Add parallel Print Page Options

Atëherë mbreti Dar urdhëroi që të bëheshin kërkime në shtëpinë e arkivave ku ruheshin thesaret në Babiloni;

dhe në Ahmetha, në kështjellën që është në provincën e Medisë, u gjet një rrotull, dhe në të një dokument të shkruar kështu:

"Në vitin e parë të mbretit Kir, mbreti Kir u shpall një urdhëresë lidhur me shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem: "Të rindërtohet tempulli, vendi ku ofrohen flijime. Të hidhen mirë themelet e tij. Të ketë një lartësi prej gjashtëdhjetë kubitësh dhe një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh,

me tri radhë gurësh të mëdhenj dhe një radhë lëndë të re druri; dhe shpenzimet të paguhen nga pallati mbretëror.

Përveç kësaj, veglat prej ari dhe prej argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari ka hequr nga tempulli që është në Jeruzalem dhe i ka çuar në Babiloni, të rikthehen dhe të çohen në tempullin që është në Jeruzalem; dhe secila të vihet në vendin e vet në shtëpinë e Perëndisë".

Tani, pra, Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët tuaj, Afarsekitët, që ndodhen matanë Lumit, rrini larg këtij vendi!

Lini që të vazhdojë puna për këtë shtëpi të Perëndisë; qeveritari i Judejve dhe pleqtë e Judejve ta rindërtojnë këtë shtëpi të Perëndisë në vendin e saj.

Përveç kësaj po lëshoj një urdhër për atë që duhet të bëni për pleqtë e Judejve në rindërtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë; këtyre njerëzve t’u paguhen tërë shpenzimet nga të ardhurat e mbretit që vijnë nga taksat e mbledhura matanë Lumit, me qëllim që punimet të mos ndërpriten.

Gjërat e nevojshme për olokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa mosplotësuar kurrë kërkesat e priftërinjve që janë në Jeruzalem,

10 me qëllim që t’i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij.

11 Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrëmbëron këtë dekret, t’i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij.

12 Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Darius, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri".

13 Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar.

14 Kështu pleqtë e Judejve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhërit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artasersit, mbretit të Persisë.

15 Tempulli u përfundua ditën e tretë të muajit të Adarit, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit.

16 Atëherë bijtë e Izraelit, priftërinjtë, Levitët dhe të kthyerit e tjerë nga robëria e kremtuan me gëzim kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë.

17 Për kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë ata ofruan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit, si flijime për mëkatin për gjithë Izraelin.

18 Pastaj vendosën priftërinjtë sipas klasave të tyre dhe Levitët sipas ndarjeve të tyre, për shërbimin e Perëndisë në Jeruzalem, ashtu siç është shkruar në librin e Moisiut.

19 Të kthyerit nga robëria e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë,

20 sepse priftërinjtë dhe Levitët ishin pastruar bashkarisht; të gjithë ishin të pastër. Atëherë e flijuan Pashkën për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj dhe për veten e tyre.

21 Kështu bijtë e Izraelit që ishin kthyer nga robëria e hëngrën Pashkën bashkë me tërë ata që ishin ndarë nga papastërtia e popujve të vendit dhe që ishin bashkuar me ta për të kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit.

22 Dhe kremtuan me gëzim shtatë ditë me radhë festën e të Ndormëve, sepse Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke përkulur në favor të tyre zemrën e mbretit të Asirisë, kështu që t’i bënte më të fuqishme duart e tyre për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.

Mbas këtyre gjërave, nën mbretërimin e Artasersit, mbretit të Persisë, Ezdra, bir i Serajahut, bir i Azarias, bir i Hilkiahut,

bir i Shalumit, biri i Tsadokut, bir i Ahitubit,

bir i Amariahut, bir i Azarias, bir i Merajothit,

bir i Zerajahut, bir i Uzit, bir i Bukit,

bir i Abishuas, bir i Finehasit, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, kryeprift;

ky Ezdra vinte nga Babilonia. Ishte një shkrues kompetent në ligjin e Moisiut të dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit. Mbreti i dha të gjitha ato që ai kërkoi, sepse dora e Zotit, Perëndisë të tij, ishte mbi të.

Në vitin e shtatë të mbretit Artasersit, ngjitën gjithashtu në Jeruzalem disa nga bijtë e Izraelit dhe të priftërinjve, Levitë, këngëtarë, derëtarë dhe Nethinej.

Ezdra arriti në Jeruzalem në muajin e pestë, që ishte viti i shtatë i mbretit.

Ai e filloi udhëtimin e tij nga Babilonia ditën e parë të muajit të parë dhe arriti në Jeruzalem ditën e parë të muajit të pestë, sepse dora mirëbërëse e Perëndisë të tij ishte mbi të.

10 Në të vërtetë Ezdra i ishte kushtur me gjithë zemër të studjonte ligjin e Zotit, ta zbatonte në praktikë dhe të mësonte në Izrael statutet dhe dekretet.

11 Ja kopja e letrës që mbreti Artasers i dorëzoi priftit Ezdra, shkruesit, një shkrues kompetent në urdhërimet e Zotit dhe në statutet e tij e dhëna Izraelit.

12 "Artasersi, mbret i mbretërve, priftit Ezdra, shkruesit kompetent në ligjin e Perëndisë të qiellit. Përshëndetje, e të tjera.

13 Unë kam nxjerrë një dekret sipas të cilit kushdo nga populli i Izraelit dhe nga priftërinjtë e tij dhe nga Levitët e mbretërisë sime që ka vendosur lirisht të shkojë në Jeruzalem, mund të vijë me ty.

14 Në të vërtetë ti je dërguar nga ana e mbretit dhe nga shtatë këshilltarët e tij për të bërë hulumtime në Judë dhe në Jeruzalem mbi ligjin e Perëndisë tënd, që është në duart e tua,

15 dhe për t’i çuar argjendin dhe arin që mbreti dhe këshilltarët e tij ia kanë ofruar spontanisht Perëndisë të Izraelit, banesa e të cilit është në Jeruzalem,

16 dhe tërë argjendin dhe arin që mund të gjesh në tërë krahinën e Babilonisë, së bashku me ofertën vullnetare, që bëhen në mënyrë spontane nga populli dhe nga priftërinjtë për shtëpinë e Perëndisë të tyre në Jeruzalem.

17 Prandaj me këto para ti do të kujdesesh të blesh dema, desh dhe qengja me ofertat e tyre të ushqimit dhe të libacioneve, dhe do t’i ofrosh mbi altarin e shtëpisë së Perëndisë tuaj që është në Jeruzalem.

18 Sa për pjesën tjetër të argjendit dhe të arit, do të bëni atë që të duket e mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Perëndisë tuaj.

19 Edhe veglat që të janë dhënë për shërbimin e shtëpisë së Perëndisë tënd, vendosi përsëri përpara Perëndisë të Jeruzalemit.

20 Për çfarëdo lloj nevoje tjetër të shtëpisë së Perëndisë tënd që të takon ty ta plotësosh, do ta plotësosh me shpenzimet e thesarit mbretëror.

21 Unë, mbreti Artasers, urdhëroj të gjithë arkëtarët e krahinës matanë Lumit: gjithçka që do të kërkojë prifti Ezdra, shkruesi i ligjit të Perëndisë të qiellit, t’i plotësohen menjëherë,

22 deri në njëqind talenta argjendi, njëqind kore gruri, njëqind bate vere dhe njëqind bate vaji dhe kripë në sasi të pakufizuar.

23 Tërë ato që janë urdhëruar nga Perëndia i qiellit të zbatohen me zell për shtëpinë e Perëndisë të qiellit. Pse zemërimi duhet të bjerë mbi mbretërinë e mbretit dhe të bijve të tij?

24 Përveç kësaj ju njoftojmë se nuk është e lejueshme të merren haraçe, tatime ose taksa kalimi nga asnjë prej priftërinjve, Levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, Nethinejve dhe shërbëtorëve të kësaj shtëpie të Perëndisë.

25 Dhe ti, o Ezdra, sipas diturisë së Perëndisë tënd që ti zotëron, cakto zyrtarë dhe gjyqtarë që t’i sigurojnë drejtësinë tërë popullit që ndodhet në krahinën matanë Lumit, gjithë atyre që njohin ligjet e Perëndisë tënd; dhe ua mëso atyre që nuk i njohin.

26 Dhe ai që nuk respekton ligjin e Perëndisë tënd dhe ligjin e mbretit t’i jepet menjëherë gjyqit, ose me vdekje, ose me dëbim ose me konfiskimin e pasurisë ose me burgim".

27 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i etërve tanë, që i ka shtënë një gjë të tillë zemrës së mbretit, që të zbukurojë shtëpinë e Zotit që është në Jeruzalem,

28 dhe më bëri të gëzoj favoret te mbreti, këshilltarët e tij dhe të tërë princat e fuqishëm mbretërorë. Kështu e ndjeva veten të trimëruar, sepse dora e Zotit, Perëndisë tim, ishte mbi mua, dhe mblodha krerët e Izraelit që të niseshin me mua.

Këta janë krerët e shtëpive atërore dhe lista gjenealogjike e atyre që u kthyen me mua nga Babilonia, nën mbretërimin e Artasersit.

Nga bijtë e Finehasit, Gershomi; nga bijtë e Ithamarit, Danieli; nga bijtë e Davidit, Hatushi.

Nga bijtë e Shekaniahut: nga bijtë e Paroshit, Zakaria, dhe bashkë me të u regjistruan njëqind e pesëdhjetë meshkuj.

Nga bijtë e Pahath-Moabit, Elihoenai, bir i Zerahiahut, dhe me të dyqind meshkuj.

Nga bijtë e Shekaniahut, i biri i Jahazielit dhe bashkë me të treqind meshkuj.

Nga bijtë e Adinit, Ebedi, bir i Jonathanit, dhe bashkë me të pesëdhjetë meshkuj.

Nga bijtë e Elamit, Isai, bir i Athaliahut, dhe bashkë me të shtatëdhjetë meshkuj.

Nga bijtë e Shefatiahut, Zebadiahu, bir i Mikaelit, dhe bashkë me të tetëdhjetë meshkuj.

Nga bijtë e Joabit, Obadiahu, bir i Jehielit, dhe bashkë me të dyqind e tetëmbëdhjetë meshkuj.

10 Nga bijtë e Shelomithit, bir i Josifiahut dhe bashkë me të njëqind e gjashtëdhjetë meshkuj.

11 Nga bijtë e Bebait, Zakaria, bir i Bebait, dhe bashkë me të njëzet e tetë meshkuj.

12 Nga bijtë e Azgadit, Johanani, bir i Hakatas, dhe bashkë me të njëqind e dhjetë meshkuj.

13 Nga bijtë e Adonikamit, të fundit, emrat e të cilëve ishin: Elifelet, Jehiel dhe Shemajah, dhe bashkë me ta gjashtëdhjetë meshkuj.

14 Nga bijtë e Bigvait, Uthai dhe Zabudi, dhe bashkë me ta shtatëdhjetë meshkuj.

15 Unë i mblodha pranë lumit që rrjedh në drejtim të Ahavës, dhe fushuam aty tri ditë. Kur kalova në revistë popullin dhe priftërinjtë, nuk gjeta asnjë bir Leviti.

16 Atëherë dërgova të thërrasë Eliezerin, Arielin, Shemajahun, Elnathanin, Jaribin, Elnathanin, Nathanin, Zakarian dhe Meshulamin, që ishin të parë, si edhe Jojaribin dhe Elnathanin që ishin njerëz të urtë,

17 dhe i urdhërova të shkonin tek Ido, kreu i lokalitetit të Kasifias, dhe u vura në gojë fjalët që duhet t’i thonin Idos dhe vëllezërve të tij, Nethinejve në lokalitetin e Kasifias, që të na dërgonin njerëz që të kryenin shërbimin në shtëpinë e Perëndisë tonë.

18 Me qenë se dora mirëbërëse e Perëndisë tonë ishte mbi ne, ata na dërguan Sherebiahun, një njeri me mend, nga bijtë e Mahlit, birit të Levit, bir i Izraelit, bashkë me bijtë e vëllezërit e tij, gjithsej tetëmbëdhjetë;

19 dhe Hashabiahun, dhe me të Isai nga bijtë e Merarit, vëllezërit dhe bijtë e tyre, gjithsej njëzet;

20 dhe nga Nethinej, që Davidi dhe krerët kishin caktuar në shërbim të Levitëve, dyqind e njëzet Nethinej, të gjithë të caktuar me emër.

21 Aty, pranë lumit Ahava, unë shpalla një agjerim për t’u përulur përpara Perëndisë tonë, për t’i kërkuar një udhëtim të sigurt për ne, për fëmijët tanë dhe për të gjitha pasuritë tona.

22 Në fakt unë kisha turp t’i kërkoja mbretit një roje ushtarësh dhe kalorësish që të na mbronte nga armiku gjatë udhëtimit, sepse i kishim thënë mbretit: "Dora e Perëndisë tonë është mbi të gjithë ata që kërkojnë për të mirën e tyre, por fuqia e tij dhe zemërimi i tij janë kundër të gjithë atyre që e braktisin".

23 Kështu ne agjeruam dhe iu lutëm Perëndisë tonë për këtë arësye, dhe ai e dëgjoi lutjen tonë.

24 Atëherë unë zgjodha dymbëdhjetë nga krerët e priftërinjve: Sherebiahun, Hashabiahun dhe bashkë me ta dhjetë nga vëllezërit e tyre,

25 dhe u peshova atyre argjendin, arin, veglat, që ishin oferta e bërë për shtëpinë e Perëndisë tonë nga mbreti, nga këshilltarët dhe nga paria e tij, dhe nga të gjithë Izraelitët që ndodheshin atje.

26 Në duart e tyre peshova gjithashtu gjashtëqind e pesëdhjetë talenta argjendi, vegla prej argjendi me një vlerë prej njëqind talentash, njëqind talenta ari,

27 njëzet kupa ari me një vlerë prej një mijë darikë, dy enë prej bronzi të hollë dhe të shndritshëm, i çmueshëm si ari.

28 Pastaj u thashë atyre: "Ju i jeni shenjtëruar Zotit; edhe përdorëset janë të shenjta, dhe argjendi dhe ari janë një ofertë vullnetare për Zotin, Perëndinë e etërve tuaj.

29 Kini kujdes dhe ruajini deri sa t’i peshoni përpara krerëve të priftërinjve, Levitëve dhe të parëve të shtëpive atërore të Izraelit në Jeruzalem, në dhomat e shtëpisë të Zotit".

30 Kështu priftërinjtë dhe Levitët morën argjendin, arin dhe veglat që u peshuan atëherë, për t’i çuar në Jeruzalem në shtëpinë e Perëndisë tonë.

31 Ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahava për të shkuar në Jeruzalem; dora e Perëndisë tonë ishte mbi ne dhe gjatë udhëtimit na liroi nga armiku dhe nga pritat e tij.

32 Arritëm kështu në Jeruzalem dhe qëndruam tri ditë atje.

33 Ditën e katërt në shtëpinë e Perëndisë tonë, u peshuan argjendi, ari dhe veglat në duart e Meremothit, birit të priftit Uriah, me të cilin ishte Eleazari, bir i Finehasit, dhe me ta Levitët Jozabad, bir i Jeshuas, dhe Noadiahu, bir i Binuit.

34 U njëhsua dhe u peshua çdo gjë; dhe pesha e të gjitha gjërave u vu me shkrim.

35 Të mërguarit që u kthyen nga robëria, i ofruan si olokauste Perëndisë të Izraelit dymbëdhjetë dema për tërë Izraelin, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e shtatë qengja dhe dymbëdhjetë cjep si flijim për mëkatin, e tërë kjo si olokaust për Zotin.

36 Pastaj ua dorëzuan dekretet e mbretit satrapëve të mbretit dhe qeveritarëve të krahinës matanë Lumit, dhe këta ndihmuan popullin dhe shtëpinë e Perëndisë.

21 Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:

Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.

Simon Pjetri u tha atyre: “Po shkoj të peshkoj.” Ata i thanë: “Po vijmë edhe ne me ty.” Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.

Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.

Dhe Jezusi u tha atyre: “O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?.” Ata iu përgjigjën: “Jo!.”

Dhe ai u tha atyre: “Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni.” E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.

Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Éshtë Zoti.” Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.

Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.

Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.

10 Jezusi u tha atyre: “Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!.”

11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.

12 Jezusi u tha atyre: “Ejani të hani mëngjes.” Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: “Kush je?,” duke ditur se ishte Zoti.

13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.

14 Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.

15 Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: “Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti qengjat e mi!.”

16 Përsëri e pyeti për të dytën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Ki kujdes për delet e mia.”

17 E pyeti për të tretën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: “A më do ti mua?,” dhe iu përgjigj: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti delet e mia.

18 Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje.”

19 I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: “Ndiqmë.”

20 Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: “Zot, kush është ai që po të tradhton?.”

21 Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: “Zot, dhe me të ç’do të bëhet?.”

22 Jezusi iu përgjigj: “Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet? Ti ndiqmë!.”

23 Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: “Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet?.”

24 Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.

25 Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin. Amen.