Add parallel Print Page Options

Zoti i tha Moisiut: "Shiko, unë po të bëj si perëndi për Faraonin, dhe vëllai yt Aaroni do të jetë profeti yt.

Ti do të thuash tërë ato që do të të urdhëroj unë dhe vëllai yt Aaroni do t’i flasë Faraonit, që t’i lërë të shkojnë bijtë e Izraelit nga vendi i tij.

Por unë do ta ngurtësoj edhe më tepër zemrën e Faraonit dhe do t’i shumëzoj shenjat dhe mrekullitë e mia në vendin e Egjiptit.

Prandaj Faraoni nuk do t’jua vërë veshin, dhe kështu unë do ta zgjas dorën mbi Egjipt dhe do të nxjerr nga vendi i Egjiptit radhët e mia, popullin tim, bijtë e Izraelit, duke dhënë ndëshkime të mëdha.

Egjiptasit do të marrin vesh atëherë që unë jam Zoti, kur do të shtrij dorën time mbi Egjipt dhe do të nxjerr nga mesi i tyre bijtë e Izraelit".

Dhe Moisiu dhe Aaroni vepruan kështu; ata bënë pikërisht ashtusiç i kishte urdhëruar Zoti.

Kur i folën Faraonit, Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç dhe Aaroni tetëdhjetë e tre.

Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

"Kur Faraoni t’ju flasë dhe t’ju thotë: "Bëni një mrekulli," ti do t’i thuash Aaronit: "Merr bastunin tënd dhe hidhe para Faraonit, që të bëhet gjarpër"".

10 Moisiu dhe Aaroni vajtën pra te Faraoni dhe vepruan ashtu, pikërisht siç i kishte urdhëruar Zoti. Aaroni e hodhi bastunin e tij përpara Faraonit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ai u bë gjarpër.

11 Atëherë edhe Faraoni thirri të diturit dhe yshtësit; dhe magjistarët e Egjiptit me artin e tyre të fshehtë bënë edhe ata të njëjtën gjë.

12 Secili prej tyre hodhi bastunin e tij, dhe bastunët u bënë gjarpërinj; por bastuni i Aaronit i përpiu bastunët e tyre.

13 Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte thënë Zoti.

14 Zoti i tha Moisiut: "Zemra e Faraonit është ngulmuese;

15 ai nuk pranon ta lërë popullin të shkojë. Shko te Faraoni nesër në mëngjes, kur ai ka për të dalë për të vajtur drejt ujit. Ti do të qëndrosh ta presësh në breg të lumit dhe do të marrësh në dorë bastunin që është shndërruar në gjarpër.

16 Dhe do t’i thuash: "Zoti, Perëndia i Hebrenjve, më ka dërguar te ti që të të them: Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë në shkretëtirë; por ja, deri tani nuk ke dëgjuar".

17 Kështu thotë Zoti: "Nga kjo do të kuptosh që unë jam Zoti; ja, me bastunin që kam në dorë unë do të rrah ujërat që janë në lumë, dhe ato do të shndërrohen në gjak.

18 Dhe peshqit që janë në lumë do të ngordhin, lumi do të mbajë erë të keqe, dhe Egjiptasve do t’u vijë ndot të pinë ujin e lumit"".

19 Dhe Zoti i tha Moisiut: "Thuaji Aaronit: "Merr bastunin tënd dhe shtrije dorën mbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenjtë e tij, mbi kanalet e tij, mbi pellgjet e tij dhe mbi të gjitha depot e ujit; kështu ato do të bëhen gjak. Dhe do të ketë gjak në të gjithë vendin e Egjiptit, si në enët prej druri ashtu dhe në enët prej guri"".

20 Moisiu dhe Aaroni vepruan ashtu, pikërisht siç i kishte urdhëruar Zoti. Kështu ai ngriti bastunin dhe rrahu ujërat që ndodheshin në lumë, para syve të Faraonit dhe para syve të shërbëtorëve të tij; dhe të gjitha ujërat që ishin në lumë u shndërruan në gjak.

21 Dhe peshqit që ishin në lumë ngordhën; dhe lumi u qelb, kështu që Egjiptasit nuk mund të pinin më ujët e lumit. Kështu pati gjak në tërë vendin e Egjiptit.

22 Por magjistarët e Egjiptit bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta; dhe zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte thënë Zoti.

23 Pas kësaj Faraoni ktheu krahët dhe u drejtua nga shtëpia e tij; dhe nuk i dha rëndësi as kësaj gjëje.

24 Dhe tërë Egjiptasit gërmuan në afërsi të lumit për të kërkuar ujë të pijshëm, sepse nuk mund të pinin ujin e lumit.

25 Kaluan kështu shtatë ditë, që kur Zoti kishte rrahur lumin.

Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni dhe thuaji: "Kështu thotë Zoti: Lëre popullin tim të shkojë me qëllim që të më shërbejë.

Dhe në qoftë se nuk pranon ta lësh të shkojë, ja, unë do ta godas gjithë vendin tënd me kamxhikun e bretkosave.

Kështu lumi do të mbushet me bretkosa, dhe ato do të ngjiten dhe do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën ku fle ti, mbi shtratin tënd, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe midis popullit, në furrat e tua dhe në magjet e bukës.

Dhe bretkosat do të vijnë kundër teje, kundër popullit tënd dhe kundër tërë shërbëtorëve të tu"".

Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Shtri dorën tënde me bastunin tënd mbi lumenjtë, mbi kanalet dhe pellgjet dhe bëj që të ngjiten bretkosat mbi vendin e Egjiptit"".

Kështu Aaroni shtriu dorën e tij mbi ujërat e Egjiptit, dhe bretkosat u ngjitën dhe mbuluan vendin e Egjiptit.

Por magjistarët bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta dhe i bënë bretkosat të ngjiten në vendin e Egjiptit.

Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Lutjuni Zotit që t’i largojë bretkosat nga unë, nga populli im, dhe unë do ta lejoj popullin të shkojë, që të bëjë fli për Zotin".

Moisiu i tha Faraonit: "Bëmë nderin të më thuash kur të ndërhyj për ty, për shërbëtorët e tu dhe për popullin tënd, pranë Zotit me qëllim që ai të zhdukë bretkosat që ndodhen rreth teje dhe shtëpive të tua, dhe të mbeten vetëm në lumë".

10 Ai u përgjigj: "Nesër". Dhe Moisiu tha: "Do të bëhet siç thua ti, kështu që ti të dish se askush nuk është si Zoti, Perëndia ynë.

11 Dhe bretkosat do të largohen nga ti, nga shtëpitë e tua, nga shërbëtorët e tu dhe nga populli yt; ato do të mbeten vetëm në lumë".

12 Moisiu dhe Aaroni dolën nga Faraoni; dhe Moisiu iu lut Zotit për bretkosat që kishte dërguar kundër Faraonit.

13 Dhe Zoti veproi sipas fjalës së Moisiut, dhe bretkosat ngordhën në shtëpitë, në oborret dhe në arat.

14 I grumbulluan pastaj në togje dhe vendi filloi të mbajë erë të keqe.

15 Po kur Faraoni pa që kishte pak lehtësim, e ngurtësoi zemrën e tij dhe nuk i dëgjoi më, ashtu siç kishte thënë Zoti.

16 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Zgjate bastunin tënd dhe rrih pluhurin e tokës, dhe ai do të bëhet mushkonja për tërë vendin e Egjiptit"".

17 Dhe ata kështu vepruan. Aaroni shtriu dorën me bastunin e tij, rrahu pluhurin e tokës dhe njerëzit e kafshët u mbuluan nga mushkonja; tërë pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja në të gjithë vendin e Egjiptit.

18 Magjistarët u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me anë të arteve të tyre të fshehta për të prodhuar mushkonja, por nuk ia dolën dot. Mushkonjat mbuluan, pra, njerëzit dhe kafshët.

19 Atëherë magjistarët i thanë Faraonit: "Ky është gishti i Perëndisë". Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi më, ashtu si kishte thënë Zoti.

20 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Çohu herët në mëngjes dhe paraqitu tek Faraoni, kur ai del për të vajtur drejt ujit; dhe i thuaj: "Kështu thotë Zoti: Lëre popullin tim që të mund të më shërbejë.

21 Por në rast se ti nuk e lë popullin tim të shkojë, ja unë do të dërgoj kundër teje, mbi shërbëtorët e tu, mbi popullin tënd e brenda shtëpive të tua mori mizash; shtëpitë e Egjiptasve do të jenë plot me mori mizash, dhe kështu do të jetë toka mbi të cilën ndodhen.

22 Por atë ditë unë do ta veçoj vendin e Goshenit, ku banon populli im; dhe atje nuk do të ketë mori mizash, që ti të dish që unë jam Zoti në mes të vendit.

23 Unë do të bëj një dallim midis popullit tim dhe popullit tënd. Nesër ka për të ndodhur kjo mrekulli"".

24 Dhe Zoti ashtu veproi; erdhën grumbuj të dendur mizash në shtëpinë e Faraonit dhe në shtëpitë e shërbëtorëve të tij, dhe në gjithë vendin e Egjiptit toka u shkretua nga moria e mizave.

25 Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Shkoni, bëni fli për Perëndinë tuaj në vend".

26 Por Moisiu u përgjigj: "Kjo s’ka si bëhet, sepse do t’i bënim Zotit, Perëndisë tonë, fli që janë të neveritshme për Egjiptasit. Ja, duke bërë para syve të tyre fli që janë të neveritshme për Egjiptasit, a nuk do të na vrasin me gurë?

27 Do të shkojmë në shkretëtirë duke ecur tri ditë me radhë dhe do të bëjmë fli për Zotin, Perëndinë tonë, ashtu si do të na urdhërojë Ai".

28 Faraoni tha: "Unë do t’ju lë të shkoni, që të bëni fli për Zotin, Perëndinë tuaj, në shkretëtirë; vetëm, mos shkoni shumë larg. lutuni për mua".

29 Moisiu tha: "Ja, unë po dal nga ti dhe do t’i lutem Zotit dhe nesër moria e mizave do të largohet nga Faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij; mjafton që Faraoni të mos tallet me ne, duke e penguar popullin të shkojë e të bëjë fli për Zotin".

30 Moisiu u largua pastaj nga prania e Faraonit dhe iu lut Zotit.

31 Dhe Zoti veproi simbas fjalës së Moisiut dhe largoi morinë e mizave nga Faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij; nuk mbeti as edhe një mizë.

32 Por edhe këtë herë Faraoni e fortësoi zemrën e tij dhe nuk e la popullin të shkojë.

Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni dhe i thuaj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Hebrenjve: Lëre popullin tim të shkojë, që të mund të më shërbejë.

Por në rast se nuk pranon ta lësh të shkojë dhe e mban akoma,

ja, dora e Zotit do të jetë mbi bagëtinë tënde, që është nëpër fusha, mbi kuajt, mbi gomarët, mbi devetë, mbi bagëtinë e trashë dhe të imët, dhe do të ketë gjëmë të madhe.

Por Zoti do të bëjë dallim midis bagëtisë së Izraelit dhe asaj të Egjiptit; kështu asnjë ngordhje nuk do të ketë në gjithçka që u përket bijve të Izraelit"".

Pastaj Zoti caktoi një afat, duke thënë: "Nesër Zoti do ta bëjë këtë në vend".

Dhe Zoti e bëri atë të nesërmen, dhe tërë bagëtia e Egjiptit ngordhi; por nga bagëtia e bijve të Izraelit nuk ngordhi as edhe një kokë.

Faraoni dërgoi njerëz për të parë, dhe ja asnjë kokë bagëtie e Izraelitëve s’kishte ngordhur. Por zemra e Faraonit u fortësua dhe ai nuk e la popullin të shkojë.

Pastaj Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Merrni ca grushte hi furre, dhe Moisiu ta shpërndajë atë drejt qiellit në sytë e Faraonit.

Ai do të bëhet një pluhur i imët në të gjithë vendin e Egjiptit, dhe do të shkaktojë ulcera që do të përftojnë puçrra me qelb te njerëzit dhe te kafshët në të gjithë vendin e Egjiptit".

10 Atëherë ata morën hi furre dhe u paraqitën para Faraonit; dhe Moisiu e shpërndau drejt qiellit, dhe ai shkaktoi ulcera që përftuan puçrra te njerëzit dhe te kafshët.

11 Dhe magjistarët nuk mundën të qëndronin para Moisiut për shkak të ulcerave, sepse magjistarët dhe tërë Egjiptasit ishin prekur nga ulcerat.

12 Por Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit, dhe ky nuk i dëgjoi ata, ashtu siç i kishte thënë Zoti Moisiut.

13 Pas kësaj Zoti i tha Moisiut: "Çohu herët në mëngjes, paraqitu para Faraonit dhe thuaji: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Hebrenjve: Lëre popullin tim të shkojë, që të ketë mundësi të më shërbejë.

14 Sepse këtë herë do t’i dërgoj tërë plagët e mia pikërisht mbi ty, mbi shërbëtorët e tu dhe mbi popullin tënd, që të mësosh se nuk ka asnjë të ngjashëm me mua në gjithë dheun.

15 Në fakt, në qoftë se tani unë do ta kisha shtrirë dorën dhe do të kisha goditur me murtajë ty dhe popullin tënd, ti do të ishe fshirë nga faqja e dheut.

16 Por, pikërisht për këtë arsye, të kam falur, për të të treguar fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë dheun.

17 Dhe ti akoma i kundërvihesh popullit tim dhe nuk e lë të shkojë?

18 Ja, nesër në këtë orë, unë do të bëj që të bjerë një breshër aq i fortë, që Egjipti nuk e ka parë prej ditës së krijimit të tij deri tani.

19 Dhe tani dërgo njeri që të sigurosh bagëtinë tënde dhe tërë ato që ke nëpër fusha. Sepse tërë njerëzit dhe kafshët, që ndodhen nëpër fushat dhe nuk janë çuar në shtëpi, do të goditen nga breshëri dhe do të vdesin"".

20 Ndër shërbëtorët e Faraonit, ata që patën frikë nga fjalët e Zotit i strehuan në shtëpitë e tyre shërbëtorët dhe bagëtinë e tyre;

21 por ata që nuk i morrën parasysh fjalët e Zotit i lanë shërbëtorët dhe bagëtinë e tyre në fusha.

22 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, që të bjerë breshër në tërë vendin e Egjiptit, mbi njerëzit, mbi kafshët dhe mbi çdo lloj bimësie të fushave në vendin e Egjiptit".

23 Dhe Moisiu e shtriu bastunin e tij drejt qiellit; dhe Zoti dërgoi bubullima dhe breshër, dhe zjarri ra duke goditur me rrufe në tokë; dhe Zoti bëri që të bjerë breshër mbi vendin e Egjiptit.

24 Kështu ra breshër dhe pati një zjarr të përzier me breshrin; dhe ky ishte aq i fortë, sa nuk ishte parë ndonjë herë në të gjithë vendin e Egjiptit, që ditën që ishte bërë komb.

25 Dhe breshri goditi në të gjithë vendin e Egjiptit gjithçka që ishte në fushat, si njerëzit ashtu dhe kafshët; breshri goditi çdo lloj bimësie në fushat dhe bëri copë copë çdo pemë që ndodhej në fushë.

26 Vetëm në vendin e Goshenit, ku ishin bijtë e Izraelit nuk ra breshër.

27 Atëherë Faraoni dërgoi e thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha atyre: Këtë herë unë mëkatova; Zoti është i drejtë, ndërsa unë dhe populli im jemii të këqij.

28 Lutjuni Zotit që të mbarojnë bubullimat e Perëndisë dhe breshri; unë do t’ju lë të shkoni dhe nuk do të jeni të detyruar të rrini më këtu".

29 Moisiu i tha: "Mbasi të dal nga qyteti, do t’i shtrij duart nga Zoti; bubullimat do të pushojnë dhe nuk do të ketë më breshër, që ti të mësosh që toka i përket Zotit.

30 Por unë e di që ti dhe shërbëtorët e tu, nuk do të keni frikë akoma nga Zoti Perëndi".

31 Tani liri dhe elbi u prekën, sepse elbi ishte në kalli dhe liri kishte lulëzuar;

32 por gruri dhe gruri i fortë nuk u prekën, sepse janë të vonshëm.

33 Kështu Moisiu, pasi la Faraonin, doli nga qyteti dhe i shtriu duart drejt Zotit; atëherë bubullimat dhe breshri pushuan dhe nuk ra më shi mbi tokë.

34 Kur Faraoni pa që shiu, breshri dhe bubullimat pushuan, vazhdoi të mëkatojë dhe e ngurtësoi zemrën e tij, ai dhe shërbëtorët e tij.

35 Kështu zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i la të bijtë e Izraelit të shkojnë, ashtu si i kishte thënë Zoti nëpërmjet Moisiut.