A A A A A
Bible Book List

Esdra 4-6 Albanian Bible (ALB)

Kur armiqtë e Judës dhe të Beniaminit dëgjuan që ata që kishin qenë në robëri po rindërtonin tempullin e Zotit, Perëndisë të Izraelit,

iu afruan Zorobabelit dhe krerëve të shtëpive atërore dhe u thanë atyre: Na lejoni të ndërtojmë bashkë me ju, sepse edhe ne kërkojmë Perëndinë tuaj,, ashtu si ju; i kemi ofruar flijime atij nga koha e Esar-Hadonit, mbretit të Asirisë, që na solli këtu".

Por Zorobabeli, Jeshua dhe krerët e tjerë të shtëpive atërore të Izraelit iu përgjigjën atyre: "Nuk keni asnjë të drejtë të ndërtoni me ne një shtëpi, Perëndisë tonë, por ne vetë do ti ndërtojmë Zotit, Perëndisë së Izraelit, ashtu si na ka urdhëruar mbreti Kir, mbret i Persisë".

Atëherë njerëzit e vendit filluan ta shkurajojnë popullin e Judës dhe ta trëmbin, me qëllim që të mos ndërtonin.

Përveç kësaj rekrutuan disa këshilltarë kundër tyre për të hedhur poshtë qëllimin e tyre, dhe këtë e bënë gjatë gjithë kohës së Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Darit, mbretit të Persisë.

Gjatë mbretërimit të Asueros, në fillim të mbretërimit të tij, ata shkruan një letër me akuza kundër banorëve të Judës dhe të Jeruzalemit.

Më vonë, në kohën e Artasersit, Bishlami, Mithredathi, Tabeeli dhe kolegët e tjerë të tyre i shkruan Artasersit, mbretit të Persisë. Letra ishte shkruar me shkronja aramaike dhe ishte përkthyer në gjuhën aramaike.

Rehumi, qeveritari, dhe Shimshai, sekretari, i shkruan mbretit Artasers një letër kundër Jeruzalemit me këtë përmbajtje:

"Rehumi, qeveritari, Shimshai, sekretari, dhe kolegët e tyre të tjerë, Dinaitët, Afarsathkitët, Tarpelitët, Afaresitët, Arkevitët, Babilonasit, Shushankitët, Dehavitët, Elamitët,

10 dhe popujt e tjerë që i madhi dhe i famshmi Osnapar ka internuar dhe ka vendosur në qytetin e Samarisë dhe në pjesën tjetër të krahinës matanë Lumit, e të tjera".

11 Ja kopja e letrës që ata i dërguan: "Mbretit Artasers, nga shërbëtorët e tu, njerëzit e krahinës matanë Lumit, e të tjera.

12 T’i njoftohet mbretit që Judejtë, që ikën nga ti dhe kanë ardhur pranë nesh në Jeruzalem, janë duke rindërtuar qytetin rebel të keq, po rindërtojnë muret dhe po ndreqin themelet.

13 Tani t’i bëhet e njohur mbretit që në rast se ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundohen, ata nuk do të paguajnë asnjë haraç, tatim ose taksë për kalim, dhe thesari i mbretit do të ketë pasoja.

14 Tani, duke qenë se ne marrim ushqime nga pallati dhe nuk na duket e drejtë të shohim çnderimin e mbretit, prandaj i dërgojmë këtë njoftim mbretit,

15 me qëllim që të bëhen kërkime në librin e kujtimeve të etërve të tu; dhe në librin e kujtimeve do të gjesh dhe do të mësosh që ky qytet është një qytet rebel, shumë i rrezikshëm për mbretërit dhe për provincat, dhe se aty nxiten rebelime që nga kohët e lashta. Për këtë arësye qyteti u shkatërrua.

16 Ne i bëjmë të ditur mbretit, që në qoftë se ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundohen, nuk do të mbetet asnjë zotërim në krahinën matanë Lumit".

17 Mbreti dërgoi këtë përgjigje: "Rehumit, qeveritarit, Shimshait, sekretarit, dhe pjesës tjetër të kolegëve të tyre që banonin në Samaria dhe pjesës tjetër të krahinës matanë Lumit: Përshëndetje, e të tjera.

18 Letra që na dërguat u lexua me kujdes përpara meje.

19 Unë dhashë urdhër të bëhen kërkime, dhe u gjet që ky qytet qysh prej kohësh të lashta është ngritur kundër mbretërve dhe që në të kanë ndodhur rebelime dhe kryengritje.

20 Në Jeruzalem ka pasur mbretër të fuqishëm që kanë sunduar mbi gjithë vendin matanë Lumit, dhe të cilëve u paguheshin haraçe, tatime dhe taksa kalimi.

21 Prandaj jepni urdhër që këta njerëz të pezullojnë punimet dhe ky qytet të mos rindërtohet deri sa të jetë dhënë nga unë urdhëri përkatës.

22 Tregohuni të kujdesshëm tani dhe mos e lini pas dore këtë punë. Pse, pra, dëmi duhet të shtohet në kurriz të mbretit?".

23 Sapo kopja e letrës së mbretit Artasers u lexua përpara Rehumit, Shimshait, sekretarit, dhe kolegëve të tyre, ata shkuan me nxitim në Jeruzalem tek Judejtë dhe i detyruan të pezullojnë punimet me forcën e armëve.

24 Kështu u pezullua puna e shtëpisë së Perëndisë që është në Jeruzalem, dhe mbeti pezull deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darius, mbretit të Persisë.

Por profetët Axhe dhe Zakaria, bir i Idos, u profetizuan Judejve që ishin në Judë dhe në Jeruzalem në emër të Perëndisë të Izraelit që ishte mbi ta.

Atëherë Zorobabeli, bir i Shealtielit, dhe Jeshua, bir i Jotsadakut, u ngritën dhe nisën të ndërtojnë shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem; dhe me ta ishin profetët e Perëndisë, që i ndihmonin.

Në atë kohë erdhën tek ata Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre dhe u folën kështu: "Kush ju dha urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të rindërtoni këto mure?".

Pastaj ne u treguam atyre emrat e njerëzve që ndërtonin këtë godinë.

Por pleqtë e Judejve i ruante syri i Perëndisë të tyre; dhe ata nuk mundën t’i bëjnë të ndërprisnin punën deri sa t’i dërgohej një raport Darit dhe të vinte një përgjigje për këtë çështje.

Kjo është një kopje e letrës që iu dërgua mbretit Dari nga Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, nga Shethar-Boznai dhe nga kolegët e tij, Afarsekitët, që ishin matanë Lumit.

I dërguan një letër të shkruar në këtë mënyrë: "Mbretit Dari, shëndet të plotë!

I bëjmë të njohur mbretit që ne kemi vajtur në krahinën e Judës, në tempullin e Perëndisë të madh. Ai po ndërtohet me gurë të mëdhenj dhe po vihet lëndë druri për ndarëset e tij. Kjo punë po kryhet me kujdes dhe po ecën mirë në duart e tyre.

Ne kemi pyetur ata pleq dhe u kemi folur kështu: "Kush ju ka dhënë urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të ndërtoni këto mure?".

10 U kemi kërkuar edhe emrat e tyre, me qëllim që të vinim me shkrim emrat e njerëzve që janë në krye të tyre, dhe pastaj të t’i bënim të njohur.

11 Dhe ata na janë përgjigjur kështu, duke thënë: "Ne jemi shërbëtorët e Perëndisë të qiellit dhe të dheut dhe rindërtojmë tempullin që ishte ndërtuar shumë vjet më parë; një mbret i madh i Izraelit e kishte ndërtuar dhe mbaruar.

12 Duke qenë se etërit tanë kanë provokuar zemërimin e Perëndisë të qiellit, ai i dha në duart e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, Kaldeasit, i cili e shkatërroi këtë tempull dhe e internoi popullin në Babiloni.

13 Por në vitin e parë të Kirit, mbretit të Babilonisë, mbreti Kir dha urdhër t’i ndërtohej kjo shtëpi Perëndisë.

14 Përveç kësaj mbreti Kir nxori jashtë nga tempulli i Babilonisë përdorëset prej ari dhe argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari kishte hequr nga tempulli i Jeruzalemit dhe i kishte çuar në tempullin e Babilonisë, dhe ia dorëzoi njërit që quhej Sheshbatsar, që ai e kishte bërë qeveritar,

15 duke i thënë: "Merri këto veglat dhe shko t’i vësh përsëri në tempullin që është në Jeruzalem; dhe shtëpia e Perëndisë të rindërtohet në vendin e saj.

16 Atëherë vetë Sheshbatsari erdhi dhe hodhi themelet e shtëpisë së Perëndisë që është në Jeruzalem; që nga kjo kohë e deri më sot ajo është në ndërtim, dhe nuk ka mbaruar akoma".

17 Prandaj tani, në rast se kjo i pëlqen mbretit, të bëhen kërkime në shtëpinë e thesareve të mbretit që është në Babiloni, për të parë nëse mbreti Kir ka dhënë me të vërtetë një urdhër për të ndërtuar këtë shtëpi të Perëndisë në Jeruzalem; dhe mbreti të na çojë vendimin e tij lidhur me këtë gjë".

Atëherë mbreti Dar urdhëroi që të bëheshin kërkime në shtëpinë e arkivave ku ruheshin thesaret në Babiloni;

dhe në Ahmetha, në kështjellën që është në provincën e Medisë, u gjet një rrotull, dhe në të një dokument të shkruar kështu:

"Në vitin e parë të mbretit Kir, mbreti Kir u shpall një urdhëresë lidhur me shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem: "Të rindërtohet tempulli, vendi ku ofrohen flijime. Të hidhen mirë themelet e tij. Të ketë një lartësi prej gjashtëdhjetë kubitësh dhe një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh,

me tri radhë gurësh të mëdhenj dhe një radhë lëndë të re druri; dhe shpenzimet të paguhen nga pallati mbretëror.

Përveç kësaj, veglat prej ari dhe prej argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari ka hequr nga tempulli që është në Jeruzalem dhe i ka çuar në Babiloni, të rikthehen dhe të çohen në tempullin që është në Jeruzalem; dhe secila të vihet në vendin e vet në shtëpinë e Perëndisë".

Tani, pra, Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët tuaj, Afarsekitët, që ndodhen matanë Lumit, rrini larg këtij vendi!

Lini që të vazhdojë puna për këtë shtëpi të Perëndisë; qeveritari i Judejve dhe pleqtë e Judejve ta rindërtojnë këtë shtëpi të Perëndisë në vendin e saj.

Përveç kësaj po lëshoj një urdhër për atë që duhet të bëni për pleqtë e Judejve në rindërtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë; këtyre njerëzve t’u paguhen tërë shpenzimet nga të ardhurat e mbretit që vijnë nga taksat e mbledhura matanë Lumit, me qëllim që punimet të mos ndërpriten.

Gjërat e nevojshme për olokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa mosplotësuar kurrë kërkesat e priftërinjve që janë në Jeruzalem,

10 me qëllim që t’i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij.

11 Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrëmbëron këtë dekret, t’i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij.

12 Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Darius, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri".

13 Atëherë Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre vepruan pikërisht ashtu siç i kishte porositur mbreti Dar.

14 Kështu pleqtë e Judejve vazhduan të ndërtojnë dhe të bëjnë përparime, të nxitur nga fjalët e frymëzuara të profetit Axhe dhe të Zakarias, birit të Idos. Ata e mbaruan ndërtimin sipas urdhërit të Perëndisë të Izraelit dhe sipas rregullit të Kirit, të Darit dhe të Artasersit, mbretit të Persisë.

15 Tempulli u përfundua ditën e tretë të muajit të Adarit, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit.

16 Atëherë bijtë e Izraelit, priftërinjtë, Levitët dhe të kthyerit e tjerë nga robëria e kremtuan me gëzim kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë.

17 Për kushtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë ata ofruan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit, si flijime për mëkatin për gjithë Izraelin.

18 Pastaj vendosën priftërinjtë sipas klasave të tyre dhe Levitët sipas ndarjeve të tyre, për shërbimin e Perëndisë në Jeruzalem, ashtu siç është shkruar në librin e Moisiut.

19 Të kthyerit nga robëria e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë,

20 sepse priftërinjtë dhe Levitët ishin pastruar bashkarisht; të gjithë ishin të pastër. Atëherë e flijuan Pashkën për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj dhe për veten e tyre.

21 Kështu bijtë e Izraelit që ishin kthyer nga robëria e hëngrën Pashkën bashkë me tërë ata që ishin ndarë nga papastërtia e popujve të vendit dhe që ishin bashkuar me ta për të kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit.

22 Dhe kremtuan me gëzim shtatë ditë me radhë festën e të Ndormëve, sepse Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke përkulur në favor të tyre zemrën e mbretit të Asirisë, kështu që t’i bënte më të fuqishme duart e tyre për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.

Psalmet 137 Albanian Bible (ALB)

137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;

mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.

Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".

Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?

Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;

m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.

Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".

O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!

Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes