A A A A A
Bible Book List

Zanafilla 16-18 Albanian Bible (ALB)

16 Por Saraj, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë asnjë fëmijë. Ajo kishte një shërbyese egjiptase që quhej Agar.

Kështu Saraj i tha Abramit: "Ja, Zoti më ka ndaluar të kem fëmijë; oh, futu te shërbysja ime, ndofta mund të kem fëmijë prej saj". Dhe Abrami dëgjoi zërin e Sarajt.

Kështu pra Saraj, gruaja e Abramit, mbasi ky i fundit kishte banuar dhjetë vjet në vendin e Kanaanëve, mori shërbyesen e saj Agarin, egjiptasen, dhe ia dha për grua burrit të saj Abramit.

Dhe ai u fut tek Agari, që mbeti me barrë; por kur u bind se kishte mbetur me barrë, ajo e shikoi me përbuzje zonjën e saj.

Atëherë Saraj i tha Abramit: "Përgjegjësia për fyerjen që m’u bë le të bjerë mbi ty. Kam qënë unë që të hodha në krahët e shërbyeses sime; por që kur e mori vesh që është me barrë, ajo më shikon me përbuzje. Zoti le të jetë gjykatës midis meje dhe teje".

Abrami iu përgjegj Sarajt: "Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde; bëj me të ç’të duash". Atëherë Saraj e trajtoi në mënyrë të ashpër dhe ajo iku nga prania e saj.

Por Engjëlli i Zotit e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, pranë burimit në rrugën e Shurit,

dhe i tha: "Agar, shërbyesja e Sarajt, nga vjen dhe ku po shkon?" Ajo u përgjigj: "Po iki nga prania e zonjës sime Saraj".

Atëherë Engjëlli i Zotit i tha: "Kthehu tek zonja jote dhe nënshtroju autoritetit të saj".

10 Pastaj Engjëlli i Zotit shtoi: "Unë do t’i shumëzoj fort pasardhësit e tu aq sa të mos mund të llogariten për shkak të numrit të tyre të madh".

11 Engjëlli i Zotit i tha akoma: "Ja, ti je me barrë dhe do të lindësh një djalë dhe do ta quash Ismael, sepse Zoti mori parasysh hidhërimin tënd;

12 ai do të jetë ndërmjet njerëzve si një gomar i egër; dora e tij do të jetë kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve kundër tij; dhe do të banojë në prani të të gjithë vëllezërve të tij".

13 Atëherë Agari thirri emrin e Zotit që i kishte folur: "Ti je El-Roi," sepse tha: "A e pashë me të vërtetë atë që më shikon?".

14 Prandaj ai pus u quajt "Pusi i Lahai-Roit". Ja, ai ndodhet midis Kadeshit dhe Beredit.

15 Kështu Agari i lindi një djalë Abramit; dhe Abrami i vuri djalit që Agari kishte lindur emrin Ismael.

16 Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, kur Agari lindi Ismaelin për Abramin.

17 Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti i doli përpara dhe i tha: Unë jam Perëndia i plotfuqishëm; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm;;

dhe unë do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje dhe do të të shumoj fort".

Atëherë Abrami përuli fytyrën në tokë dhe Perëndia i foli, duke i thënë:

"Sa për mua, ja unë po bëj një besëlidhje me ty; ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh.

Dhe nuk do të quhesh më Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse unë të bëj babanë e një shumice kombesh.

Do të të bëj shumë frytdhënës. Pastaj do të bëj prej teje kombe dhe prej teje kanë për të dalë mbretër.

Dhe do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje, si dhe me pasardhësit e tu, nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, me të cilën unë do të marr përsipër të jem Perëndia yt dhe i pasardhësve të tu mbas teje.

Dhe ty dhe pasardhësve të tu pas teje, do t’u jap vendin ku ti banon si një i huaj: tërë vendin e Kanaanëve, në pronësi për gjithnjë; dhe do jem Perëndia i tyre".

Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Nga ana jote, ti do ta respektosh besëlidhjen time, ti dhe pasardhësit e tu, nga një brez në tjetrin.

10 Kjo është besëlidhja ime që ju do të respektoni midis meje edhe jush, si dhe pasardhësve të tu pas teje: çdo mashkull që ndodhet midis jush do të rrethpritet.

11 Dhe do të rrethpriteni në mishin e prepucit tuaj; dhe kjo do të jetë një shenjë e besëlidhjes midis meje dhe jush.

12 Në moshën tetë ditësh, çdo mashkull i juaj do të rrethpritet, dhe kjo nga një brez në tjetrin, qoftë ai i lindur në shtëpi, qoftë ai i blerë me para nga çdo i huaj që nuk është një pasardhës i yt.

13 Do të rrethpritet si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, ashtu edhe ai që është blerë me para; besëlidhja ime në mishin tuaj do të jetë një besëlidhje e përjetshme.

14 Dhe mashkulli i parrethprerë, që nuk është rrethprerë në mishin e prepucit të tij, do të hidhet jashtë popullit të tij, sepse ka shkelur besëlidhjen time".

15 Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Përsa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara.

16 Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj".

17 Atëherë Abrahami u shtri me fytyrën ndaj tokës dhe qeshi; dhe tha në zemër të tij: "A do të lindë vallë një fëmijë nga një njeri njëqindvjeçar? Dhe do të lindë Sara që është nëntëdhjetë vjeç?".

18 Pastaj Abrahami i tha Perëndisë: "Vaj medet, që Ismaeli të mund të jetojë para teje!".

19 Por Perëndia u përgjegj: "Jo, por Sara gruaja jote do të lindë një bir, dhe ti do ta quash Isak; dhe unë do të caktoj besëlidhjen time me të, një besëlidhje të përjetshme me pasardhësit e tij.

20 Sa për Ismaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh.

21 Por besëlidhjen time do ta përfundoj me Isakun që Sara do të lindë në këtë kohë, vitin e ardhshëm".

22 Kur mbaroi së foluri me të, Perëndia e la Abrahamin duke u ngritur lart.

23 Atëherë Abrahami mori Ismaelin, djalin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe tërë ata që kishte blerë me paratë e veta, tërë meshkujt e shtëpisë së Abrahamit dhe, po atë ditë, rrethpreu mishin e prepucit të tyre, ashtu siç i kishte thënë Perëndia të bënte.

24 Por Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur u rrethpre në mishin e prepucit të tij.

25 Dhe Ismaeli, biri i tij, ishte trembëdhjetë vjeç kur u rrethpre në mishin e prepucit të tij.

26 Po atë ditë u rrethprenë Abrahami dhe Ismaeli, biri i tij.

27 Dhe tërë njerëzit e shtëpisë së tij, qoftë ata të lindur në shtëpi, qoftë ata të blerë me para nga të huajt, u rrethprenë bashkë me të.

18 Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamreut, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës.

Abrahami ngriti sytë dhe tre burra rrinin më këmbë pranë tij. Sa i pa, vrapoi në drejtim të tyre nga hyrja e çadrës, u përkul deri në tokë e pastaj tha:

"Zoti im, në rast se kam gjetur hir para teje, të lutem mos kalo pa u ndalur para shërbëtorit tënd!

Oh, lini që të sjellin pak ujë që të mund të lani këmbët tuaja, dhe çlodhuni nën këtë pemë.

Unë do të shkoj të marr një copë bukë, kështu do të mund të merrni zemër, pastaj të vazhdoni rrugën, sepse për këtë keni kaluar nga shërbyesi juaj". Ata i thanë: "Bëj siç ke thënë".

Atëherë Abrahami shkoi me ngut në çadër, te Sara, dhe i tha: "Merr shpejt tri masa majë mielli, gatuaj brumin dhe bëj me to kuleç".

Pastaj Abrahami shkoi në kopenë e bagëtive, zgjodhi një viç të njomë dhe të mirë, ia dha një shërbyesi dhe nxitoi ta përgatisë.

Mori pastaj gjizë, qumësht dhe viçin që kishte përgatitur dhe i vuri para tyre; ndërsa ata hanin, ai qëndroi më këmbë pranë tyre poshtë pemës.

Pastaj ata i thanë atij: "Ku është Sara, gruaja jote?". Abrahami u përgjegj: "Éshtë atje në çadër".

10 Dhe ai tha: "Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë". Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij.

11 Por Abrahami dhe Sara ishin pleq, në moshë të kaluar, dhe Sara nuk kishte më të përmuajshmet e grave.

12 Prandaj Sara qeshi me veten e saj, duke thënë: "Plakë si jam, a do të kem unë gëzime të tilla, me qënë se vetë zoti im është plak?".

13 Dhe Zoti i tha Abrahamit: "Pse qeshi vallë Sara duke thënë: "A do të lind unë përnjëmend, plakë siç jam?".

14 A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir".

15 Atëherë Sara mohoi, duke thënë: "Nuk qesha," sepse pati frikë. Por ai i tha: "Përkundrazi, ke qeshur!".

16 Pastaj ata njerëz u ngritën së andejmi dhe kthyen shikimin e tyre në drejtim të Sodomës; dhe Abrahami ecte bashkë me ta për tu ndarë prej tyre.

17 Dhe Zoti tha: "A do t’ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë,

18 mbasi Abrahami duhet të bëhet një komb i madh dhe i fuqishëm dhe tek ai do të bekohen tërë kombet e tokës?.

19 Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet që i ka dhënë Abrahamit".

20 Dhe Zoti tha: "Me qenë se britma që ngrihet nga Sodoma dhe Gomora është e madhe dhe me qenë se mëkati i tyre është shumë i rëndë,

21 unë do të zbres për të parë nëse kanë bërë me të vërtetë simbas britmës që ka arritur tek unë, në rast të kundërt, do ta mësoj".

22 Pastaj këta njerëz u larguan së andejmi dhe shkuan në drejtim të Sodomës, por Abrahami mbeti ende para Zotit.

23 Atëherë Abrahami iu afrua dhe i tha: "Do të zhdukësh të drejtin së bashku me të paudhin?

24 Le ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet, ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t’i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë në mes të saj?

25 Mos e bëj këtë gjë, të shkaktosh vdekjen e të drejtit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i drejti të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?".

26 Zoti tha: "Në rast se gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, unë do ta fal tërë vendin për hir të tyre".

27 Atëherë Abrahami rifilloi dhe tha: "Ja, marr guximin t’i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi.

28 Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë, a do ta shkatërroje tërë qytetin për pesë veta më pak?". Zoti u përgjigj: "Po të gjej dyzet e pesë, nuk do ta shkatërroj".

29 Abrahami vazhdoi t’i flasë dhe tha: "Ta zëmë se në qytet ndodhen dyzet?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj për hir të dyzetëve".

30 Atëherë Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti, dhe unë do të flas. Po sikur në qytet të ketë tridhjetë prej tyre?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj, po të gjej tridhjetë".

31 Dhe Abrahami i tha: "Ja, marr guximin t’i flas Zotit. Ta zëmë se në qytet gjenden njëzet?". Zoti iu përgjigj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve".

32 Dhe Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti dhe unë do të flas edhe vetëm këtë herë. Sikur në qytet të ketë dhjetë prej tyre?". Zoti u përgjegj: Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëvee".

33 Sa mbaroi së foluri me Abrahamin, Zoti u largua. Dhe Abrahami u kthye në banesën e tij.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes