Add parallel Print Page Options

28 "Pastaj afro pranë vetes sate Aaronin, tët vëlla, dhe bijtë e tij së bashku me të, nga gjiri i bijve të Izraelit, që të më shërbejnë mua si prift; e kam fjalën për Aaronin, Nadabin, Eleazarin dhe Ithamarin, bij të Aaronit.

Dhe do t’i bësh Aaronit, vëllait tënd, rroba të shenjta, për t’i dhënë nder e hijeshi.

Do të flasësh me të gjithë personat e aftë, që i kam mbushur me frymën e diturisë, dhe ata t’i bëjnë rrobat e Aaronit për ta shenjtëruar, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift.

Dhe këto janë rrobat që do të bëjnë: një pektoral, një efod, një mantel, një tunikë e thurur me shtiza, një çallmë dhe një brez. Do të bëjnë, pra, rroba të shenjta për Aaronin, vëllanë tënd dhe për bijtë e tij, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift;

ata do të përdorin ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe li të hollë.

Do ta bësh efodin me ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, të kuqe flakë si dhe me fill liri të hollë dhe të përdredhur, të punuar artistikisht.

Në dy skajet e tij do të ketë të lidhura dy supore, me qëllim që të mbahet si një e tërë.

Brezi i punuar artistikisht, që ndodhet mbi efodin, do të ketë po atë punë të efodit: prej ari dhe me fije ngjyrë vjollce, të purpurt, me flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur.

Pastaj do të marrësh dy gurë oniksi dhe do të gdhendësh mbi ta emrat e bijve të Izraelit:

10 gjashtë nga emrat e tyre mbi një gur dhe gjashtë emrat e tjerë mbi gurin tjetër, sipas radhës së tyre të lindjes.

11 Do të gdhendësh mbi këta gurë emrat e bijve të Izraelit ashtu siç bën prerësi i gurit në gdhendjen e një vule; do t’i futësh në rrathë ari.

12 Do t’i vësh të dy gurët mbi supet e efodit, si gurë kujtimore për bijtë e Izraelit; dhe Aaroni do t’i çojë emrat e tyre si një kujtim para Zotit mbi dy shtyllat e tij.

13 Do të bësh gjithashtu rrathë ari

14 dhe dy zinxhirë prej ari safi, të thurur si një litar, dhe do të vësh në rrathët zinxhirët e thurur në këtë mënyrë.

15 Do të bësh gjithashtu pektoralin e gjykimit, të punuar në mënyrë artistike; do ta bësh punën si për efodin: prej ari, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur.

16 Do të jetë katror dhe i palosur më dysh; do të jetë një pëllëmbë i gjatë dhe një pëllëmbë i gjerë.

17 Dhe do të ngallmosh katër radhë gurësh: në radhën e parë një sardonio, një topaz dhe një smerald;

18 në radhën e dytë: një bruz, një safir dhe një diamant;

19 në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist;

20 në radhën e katërt: një grisolist, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë do të ngallmohen në rrathët e tyre të artë.

21 Dhe gurët do t’u korrespondojnë emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, simbas emrave të tyre, të gdhendur si vula, secila me emrin e fiseve të Izraelit.

22 Do të bësh gjithashtu mbi pektoral zinxhirë të vegjël prej ari safi të thurur si kordonë.

23 Pastaj do të bësh mbi pektoral dyj unaza prej ari, dhe do t’i vësh të dy unazat në dy skajet e pektoralit.

24 Pastaj do t’i fiksosh dy kordonat prej ari në dy unazat në skajet e pektoralit;

25 dhe dy majat e tjera të dy kordonëve do t’i lidhësh me të dy rrathët dhe do t’i vendosësh mbi dy supet e efodit, nga përpara.

26 Do të bësh edhe dy unaza ari dhe do t’i vendosësh në dy skajet e pektoralit, mbi palën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.

27 Do të bësh dy unaza të tjera ari dhe do t’i vendosësh mbi të dy supet e efodit poshtë, në pjesën e përparme pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit.

28 Dhe pektorali do të fiksohet me anë të dy unazave të tij në unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, në mënyrë që pektorali të ndodhet mbi brezin e punuar artistikisht të efodit dhe të mos shkëputet dot prej këtij të fundit.

29 Kështu Aaroni do t’i çojë emrat e bijve të Izraelit të skalitur në pektoralin e gjykimit, mbi zemrën e tij, kur do të hyjë në shenjtërore, në kujtim të përjetshëm përpara Zotit.

30 Do të vësh mbi pektoralin e gjykimit Urim-in dhe Thumim-in; dhe do të jenë mbi zemrën e Aaronit kur të paraqitet përpara Zotit. Kështu Aaroni do të çojë gjykimin e bijve të Izraelit mbi zemrën e tij para Zotit, vazhdimisht.

31 Do të bësh edhe mantelin e efodit, krejt në ngjyrë vjollce.

32 Në mes të tij do të ketë një hapje për të kaluar kokën; rreth e qark kësaj hapjeje do të ketë një buzë prej stofi të punuar, si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhet.

33 Rreth e qark kësaj buze të mantelit do të bësh disa shegë ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe rreth tyre, zile ari;

34 një zile ari dhe një shegë, një zile ari dhe një shegë, rreth e qark, mbi buzën e mantelit.

35 Aaroni do ta përdorë për të kryer shërbimin; dhe tingulli i saj do të dëgjohet kur të hyjë në vendin e shenjtë përpara Zotit dhe kur të dalë andej, me qëllim që ai të mos vdesë.

36 Do të bësh edhe një pllakë prej ari safi dhe mbi të do të gdhendësh, ashtu siç bëhet mbi një vulë, fjalët: SHENJTÉRI ZOTIT.

37 Do t’i lidhësh asaj një rrip ngjyrë vjollce, për ta bashkuar me çallmën; ajo duhet të ndodhet në pjesën e përparme të çallmës.

38 Kështu do të qëndrojnë mbi ballin e Aaronit, dhe Aaroni do të mbajë fajin të shoqëruar me gjërat e shenjta të paraqitura nga bijtë e Izraelit, në çdo lloj ofertash të shenjta; ajo do të rrijë vazhdimisht mbi ballin e tij, në mënyrë që ato të jenë të mirëpritura nga Zoti.

39 Do të endësh gjithashtu tunikën prej liri të hollë, të punuar me shtiza; do të bësh një çallmë prej liri të hollë dhe një brez, një punë qëndistari.

40 Për bijtë e Aaronit do të bësh disa tunika, breza dhe mbulesa koke, me qëllim që t’u japësh atyre nder dhe hijeshi.

41 Me ato do të veshësh më vonë vëllanë tënd Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të; ti do t’i vajosësh, do t’i shugurosh dhe do t’i shenjtërosh, që të më shërbejnë si priftërinj.

42 Do t’u bësh gjithashtu disa pantallona prej liri për të mbuluar lakuriqësinë e tyre; ato do të shkojnë nga ijët deri te kofshët.

43 Aaroni dhe bijtë e tij do t’i veshin kur të hyjnë në çadrën e mbledhjeve, ose kur t’i afrohen altarit për të bërë shërbimin në vendin e shenjtë, me qëllim që mos bëhen fajtorë dhe të mos vdesin. Ky është një statut i përjetshëm për të dhe për trashëgimtarët e tij".

29 "Kjo është ajo që do të bësh për t’i shuguruar në mënyrë që të më shërbejnë si priftërinj. Merr një dem të vogël dhe dy desh pa të meta,

disa bukë pa maja, ëmbëlsira pa maja të zëna me vaj dhe revani pa maja të lyer me vaj; (do t’i bësh me majë mielli të grurit).

Do t’i vësh në një shportë dhe do t’i çosh bashkë me demin e vogël dhe dy deshtë.

Do ta afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrjen e çadrës së mbledhjes dhe do t’i lash me ujë.

Pastaj do të marrësh rrobat dhe do ta riveshësh Aaronin me tunikën, me mantelin e efodit, me efodin dhe me pektoralin, dhe do t’i ngjeshësh brezin e punuar artistikisht të efodit.

Do t’i vësh mbi krye çallmën dhe mbi çallmën do të vësh diademën e shenjtë.

Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes, do ta derdhësh mbi kryet e tij dhe do ta vajosësh.

Pastaj do t’i afrosh bijtë e tij dhe do t’u riveshësh tunikat.

Do t’u ngjeshësh Aaronit dhe bijve të tij brezat dhe do të vësh mbi ta mbulesa kokash; priftëria do t’iu përkasë atyre për gjithë jetën. Kështu do të shugurosh Aaronin dhe bijtë e tij.

10 Pastaj do të afrosh demin e vogël para çadrës së mbledhjes; dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël.

11 Dhe do ta therësh demin e vogël para Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes.

12 Do të marrësh pastaj gjakun e demit të vogël dhe do ta vësh me gishtin tënd mbi brirët e altarit, dhe gjithë mbetjen e gjakut do ta derdhësh në këmbët e altarit.

13 Do të marrësh gjithashtu gjithë dhjamin që mbulon zorrët, bulën e ngjitur me mëlçinë dhe dy veshkat me dhjamin që kanë sipër, dhe do t’i tymosësh mbi altarin.

14 Por mishin e demit të vogël, lëkurën dhe fëlliqësirat e tij do t’i djegësh me zjarr jashtë kampit: ky është një flijim për mëkatin.

15 Pastaj do të marrësh një nga deshtë dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e dashit.

16 Pastaj do ta therësh dashin, do të marrësh gjakun e tij dhe do ta spërkatësh përrreth altarit.

17 Pas kësaj do ta ndash në copa dashin, do të lash zorrët dhe këmbët e tij, dhe do t’i vësh bashkë me copat e tij dhe me kokën e tij.

18 Pastaj do ta tymosësh tërë dashin mbi altar: ky është një olokaust për Zotin; është një erë e këndshme, një flijim i bërë me anë të zjarrit për Zotin.

19 Pastaj do të marrësh dashin tjetër, dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e dashit.

20 Do ta therësh dashin, do të marrësh prej gjakut të tij dhe do ta vësh mbi bulën e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi bulën e veshit të djathtë të bijve të tij, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e trashë të këmbës së tyre të djathtë, dhe do ta spërkatësh gjakun rreth e qark altarit.

21 Do të marrësh pastaj nga gjaku që është mbi altar dhe nga vaji i vajosjes dhe do të spërkatësh Aaronin dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre. Kështu do të shenjtërohet ai dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre bashkë me të.

22 Do të marrësh edhe dhjamin e dashit, dhjamin e bishtit, dhjamin që mbulon zorrët, bulën e mëlçisë, dy veshkat dhe dhjamin që është mbi to dhe kofshën e djathtë, (sepse është një dash shenjtërimi);

23 do të marrësh edhe një bukë, një ëmbëlsirë me vaj dhe një revani nga shporta e bukës së ndorme, që është para Zotit,

24 dhe të gjitha këto gjëra do t’i vësh në duart e Aaronit dhe në duart e bijve të tij, dhe do t’i tundësh si një ofertë e bërë përpara Zotit.

25 Pastaj do t’i marrësh nga duart e tyre dhe do t’i tymosësh mbi altarin, mbi olokaustin, si një erë e këndshme përpara Zotit; është një flijim i bërë me anë të zjarrit Zotit.

26 Pas kësaj do të marrësh gjoksin e dashit të përdorur për shugurimin e Aaronit dhe do ta tundësh si një ofertë e lëvizur përpara Zotit; dhe kjo do të jetë pjesa e jote.

27 Dhe nga dashi i përdorur për shenjtërim do të ruash gjoksin e ofertës së lëvizur dhe kofshën e ofertës së ngritur, që u takojnë Aaronit dhe bijve të tij.

28 Ai do të jetë nga ana e bijve të Izraelit për Aaronin dhe bijtë e tij një rregull i përhershëm, sepse është një ofertë lartësimi. Do të jetë një ofertë lartësimi nga ana e bijve të Izraelit që është marrë nga flitë e tyre të falënderimit, oferta e tyre për lartësim te Zoti.

29 Dhe rrobat e shenjta të Aaronit do t’u kalojnë bijve të tij mbas tij, me qëllim që të vajosen dhe të shenjtërohen tek ata.

30 Ai bir që bëhet prift në vend të tij do t’i veshë ato për shtatë ditë, kur do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbesën në vendin e shenjtë.

31 Pastaj do të marrësh dashin e shenjtërimit dhe do ta gatuash mishin e tij në një vend të shenjtë;

32 dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë, në hyrje të çadrës së mbledhjes, mishin e dashit dhe bukën që është në shportë.

33 Do të hanë gjërat që kanë shërbyer për të bërë shlyerjen për t’u shuguruar dhe shenjtëruar; por asnjë i huaj nuk do të hajë prej tyre, sepse janë gjëra të shenjta.

34 Dhe në qoftë se tepron mish i shenjtërimit ose bukë deri në mëngjes, do të djegësh atë që mbetet në zjarr; nuk do ta hahet, sepse është e shenjtë.

35 Do të bësh, pra, për Aaronin dhe për bijtë e tij të gjitha ato që të kam urdhëruar: do t’i shenjtërosh brenda shtatë ditëve.

36 Dhe çdo ditë do të ofrosh një dem të vogël, si flijim për mëkatin, për të larë fajin që ke bërë dhe do ta vajosësh për ta shenjtëruar.

37 Për shtatë ditë do të bësh shlyerjen e fajit për altarin dhe do ta shenjtërosh; altari do të jetë një vend shumë i shenjtë: çdo gjë që do të prekë altarin do të jetë e shenjtë.

38 Kjo është ajo që do të ofrosh mbi altar: dy qengja motakë çdo ditë, për gjithnjë.

39 Njërin prej qengjave do ta ofrosh në mëngjes dhe tjetrin në të ngrysur.

40 Me qengjin e parë do të ofrosh një të dhjetën e efës të majës së miellit të brumosur me një çerek hine vaji thjesht ulliri, dhe një libacion me një çerek hine verë.

41 Qengjin e dytë do ta ofrosh në të ngrysur; do ta shoqërosh me të njëjtin blatim dhe me të njëjtin libacion të mëngjesit; është një flijim parfumi të këndshëm i ofruar nëpërmjet zjarrit për Zotin.

42 Do të jetë një olokaust i përjetshëm për gjithë brezat e ardhshëm, ti ofruar në hyrje të çadrës së mbledhjes, përpara Zotit, kur unë do t’ju takoj për të folur me ty.

43 Dhe atje do të takohem me bijtë e Izraelit; dhe çadra do të shenjtërohet nga lavdia ime.

44 Kështu unë do të shenjtëroj çadrën e mbledhjes dhe altarin; do të shenjtëroj gjithashtu Aaronin dhe bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj.

45 Do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe do të jem Perëndia i tyre.

46 Dhe ata do të mësojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i nxori nga vendi i Egjiptit për të banuar midis tyre. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre".