Add parallel Print Page Options

24 Fjala e Zotit m’u drjetua vitin e nëntë, muajin e dhjetë, ditën e dhjetë të muajit:

"Bir njeriu, shkruaje datën e sotme, pikërisht të kësaj dite. Mbreti i Babilonisë ka vendosur të rrethojë Jeruzalemin pikërisht sot.

Propozoji një shëmbëlltyrë kësaj shtëpie rebele dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Nxirre tenxheren, vëre mbi të dhe mbushe me ujë.

Fut në të copat e mishit, gjithë copat e mira, kofshën dhe shpatullën; mbushe me kocka të zgjedhura.

Merr më të mirën e kopesë, pastaj grumbullo nën të dru; vëre të ziejë fort, me qëllim që në të të ziejnë edhe kockat".

Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjerë qyteti gjakatar, tenxheres ku ka papastërti, papastërti që nuk hiqet. Zbraze pjesë pjesë pa hedhur short mbi të.

Sepse gjaku i tij është në mes të tij; e ka vënë në majë të një shkëmbi, nuk e ka shkapërderdhur për tokë për ta mbuluar me pluhur.

Për të nxitur tërbimin, për t’u hakmarrë, ka vënë gjakun e tij në majë të një shkëmbi, që të mos mbulohet".

Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjerë qyteti gjakatar! Edhe unë do të ndez një zjarr të madh.

10 Mblidh drutë, ndiz zjarrin, piqe mirë mishin, përziej beharnat dhe lëri kockat të digjen.

11 Pastaj vëre tenxheren bosh mbi qymyr, që të ngrohet dhe bronzi i saj të skuqet me qëllim që papastërtia e saj të hiqet nga mesi i saj dhe pisllëku i saj të konsumohet.

12 Ai më ka lodhur me gënjeshtrat e tij; pisllëku i madh i tij nuk po hiqet; pisllëku i tij do të marrë fund mbi zjarrin.

13 Ka shthurje në papastërtinë tënde. Unë, pra, kërkova të të pastroj, por ti nuk je i pastër; nuk do të pastrohesh më nga papastërtia jote, deri sa të mos kem shfryrë mbi ty tërbimin tim.

14 Unë, Zoti, fola; kjo gjë do të ndodhë, unë do ta kryej; nuk do të prapsem, nuk do të kem mëshirë, nuk do të pendohem. Ti do të gjykohesh sipas sjelljes tënde dhe sipas veprimeve e tua, thotë Zoti, Zoti".

15 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

16 "Bir njeriu, ja, unë do të të heq me një goditje të vetme kënaqësinë e syve të tu; por ti mos u trishto, mos vajto dhe mos derdh asnjë lot.

17 Vajto në heshtje, mos mbaj zi për të vdekurit, lidhe kokën me çallmë, mbath sandalet, mos e mbulo mjekrën dhe mos ha bukën e njerëzve që mbajnë zi".

18 Në mëngjes i fola popullit dhe në mbrëmje më vdiq gruaja; të nesërmen në mëngjes veprova ashtu si më kishin urdhëruar.

19 Populli atëherë më pyeti: "A do të na shpjegosh ç’kuptim ka për ne ajo që ti bën?".

20 Unë u përgjigja: "Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

21 I thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të përdhos shenjtëroren time, krenarinë e forcës suaj, kënaqësinë e syve tuaj, kënaqësinë e shpirtit tuaj; dhe bijtë tuaj dhe bijat tuaja që keni lënë do të rrëzohen nga shpata.

22 Dhe ju do të bëni ashtu si bëra unë: nuk do ta mbuloni mjekrën dhe nuk do të hani bukën e njerëzve që mbajnë zi.

23 Do të keni mbi kokë çallmat tuaja, sandalet tuaja te këmbët; nuk do të trishtoheni dhe nuk do të qani, por do ta hani veten për paudhësitë tuaja dhe do të vajtoni njeri me tjetrin.

24 Kështu Ezekieli do të jetë për ju një shenjë; ju do të veproni për çdo gjë ashtu si veproi ai. Kur do të ndodhin këto gjëra, do të pranoni se unë jam Zoti, Zoti.

25 Dhe ti, bir njeriu, ditën që atyre do t’u marr fortesën e tyre, gëzimin e lavdisë së tyre, kënaqësinë e syve të tyre, lakminë e shpirtit të tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre,

26 atë ditë një ikanak do të vijë te ti që të të sjellë lajmin.

27 Atë ditë ti do të hapësh gojën me ikanakun; atëherë ti do të flasësh dhe nuk do të jesh më memec, dhe do të jesh një shenjë për ta. Atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti".

25 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën drejt bijve të Amonit dhe profetizo kundër tyre.

U thuaj bijve të Amonit: Dëgjoni fjalën e Zotit, të Zotit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se ti the: "Ah, Ah," kundër shenjtërores sime kur ajo u përdhos, kundër vendit të Izraelit kur ai u shkretua dhe kundër shtëpisë së Judës kur ajo shkoi në robëri,

prandaj ja, unë po të jap në dorë të bijve të lindjes, dhe ata do të ngrejnë fushimet e tyre në mesin tënd dhe në mesin tënd do të ngrenë vendbanimet e tyre; ata do të hanë frytet e tua dhe do të pijnë qumështin tënd.

Unë do ta bëj Rabahun një vathë për devetë dhe vendin e bijve të Amonit një vathë për dhëntë; atëherë ti do të pranosh se unë jam Zoti".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se ti ke rrahur duart, ke rrahur këmbët dhe je gëzuar në zemër me gjithë përçmimin tënd për vendin e Izraelit;

prandaj ja, unë po shtrij dorën time kundër teje dhe do të të jap si plaçkë të kombeve, do të të shfaros nga popujt dhe do të të bëj të zhdukesh nga rendi i vendeve; do të të shkatërroj, kështu do të pranosh që unë jam Zoti".

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se Moabi dhe Seiri thonë: "Ja, shtëpia e Judës është si të gjitha kombet e tjera,"

prandaj ja, unë do të hap krahun e Moabit nga ana e qyteteve, nga ana e qyteteve që janë në kufijtë e tij, lulja e vendit, Beth-Jeshimothi, Baalmeoni dhe Kiriathaimi.

10 Do ta jap pastaj në zotërim të bijve të lindjes, bashkë me bijtë e Amonit, me qëllim që bijtë e Amonit të mos kujtohen më midis kombeve.

11 Kështu do të zbatoj gjykimet e mia mbi Moabin, dhe ata do të pranojnë që unë jam Zoti".

12 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Për atë që ka bërë Edomi duke marrë hak kundër shtëpisë së Judës, dhe sepse u bë shumë fajtor duke u hakmarrë kundër saj,"

13 kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë do të shtrij dorën time kundër Edomit, do të shfaros njerëz dhe kafshë dhe do ta shkretoj; nga Themani deri në Dedan dhe do të bien nga shpata.

14 Do ta kryej hakmarrjen time kundër Edomit me anën e popullit tim të Izraelit, që do të trajtojë Edomin sipas zemërimit tim dhe sipas tërbimit tim; kështu ata do të njohin hakmarrjen time," thotë Zoti, Zoti.

15 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se Filistejtë kanë qenë hakmarrës dhe kanë kryer hakmarrje me zemër plot përçmim për të shkatërruar, të shtyrë nga një armiqësi e vjetër,"

16 prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do ta shtrij dorën time kundër Filistejve, do të shfaros Kerethejtë dhe do të shkatërroj kusurin e bregut të detit.

17 Do të kryej kundër tyre një hakmarrje të madhe me ndëshkime të rënda; dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do të kryej kundër tyre hakmarrjen time".

26 Ndodhi në vitin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, që fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:

"Bir njeriu, duke qenë se Tiro ka folur kundër Jeruzalemit: "Ah, Ah! Porta e popujve është thyer, ajo është drejtuar nga unë; unë do të mbushem tani që ajo është prishur"".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Tiro. Do të bëj të ngrihen kundër teje shumë kombe, ashtu si deti bën të ngrihen valët e tij.

Ata do të shkatërrojnë muret e Tiros dhe do të shembin kullat e tij; do të fshij prej tij edhe pluhurin e tij dhe do ta bëj si një shkëmb të zhveshur.

Ai do të jetë një vend për të hedhur rrjetat në mes të detit, sepse unë fola," thotë Zoti, Zoti; "do të plaçkitet nga kombet;

edhe bijat e tij që janë në fshat do të vriten nga shpata; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe një shumicë të madhe njerëzish.

Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje kulla, do të ndërtojë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash.

Do të drejtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij.

10 Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë.

11 Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rrugët e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen.

12 Do të grabitin pasuritë e tua, do të plaçkitin mallrat e tua, do të rrëzojnë muret e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe tokën tënde.

13 Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më.

14 Do të të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të nderur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti".

15 Kështu i thotë Zoti, Zoti, Tiros: "Në zhurmën e rënies sate, në rënkimin e të plagosurve për vdekje, në kërdinë që do të bëhet në mes teje, a nuk do të dridhen vallë ishujt?

16 Atëherë princat e detit do të zbresin nga fronet e tyre, do të heqin mantelet e tyre dhe do të heqin rrobat e tyre të qëndisura; do të vishen me drithërim, do të ulen për tokë, do të dridhen në çdo çast dhe do të jenë të tronditur thellë për ty.

17 Do të ngrenë një vajtim për ty dhe do të thonë: "Si je zhdukur, ti që ishe banuar nga princat e detit, qytet i famshëm, që ishe aq i fuqishëm në det? Ti dhe banorët e tu u kallje tmerrin gjithë atyre që banonin atje.

18 Tani ishujt do të dridhen ditën e rënies sate, ishujt e detit do të tmerrohen nga fundi yt"".

19 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të të bëj një qytet të shkretë si qytetet që nuk kanë banorë dhe kur të bëj të ngjitet humnera mbi ty dhe ujërat e mëdha të të mbulojnë,

20 atëherë do të zbresësh me ata që zbresin në gropë, midis popullit të dikurshëm, do të të bëj të rrish në thellësitë e tokës, në vende të shkretuara qysh prej lashtësisë, me ata që zbresin në gropë me qëllim që ti të mos banohesh më, por do të jap shkëlqim mbi tokën e të gjallëve.

21 Do të bëj një tmerr dhe nuk do të jesh më; do të të kërkojnë, por nuk do të të gjejnë kurrë më," thotë Zoti, Zoti.

27 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Ti, bir njeriu, ngri për Tiron një vajtim,

dhe i thuaj Tiros: O ti që je vendosur në hyrje të detit, ti që bën tregti me popujt në shumë ishuj, kështu thotë Zoti, Zoti: O Tiro, ti ke thënë: "Unë jam i një bukurie të përsosur".

Kufijtë e tu janë në zemër të deteve; ndërtuesit e tu të kanë dhënë një bukuri të përsosur.

E kanë bërë tërë lëndën e anijeve të tua me qipariset e Senirit, kanë marrë kedra të Libanit për të bërë direkun tënd kryesor;

dhe i kanë bërë lopatat e tua me lis të Bashanit, e kanë bërë urën tënde me dru pylli të inkrustuar me fildish të sjellë nga ishujtë e Kitimit.

Ishte prej liri të hollë të Egjiptit, e punuar me qëndisje, vela që ke shpalosur, që të të shërbente si flamur; ajo që të mbulonte ishte prej hiacinti dhe prej purpre dhe vinte nga ishujt e Elishahut.

Banorët e Sidonit dhe të Arvadit ishin vozitësit e tu; të urtët e tu, o Tiro, ishin te ti; ata ishin pilotët e tu.

Te ti ishin pleqtë e Gebalit dhe specialistët e tij për të riparuar tërë të çarat e tua; te ti ishin tërë anijet e detit dhe detarët e tyre për të shkëmbyer mallrat e tua.

10 Ata të Persisë, të Ludit dhe të Putit ishin në ushtrinë tënde, si luftëtarë; ata varnin te ti mburojën dhe përkrenaren dhe të jepnin shkëlqim.

11 Bijtë e Arvadit dhe ushtria jote ishin përreth mureve të tua dhe njerëz trima qëndronin mbi kullat e tua; ata i varnin mburojat e tyre përreth mureve të tua; ata e bënin kështu të përsosur bukurinë tënde.

12 Tarshishi tregtonte me ty për shkak të bollëkut të pasurive të tua; në këmbim të mallrave të tua të jepte argjend, hekur, kallaj dhe plumb.

13 Edhe Javani, Tubali dhe Mesheku bënin tregti me ty; në këmbim të mallrave të tua të jepnin njerëzore dhe vegla prej bronzi.

14 Ata të shtëpisë së Togarmahut të jepnin në këmbim të mallrave të tua kuaj qëniet për tërheqje, kuaj vrapimi dhe mushka.

15 Bijtë e Dedanit bënin tregti me ty; tregtia e shumë ishujve kalonte nga duart e tua; si shpërblim të jepnin dhëmbë fildishi dhe abanoz.

16 Siria bënte tregti me ty për shkak të bollëkut të prodhimeve të tua; në këmbim të mallrave të tua të jepnin gurë të çmuar, purpur, stofa të qëndisur, pëlhura hiri të hollë, koral dhe rubin.

17 Juda dhe vendi i Izraelit tregtonin me ty; në këmbim të mallrave të tua të jepnin grurë të Minithit, parfume, mjaltë, vaj dhe balsam.

18 Damasku bënte tregti me ty për shkak të numrit të madh të prodhimeve të tua dhe për bollëkun e pasurive të tua me verë të Helbonit dhe me lesh të bardhë.

19 Vedani dhe Javani sillnin nga Uzahu prodhime në këmbim të mallrave të tua; hekuri i punuar, kasia dhe kallami aromatik ishin ndër mallrat e tua të këmbimit.

20 Dedani tregtonte me ty veshje për të kalëruar.

21 Arabia dhe tërë princat e Kedarit bënin tregti me ty, duke bërë me ty shkëmbime në qengja, deshë dhe cjep.

22 Tregtarët e Shebas dhe të Ramahut bënin tregti me ty; në këmbim të mallrave të tua ata të jepnin të gjitha aromat më të mira, lloj lloj gurësh të çmuar dhe ar.

23 Herani, Kanehu, Edeni, tregtarët e Shebas, të Asirisë dhe të Kilmadit bënin tregti me ty.

24 Në këmbim të mallrave të tua shkëmbenin me ty sende luksi, mantele të purpurta, stofa të qëndisura, arka rrobash të ndryshme, të lidhura me litarë.

25 Anijet e Tarshishit transportonin mallrat e tua. Kështu u mbushe dhe u pasurove me të madhe në zemër të deteve.

26 Vozitësit e tu të kanë çuar mbi shumë ujra, por era e lindjes të ka shkatërruar në zemër të deteve.

27 Pasuritë e tua, mallrat e tua, prodhimet e tua, detarët e tu, pilotët e tu, ata që ndreqnin të çarat, trafikantët e mallrave të tua, tërë luftëtarët që janë te ti dhe gjithë ajo mori që është mes teje do të bien në zemër të deteve ditën e shkatërrimit tënd.

28 Nga zhurma e britmës së pilotëve të tu fushat e hapura do të dridhen;

29 tërë ata që përdorin lopatën, detarët dhe tërë pilotët e detit do të zbresin nga anijet e tyre dhe do të mbeten në breg.

30 Do të bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre mbi ty; do të klithin me trishtim, do të hedhin pluhur mbi kokën e tyre, do të rrokullisen në pluhur.

31 Për shkakun tënd do të rruajnë kokën, do të vishen me thasë dhe do të qajnë për ty me trishtim të shpirtit, me një dhembje të thellë.

32 Në ankthin e tyre do të ngrenë për ty një vajtim dhe do të vajtojnë për ty: "Kush është si Tiro, e shkatërruar në mes të detit?".

33 Kur mallrat e tua dilnin nga detet, ngopje shumë popuj; me bollëkun e pasurive dhe të mallrave të tua pasuroje mbretërit e tokës.

34 Por kur u theve nga detet në thellësinë e ujrave, mallrat e tua dhe tërë moria e njerëzve në mes teje kanë rënë.

35 Të gjithë banorët e ishujve janë habitur prej teje; mbretërit e tyre i ka zënë një frikë e madhe, pamja e tyre është e tronditur.

36 Tregtarët midis popujve fishkëllejnë mbi ty; je bërë një llahtarë dhe nuk do të ekzistosh më".