Add parallel Print Page Options

13 Fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:

"Bir njeriu, profetizo kundër profetëve të Izraelit që profetizojnë dhe u thuaj atyre që profetizojnë sipas zemrës së tyre: Dëgjoni fjalën e Zotit.

Kështu thotë Zoti, Zoti: Mjerë profetët e pamend që ndjekin frymën e tyre duke mos parë asgjë.

O Izrael, profetët e tu kanë qenë si dhelpra në shkretëtirë.

Ju nuk jeni ngjitur mbi të çara dhe as nuk keni ndërtuar ndonjë mur rreth shtëpisë së Izraelit për të rezistuar në betejën në ditën e Zotit.

Kanë pasur vegime të rreme dhe shortari të gënjeshtërta dhe thonë: "Zoti ka thënë," ndërsa Zoti nuk i ka dërguar. Megjithatë ata shpresojnë që fjala e tyre të plotësohet.

A nuk keni pasur vallë vegime të rreme dhe a nuk keni shqiptuar shortari të gënjeshtra? Ju thoni: "Zoti ka thënë," kurse unë nuk kam folur".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se keni thënë gënjeshtra dhe keni pasur vegime të gënjeshtërta, ja ku jam kundër jush," thotë Zoti, Zoti.

"Dora ime do të jetë kundër profetëve që kanë vegime të rreme dhe shqiptojnë shortari të gënjeshtra. Ata nuk do të marrin pjesë në këshillën e popullit tim, nuk do të jenë të shkruar në rregjistrin e shtëpisë së Izraelit dhe nuk do të hyjnë në vendin e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, Zoti.

10 Sepse, po, sepse kanë bërë popullin tim të devijojë, duke i thënë: ‘Paqe’, kur nuk ka paqe, dhe kur një njeri ndërton një mur, ata e suvatojnë me një llaç që nuk mban,

11 u thuaj atyre që e suvatojnë me llaç që nuk mban, se ai ka për të rënë. Do të vijë një shi i rrëmbyer dhe ju, o gurë breshëri, do të rrëzoheni; do të shpërthejë një erë e stuhishme,

12 dhe ja, kur do të rrëzohet muri, nuk do t’ju thuhet vallë: "Ku është llaçi me të cilin e keni suvatuar?"".

13 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Në tërbimin tim do të bëj që të shpërthejë një erë e stuhishme, në zemërimin tim do të bëj që të bjerë një shi i rrëmbyer dhe në tërbimin tim disa gurë breshri për një shfarosje të plotë.

14 Kështu do të shemb murin që keni suvatuar me llaç që nuk mban, do të hedh për tokë dhe themelet e tij do të zbulohen; ai do të rrëzohet dhe ju do të shkatërroheni bashkë me të; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

15 Kështu do të shfryj tërbimin tim mbi murin dhe mbi ata që kanë suvatuar me llaç që nuk mban; dhe do t’ju them: "Muri nuk është më dhe as ata që e suvatonin,

16 domethënë, profetët e Izraelit që profetizonin mbi Jeruzalemin dhe kishin për të vegime paqeje, ndërsa nuk kishte paqe," thotë Zoti, Zoti.

17 "Por tani ti, bir njeriu, kthe fytyrën nga vajzat e popullit tënd që profetizojnë sipas zemrës së tyre dhe profetizo kundër tyre,

18 dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Mjerë gratë që qepin rripa në të gjitha kyçet e dorës dhe bëjnë vela për kokat e çdo lartësie për të gjuajtur shpirtërat. A besoni ju të gjuani shpirtërat e popullit tim dhe të shpëtoni jetën tuaj?

19 Ju më përdhosni në mes të popullit tim për disa grushte elbi dhe për disa copa buke, duke bërë të vdesin shpirtëra që nuk duhet të vdisnin dhe duke bërë të jetojnë shpirtëra që nuk duhet të jetonin, duke e gënjyer popullin tim që u vë veshin gënjeshtrave".

20 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë jam kundër rripave tuaja me të cilat ju gjuani shpirtërat sikur të ishin zogj; do t’i shkëpus nga krahët tuaja dhe do t’i çliroj shpirtërat, ato shpirtëra që ju i gjuani si zogj.

21 Gjithashtu do të heq velat tuaja dhe do të çliroj popullin tim nga duart tuaja, dhe ai nuk do të jetë më një pre në duart tuaja; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

22 Në fakt e keni brengosur zemrën e të drejtit me gënjeshtra, kur unë nuk e brengosja, dhe keni fortësuar duart e të pabesit, që të mos shmanget nga rruga e tij e keqe për të mbetur në jetë.

23 Prandaj nuk do të keni më vegime të rreme dhe nuk do të praktikoni më shortarinë, dhe unë do ta çliroj popullin tim nga duart tuaja; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti".

14 Pastaj erdhën tek unë disa pleq të Izraelit dhe u ulën para meje.

Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, këta njerëz kanë ngritur idhujt e tyre në zemrën e tyre dhe kanë vënë para tyre pengesën që i bën të bien në paudhësi. A do ta lë veten të konsultohem prej tyre?

Prandaj folu dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Cilido qoftë nga shtëpia e Izraelit që i ngre idhujt e tij në zemrën e tij, dhe vë para vetes pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, do t’i përgjigjem unë, Zoti, lidhur me këtë, sipas morisë së idhujve të tij,

për të ndikuar në zemrën e atyre të shtëpisë së Izraelit që janë larguar prej meje për shkak të të gjithë idhujve të tyre.

Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Konvertohuni, largohuni nga idhujtë tuaj dhe hiqni fytyrën nga të gjitha gjërat tuaja të neveritshme.

Sepse, në qoftë se një njeri çfardo i shtëpisë së Izraelit apo disa të huaj që banojnë në Izrael largohen nga unë, ngre idhujt e tij në zemrën e tij dhe vë para tij pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, që të konsultohet me mua nëpërmjet atij, unë, do t’i përgjigjem unë, Zoti, nga vetja ime.

Do të kthej fytyrën time kundër këtij njeriu, do ta bëj një shënjë dhe një proverb dhe do ta shfaros në mes të popullit tim; atëherë do pranoni që unë jam Zoti.

Por në rast se profeti lë të mashtrohet dhe thotë ndonjë fjalë, unë, Zoti e kam bërë për vete këtë profet; do të shtrij dorën pastaj kundër tij dhe do ta shkatërroj në mes të popullit tim të Izraelit.

10 Që të dy do të vuajnë dënimin e paudhësisë së tyre; dënimi i profetit do të jetë i barabartë me dënimim e atij që e konsulton,

11 me qëllim që ata të shtëpisë së Izraelit të mos shkojnë duke u endur larg meje, të mos ndoten më nga të gjitha shkeljet e tyre, por të jenë populli im dhe unë të jem Perëndia i tyre," thotë Zoti, Zoti.

12 Fjala e Zotit mu drejtua akoma, duke thënë:

13 "Bir njeriu, në qoftë se një vend mëkaton kundër meje duke qenë vazhdimisht i pabesë, unë do të shtrij dorën time kundër tij, do t’i ndërpres përkrahjen e bukës, do t’i dërgoj kundra urinë dhe do të shfaros njerëzit dhe kafshët.

14 Edhe sikur në mes tyre të ishin këta tre burra, Noeu, Danieli dhe Jobi, për shkak të drejtësisë së tyre do të shpëtonin vetëm veten e tyre," thotë Zoti, Zoti.

15 "Por në rast se do të bëja që nëpër këtë vend të kalonin kafshë të egra që ta shpopullonin dhe ai të bëhej një shkreti ku askush nuk do të kalonte për shkak të këtyre kafshëve,

16 edhe sikur në mes tyre të ishin ata tre burra, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "ata nuk do të shpëtonin as bijtë as bijat; do të shpëtonin vetëm veten e tyre, por vendi do të ishte një shkreti.

17 Ose sikur të sillja shpatën kundër këtij vendi dhe të thoja: "Le të kalojë shpata nëpër vend," dhe të shfaroste njerëz dhe kafshë,

18 edhe sikur në mes tyre të ishin ata tre burra, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "ata nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat e tyre, por vetëm veten e tyre.

19 Ose sikur të dërgoja kundër atij vendi murtajën dhe të derdhja mbi të zemërimin tim duke bërë kërdinë dhe duke shfarosur njerëz dhe kafshë,

20 edhe sikur në mes tyre të ishin Noeu, Danieli dhe Jobi, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti "ata nuk do të shpëtonin as bijtë as bijat, për drejtësinë e tyre do të shpëtonin vetëm veten e tyre".

21 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "E njëjta gjë do të ndodhë kur të dërgoj kundër Jeruzalemit katër gjykatësit e mi të tmerrshëm, shpatën, urinë, kafshët e egra dhe murtajën për të shfarosur njerëz dhe kafshë.

22 Por ja, do të lihet një mbeturinë që do të çohet jashtë, bij dhe bija; ata do të vijnë tek ju dhe ju do të shikoni sjelljen e tyre dhe veprimet e tyre. Atëherë do të ngushëlloheni nga e keqja që solla mbi Jeruzalemin, për të gjitha ato që solla mbi të.

23 Ata do t’ju ngushëllojnë kur do të shikoni sjelljen e tyre dhe veprimet e tyre. Kështu do të pranoni që jo pa të drejtë bëra atë që bëra në mes të tij," thotë Zoti, Zoti.

15 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Bir njeriu, ç’është vallë druri i hardhisë në krahasim me gjithë drurët e tjerë ose me çfarëdo dege që ndodhet në drurët e pyllit?

A mund ta marrësh drurin për të bërë ndonjë punë? A mund të përftosh prej tij një kunj për të varur ndonjë send?

Ja, e hedh në zjarr për t’u djegur; zjarri djeg dy anët e tij dhe pjesa e tij qendrore karbonizohet. A mund të jetë vallë i dobishëm për ndonjë punë?

Ja, në se edhe kur ishte i plotë nuk vlente për asnjë punë, aq më pak do të mund të vlejë për ndonjë punë kur zjarri e ka djegur dhe karbonizuar.

Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: Ashtu sikur, ndër drutë e pyllit, kam caktuar që druri i hardhisë të digjet në zjarr, kështu do të veproj edhe me banorët e Jeruzalemit.

Do të kthej kundër tyre fytyrën time. Kanë dalë nga një zjarr, por një zjarr tjetër do t’i gllabërojë. Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, kur të kthej kundër tyre fytyrën time.

Kështu do ta bëj vendin të shkretë sepse kanë qenë vazhdimisht jobesnikë," thotë Zoti, Zoti.