë ato që të thotë Sara, sepse nga Isaku do të dalin pasardhës që do të mbajnë emrin tënd.

13 Edhe nga djali i kësaj shërbyeses unë do të bëj një komb, sepse është një pasardhës i yt".

14 Abrahami u ngrit herët në mëngjes, mori bukë dhe një calik ujë dhe ia dha Agarit; vuri gjithçka mbi shpatullat e saj dhe e nisi bashkë me fëmijën. Kështu ajo u nis dhe filloi të bredhë nëpër shkretëtirën e Beer-Shebas.

15 Kur uji i calikut mbaroi, ajo e vuri fëmijën poshtë një kaçubeje.

16 Dhe shkoi e u ul përballë tij, në një largësi sa një goditje me hark, sepse thoshte: "Nuk dua ta shoh fëmijën të vdesë!" Kështu ajo u ul përballë tij, ngriti zërin dhe qau.

17 Dhe Perëndia dëgjoi zërin e djaloshit dhe engjëlli i Perëndisë thirri Agarin nga qielli dhe i tha: "Çfarë ke, Agar? Mos ki frikë, se Perëndia ka dëgjuar zërin e djaloshit aty ku ndodhet.

18 Çohu, çoje djaloshin dhe mbaje fort me dorën tënde, sepse unë do të bëj prej tij një komb të madh".

19 Atëherë Perëndia ia hapi sytë dhe ajo pa një pus uji: kështu vajti të mbushë calikun me ujë dhe i dha të pijë djaloshit.

20 Dhe Perëndia qe me djaloshin; ai u rrit, banoi në shkretëtirë dhe u bë shenjëtar harku.

21 Ai banoi në shkretëtirën e Paranit dhe nëna e tij e martoi me një grua nga Egjipti.

22 Në atë kohë Abimeleku, së bashku me Pikolin, kreu i ushtrisë së tij, i foli Abrahamit duke i thënë: "Perëndia është me ty në tërë ato që bën;

23 prandaj betohu këtu në emër të Perëndisë që ti s’ke për të gënjyer as mua, as bijtë e mi, as nipërit e mi, që ti do të përdorësh ndaj meje dhe vendit ku ke banuar si i huaj po atë dashamirësi që unë kam treguar ndaj teje".

24 Abrahami u përgjegj: "Betohem".

25 Pastaj Abrahami e qortoi Abimelekun për shkak të një pusi uji që shërbyesit e Abimelekut e kishin shtënë në dorë.

26 Abimeleku tha: "Unë nuk e di se kush e ka bërë këtë gjë; ti vetë nuk ma ke njoftuar dhe unë vetëm sot dëgjova të flitet për këtë ngjarje".

27 Atëherë Abrahami mori dele dhe qe dhe ia dha Abimelekut; dhe të dy lidhën aleancë.

28 Pastaj Abrahami vuri mënjanë shtatë qengja femër të kopesë.

29 Dhe Abimeleku i tha Abrahamit: "Ç’kuptim ka ajo që ke vënë shtatë qengja mënjanë?".

30 Abrahami u përgjegj: "Ti do t’i pranosh nga dora ime këto shtatë qengja, me qëllim që kjo të më vlejë si dëshmi që unë e kam hapur këtë pus".

31 Prandaj ai e quajti këtë vend Beer-Sheba, sepse aty që të dy ishin betuar.

32 Kështu lidhën aleancë në Beer-Sheba. Pastaj Abimeleku dhe Pikoli, kreu i ushtrisë të tij, u ngritën dhe u kthyen në vendin e Filistejve.

33 Pastaj Abrahami mbolli një marinë në Beer-Sheba dhe aty thërriti emrin e Zotit, Perëndi i përjetësisë.

34 Dhe Abrahami qëndroi si i huaj shumë kohë në vendin e Filistejve.

22 Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: Abraham!!" Ai u përgjegj: "Ja ku jam".

Dhe Perëndia tha: "Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahve dhe sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj".

Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për sakrificën; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte.

Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin.

Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: "Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush".

Kështu Abrahami mori drutë e sakrificës dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy.

Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: "Ati im!". Abrahami iu përgjegj: "Ja ku jam, biri im". Dhe Isaku tha: "Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për sakrificën?".

Abrahami u përgjegj: "Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën". Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë.

Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe sistemoi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve.

10 Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin.

11 Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: "Abraham, Abraham!". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".

12 Engjëlli i tha: "Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke".

13 Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si sakrificë në vend të të birit.

14 Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: "Do të furnizohet mali i Zotit".

15 Engjëlli i Zotit e thirri për të dytën herë Abrahamin nga qielli dhe tha:

16 "Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke,

17 unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij.

18 Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim".

19 Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët e tij, ata u ngritën dhe shkuan bashkë në Beer-Sheba. Dhe Abrahami zuri vend në Beer-Sheba.

20 Mbas këtyre gjërave i thanë Abrahamit këtë: "Ja, Milkah i ka lindur edhe ajo bij Nahorit, vëllait tënd;

21 Uzi, dhëndri i tij i parë, Buzi vëllai i tij, Kemueli babai i Aramit,

22 Kesedi, Hazoi, Pildashi, Jidlafi dhe Bethueli".

23 Dhe Bethuelit i lindi Rebeka. Këta tetë bij Milkah i lindi nga Nahori, vëllai i Abrahamit.

24 Konkubina e tij, që quhej Reumah, lindi edhe ajo Tebahun, Gahamin, Tahashin dhe Maakahun.

19 Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,

20 përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.

21 Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.

22 Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar,

23 por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!

24 Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t’i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.

25 Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja?

26 Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata?

27 Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t’i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm?

28 Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin;

29 dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata.

30 Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë?

31 Mos u shqetësoni, pra duke thënë: "Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?".

32 Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.

33 Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.

34 Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet.”

Read full chapter