Add parallel Print Page Options

28 Fjala e Zotit mu drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, i thuaj princit të Tiros: Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se zemra jote është ngritur dhe ke thënë: "Unë jam një perëndi; unë ulem mbi një fron perëndish në zemrën e deteve," ndërsa je një njeri dhe jo një perëndi, ndonëse e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë.

Ja, ti je më i urtë se Danieli, asnjë sekret nuk mbetet i fshehur për ty.

Me diturinë tënde dhe zgjuarësinë tënde ke grumbulluar pasuri dhe ke mbledhur ar dhe argjend në thesaret e tua;

me diturinë tënde të madhe, me tregtinë tënde ke rritur pasuritë e tua, dhe për shkak të pasurive të tua zemra jote është ngritur".

Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë,

prandaj ja, unë do të sjell kundër teje kombet më të tmerrshme; këta do të zhveshin shpatat e tyre kundër shkëlqimit të diturisë sate dhe do të ndotin bukurinë tënde.

Do të të zbresin në gropë dhe ti do të vdesësh nga vdekja e atyre që janë shpuar në zemër të deteve.

A do të vazhdosh të thuash: "Unë jam një perëndi," përpara atij që do të të vrasë? Por do të jesh një njeri dhe jo një zot në duart e atij që do të të shpojë.

10 Ti do të vdesësh nga vdekja e të parrethprerëve, nga dora e huaj, sepse unë fola," thotë Zoti, Zoti.

11 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

12 "Bir njeriu ngri një vajtim për mbretin e Tiros dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ti ishe vula e përsosmërisë, tërë dituri dhe i përsosur nga bukuria.

13 Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë; ishte mbuluar me lloj lloj gurësh të çmuar: rubina, topaze, diamante, krizolit oniks, diaspre, safire, karbonke, smeralde dhe ar; punimi i dajreve të tua dhe i flauteve të tua u përgatit për ty ditën që ti u krijove.

14 Ti ishe një kerubin i vajosur, një mbrojtës. Unë të kisha vënë në malin e shenjtë të Perëndisë dhe ti ecje në mes gurësh zjarri.

15 Ti ishe i përsosur në rrugët e tua qysh nga dita që u krijove, deri sa nuk u zbulua te ti çoroditja.

16 Nga shkaku i bollëkut të tregtisë sate, u mbushe me dhunë dhe mëkatove; prandaj të kam përzënë si një profan nga mali i Perëndisë dhe të kam shkatërruar, o kerubin mbrojtës në mes gurësh zjarri.

17 Zemra jote ishte ngritur për bukurinë tënde; ke korruptuar diturinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd. Unë po të hedh për tokë, po të vë përpara mbretërve, me qëllim që të të shohin.

18 Në morinë e paudhësive të tua, me ligësinë e tregtisë sate ke përdhosur shenjtëroret e tua. Prandaj nxora nga mesi yt një zjarr që të ka gllabëruar, dhe të kam katandisur në hi mbi tokë përpara syve të atyre që të shikonin.

19 Tërë ata që të njihnin ndër popujt mbeten të habitur prej teje; je bërë objekt tmerri dhe nuk do të ekzistosh kurrë më".

20 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

21 "Bir njeriu, kthe fytyrën drejt Sidonit dhe profetizo kundër tij,

22 dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Sidon, dhe do të përvëlohem në mes teje. Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do të zbatoj në mes të tij gjykimet e mia dhe do të shënjtërohem tek ai.

23 Do të dërgoj mbi të murtajën dhe gjak në rrugët e tij; në mes të tij do të bien të vrarët nga shpata, dërguar nga çdo anë kundër saj. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti.

24 Dhe nuk do të ketë më për shtëpinë e Izraelit asnjë gjemb apo ferrë që midis gjithë fqinjve të tij që e përçmojnë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Zoti".

25 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të kem grumbulluar ata të shtëpisë së Izraelit nga mesi i popujve ndër të cilët janë shpërndarë dhe të shenjtërohem tek ata në sytë e kombeve, ata do të banojnë në vendin e tyre, që i dhashë shërbëtorit Jakob.

26 Do të banojnë të sigurt, do të ndërtojnë shtëpi dhe do të mbjellin vreshta; po, do të banojnë të sigurt, kur do të zbatoj gjykimet e mia mbi të gjithë ata që i përçmojnë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre".

29 Vitin e dhjetë, në muajin e dhjetë, ditën e dymbëdhjetë të muajit, fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën tënde kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe profetizo kundër tij dhe kundër tërë Egjiptit.

Fol dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Faraon, mbret i Egjiptit, dragua i madh, që rri në mes të lumenjve të tu dhe që ke thënë: "Lumi im është imi dhe e kam bërë unë vetë".

Do të vendos gremça në nofullat e tua dhe do të bëj që peshqit e lumenjve të tu të ngjiten në luspat e tua; pastaj do të të bëj të dalësh në mes të lumenjve të tu dhe gjithë peshqit e lumenjve të tua do të ngjiten me luspat e tu.

Do të të hedh në shkretëtirë, ty dhe tërë peshqit e lumenjve të tu, dhe do të biesh në fushë të hapur, nuk do të të varrosin as nuk do të mbledhën; do të të jap si ushqim kafshëve të tokës dhe shpendëve të qiellit.

Atëherë tërë banorët e Egjiptit do të pranojnë që unë jam Zoti, sepse kanë qenë për shtëpinë e Izraelit si një mbështetje prej kallami.

Kur të kanë kapur për dore, je thyer dhe u ke copëtuar atyre gjithë shpatullën; kur u mbështetën te ti, u theve dhe ke bërë të tronditen tërë ijët e tyre".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do të sjell mbi ty shpatën dhe do të shkatërroj mes teje njerëz dhe kafshë;

kështu vendi i Egjiptit do të bëhet një mjerim dhe një shkreti, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, sepse ai ka thënë: "Lumi është imi dhe e kam bërë unë vetë".

10 Prandaj ja, unë jam kundër teje dhe lumit tënd; do ta katandis vendin e Egjiptit në një mjerim të plotë dhe në shkreti nga Migdoli deri në Sienë, deri në kufijtë me Etiopinë.

11 Nuk do të kalojë asnjë këmbë njeriu, as do të kalojë ndonjë këmbë kafshe, dhe nuk do të banohet për dyzet vjetë me radhë.

12 Do të bëj vendin e Egjiptit një shkreti midis vendeve të shkretuara, dhe qytetet e tij do të jenë një shkreti për dyzet vjet, në mes të qyteteve të shkatërruara; do t’i shpërndaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t’i hedh nëpër vende të ndryshme".

13 Megjithatë kështu thotë Zoti, Zoti. "Në fundin e dyzet vjetëve unë do t’i bashkoj Egjiptasit ndër popujt nëpër të cilët ishin shpërndarë.

14 Do t’i riçoj Egjiptasit në shtëpi nga robëria dhe do t’i bëj që të kthehen në vendin e Pathrosit, në vendlindjen e tyre, dhe atje do të jenë një mbretëri e përulur.

15 Do të jetë më e përulura midis mbretërive dhe nuk do të ngrihet më mbi kombet; do të pakësoj numrin e tyre, me qëllim që të mos sundojë më mbi kombet.

16 Ai nuk do të jetë më burim besimi për shtëpinë e Izraelit, por do t’u kujtojë fajin kur u drejtoheshin për ndihmë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Zoti".

17 Në vitin e njëzeteshtatë, në muajin e parë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

18 "Bir njeriu, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, e vuri ushtrinë e tij në një shërbim të rëndë kundër Tiros; çdo kokë është bërë e shogët dhe çdo shpatull e rrjepur; por as ai, as ushtria e tij nuk kanë nxjerrë nga Tiro ndonjë shpërblim për mundin që kanë bërë kundër tij".

19 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë i jap Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, vendin e Egjiptit; ai do të marrë pasuritë e tij; ai do të marrë me vete robër dhe do ta plaçkitë; dhe ky do të jetë shpërblimi për ushtrinë e tij.

20 Për mundin që ke bërë kundër tij unë i jap vendin e Egjiptit, sepse kanë punuar për mua," thotë Zoti, Zoti.

21 "Atë ditë unë do ta rilind fuqinë e shtëpisë së Izraelit dhe do të hap gojën tënde në mes të tyre. Atëherë ata do të pranojnë që unë jam Zoti".

30 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, profetizo dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Vajtoni: Medet, dita!!".

Sepse dita është afër, është e afërt dita e Zotit; do të jetë një ditë me re, koha e kombeve.

Shpata do të bjerë mbi Egjipt dhe do të krijojë ankth në Etiopi kur në Egjipt të bien të plagosurit për vdekje, do të shpien larg pasuritë e tij dhe themelet e tij do të përmbysen.

Etiopia, Puti, Ludi, tërë përzierja e popujve të ndryshëm, Kubi dhe bijtë e vendeve aleate do të rrëzohen bashkë me ta nga shpata".

Kështu thotë Zoti: "Ata që përkrahin Egjiptin do të rrëzohen, krenaria e pushtetit të tij do të bjerë; nga Migdoli deri në Sienë do të bien aty nga shpata," thotë Zoti, Zoti.

"Do të shkretohen në mes të tokave të shkretuara dhe qytetet e tyre do të jenë në mes të qyteteve të shkatërruara.

Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do t’i vë zjarrin Egjiptit dhe të gjithë përkrahësit e tij do të shtypen.

Atë ditë do të nisen në praninë time lajmëtarë mbi anije, që do të trembin Etiopinë e shkujdesur; dhe një ankth i madh do t’i pushtojë ata si në ditën e Egjiptit. Po, ja gjëja është duke ndodhur".

10 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do ti jap fund zhurmës së Egjiptit, me anë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë.

11 Ai dhe populli i tij bashkë me të, më të tmerrshmit midis kombeve, do të vijnë për të shkatërruar vendin; do të zhveshin shpatat e tyre kundër Egjiptit dhe do të mbushin vendin me të vrarë.

12 Do t’i thaj lumenjtë dhe do t’ia shes vendin njerëzve të këqij; dhe nëpërmjet të të huajve do ta bëj të shkretuar vendin dhe gjithçka ai përmban. Unë, Zoti, fola".

13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të shkatërroj idhujt dhe do t’i zhduk perënditë e rreme nga Nofi; nuk do të ketë më princ nga vendi i Egjiptit dhe do të kall frikën në vendin e Egjiptit.

14 Do të bëj të shkretuar Pathrosin, do t’i vë zjarrin Tsoanit, do të zbatoj gjykimet e mia mbi Nonë,

15 do ta derdh tërbimin tim mbi Sin, mbi kalanë e Egjiptit dhe do të shfaros turmat e Nosë.

16 Do t’i vë zjarrin Egjiptit: Sini do të shtrëmbërohet nga dhimbja, Noja do të shqyhet, Nofi do të jetë në ankth çdo ditë.

17 Të rinjtë e Avenit dhe të Pibesethit do të bien nga shpata dhe këto dy qytete do të shkojnë në robëri.

18 Në Tahpanhes dita do të erret, kur aty unë do të coptoj zgjedhat e imponuara nga Egjipti; dhe tek ajo do të mpaket krenaria e forcës së saj. Sa për atë, një re do ta mbulojë dhe bijat e saj do të shkojnë në robëri.

19 Kështu do të zbatoj gjykimet e mia mbi Egjiptin. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

20 Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e parë, ditën e shtatë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

21 "Bir njeriu, unë theva krahun e Faraonit, mbretit të Egjiptit; dhe ja, nuk u lidh duke vënë ilaçe as u mbështoll me rrypa që ta bënin mjaft të fortë për të përdorur shpatën".

22 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë jam kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, për t’ia coptuar krahët, si atë të fortin ashtu edhe krahun tashmë të thyer, dhe do ta bëj që t’i bjerë shpata nga dora.

23 Do t’i shpërndaj pastaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t’i përhap në vende të ndryshme.

24 Do të forcoj krahët e mbretit të Babilonisë dhe do t’i vë në dorë shpatën time, por do të coptoj krahët e Faraonit që do të rënkojë para tij, si rënkon një njeri i plagosur për vdekje.

25 Kështu do të forcoj krahët e mbretit të Babilonisë, por krahët e Faraonit do të rrëzohen; do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ti vë në dorë mbretit të Babilonisë shpatën time, dhe ky do ta shtrijë kundër vendit të Egjiptit.

26 Do t’i shpërndaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t’i përhap në vende të ndryshme. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

31 Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e tretë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, i thuaj Faraonit, mbretit të Egjiptit dhe turmës së tij: Kujt i ngjet ti në madhështinë tënde?

Ja, Asiria jote ishte një kedër Libani, me degë të bukura, me hijen e një pylli, me trung të gjatë dhe me majë që ngrihej midis degëve të dëndura.

Ujrat e bënin të rritej, uji i nëndheshëm e kishte bërë të lartë, me lumenjtë e tij që rridhnin rreth e qark vendit ku ishte mbjellë, ndërsa u dërgonte rrëketë e tij tërë drurëve të fushës.

Prandaj lartësia e saj ishte ngritur mbi të gjithë drurët e fushës, degët e tij ishin shumuar, ato ishin zgjatur nga bollëku i ujrave gjatë rritjes së tij.

Tërë zogjtë e qiellit bënin folenë midis degëve të tij, tërë kafshët e fushës pillnin nën degët e tij, dhe të gjitha kombet e mëdhenj rrinin në hijen e tij.

Ishte i bukur në madhështinë e tij për gjatësinë e degëve të tij, sepse rrënja e tij ndodhej pranë ujrave të bollshme.

Kedrat nuk ia kalonin në kopshtin e Perëndisë, selvitë nuk arrinin të barazonin degët e tij dhe gështenjat nuk ishin as si degët e tij me gjethe; asnjë dru në kopshtin e Perëndisë nuk ishte i barabartë me të nga bukuria.

E kisha bërë të bukur në bollëkun e degëve të tij, prandaj e kishin zili të gjithë drurët e Edenit, që ndodheshin në kopshtin e Perëndisë".

10 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se është ngritur në lartësi dhe ka vënë majën e tij ndër degë të dendura dhe zemra e tij u bë krenare për shkak të lartësisë së tij,

11 do ta jap në dorë të kombit më të fuqishëm, me qëllim që të bëjë me të çfarë i pëlqen; unë e përzura për shkak të ligësisë së tij.

12 Të huajt, më të tmerrshmit e kombeve, e prenë dhe e braktisën; degët e tij kanë rënë në male dhe në të gjitha luginat, degët e tij ndodhen të thyera pranë të gjitha rrjedhave ujore të vendit; tërë popujt e dheut kanë zbritur duke u larguar nga hija e tij dhe e kanë braktisur.

13 Mbi rrënojat e tij vijnë e qëndrojnë tërë zogjt e qiellit dhe mbi degët e tij janë të gjitha kafshët e fushës,

14 kështu që asnjë dru i mbjellë pranë ujrave të mos krenohet për lartësinë e tij, të mos e nxjerrë më majën e tij midis degëve të dëndura dhe që asnjë dru që pi ujë të ngrihet me forcën e tij mbi lartësinë e tij, sepse të gjithë i janë caktuar vdekjes, thellësive të tokës, midis bijve të njerëzve, midis atyre që zbresin në gropë".

15 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ditën që zbriti në Sheol e bëra ditë zie; për të e mbulova humnerën, ndala lumenjtë e tij dhe ujrat e mëdha u ndalën; për të mbajti zi Libani dhe për të u thanë gjithë drurët e fushës.

16 Me zhurmën e rënies së tij i bëra të dridhen kombet, kur e bëra të zbresë në Sheol bashkë me ata që zbresin në gropë; dhe në thellësitë e tokës u përdëlluan të gjitha drurët e Edenit, më të zgjedhurit dhe më të bukurit e Libanit, të gjithë ata që pinin ujrat.

17 Edhe ata zbritën bashkë me të në Sheol në mes të atyre që u vranë nga shpata, po, ata që ishin krahu i tij dhe qëndronin në hijen e tij në mes të kombeve.

18 Kujt i ngjan ti, pra, për nga lavdia dhe madhështia midis drurëve të Edenit? Megjithatë u plandose bashkë me drurët e Edenit në thellësitë e tokës; do të qëndrosh në mes të të parrethprerëve, bashkë me ata që janë vrarë nga shpata. Ja ç’do t’i ndodhë Faraonit dhe gjithë turmës së tij," thotë Zoti, Zoti.