Add parallel Print Page Options

21 "Tani këto janë ligjet që do t’u vësh para tyre:

Në rast se blen një skllav hebre, ai do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do të shkojë i lirë, pa paguar asgjë.

Në rast se ka ardhur vetëm, do të shkojë vetëm; po të kishte grua, e shoqja do të shkojë bashkë me të.

Në qoftë se zotëria e tij i jep grua dhe kjo i lind bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj do të jenë të zotërisë, dhe ai do të shkojë vetëm.

Por në qoftë se skllavi thotë haptazi: "Unë e dua zotërinë time, gruan time dhe fëmijët e mi, dhe nuk dua të shkoj i lirë,"

atëherë pronari e tij do t’ia afrojë Perëndisë dhe do ta avitë te dera ose te shtalka; pastaj pronari e tij do t’i shpojë veshin me një fëndyell; dhe ai do t’i shërbejë për gjithnjë.

Në rast se dikush shet bijën e tij si shërbëtore, ajo nuk do të shkojë ashtu si shkojnë skllevërit.

Në qoftë se ajo nuk i pëlqen zotërisë së saj, që e kishte marrë për vete, ai do ta lërë të shpengohet; por nuk do të ketë të drejtën tua shesë njerëzve të huaj, sepse kjo do t’ishte ta trajtosh me mashtrim.

Dhe në qoftë se e marton me birin e tij, do ta trajtojë në bazë të së drejtës të të bijave.

10 Në rast se merr një grua tjetër, ai nuk do të pakësojë ushqimin dhe veshmbathjen e saj, as edhe bashkëbanimin e saj.

11 Në rast se nuk bën këto tri gjëra për të, ajo do të shkojë pa dhënë asgjë, pa paguar çmim.

12 Kush rreh një njeri dhe për këtë shkak ky vdes, do të dënohet me vdekje.

13 Në qoftë se nuk i ka ngritur kurrfarë prite, por Perëndia ka bërë që t’i bjerë në dorë, unë do të caktoj një vend ku ai mund të gjejë strehë.

14 Në qoftë se ndokush vepron me paramendim kundër të afërmit të tij për ta vrarë me mashtrim, ti do ta shkëputësh edhe nga altari im, për të siguruar vdekjen e tij.

15 Kush rreh atin ose nënën e tij do të dënohet me vdekje.

16 Kush rrëmben një njeri dhe e shet, ose gjendet në duart e tij, do të dënohet me vdekje.

17 Kush mallkon të atin ose të ëmën do të dënohet me vdekje.

18 Në qoftë se dy njerëz zihen dhe njëri prej tyre godet tjetrin me gur ose me grusht dhe ky nuk vdes, por duhet të qëndrojë në shtrat,

19 dhe në se pastaj ngrihet dhe ecën jashtë duke u mbështetur me bastun, ai që e ka goditur do të nxirret i pafajshëm; do ta zhdëmtojë vetëm për kohën e humbur dhe do ta kurojë deri në shërim të plotë.

20 Në qoftë se dikush rreh skllavin ose skllaven e tij me bastun, dhe ai ose ajo i vdesin në dorë, zotëria do të dënohet;

21 por në rast se mbijeton një ose dy ditë, nuk do të dënohet, sepse është pronë e tij.

22 Në rast se disa grinden dhe rrahin një grua me barrë aq sa ajo të dështojë, por nuk pëson dëme të tjera, rrahësi do të gjobitet aq sa t’i kërkojë bashkëshorti i gruas; ai do të paguajë zhdëmtimin simbas përcaktimit të gjykatësve;

23 por po të jetë se rrjedh ndonjë dëm, do të japësh jetë për jetë,

24 sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë,

25 djegie për djegie, plagë për plagë, mbretje për mbretje.

26 Në rast se dikush godet syrin e skllavit ose të skllaves së tij dhe ai humbet, do t’i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për syrin e humbur.

27 Dhe në rast se shkakton rënien e një dhëmbi skllavit ose skllaves së tij, do t’i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për dhëmbin e humbur.

28 Në rast se një ka godet për vdekje me brirët e tij një burrë ose një grua, kau duhet të vritet me gurë dhe mishi i tij nuk do të hahet; por i zoti i kaut do të konsiderohet i pafajshëm.

29 Por në qoftë se kau e kishte zakon prej kohësh të plagoste me brirët e tij dhe i zoti ishte paralajmëruar, por nuk e kishte mbajtur të mbyllur, dhe kau pastaj vret një burrë o një grua, kau do të vritet me gurë dhe i zoti gjithashtu do të vritet.

30 Në qoftë se i caktohet një çmim për shpengim, ai duhet të japë për të shpenguar jetën e tij aq sa i kanë caktuar.

31 Në qoftë se kau godet një bir ose një bijë, do të veprohet ndaj tij sipas po këtij ligji.

32 Në qoftë se kau godet një skllav ose një skllave, i zoti i kaut do t’i paguajë të zotit të skllavit tridhjetë sikla argjendi dhe kau do të vritet me gurë.

33 Në qoftë se dikush hap një gropë, ose dikush gërmon një gropë dhe nuk e mbulon, dhe një ka ose një gomar bien brenda,

34 pronari i gropës do ta paguajë zhdëmtimin; ai do t’i paguajë me para pronarit vleftën e kafshës dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij.

35 Në qoftë se kau i një njeriu godet për vdekje kaun e një tjetri, do të shitet kau i gjallë dhe do të ndahet çmimi i tij; edhe kau i ngordhur do të ndahet midis tyre.

36 Por në qoftë se dihet se ky ka e kishte zakon prej kohe të godiste me brirët, dhe i zoti nuk e ka mbajtur të mbyllur, ky do të paguajë ka për ka dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij".

22 "Në rast se ndokush vjedh një ka a një dele dhe i vret ose i shet, do të kthejë pesë qe për kaun dhe katër dele për delen.

Në rast se vjedhësi, i kapur kur po bën një thyerje, rrihet dhe vdes, pronari nuk është fajtor për vrasjen e tij.

Në rast se dielli ishte ngritur kur ndodhi ngjarja, ai është fajtor për vrasje. Hajduti duhet ta lajë dëmin; dhe po të jetë se nuk ka me se ta lajë, shitet për vjedhjen e kryer prej tij.

Në rast se gjëja e vjedhur, qoftë ka ose gomar ose dele, gjendet e gjallë në duart e tij, do të kthejë dyfishin e saj.

Në rast se ndokush dëmton një arë ose një vresht, duke i lëshuar kafshët e tij të kullosin në arën e një tjetri, do ta lajë dëmin e bërë me atë që ka më të mirë në arën dhe në vreshtin e tij.

Në rast se një zjarr përhapet dhe shtrihet deri te ferrat kështu që digjet gruri në duaj ose gruri në këmbë ose ara, ai që ka ndezur zjarrin do ta lajë dëmin.

Në rast se dikush i jep fqinjit të vet para ose sende për ruajtje, dhe këto vidhen nga shtëpia e këtij, në rast se gjendet vjedhësi, ai do të kthejë dyfishin.

Në rast se nuk gjendet vjedhësi, i zoti i shtëpisë do të dërgohet para Perëndisë për t’u betuar se nuk ka vënë dorë mbi pasurinë e fqinjit të tij.

Për çfarëdo lloj krimi, fjala vjen qoftë edhe për një ka, një gomar, një dele, një veshje apo çfarëdo sendi të humbur që një tjetër thotë se është i tij, çështja e të dy palëve do të shtrohet para Perëndisë; ai që Perëndia do të dënojë, do t’i kthejë dyfishin fqinjit të tij.

10 Në qoftë se ndokush i jep për ruajtje fqinjit të tij një gomar, një ka, një dele apo çfarëdo lloj tjetër kafshe, dhe kjo ngordh ose plagoset ose dhe merret pa e parë njeri,

11 të dy palët do të betohen para Zotit për të mësuar në se marrësi në dorëzim nuk ka vënë dorë mbi pasurinë e fqinjit të tij. I zoti i gjësë do të pranojë betimin, dhe tjetri nuk do të jetë i detyruar të lajë dëmet.

12 Por në qoftë se gjëja i është vjedhur, ai duhet ta lajë dëmin që ka pësuar i zoti.

13 Në qoftë se kafsha është shqyer, do ta çojë si provë, dhe nuk do të jetë i detyruar të dëmshpërblejë kafshën e shqyer.

14 Në qoftë se dikush merr hua nga fqinji i tij një kafshë, dhe kjo plagoset apo ngordh kur i zoti nuk është i pranishëm, ai duhet të dëmshpërblejë dëmin.

15 Në qoftë se i zoti është i pranishëm, nuk do të dëmshpërblejë dëmin; në qoftë se kafsha është marrë me qira, ajo përfshihet në çmimin e qirasë.

16 Në qoftë se dikush mashtron një vajzë ende të pafejuar dhe bie në shtrat me të, duhet të paguajë për pajën e saj dhe ta marrë për grua.

17 Në qoftë se ati refuzon prerazi t’ia japë, ai do të paguajë shumën e kërkuar për pajën e vajzave të virgjëra.

18 Nuk do ta lësh të jetojë shtrigën.

19 Kush çiftëzohet me një kafshë do të dënohet me vdekje.

20 Kush i bën flijime një perëndie tjetër, veç Zotit, do të shfaroset.

21 Mos keqtrajto të huajin dhe mos e mundo, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit.

22 Nuk do të mundosh asnjë grua të ve, as asnjë jetim.

23 Në rast se i mundon ata në një farë mënyre dhe ata bërtasin në drejtimin tim, unë do ta dëgjoj pa tjetër britmën e tyre;

24 do të zemërohem dhe do t’ju vras me shpatë; gratë tuaja do të mbeten të veja dhe bijtë tuaj jetimë.

25 Në rast se ti i jep para hua dikujt nga populli yt, të varfrin që është me ty, nuk do ta trajtosh si fajdexhi; nuk do t’i imponosh asnjë kamatë.

26 Në qoftë se merr peng rrobën e fqinjit tënd, do t’ia kthesh para se të perëndojë dielli,

27 sepse ajo është e vetmja mbulesë e tij dhe veshja me të cilën mbështjell trupin. Me se tjetër mund të flinte ai? Dhe po të ndodhë që ai të më drejtohet mua, unë do ta dëgjoj, sepse jam mëshirëplotë.

28 Mos blasfemo Perëndinë dhe mos mallko princin e popullit tënd.

29 Mos ngurro të më japësh detyrimin nga korrja jote dhe nga ajo që rrjedh nga mokrrat e tua. Do të më japësh të parëlindurin e bijve të tu.

30 Do të veprosh njëlloj me lopën dhe me delen tënde: pjella e tyre e parë do të rrijë shtatë ditë pranë nënës; ditën e tetë do të ma japësh mua.

31 Ju do të jeni për mua njerëz të shenjtë; nuk do të hani mish të asnjë kafshe të shqyer në fusha; hidhuani atë qenve".

19 Mbasi Jezusi i mbaroi këto ligjërata, u nis nga Galilea dhe erdhi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit.

Turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi atje.

Atëherë iu afruan disa farisenj për ta provokuar dhe i thanë: “A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?.”

Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: “A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër?

Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm".

Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.”

Ata i thanë: “Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?.”

Ai u tha atyre: “Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.

Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën.”

10 Dishepujt e vet i thanë: “Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet.”

11 Por ai u tha atyre: “Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë.

12 Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë.”

13 Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.

14 Por Jezusi tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve.”

15 Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.

16 Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: “Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?.”

17 Dhe ai tha: “Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet.”

18 Ai i tha: “Cilat?.” Atëherë Jezusi i tha: “Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,

19 ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde.”

20 I riu i tha: “Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?.”

21 Jezusi i tha: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua.”

22 Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.

23 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.

24 Dhe po jua përsëris: Éshtë më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”

25 Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: “Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?.”

26 Dhe Jezusi duke përqëndruar shikimin mbi ata tha: “Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur.”

27 Atëherë Pjetri iu përgjigj duke thënë: “Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?.”

28 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them, në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

29 Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.

30 Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët.”