Add parallel Print Page Options

Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,

por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.

Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,

por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,

që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.

Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!.”

Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.

Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;

kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni?

10 Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.

11 Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.

12 O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s’më keni bërë asnjë të keqe.

13 Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;

14 dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s’patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.

15 Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m’i jepnit mua.

16 A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?

17 Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t’ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre.

18 Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush.

19 Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!

20 Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.

21 Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?

22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.

23 Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.

24 Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.

25 Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.

26 Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.

27 Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin.”

28 Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.

29 Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.

30 Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës.”

31 Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.

Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.

Ja, unë, Pali, po ju them se, në qoftë se rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju bëjë dobi aspak.

Edhe i dëshmoj përsëri çdo njeriu që rrethpritet, se ai është i detyruar të zbatojë mbarë ligjin.

Ju që kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit, jeni ndarë nga Krishti; ratë poshtë nga hiri.

Ne në fakt në Frymë, nëpërmjet besimit presim shpresën e drejtësisë,

sepse në Jezu Krishtin, as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie.

Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?

Kjo bindje nuk vjen nga ai që ju thërret.

Pak maja e bën të vijë gjithë brumin.

10 Kam besim te Perëndia për ju, se nuk do të mendoni ndryshe; por ai që ju turbullon juve, kushdo qoftë, do të marrë dënimin.

11 Sa për mua, o vëllezër, në qoftë se unë vazhdoj të predikoj rrethprerjen, përse më përndjekin akoma? Atëherë skandali i kryqit ra poshtë.

12 Oh, sikur ata që ju turbullojnë, të gjymtoheshin vetë!

13 Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit.

14 Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”

15 Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.

16 Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit,

17 sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi.

18 Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj.

19 Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja,

20 idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet,

21 smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

22 Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.

23 Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.

24 Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij.

25 Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim.

26 Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.

Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti.

Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.

Sepse në qoftë se dikush mendon se është diçka, pa qenë asgjë, ai gënjen veten e vet.

Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin.

Sepse secili do të mbajë barrën e vet.

Ai që merr mësim në fjalën, le ta bëjë pjestar të të gjitha të mirave të tij atë që e mëson.

Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.

Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme.

Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.

10 Prandaj, sa të kemi rast, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.

11 Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju kam shkruar me dorën time!

12 Të gjithë ata që duan të duken të mirë në mish, ju shtrëngojnë që të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqeni për kryqin e Krishtit.

13 Sepse as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që ata të mburren në mishin tuaj.

14 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.

15 Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re.

16 Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë.

17 Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.

18 Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.