Add parallel Print Page Options

30 "Do të bësh edhe një altar për të djegur temjanin; dhe do ta bësh prej druri të akacies.

Do të jetë një kubit i gjatë dhe një kubit i gjerë; do të jetë katror dhe do të ketë një lartësi dy kubitësh; brirët e tij do të përbëjnë një pjesë të vetme me të.

Do ta veshësh me ar safi: pjesën e tij të sipërme, anët e tij rreth e qark dhe brirët e tij; do t’i bësh edhe një kurorë ari.

Do t’i bësh edhe dy unaza ari nën kurorë, në të dy krahët e tij; do t’i vësh në të dy krahët e tij për të kaluar shtizat, të cilat shërbejnë për ta mbartur.

Shtizat do të bëhen me dru të akacies dhe do t’i veshësh me ar.

Do ta vendosësh altarin përpara velit që ndodhet përpara arkës së dëshmisë, përballë pajtuesit që ndodhet mbi dëshminë, ku unë do të të takoj.

Mbi të Aaroni do të djegë temjan të parfumuar; do ta djegë çdo mëngjes, kur rregullon llambat.

Kur Aaroni ndez llambat në të ngrysur, do të djegë temjanin: një temjan i vazhdueshëm përpara Zotit, për brezat e ardhshëm.

Nuk do të ofroni mbi të as temjan të huaj, as olokaust, as blatim; dhe mbi të nuk do të derdhni libacione.

10 Dhe Aaroni do të bëjë një herë në vit shlyerjen e mëkatit mbi brirët e tij; me gjakun e flisë së shlyerjes së mëkatit do të bëjë mbi të shlyerjen një herë në vit, brez pas brezi. Do të jetë gjë shumë e shenjtë, e shenjtë për Zotin".

11 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

12 "Kur do të bësh llogarinë e bijve të Izraelit, për regjistrimin e tyre, secili do t’i japë Zotit shpengimin e jetës së tij, kur do të numërohen, me qëllim që të mos goditen nga ndonjë plagë, kur do të bësh regjistrimin e tyre.

13 Kjo është ajo që do të japë secili nga ata që paguajnë taksë: gjysmë sikli, simbas siklit të shenjtërores, (sikli është baras me njëzet gere), një gjysmë sikli do të jetë oferta që duhet t’i bëhet Zotit.

14 Kushdo që do të përfshihet nga regjistrimi, njëzet vjeç e lart, do t’i japë Zotit këtë ofertë.

15 I pasuri nuk do të japë më tepër, as i varfëri më pak se gjysmë sikli, kur do t’i bëhet kjo ofertë Zotit për të shlyer fajet e jetës suaj.

16 Do të marrësh, pra, nga djemtë e Izraelit këto të holla të shërbimit dhe do t’i përdorësh për shërbimin e çadrës së mbledhjes: kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një kujtim para Zotit për të bërë shlyerjen për jetën tuaj".

17 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

18 "Do të bësh edhe një legen prej bronzi, me bazën e tij prej bronzi, për t’u larë; do ta vendosësh midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh edhe ujë.

19 Dhe aty Aaroni dhe bijtë e tij do të lajnë duart dhe këmbët.

20 Kur do të hyjnë në çadrën e mbledhjes, do të lahen me ujë, që të mos vdesin; kështu edhe kur do t’i afrohen altarit për të shërbyer, për të tymosur një ofertë të bërë Zotit me anë të zjarrit.

21 Do të lajnë duart dhe këmbët e tyre, që të mos vdesin. Ky do të jetë një rregull i përjetshëm, për atë dhe për pasardhësit e tij, brez pas brezi".

22 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

23 "Gjej edhe aromat më të mira: pesëqind sikla mirrë të lëngët, dyqind e pesëdhjetë, domethënë gjysma, cinamon aromatik dhe dyqind e pesëdhjetë kanellë aromatike,

24 pesëqind sikla, në bazë të siklit të shenjtërores, kasie dhe një hin vaj ulliri.

25 Me këto të përgatitësh një vaj për vajosjen e shenjtë, një parfum të prodhuar me artin e parfumierit: ky do të jetë vaji i vajosjes së shenjtë.

26 Me të do të vajosësh çadrën e mbledhjes dhe arkën e dëshmisë,

27 tryezën dhe të gjitha veglat e tij, shandanin dhe të gjitha përdorëset e tij, altarin e temjanit,

28 altarin e olokausteve dhe të gjitha përdorëset e tij, legenin dhe bazën e tij.

29 Do të shenjtërosh kështu këto gjëra dhe do të jenë shumë të shenjta; të gjitha sendet që u përkasin, do të jenë të shenjta.

30 Do të vajosësh edhe Aaronin dhe bijtë e tij dhe do t’i shenjtërosh, me qëllim që të më shërbejnë si priftërinj.

31 Pastaj do t’u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: "Ky do të jetë për mua një vaj për vajosjen e shenjtë, brez pas brezi.

32 Nuk do ta derdhni mbi mish njeriu dhe nuk do të përgatisni tjetër po ashtu; ai është i shenjtë, do të jetë i shenjtë edhe për ju.

33 Kushdo që përgatit të ngjashëm, apo kushdo që e vë mbi një të huaj, do të shfaroset nga populli i tij"".

34 Zoti i tha akoma Moisiut: "Gjej disa aroma, storaks, guaska erëmira, galban, aroma me temjan të kulluar, në doza të barabarta;

35 do të përgatitësh me to një parfum simbas artit të parfumierit, një parfum të kripur, të pastër dhe të shenjtë;

36 do ta kthesh një pjesë të tij në pluhur shumë të hollë dhe do të vendosësh pak nga ai përpara dëshmisë në çadrën e mbledhjes, ku unë do të të takoj: ai do të jetë për ju një gjë shumë e shenjtë.

37 Por nga temjani që ke për të bërë, nuk do të përgatisni për veten tuaj me të njëjtën përbërje; kjo do të jetë për ty një gjë e shenjtë kushtuar Zotit.

38 Kushdo që do të përgatisë një temjan të këtij lloji, do të shfaroset nga populli i tij".

31 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Shiko, unë e thirra me emër Betsaleelin, birin e Urit, birin e Hurit, nga fisi i Judës;

dhe e mbusha me Frymën e Perëndisë, me dituri, me zgjuarësi, me njohuri dhe çdo shkathtësi,

që të jetë i aftë të përgatisë vizatime artistike, të punojë arin, argjendin dhe bronzin,

për të gdhendur gurë për t’u ngallmuar, për të punuar drurin dhe për të kryer çdo lloj punimesh.

Dhe ja, i dhashë për shok Oholiabin, të birin e Ahisamakut, nga fisi i Danve; dhe shtiva dituri në mendjen e të gjithë njerëzve të shkathët, me qëllim që të mund të bëjnë të gjitha ato që të kam urdhëruar:

çadrën e mbledhjes, arkën e dëshmisë dhe pajtuesin që ndodhet mbi të, dhe të gjitha orenditë e çadrës,

tryezën dhe orenditë e saj, shandanin prej ari safi dhe të gjitha pjesët e tij, altarin e temjanit,

altarin e olokausteve dhe tërë veglat e tij, enën e madhe dhe bazën e saj,

10 dhe rrobat e endura hollë me mjeshtëri, rrobat e shenjta për priftin Aaron dhe rrobat e bijve të tij për të shërbyer si priftërinj,

11 vajin për vajosje dhe temjanin e parfumuar për vendin e shenjtë. Ata do të veprojnë simbas të gjithë urdhrave që të kam dhënë ty".

12 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

13 "Fol edhe me bijtë e Izraelit, duke u thënë: Tregoni kujdes të madh për të respektuar të shtunat e mia, sepse është një shenjë midis meje dhe jush për të gjithë brezat tuaj, në mënyrë që të njihni se unë jam Zoti që ju shenjtëron.

14 Do të respektoni, pra, të shtunën, sepse është për ju një ditë e shenjtë; kush e përdhos atë, do të dënohet me vdekje; kushdo që bën atë ditë ndonjë punë, do të shfaroset nga gjiri i popullit të tij.

15 Do të punohet gjashtë ditë; por dita e shtatë është e shtuna e pushimit, e shenjtë për Zotin; kushdo që do të bëjë ndonjë punë ditën e shtunë do të dënohet me vdekje.

16 Andaj bijtë e Izraelit do ta respektojnë të shtunën, duke e kremtuar atë brez pas brezi, si një besëlidhje të përjetshme.

17 Ajo është një shenjë e përjetshme midis meje dhe bijve të Izraelit, sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin dhe tokën, dhe ditën e shtatë pushoi dhe u shlodh".

18 Kur Zoti mbaroi së foluri me Moisiun në malin Sinai, i dha dy pllaka të dëshmisë, pllaka guri, të shkruara me gishtin e Perëndisë.

32 Por populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha: "Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë çfarë i ka ndodhur".

Aaroni iu përgjigj atyre: "Hiqni unazat prej ari që janë në veshët e grave tuaja, të bijve tuaj, dhe të bijave tuaja dhe m’i sillni mua".

Kështu tërë populli hoqi unazat prej ari që kishin në veshët dhe ia çoi Aaronit,

i cili i mori nga duart e tyre dhe, mbasi i modeloi me daltë, bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: "O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!".

Kur Aaroni pa këtë, ngriti një altar përpara tij dhe vuri kasnecë që thanë: "Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!".

Të nesërmen ata u ngritën herët, ofruan olokauste dhe çuan fli falënderimi; populli u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer.

Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar;

u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"".

Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë.

10 Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t’i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh".

11 Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit tënd që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?

12 Pse duhet që Egjiptasit të thonë: "Ai i nxori për t’ju bërë të keq, që të vriten mbi malet dhe për t’i shfarosur nga faqja e dheut"? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t’i bërë keq popullit tënd.

13 Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre: "Unë do të shumëzoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe do t’u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë"".

14 Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen që kishte thënë se do t’i bënte popullit të tij.

15 Atëherë Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e dëshmisë në duar, pllaka të shkruara nga të dy anët, si përpara ashtu edhe prapa.

16 Pllakat ishin vepër e Perëndisë dhe shkrimi i tyre ishte shkrimi i Perëndisë, i gdhendur mbi pllakat.

17 Por Jozueu, duke dëgjuar britmën e popullit që bërtiste, i tha Moisiut: Ka një zhurmë lufte në kampp".

18 Por ai u përgjigj: "Kjo nuk është as një britmë fitoreje, as një britmë humbjeje; britma që unë dëgjoj është e njerëzve që këndojnë".

19 Si iu afrua kampit, pa viçin dhe vallet; atëherë Moisiu u ndez nga zemërimi dhe ai i hodhi pllakat nga duart e tij dhe i theu në këmbët e malit.

20 Pastaj mori viçin që ata kishin bërë, e dogji në zjarr dhe e bëri pluhur; pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe ia dha për të pirë bijve të Izraelit.

21 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Çfarë të ka bërë ky popull, të cilin e ke ngarkuar me një mëkat kaq të madh?".

22 Aaroni u përgjigj: "Zemërimi i zotërisë sime të mos ndizet, ti vetë e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirur ndaj së keqes.

23 Ata më kanë thënë: "Na bëj një perëndi që të shkojë para nesh, sepse Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë se çfarë i ka ndodhur".

24 Atëherë unë u thashë atyre: "Kush ka ar të mos e mbajë me vete". Kështu ata ma dhanë mua dhe unë e hodha në zjarr, dhe na doli ky viç".

25 Kur Moisiu pa që populli ishte pa fre (dhe Aaroni e kishte lënë të shfrenohej duke e ekspozuar në turpin e armiqve të tij),

26 u ndal në hyrje të kampit dhe tha: "Kushdo që është me Zotin, le të vijë tek unë!". Dhe të gjithë bijtë e Levit u mblodhën pranë tij.

27 Dhe ai u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Secili prej jush të vërë shpatën në krahun e tij; kaloni dhe rikaloni nga një hyrje e kampit në tjetrën, secili të vrasë vëllanë e tij, mikun e tij, fqinjin e tij!"".

28 Bijtë e Levit bënë ashtu siç u kishte thënë Moisiu, dhe atë ditë ranë rreth tre mijë njerëz.

29 Pastaj Moisiu tha: "Shenjtërohuni sot Zotit, që ai t’ju japë një bekim, sepse secili prej jush ka qënë kundër birit të tij dhe vëllait të tij".

30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: "Ju keni bërë një mëkat të madh; por tani unë do të ngjitem tek Zoti; ndofta do të mund të bëj shlyerjen për mëkatin tuaj".

31 Moisiu u kthye, pra, te Zoti dhe tha: "Medet, ky popull ka kryer një mëkat të madh dhe ka bërë për vete një perëndi prej ari.

32 Megjithatë tani, të lutem, falua mëkatin e tyre; përndryshe, më fshi nga libri yt që ke shkruar!".

33 Por Zoti iu përgjegj Moisiut: "Atë që ka bërë mëkat kundër meje, atë do ta fshij nga libri im!

34 Tani shko, çoje popullin ku të kam thënë. Ja, Engjëlli im do të shkoj para teje, por ditën që do të vij për t’i dënuar, do t’i dënoj për mëkatin e tyre".

35 Kështu Zoti goditi popullin, sepse kishte bërë viçin që Aaroni kishte modeluar.