Add parallel Print Page Options

46 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Porta e oborrit të brendshëm që shikon nga lindja do të rrijë e mbyllur gjatë gjashtë ditëve të punës; por do të hapet ditën e shtunë dhe do të hapet gjithashtu ditën kur del hëna e re.

Princi do të hyjë nga hajati i portës nga jashtë dhe do të ndalet pranë shtalkës së portës; priftërinjtë do të ofrojnë olokaustin e tij dhe flijimet e tij të falenderimit. Ai do të adhurojë te pragu i portës pastaj do të dalë, por porta nuk do të mbyllet deri në mbrëmje.

Edhe populli i vendit do të adhurojë përpara Zotit te hyrja e asaj porte, në ditët e shtuna dhe kur del hëna e re.

Olokausti që princi do t’i ofrojë Zotit ditën e shtunë do të jetë prej gjashtë qengjash pa të meta dhe një dash pa të meta,

blatimi ushqimor për dashin do të jetë një efa, ndërsa blatimi ushqimor për qengjat do t’i lihet dëshirës së tij, bashkë me një hin vaji për efan.

Ditën e hënës së re do të ofrojë një dem të ri pa të meta, gjashtë qengja dhe një dash, që do të jenë pa të meta;

si blatim ushqimor do të ofrojë gjithashtu një efa për demin, një efa për dashin dhe për qengjat sa mund të disponojë, bashkë me një hin vaji për efan.

Princi, kur të hyjë, do të kalojë nga hajati i portës dhe do të dalë duke ndjekur po atë rrugë.

Por kur populli i vendit do të vijë përpara Zotit në festat solemne, ai që do të hyjë nga porta veriore për të adhuruar, do të dalë nga porta e jugut; përkundrazi ai që do të hyjë nga porta jugore do të dalë nga porta e veriut; askush nuk do të kthehet prapa nga porta prej së cilës ka hyrë, por do të dalë nga porta e kundërt.

10 Princi do të jetë atëherë në mes tyre; do të hyjë kur ata hyjnë, do të dalë kur ata dalin.

11 Në festat dhe në rastet solemne blatimi ushqimor do të jetë një efa për demin dhe një efa për dashin; për qengjat do të lihet sipas dëshirës së tij, bashkë me një hin vaji për efan.

12 Kur princi do të bëjë një ofertë vullnetare, qoftë olokaust ose flijim falenderimi, si ofertë vullnetare për Zotin, atëherë do t’i hapet porta që shikon nga lindja, dhe do të ofrojë olokaustin e tij dhe flijimin e tij të falenderimit siç bën ditën e shtunë; pastaj do të dalë dhe, sapo të dalë, porta do të mbyllet.

13 Çdo ditë do t’i ofrosh si olokaust Zotit një qengj motak, pa të meta; do ta ofrosh çdo mëngjes.

14 Çdo mëngjes do të ofrosh bashkë me të, si blatim i ushqimit, një të gjashten e një efe dhe një të tretën e një hini vaji për të lagështuar majën e miellit; është një blatim ushqimor për Zotin që duhet bërë rregullisht çdo ditë përjetë.

15 Çdo mëngjes do të ofrojnë kështu qengjin, blatimin e ushqimit dhe vajin si olokaust të përditshëm".

16 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Në qoftë se princi i bën njërit prej bijve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, ajo do t’u përkasë bijve të tij: do të jetë zotërimi i tyre në trashëgimi.

17 Por në qoftë se ai i bën njërit prej shërbëtorëve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, kjo do t’i përkasë atij deri vitin e lirisë; pastaj do t’i kthehet princit; trashëgimia e tij do t’u përkasë vetëm bijve të tij, vetëm atyre.

18 Përveç kësaj princi nuk do të marrë asgjë nga trashëgimia e popullit, duke e zhveshur nga pronësitë e tij; ai do t’u sigurojë një trashëgimi bijve të tij me atë që zotëron, me qëllim që asnjeri i popullit tim të mos dëbohet nga prona e tij".

19 Pastaj ai më çoi, nëpër hyrjen që ishte pranë portës, në dhomat e shenjta të caktuara për priftërinjtë, të cilat shikojnë nga veriu; dhe ja, në pjesën më të largët në drejtim të perëndimit kishte një vend.

20 Ai më tha: "Ky është vendi ku priftërinjtë do të pjekin mishin e flijimeve për shkeljen dhe për mëkatin dhe do të gatuajnë blatimet ushqimore, për të mos i nxjerrë në oborrin e jashtëm dhe kështu të shenjtërojnë popullin".

21 Pastaj më çoi në oborrin e jashtëm dhe më kaloi pranë katër qosheve të oborrit; dhe ja, në çdo qoshe të oborrit kishte një oborr tjetër.

22 Në të katër qoshet e oborrit kishte disa oborre të mbyllura të gjata dyzet kubitë dhe të gjera tridhjetë. Që të katra në qoshet e tyre kishin po atë madhësi.

23 Rreth e qark tyre kishte një mur dhe poshtë murit, rreth e rrotull tij, ishin vendosur vatra për të pjekur.

24 Ai më tha: "Këto janë kuzhinat ku ata që shërbejnë në tempull do të pjekin flijimet e popullit".

47 Ai më çoi përsëri në hyrje të tempullit, dhe ja disa ujëra dilnin nga poshtë pragut të tempullit në drejtim të lindjes, sepse fasada e tempullit shikonte nga lindja; ujërat zbrisnin poshtë anës së djathtë të tempullit, në jug të altarit.

Pastaj më çoi jashtë nëpërmjet portës veriore dhe më bëri të sillem jashtë deri në portën e jashtme, që shikon nga lindja; dhe ja, ujërat buronin nga ana e djathtë.

Burri eci deri drejt lindjes me një litar të hollë në dorë dhe mati njëmijë kubitë; pastaj më bëri të kapërcej ujërat, të cilat më arrinin deri te kyçet e këmbëve.

Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kapërcej ujërat; më arrinin te kyçet e këmbëve. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kaloj ujërat: më arrinin deri te ijët.

Mati njëmijë kubitë të tjerë: ishte një lumë që nuk mund ta kapërceja, sepse ujërat e tij ishin shtuar; ishin ujëra në të cilat duhet të notoja; një lumë që nuk mund të kapërcehej.

Ai më tha: "E pe, bir njeriu?". Pastaj më ktheu përsëri në bregun e lumit.

Pas kthimit tim, ja mbi bregun e lumit shumë drurë nga një anë dhe nga ana tjetër.

Pastaj më tha: "Këto ujëra drejtohen për në krahinën lindore, zbresin në Arabah dhe do të derdhen në det; me të hyrë në det, ujërat e tij do të shëndoshen.

Dhe do të ndodhë që çdo qenie e gjallë që lëviz do të jetojë, kudo që arrin lumi; do të ketë bollëk të madh peshqish, sepse vijnë këto ujëra dhe shëndoshin ujërat e tjera; kudo që arrin lumi gjithçka ka për t’u gjallëruar.

10 Dhe do të ndodhë që në brigjet e tij do të ketë peshkatarë; nga En-gedi deri në Englegaim do të jetë një vend ku do të shtrihen rrjetat; peshku i tij do të jetë i po atij lloji dhe në sasi të madhe, si peshku i Detit të Madh.

11 Por kënetat tij dhe moçalet e tij nuk do të shëndoshen; do të lihen për të nxjerrë kripë.

12 Gjatë lumit, mbi të dyja brigjet e tij, do të rritet çdo lloj druri që jep fryte, fletët e tyre nuk do të fishken dhe frytet e tij nuk do të mungojnë kurrë. Do të mbajnë fryte çdo muaj, sepse ujërat e tyre dalin nga shenjtërorja, fryti i tyre do të shërbejë për ushqim dhe fletët e tyre për mjekim".

13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Këta janë kufijtë në bazë të të cilëve ju do ta ndani vendin në trashëgimi midis dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefit do t’i takojnë dy pjesë.

14 Secili prej jush do të trashëgojë një pjesë të barabartë me atë të vëllait të tij, sepse unë e ngrita dorën si betim për t’ua dhënë etërve tuaj. Ky vend do t’ju përkasë si trashëgimi.

15 Këta do të jenë kufijtë e vendit nga ana e veriut: nga Deti i Madh në drejtim të Hethlonit deri sa të arrijnë në Tsedad,

16 Hamathi, Berothahi, Sibraimi (që është midis kufirit të Damaskut dhe kufirit të Hamathit), Hatserhatikoni (që është në kufi me Hauranin).

17 Kështu kufiri do të jetë nga deti deri në Hatsarenon, në kufijtë e Damaskut, me kufirin e Hamathit në veri. Kjo është ana veriore.

18 Nga ana lindore do të shtriheni midis Hauranit dhe Damaskut, midis Galaadit dhe vendit të Izraelit, gjatë Jordanit dhe gjatë bregut lindor të detit. Kjo është ana lindore.

19 Ana jugore, në drejtim të jugut, do të shtrihet nga Tamari deri në ujërat e Meribothit të Kadeshit, pastaj gjatë përroit të Egjiptit deri në Detin e Madh. Kjo është ana jugore, në jug.

20 Ana perëndimore do të jetë Deti i Madh, nga kufiri i jugut deri përpara hyrjes së Hamathit. Kjo është ana perëndimore.

21 Do ta ndani kështu këtë vend midis jush, në bazë të fiseve të Izraelit.

22 Do ta ndani me short në trashëgimi midis jush dhe të huajve që banojnë midis jush dhe që u kanë lindur bij në mes tuaj. Këta do të jenë për ju si ata që kanë lindur në vend midis bijve të Izraelit; do të kenë edhe ata me short një trashëgimi në mes të fiseve të Izraelit.

23 Në fisin ku i huaji banon, atje do t’i jepni pjesën e tij," thotë Zoti, Zoti.

48 Këto janë emrat e fiseve: nga kufiri verior, gjatë rrugës së Hethlonit, në hyrje të Hamathit deri në Hatsar-Enon, në kufi me Damaskun në veri drejt Hamathit, nga krahu lindor deri në krahun perëndimor: një pjesë për Danin.

Në kufirin e Danit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Asherin;

Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Neftalin.

Në kufirin e Asherit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Manasin.

Në kufirin e Manasit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Efraimin.

Në kufirin e Efraimit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Rubenin.

Në kufirin e Rubenit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Judën.

Në kufirin e Judës, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor, do të jetë pjesa e vendit që do ta ofroni si dhuratë, e gjerë njëzet e pesëmijë kubitë dhe e gjatë sa pjesët e tjera, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor; në mes të saj do të jetë shenjtërorja.

Pjesa që do t’i ofroni si dhuratë Zotit do të ketë një gjatësi prej njëzet e pesëmijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetëmijë kubitë.

10 Kjo pjesë e shenjtë do t’u përkasë priftërinjve; njëzet e pesëmijë kubitë gjatësi në veri, dhjetëmijë gjerësi në perëndim, dhjetëmijë gjerësi në lindje dhe njëzet e pesëmijë gjatësi në jug; në mes të saj do të jetë shenjtërorja e Zotit.

11 Ajo do t’u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, ndër bijtë e Tsadokut, që më kanë shërbyer dhe që nuk devijuan kur devijuan bijtë e Izraelit, dhe ashtu si devijuan përkundrazi Levitët.

12 Pjesa që do t’u ofrohet atyre do të merret nga pjesa e ofruar dhuratë e vendit, një gjë shumë e shenjtë, pranë territorit të Levitëve.

13 Përballë territorit të priftërinjve, Levitët do të kenë një sipërfaqe prej njëzet e pesëmijë kubitë gjatësi dhe dhjetëmijë gjerësi; tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesëmijë kubitë dhe gjerësia dhjetëmijë.

14 Ata nuk do të mund as ta shesin as ta këmbejnë; nuk do të mund ta shkëputin pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin.

15 Pesëmijë kubitët e gjerësisë që do të mbeten përballë njëzet e pesë mijëve, do të caktohen për përdorim profan për qytetin, për banesa dhe për toka për kullotë; qyteti do të jetë në mes.

16 Përmasat e tij do të jenë këto: ana veriore do të jetë katërmijë e pesëqind kubitë, ana jugore katërmijë e pesëqind, ana lindore katërmijë e pesëqind, ana perëndimore katërmijë e pesëqind.

17 Tokat për kullotë të qytetit do të jenë: dyqind e pesëdhjetë kubitë në veri, dyqind e pesëdhjetë në jug, dyqind e pesëdhjetë në lindje dhe dyqind e pesëdhjetë në perëndim.

18 Kusuri i gjatësisë, gjatë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, do të jetë dhjetëmijë kubitë në lindje dhe dhjetëmijë në perëndim; ajo do të jetë pranë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, dhe prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punonjësit e qytetit.

19 Punonjësit e qytetit, që do ta punojnë, do të vijnë nga të gjitha fiset e Izraelit.

20 Gjithë pjesa e ofruar si dhuratë do të jetë njëzet e pesëmijë kubitë për njëzet e pesëmijë, një katror i përsosur. Ju do të ofroni, si zotërim të qytetit, pjesën e shenjtë të ofruar si dhuratë.

21 Kusuri do të jetë i princit; nga njëra anë dhe nga ana tjetër e pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë dhe të zotërimit të qytetit, ballë njëzet e pesëmijë kubitëve të pjesës së ofruar si dhuratë deri në kufirin lindor, dhe në perëndim ballë njëzet e pesëmijë kubitëve në drejtim të kufirit perëndimor përbri pjesëve të fiseve; kjo do të jetë e princit; pjesa e shenjtë e ofruar si dhuratë dhe shenjtërorja do të jenë në mes.

22 Kështu, duke përjashtuar zotërimin e Levitëve dhe zotërimin e qytetit që gjenden në mes të asaj që i përket princit, sipërfaqja midis kufirit të Judës dhe kufirit të Beniaminit do t’i përkasë princit.

23 Për kusurin e fiseve, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Beniaminin.

24 Në kufirin e Beniaminit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Simeonin.

25 Në kufirin e Simeonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Isakarin.

26 Në kufirin e Isakarit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Zabulonin.

27 Në kufirin e Zabulonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Gadin.

28 Në kufirin e Gadit, nga ana jugore në drejtim të jugut, kufiri do të shkojë nga Tamari në ujërat e Meribahut afër Kadeshit, dhe pastaj gjatë Detit të Madh.

29 Ky është vendi që do t’u ndani me short në trashëgimi fiseve të Izraelit, dhe këto janë pjesët," thotë Zoti, Zoti.

30 "Këto janë daljet e qytetit: nga ana veriore do të maten katërmijë e pesëqind kubitë.

31 Portat e qytetit do të mbajnë emrat e fiseve të Izraelit; në veri do të ketë tri porta: një portë për Rubenin, një portë për Judën dhe një portë për Levin.

32 Nga ana lindore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Jozefin, një portë për Beniaminin dhe një portë për Danin.

33 Nga ana jugore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Simeonin, një portë për Isakarin dhe një portë për Zabulonin.

34 Nga ana perëndimore, katërmijë e pesëqind kubitë dhe tri porta: një portë për Gadin, një portë për Asherin dhe një portë për Neftalin.

35 Gjithë perimetri do të jetë tetëmbëdhjetëmijë kubitë. Prej kësaj ditë emri i qytetit do të jetë: "Zoti është atje"".