Add parallel Print Page Options

42 Pastaj më nxori në oborrin e jashtëm nga ana e veriut dhe më çoi në dhomat që ndodheshin përballë hapësirës boshe dhe përballë ndërtimit në drejtim të veriut.

Konstruksioni i fasadës drejt veriut kishte një gjatësi prej njëqind kubitësh dhe një gjërësi prej pesëdhjetë kubitësh.

Përballë oborrit të brendshëm prej njëzet kubitësh dhe përballë kalldrëmit të oborrit të jashtëm kishte një galeri mbi tjetrën me tre kate.

Përpara dhomave kishte një kalim të brendshëm, që ishte i gjerë dhjetë kubitë dhe i gjatë njëqind kubitë; portat e tyre shikonin nga veriu.

Dhomat e sipërme ishin më të ngushta, sepse galeritë zinin më tepër hapësirë se galeritë e poshtme dhe të ndërmjetme të ndërtimit.

Duke qenë se ishin me tre kate dhe nuk kishin shtylla si shtyllat e oborreve prandaj nga toka dhomat e sipërme ishin më të ngushta se ato të poshtme dhe të ndërmjetme.

Muri i jashtëm, paralel me dhomat nga ana e oborrit të jashtëm, ballë dhomave, kishte një gjatësi prej pesëdhejtë kubitësh;

në fakt gjatësia e dhomave nga ana e oborrit të jashtëm ishte pesëdhjetë kubitë, ndërsa nga ana e faqes së shenjtërores ishte njëqind kubitë.

Poshtë këtyre dhomave kishte një hyrje nga ana e lindjes, për atë që hynte në to nga oborri i jashtëm.

10 Në murin e gjerë të oborrit në drejtim të lindjes, përballë hapësirës boshe dhe përballë ndërtimitit, kishte dhoma.

11 Përpara tyre kishte një kalim të ngjashëm me atë të dhomave që ishin nga ana e veriut; ato kishin po atë gjatësi e gjerësi, me të gjitha daljet dhe portat që ndiqnin të njëjtat kritere.

12 Në përputhje me portat e dhomave që ishin nga jugu, kishte një portë në krye të kalimit pikërisht përpara murit në drejtim të lindjes.

13 Ai më tha: "Dhomat nga veriu dhe dhomat nga jugu që ndodhen përballë hapësirës boshe janë dhoma të shenjta, ku priftërinjtë që i afrohen Zotit do të hanë gjërat shumë të shenjta; atje do të depozitojnë gjërat shumë të shenjta, domethënë blatimet e ushqimit dhe blatimet për mëkatin dhe për shkeljen, sepse ai vend është i shenjtë.

14 Kur priftërinjtë të kenë hyrë, nuk do të dalin më nga vendi i shenjtë në oborrin e jashtëm, por do të vendojnë aty rrobat e tyre me të cilat kryejnë shërbimin, sepse janë të shenjta; do të veshin rroba të tjera dhe kështu do të mund t’i afrohen asaj që i përket popullit".

15 Mbasi mbaroi së maturi pjesën e brendshme të tempullit, më nxori nga porta që shikonte nga lindja dhe mati pjesën e rrethuar rreth e qark.

16 Mati anën lindore me kallamin matës: pesëqind kubitë me kallamin matës rreth e qark.

17 Mati anën veriore: pesëqind kubitë me kallamin për matës rreth e qark,

18 Mati anën jugore me kallamin matës: pesëqind kubitë.

19 U kthye nga ana perëndore dhe mati: pesëqind kubitë me kallamin matës.

20 Mati sipërfaqen nga të katër anët: kishte rreth e qark një mur që ishte i gjatë pesëqind kubitë dhe i gjërë pesëqind kubitë, për të ndarë vendin e shenjtë nga ai profan.

43 Pastaj më çoi te porta, te porta që shikon nga lindja.

Dhe ja, lavdia e Perëndisë të Izraelit vinte nga lindja. Zëri i tij ishte si zhurma e shumë ujërave dhe toka shkëlqente nga lavdia e tij.

Vegimi që pashë në dukje ishte i ngjashëm me vegimin që pata kur shkova për të shkatërruar qytetin, vegimi ishte i ngjashëm me vegimet që pata pranë lumit Kebar; unë rashë me fytyrë.

Dhe lavdia e Zotit hyri në tempull nga porta që shikon nga lindja.

Pastaj Fryma më ngriti lart dhe më çoi në oborrin e brendshëm; dhe ja, lavdia e Zotit mbushte tempullin.

Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, ndërsa një burrë rrinte më këmbë pranë meje;

dhe ai më tha: "Bir njeriu, ky është vendi i fronit tim dhe vendi ku vë këmbët e mia, ku do të banoj në mes të bijve të Izraelit përjetë. Dhe shtëpia e Izraelit nuk do ta ndotë më emrin tim të shenjtë, as ata as mbretërit e tyre, me kurvërimet e tyre dhe me kufomat e mbretërve të tyre mbi vendet e tyre të larta,

duke vënë pragun e tyre afër pragut tim dhe shtalkat e tyre afër shtalkave të mia duke pasur vetëm një ndarëse midis meje dhe atyre, duke e ndotur kështu emrin tim të shenjtë me veprimet e neveritshme që kryenin; prandaj në zemërimin tim i shkatërrova.

Tani do të largojnë nga unë kurvërimet e tyre dhe kufomat e mbretërve të tyre, dhe unë do të banoj në mes të tyre përjetë.

10 Ti, bir njeriu, përshkruaja tempullin shtëpisë së Izraelit, që të kenë turp për paudhësinë e tyre. Le të masin përmasat e tij,

11 dhe, në se kanë turp për të gjitha ato që kanë bërë, ti u bëj të njohur atyre modelin e tempullit dhe vendosjen e tij, daljet e tij dhe hyrjet e tij, gjithë modelin e tij dhe të gjithë statutet e tij, gjithë format e tij dhe të gjitha ligjet e tij; vëri të shkruara para syve të tyre me qëllim që të shikojnë tërë modelin e tij, tërë statutet e tij dhe t’i zbatojnë në praktikë.

12 Ky është ligji i tempullit. Gjithë territori që është rreth majës së malit do të jetë shumë i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit.

13 Këto janë përmasat e altarit në kubitë (kubiti është një kubit plus një pëllëmbë): baza ka një kubit lartësi dhe një kubit largësi, me një buzë prej një pëllëmbë në gjithë gjatësinë. Kjo është lartësia e altarit;

14 nga baza në tokë deri në platformën e poshtme ka dy kubitë; platforma është një kubit e gjërë; nga plaftorma më e vogël deri në platformën më të madhe ka katër kubitë; platforma është një kubit e gjërë.

15 Vatra e altarit është katër kubitë e lartë, dhe nga vatra e altarit ngrihen katër brirë.

16 Vatra e altarit është e gjatë dymbëdhjetë kubitë dhe e gjërë dymbëdhjetë kubitë, domethënë një katror i përsosur.

17 Platforma e sipërme në të katër anët e saj është e gjatë katërmbëdhjetë kubitë dhe po aq e gjërë, me një buzë rreth e qark prej gjysmë kubiti; shkallaret e veta shikojnë nga lindja".

18 Pastaj më tha: "Bir njeriu, kështu thotë Zoti, Zoti: Këto janë statutet për altarin kur të ndërtohet për të ofruar olokaustet dhe për ta spërkatur sipër me gjak.

19 Priftërinjtë levitikë që vjnë nga fisi i Tsadokut, të cilët më afrohen për të më shërbyer," thotë Zoti, Zoti, "ti do t’u japësh një dem të ri për flijimin e mëkatit.

20 Do të marrësh pak gjak prej tij dhe do ta vësh mbi katër brirët e altarit, mbi katër qoshet e platformës dhe rreth e qark buzës; kështu do ta pastrosh dhe do të kryesh shlyerjen për të.

21 Pastaj do të marrësh demin e ri të flijimit të mëkatit dhe do ta djegësh në një vend të caktuar të tempullit, jashtë shenjtërores.

22 Ditën e dytë do të ofrosh si flijim për mëkatin një cjap pa të meta dhe me të do të pastrohet altari siç u pastrua me demin e ri.

23 Me të përfunduar pastrimin e tij, do të ofrosh një dem të ri pa të meta dhe një dash të kopesë pa të meta.

24 Do t’i paraqesësh përpara Zotit, dhe priftërinjtë do të hedhin mbi ta kripë dhe do t’ia ofrojnë si olokaust Zotit.

25 Shtatë ditë do të ofrosh një cjap si flijim për mëkatin; do të ofrosh gjithashtu një dem të ri dhe një dash të kopesë, të dy pa të meta.

26 Shtatë ditë do të bëhet shlyerja për altarin, do të pastrohet dhe do të shenjtërohet.

27 Me të mbaruar këto ditë, nga dita e tetë e tutje priftërinjtë do të ofrojnë mbi altar olokaustet tuaja dhe flijimet tuaja të falenderimit, dhe unë do t’ju pëlqej," thotë Zoti, Zoti.

44 Pastaj ai më çoi drejt portës së jashtme të shenjtërores që shikonte nga lindja, por ajo ishte e mbyllur.

Zoti më tha: "Kjo portë do të mbetet e mbyllur, nuk do të hapet dhe askush nuk do të hyjë nëpër të, sepse nëpër të ka hyrë Zoti, Perëndia i Izraelit; prandaj do të mbetet e mbyllur.

Por princi duke qenë se është princ, do të mund të ulet për të ngrënë bukën përpara Zotit; ai do të hyjë nga hajati i derës dhe do të dalë po nga ajo rrugë".

Pastaj, nëpër portën në veri, më çoi përpara tempullit. Shikova, dhe ja, lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit; dhe unë rashë me fytyrë.

Zoti më tha: "Bir njeriu, ki kujdes, shiko me sytë e tu dhe dëgjo me veshët e tu të gjitha ato që do të të them për statutet e shtëpisë të Zotit dhe tërë ligjeve të tij; ki kujdes në hyrjen e tempullit dhe në të gjitha daljet e shenjtërores.

Do t’u thuash këtyre rebelëve, shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: O shtëpi e Izraelit, mjaft më me veprimet tuaja të neveritshme!

Keni bërë që të futen të huaj, të parrethprerë nga zemra dhe nga mishi, me qëllim që të rrinin në shenjtëroren time, për ta përdhosur tempullin tim, ndërsa ofronit bukën time, dhjamin dhe gjakun, duke shkelur kështu besëlidhjen time me ju, me të gjitha veprimet tuaja të neveritshme.

Ju nuk jeni kujdesur për gjërat e mia të shenjta, por keni vënë të huaj në vendin tuaj që të kujdesen për shenjtëroren time.

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Asnjë i huaj, i parrethprerë nga zemra dhe parrethprerë nga mishi, nuk ka për të hyrë në shenjtëroren time, as edhe ndonjë i huaj që ndodhet në mes të bijve të Izraelit.

10 Por Levitët, që u larguan nga unë kur Izraeli doli nga rruga e drejtë, dhe u shmangën nga unë për të shkuar pas idhujve të tyre, do të ndëshkohen për paudhësinë e tyre.

11 Megjithatë ata do të shërbejnë si roje të portave të tempullit dhe do të kryejnë shërbime në tempull; do të therin olokaustet dhe flijimet për popullin dhe do të rrinë para tij për t’i shërbyer.

12 Duke qenë se i kanë shërbyer përpara idhujve të tij dhe kanë bërë që shtëpia e Izraelit të bjerë në mëkat, unë ngrita dorën time kundër tyre," thotë Zoti, Zoti, "duke u betuar se do të ndëshkohen për mëkatin e tyre.

13 Dhe nuk do të më afrohen më për të më shërbyer si priftërinj as do t’u afrohen asnjërës prej gjërave të mia të shenjta, gjërave që janë shumë të shenjta; por do të mbajnë turpin e tyre dhe ndëshkimin për veprimet e neveritshme që kanë kryer.

14 Megjithatë unë do t’u besoj atyre ruajtjen e tempullit për çdo shërbim të tij dhe për çdo gjë që do të bëhet në të.

15 Por priftërinjtë Levitë, bij të Tsadokut, që kanë treguar kujdes për shenjtëroren time kur bijtë e Izraelit u shmangën nga unë, do të më afrohen për të më shërbyer dhe do të qëndrojnë para meje për të më ofruar dhjamin dhe gjakun," thotë Zoti, Zoti.

16 "Ata do të hyjnë në shenjtëroren time, do t’i afrohen tryezës sime që të më shërbejnë dhe do të kryejnë gjithë shërbimin tim.

17 Kur të hyjnë nëpër portat e oborrit të brendshëm, do të veshin roba prej liri; nuk do të kenë në trup asnjë veshje prej leshi, kur të kryejnë shërbime në portat e oborrit të brendshëm dhe në tempull.

18 Do të kenë në krye çallma prej liri dhe pantallona prej liri mbi ijët; nuk do të ngjishen me atë që të bën të dërsitesh.

19 Por, kur do të dalin në oborrin e jashtëm, në oborrin e jashtëm në drejtim me popullin, do të heqin rrobat me të cilat kanë kryer shërbimin, do t’i depozitojnë në dhomat e shenjtërores dhe do të veshin rroba të tjera për të mos shenjtëruar popullin me veshjet e tyre.

20 Nuk do ta rruajnë kokën dhe as nuk kanë për të lënë t’u rriten flokët, por do t’i presin rregullisht flokët.

21 Asnjë prift nuk do të pijë verë, kur të hyjë në oborrin e brendshëm.

22 Nuk do të martohen me një të venë, as me grua të ndarë nga burri, por do të marrin virgjëresha nga pasardhësit e shtëpisë së Izraelit, ose një të ve që të jetë e veja e një prifti.

23 Do t’i mësojnë popullit tim të dallojë atë që është e shenjtë nga ajo që është profane dhe do t’i bëjnë të njohur ndryshimin midis asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër.

24 Në mosmarrëveshje ata do të veprojnë si gjyqtarë; do të gjykojnë sipas dekreteve të mia, do të zbatojnë ligjet e mia dhe statutet e mia në të gjitha festat e mia dhe do të shenjtërojnë të shtunat e mia.

25 Nuk do t’i afrohen një të vdekuri për të mos u ndotur; ata do të mund të ndoten vetëm për atin ose nënën, për birin ose bijën, për vëllanë ose për motrën e pamartuar.

26 Mbas pastrimit të tij për të do të numërohen shtatë ditë.

27 Ditën që do të hyjnë në vendin e shenjtë, në oborrin e brendshëm, për të kryer shërbimin në vendin e shenjtë, do të ofrojnë flijimin për mëkatin," thotë Zoti, Zoti.

28 "Sa për trashëgiminë e tyre, do të jem unë trashëgimia e tyre; nuk do t’u jepni atyre asnjë zotërim në Izrael, sepse jam unë zotërimi i tyre.

29 Ata do të ushqehen me blatimet e ushqimit, me flijimet për mëkatin dhe me flijimet për shkeljen; çdo gjë e destinuar Perëndisë në Izrael do të jetë e tyre.

30 Pjesa më e mirë e të gjitha prodhimeve të hershme dhe të gjitha ofertat e larta të çdo lloji midis ofertave tuaja të larta do t’u përkasin priftërinjve; do t’i jepni priftit edhe prodhimin e parë të brumit në mënyrë që bekimi të mbetet në shtëpinë tuaj.

31 Priftërinjtë nuk do të hanë mishin e asnjë zogu ose kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme ose të shqyer".

Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës

(dhe jeta u shfaq dhe ne e pamë e dëshmojmë për të, dhe ju shpallim jetën e përjetshme që ishte pranë Atit dhe që na u shfaq neve),

Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.

Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë.

Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë

Po të themi se kemi bashkësi me Të, dhe ecim në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e vëmë në praktik të vërtetën;

por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.

Po të themi se jemi pa mëkat, gënjej-më vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.

Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.

10 Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.