Add parallel Print Page Options

Moisiu u përgjigj dhe tha: "Por ja, ata nuk do të më besojnë as do t’i binden zërit tim, sepse do të thonë: "Zoti nuk të është shfaqur"".

Atëherë Zoti i tha: "Ç’është ajo që ke në dorë?". Ai u përgjegj: "Një bastun".

Zoti tha: "Hidhe për tokë". Ai e hodhi për tokë, dhe ai u bë një gjarpër, para të cilit Moisiu iku me vrap.

Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Zgjate dorën dhe kape nga bishti". (Ai zgjati dorën dhe e mori, dhe në dorën e tij ai u bë një bastun).

"Këtë ke për të bërë," tha Zoti, "me qëllim që të besojnë se Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit të është shfaqur".

Zoti i tha akoma: "Tani vër dorën në gjirin tënd". Dhe ai vuri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora.

Zoti i tha akoma: "Vëre përsëri dorën në gjirin tënd". Ai e vuri përsëri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi nga gjiri, dhe ja, ajo ishte bërë njëlloj si mishi i tij.

"Tani ka për të ndodhur që, po të jetë se nuk të besojnë dhe nuk e dëgjojnë zërin e shenjës së parë, do të besojnë zërin e shenjës së dytë.

Por, në rast se ata nuk do t’u besojnë as këtyre dy shenjave dhe nuk do t’i binden zërit tënd, ti atëhere merr ujë nga lumi dhe derdhe mbi tokë të thatë; dhe uji që do të kesh marrë nga lumi do të bëhet gjak mbi tokën e thatë".

10 Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend".

11 Zoti i tha: "Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti?

12 Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash".

13 Por Moisiu tha: "Oh! Zot, dërgo mesazhin tënd nëpërmjet kujt të duash!".

14 Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Moisiut, dhe i tha: "A nuk është ndofta Aaroni vëllai yt, Leviti? Unë e di që ai flet bukur. Ja tani, ai po del të të takojë; sa të të shohë do të ndjejë gëzim në zemër të vet.

15 Ti do t’i flasësh dhe do t’i vësh fjalët në gojën e tij, dhe unë do të jem me gojën tënde dhe me gojën e tij dhe do t’ju mësoj atë që duhet të bëni.

16 Ai do të jetë zëdhënësi yt në popull; kështu ai për ty do të jetë goja dhe ti për të do të jesh si Perëndia.

17 Tani merr në dorë këtë bastun me të cilin ke për të bërë mrekullitë".

18 Atëherë Moisiu iku, u kthye te Jethro, vjehrri i tij, dhe i tha: "Oh, lërmë të shkoj dhe të kthehem te vëllezërit e mi që janë në Egjipt, për të parë në se ende janë gjallë". Dhe Jethro i tha Moisiut: "Shko në paqe".

19 Zoti i tha Moisiut në Madian: "Shko, kthehu në Egjipt sepse të gjithë ata që kërkonin jetën tënde kanë vdekur".

20 Kështu Moisiu mori të shoqen dhe bijtë e tij, i hipi mbi gomar dhe u kthye në vendin e Egjiptit. Dhe Moisiu mori në dorë bastunin e Perëndisë.

21 Zoti i tha pastaj Moisiut: "Kur të jesh kthyer në Egjipt, do të kujdesesh të bësh para Faraonit tërë mrekullitë që të kam dhënë pushtet të kryesh; por unë do ta ngurtësoj zemrën e tij dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë.

22 Dhe ti do t’i thuash Faraonit: "Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im".

23 Prandaj unë të them: Lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë; por në qoftë se ti nuk e lë të shkojë, ja, unë do të vras birin tënd, të parëlindurin tënd".

24 Por gjatë udhëtimit, në vendin ku kishin fushuar, Zoti shkoi të takojë Moisiun dhe u përpoq ta bënte të vdiste.

25 Atëherë Sefora mori një strall të mprehtë dhe preu prepucin e birit të saj dhe e hodhi në këmbët e Moisiut, duke thënë: "Ti për mua je një dhëndër në gjak!".

26 Kështu Zoti e la. Atëherë ajo tha: "Ti je një dhëndër gjakatar," për shkak të rrethprerjes.

27 Zoti i tha Aaronit: "Shko në shkretëtirë të takosh Moisiun". Dhe ai shkoi, e takoi atë në malin e Perëndisë dhe e puthi.

28 Dhe Moisiu i tregoi Aaronit tërë fjalët që Zoti e kishte porositur të thoshte, dhe tërë shenjat e mahnitshme që i kishte urdhëruar të bënte.

29 Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan dhe mblodhën tërë pleqtë e bijve të Izraelit.

30 Dhe Aaroni tregoi tërë fjalët që Zoti i kishte thënë Moisiut, dhe bëri mrekullitë në sy të popullit.

31 Kështu populli i besoi. Ata kuptuan që Zoti kishte vizituar bijtë e Izraelit dhe kishte parë dëshpërimin e tyre; dhe u përkulën dhe e adhuruan.

Pas kësaj, Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Lëre popullin tim të shkojë, me qëllim që të kremtojë për mua një festë në shkretëtirë"".

Por Faraoni u përgjigj: "Kush është Zoti që unë duhet t’i bindem zërit të tij dhe ta lë Izraelin të shkojë? Unë nuk e njoh Zotin dhe nuk kam për ta lënë Izraelin të shkojë".

Atëherë ata i thanë: "Perëndia i Hebrenjve na doli përballë; tani na lër të ecim tri ditë me radhë në shkretëtirë që të bëjmë një flijim për Zotin, që është Perëndia ynë, që ai të mos na godasë me murtajë ose me shpatë".

Mbreti i Egjiptit u tha atyre: "Pse vallë Moisiu dhe Aaroni e largojnë popullin nga puna e tij? Kthehuni në mundimet tuaja!".

Faraoni tha përsëri: "Ja, tani populli i vendit është i shumtë, dhe ju doni që ai të ndërpresë mundimet e tij".

Kështu po atë ditë Faraoni i urdhëroi shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij, duke thënë:

"Mos i jepni më kashtë popullit për të bërë tulla, si më parë; le të shkojnë ata vetë të mbledhin kashtën!

Por i detyroni të prodhojnë të njëjtën sasi tullash që bënin më parë, pa asnjë pakësim; sepse ata janë përtacë, dhe për këtë arsye ata bërtasin, duke thënë: "Të shkojmë të bëjmë fli për Perëndinë tonë!".

I mbingarkoni me punë të rëndë këta njerëz, dhe ata ta kryejnë pa u vënë veshin fjalëve mashtruese".

10 Atëherë shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij dolën dhe i thanë popullit: "Kështu thotë Faraoni: "Unë nuk do t’ju jap më kashtë.

11 Shkoni vetë ta gjeni kashtën ku mund të jetë, sepse puna juaj nuk do të pakësohet aspak"".

12 Kështu populli u shpërnda në të gjithë vendin e Egjiptit, për të mbledhur kallamishte në vend të kashtës.

13 Dhe kontrollorët i nxisnin duke thënë: "Përfundoni punën tuaj çdo ditë si në kohën kur kishte kashtë!".

14 Dhe kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit, të caktuar mbi ta nga kontrollorët e Faraonit, i rrahën dhe i pyetën: "Pse nuk e keni përfunduar, dje dhe sot si më parë, sasinë e caktuar të tullave?".

15 Atëherë kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit erdhën për të protestuar te Faraoni, duke thënë: "Pse sillesh kështu me shërbëtorët e tu?

16 Nuk u jepet më kashtë shërbëtorëve të tu, dhe na thuhet: "Bëni tulla!". Dhe ja, shërbëtorët e tu i rrahin, por faji është i popullit tënd".

17 Atëherë ai u përgjigj: "Jeni përtacë, shumë përtacë! Për këtë arsye thoni: "Të bëjmë fli për Zotin".

18 Shkoni, pra, të punoni! Nuk do t’ju jepet kashtë, por do të dorëzoni po atë sasi tullash".

19 Kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit u bindën se i gjeti halli, sepse u thuhej: "Mos e pakësoni në asnjë mënyrë numrin e caktuar të tullave për çdo ditë".

20 Pastaj, si dolën nga Faraoni, takuan Moisiun dhe Aaronin, që po i prisnin,

21 dhe u thanë atyre: "Le t’i hedhë sytë Zoti mbi ju dhe le të gjykojë, sepse na keni bërë të urryer në sytë e Faraonit dhe në sytë e shërbëtorëve të tij duke vënë në duart e tyre shpatën për të na vrarë".

22 Atëherë Moisiu u kthye te Zoti dhe i tha: "O Perëndi, pse e fute në halle këtë popull? Pse pra më dërgove?

23 Sepse, qysh prej ditës që vajta te Faraoni, për t’i folur në emrin tënd, ai i ka bërë të keqe këtij populli dhe ti nuk e çlirove aspak popullin tënd".

Zoti i tha Moisiut: "Tani ke për të parë çfarë kam për t’i bërë Faraonit; sepse i detyruar nga një dorë e fuqishme ai do t’i lërë të shkojnë; po, i detyruar nga një dorë e fuqishme do t’i dëbojë nga vendi i tij".

Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe i tha: "Unë jam Zoti,

dhe i jam shfaqur Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, si Perëndi i plotfuqishëm; por ata nuk më kishin njohur kurrë me emrin tim, Zot.

Kam caktuar gjithashtu besëlidhjen time me ta, duke u premtuar se do t’u jap vendin e Kanaanit, vendin ku qëndruan si të huaj.

Dëgjova edhe kujën e bijve të Izraelit që Egjiptasit i mbajnë në skllavëri dhe m’u kujtua besëlidhja ime.

Prandaj u thuaj bijve të Izraelit: "Unë jam Zoti; do t’ju heq nga punët e rënda që ju kanë imponuar Egjiptasit, do t’ju çliroj nga skllavërimi i tyre dhe do t’ju çliroj me krah të shtrirë dhe ndëshkime të mëdha.

Do t’ju marr si popullin tim, dhe do të jem Perëndia juaj; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju heq nga punët e rënda të imponuara nga Egjiptasit.

Dhe do t’ju bëj të hyni në vendin, që u betova t’i jap Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; dhe do t’jua jap atë në trashëgimi. Unë jam Zoti"".

Kështu u foli Moisiu bijve të Izraelit; por ata nuk ia vunë veshin Moisiut, nga shkaku i ankthit dhe i skllavërise së rëndë.

10 Zoti i foli edhe më Moisiut, duke i thënë:

11 "Shko, foli Faraonit, mbretit të Egjiptit, që të lejojë bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij".

12 Por Moisiu foli përpara Zotit dhe i tha: "Ja, bijtë e Izraelit nuk më dëgjuan; si mundet Faraoni të më dëgjojë mua, që jam i parrethprerë në buzë?".

13 Por Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit dhe i urdhëroi të shkonin te bijtë e Izraelit dhe te Faraoni mbret i Egjiptit, me qëllim që t’i nxirrnin bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit.

14 Këta janë kryetarët e familjeve të tyre. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit qenë: Hanoku dhe Pallu, Hetsroni dhe Karmi. Këto qenë familjet e Rubenit.

15 Bijtë e Simeonit qenë: Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Tsohari dhe Sauli, bir i Kananeases. Këto qenë familjet e Simeonit.

16 Këta janë emrat e bijve të Levit, sipas brezave të tyre: Gershomi, Kehathi dhe Merari. Levi jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.

17 Bijtë e Gershomit qenë: Libni dhe Shimej, bashkë me familjet e tyre.

18 Bijtë e Kehathit qenë: Amrami, Jitshari, Hebroni dhe Ucieli. Kehathi jetoi njëqind e tridhjetë e tre vjet.

19 Bijtë e Merarit qenë: Mahli dhe Mushi. Këto qenë edhe familjet e Levitëve sipas brezave të tyre.

20 Amrami mori për grua Jokebedën, motrën e atit të tij; dhe ajo i lindi Aaronin dhe Moisiun. Amrami jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.

21 Bijtë e Itsharit qenë: Koreu, Nefegu dhe Zikri.

22 Bijtë e Ucielit qenë: Mishaeli, Eltsafani dhe Sitri.

23 Aaroni mori për grua Elishebën, të bijën e Aminadabit dhe motër e Nahashonit; dhe ajo i lindi Nadabin, Abihun, Eleazarin dhe Ithamarin.

24 Bijtë e Koreut qenë: Asiri, Elkanahu dhe Abiasafi. Këto qenë familjet e Koreut.

25 Eleazari, bir i Aaronit, mori për grua një nga bijat e Putielit; dhe ajo i lindi Fineasin. Këta qenë të parët e etërve të Levitëve në familjet e tyre.

26 Dhe këta janë vet Aaroni dhe Moisiu, të cilëve Zoti u tha: "Nxirrini bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit, sipas rendit të tyre".

27 Këta janë ata që i folën Faraonit mbretit të Egjiptit për të nxjerrë bijtë e Izraelit nga Egjipti; ata janë vetë Moisiu dhe Aaroni.

28 Por erdhi dita kur Zoti i foli Moisiut në vendin e Egjiptit,

29 kur Zoti iu drejtua Moisiut dhe i tha: "Unë jam Zoti! Thuaji Faraonit, mbretit të Egjiptit, tërë ato që po të them".

30 Atëherë Moisiu u përgjigj kështu para Zotit: "Ja, unë jam i parrethprerë në buzë; prandaj si mund të më dëgjojë Faraoni?".