Add parallel Print Page Options

19 Ditën e parë të muajit të tretë nga dalja prej vendit të Egjiptit, po atë ditë, bijtë e Izraelit arritën në shkretëtirën e Sinait.

Të nisur nga Refidimi, ata arritën në shkretëtirën e Sinait dhe fushuan aty; Izraeli e ngriti kampin e tij përballë malit.

Pastaj Moisiu u ngjit drejt Perëndisë; dhe Zoti i thirri nga mali, duke i thënë: "Kështu do t’i thuash shtëpisë së Jakobit dhe këtë do t’u njoftosh bijve të Izraelit:

"Ju e patë atë që u bëra Egjiptasve, dhe si ju solla mbi krahë shqiponje pranë meje.

Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja.

Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Këto janë fjalët që do t’u thuash bijve të Izraelit"".

Atëherë Moisiu dërgoi e thirri pleqtë e popullit, dhe u tha tërë këto fjalë që Zoti kishte urdhëruar të thoshte.

Dhe tërë populli u përgjigj bashkë dhe tha: "Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti". Kështu Moisiu i raportoi Zotit fjalët e popullit.

Dhe Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të vij te ti në një re të dendur, me qëllim që populli të dëgjojë kur unë do të flas me ty, dhe të të besojë për gjithnjë". Pastaj Moisiu i tregoi Zotit fjalët e popullit.

10 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shko te populli, shenjtëroje atë sot dhe nesër, dhe bëj që të lajë rrobat.

11 Dhe të jenë gati për ditën e tretë, sepse ditën e tretë Zoti do të zbresë mbi malin e Sinait para syve të tërë popullit.

12 Ti do të përcaktosh rreth e qark kufij për popullin dhe do të thuash: Ruhuni se ngjiteni në mal ose prekni skajet e tij. Kushdo që do të prekë malin do të dënohet me vdekje.

13 Asnjë dorë nuk do ta prekë, por do të vritet me gurë ose do të shpohet me shigjeta, qoftë njeri ose kafshë; nuk do të mbetet gjallë. Kur briri të dëgjohet shtruar, atëherë të ngjiten mbi mal".

14 Kështu Moisiu zbriti nga mali drejt popullit; shenjtëroi popullin dhe ata i lanë rrobat e tyre.

15 Pastaj i tha popullit: "Bëhuni gati brenda tri ditëve; mos iu afroni grave".

16 Ditën e tretë, sa u bë mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima; mbi mal doli një re e dendur dhe u dëgjua një zë shumë i fortë borie; dhe tërë populli që ishte në kamp u drodh.

17 Pastaj Moisiu e nxori popullin nga kampi për ta çuar përballë Perëndisë; dhe ata qëndruan në këmbët e malit.

18 Mali i Sinait ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr; tymi i tij ngrihej si tymi i një furre, dhe tërë mali dridhej fort.

19 Ndërsa zëri i borisë po bëhej gjithnjë më i fortë, Moisiu fliste, dhe Perëndia i përgjigjej me një zë gjëmues.

20 Zoti zbriti pra mbi malin e Sinait, në majë të tij; pastaj Zoti thirri Moisiun në majë të malit dhe Moisiu u ngjit atje.

21 Dhe Zoti i tha Moisiut: "Zbrit dhe paralajmëro popullin solemnisht, që të mos sulet drejt Zotit për ta parë, dhe kështu shumë prej tyre të gjejnë vdekjen.

22 Edhe priftërinjtë që do t’i afrohen Zotit të shenjtërohen, që Zoti të mos sulet kundër tyre".

23 Moisiu i tha Zotit: "Populli nuk mund të ngjitej mbi malin e Sinait, sepse ti na ke urdhëruar solemnisht, duke thënë: "Vër kufi rreth malit dhe shenjtëroje"".

24 Por Zoti i tha: "Shko, zbrit poshtë; pastaj ngjitu, ti edhe Aaroni bashkë me ty; por priftërinjtë dhe populli të mos sulen për t’u ngjitur te Zoti, që ai të mos u sulet atyre".

25 Kështu Moisiu zbriti te populli dhe i foli atij.

20 Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë:

"Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.

Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.

Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë.

Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,

dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.

Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.

Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar.

Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde;

10 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua;

11 sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.

12 Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

13 Nuk do të vrasësh.

14 Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.

15 Nuk do të vjedhësh.

16 Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

17 Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd".

18 Tani tërë populli dëgjonte bubullimat, tingullin e borisë dhe shihte shkreptimat dhe malin që nxirrte tym. Para kësaj pamjeje, populli dridhej dhe qëndronte larg.

19 Prandaj ata i thanë Moisiut: "Fol ti me ne dhe ne do të të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia që të mos vdesim".

20 Moisiu i tha popullit: "Mos u trembni, sepse Perëndia erdhi që t’ju provojë, dhe me qëllim që frika e tij të jetë gjithmonë para jush, dhe kështu të mos mëkatoni".

21 Populli, pra, qëndronte larg, por Moisiu iu afrua errësirës së dendur ku ndodhej Perëndia.

22 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: "Ju vetë e patë që kam folur me ju nga qielli.

23 Nuk do të bëni perëndi të tjera afër meje; nuk do të bëni perëndi prej argjendi ose prej ari.

24 Do të bësh për mua një altar prej dheu dhe mbi të do të ofrosh olokaustet e tua, flitë e tua të falënderimit, delet dhe qetë e tua; në çdo vend ku do të bëj që emri im të kujtohet, do të vij te ti dhe do të të bekoj.

25 Dhe në rast se do të ndërtosh për mua një altar me gurë, nuk do ta ndërtosh me gurë të latuar; sepse duke ngritur mbi to daltën do t’i ndotësh.

26 Dhe nuk do të ngjitesh në altarin tim me anë shkallaresh, me qëllim që mbi të të mos zbulohet lakuriqësia jote"".

21 "Tani këto janë ligjet që do t’u vësh para tyre:

Në rast se blen një skllav hebre, ai do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do të shkojë i lirë, pa paguar asgjë.

Në rast se ka ardhur vetëm, do të shkojë vetëm; po të kishte grua, e shoqja do të shkojë bashkë me të.

Në qoftë se zotëria e tij i jep grua dhe kjo i lind bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj do të jenë të zotërisë, dhe ai do të shkojë vetëm.

Por në qoftë se skllavi thotë haptazi: "Unë e dua zotërinë time, gruan time dhe fëmijët e mi, dhe nuk dua të shkoj i lirë,"

atëherë pronari e tij do t’ia afrojë Perëndisë dhe do ta avitë te dera ose te shtalka; pastaj pronari e tij do t’i shpojë veshin me një fëndyell; dhe ai do t’i shërbejë për gjithnjë.

Në rast se dikush shet bijën e tij si shërbëtore, ajo nuk do të shkojë ashtu si shkojnë skllevërit.

Në qoftë se ajo nuk i pëlqen zotërisë së saj, që e kishte marrë për vete, ai do ta lërë të shpengohet; por nuk do të ketë të drejtën tua shesë njerëzve të huaj, sepse kjo do t’ishte ta trajtosh me mashtrim.

Dhe në qoftë se e marton me birin e tij, do ta trajtojë në bazë të së drejtës të të bijave.

10 Në rast se merr një grua tjetër, ai nuk do të pakësojë ushqimin dhe veshmbathjen e saj, as edhe bashkëbanimin e saj.

11 Në rast se nuk bën këto tri gjëra për të, ajo do të shkojë pa dhënë asgjë, pa paguar çmim.

12 Kush rreh një njeri dhe për këtë shkak ky vdes, do të dënohet me vdekje.

13 Në qoftë se nuk i ka ngritur kurrfarë prite, por Perëndia ka bërë që t’i bjerë në dorë, unë do të caktoj një vend ku ai mund të gjejë strehë.

14 Në qoftë se ndokush vepron me paramendim kundër të afërmit të tij për ta vrarë me mashtrim, ti do ta shkëputësh edhe nga altari im, për të siguruar vdekjen e tij.

15 Kush rreh atin ose nënën e tij do të dënohet me vdekje.

16 Kush rrëmben një njeri dhe e shet, ose gjendet në duart e tij, do të dënohet me vdekje.

17 Kush mallkon të atin ose të ëmën do të dënohet me vdekje.

18 Në qoftë se dy njerëz zihen dhe njëri prej tyre godet tjetrin me gur ose me grusht dhe ky nuk vdes, por duhet të qëndrojë në shtrat,

19 dhe në se pastaj ngrihet dhe ecën jashtë duke u mbështetur me bastun, ai që e ka goditur do të nxirret i pafajshëm; do ta zhdëmtojë vetëm për kohën e humbur dhe do ta kurojë deri në shërim të plotë.

20 Në qoftë se dikush rreh skllavin ose skllaven e tij me bastun, dhe ai ose ajo i vdesin në dorë, zotëria do të dënohet;

21 por në rast se mbijeton një ose dy ditë, nuk do të dënohet, sepse është pronë e tij.

22 Në rast se disa grinden dhe rrahin një grua me barrë aq sa ajo të dështojë, por nuk pëson dëme të tjera, rrahësi do të gjobitet aq sa t’i kërkojë bashkëshorti i gruas; ai do të paguajë zhdëmtimin simbas përcaktimit të gjykatësve;

23 por po të jetë se rrjedh ndonjë dëm, do të japësh jetë për jetë,

24 sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë,

25 djegie për djegie, plagë për plagë, mbretje për mbretje.

26 Në rast se dikush godet syrin e skllavit ose të skllaves së tij dhe ai humbet, do t’i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për syrin e humbur.

27 Dhe në rast se shkakton rënien e një dhëmbi skllavit ose skllaves së tij, do t’i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për dhëmbin e humbur.

28 Në rast se një ka godet për vdekje me brirët e tij një burrë ose një grua, kau duhet të vritet me gurë dhe mishi i tij nuk do të hahet; por i zoti i kaut do të konsiderohet i pafajshëm.

29 Por në qoftë se kau e kishte zakon prej kohësh të plagoste me brirët e tij dhe i zoti ishte paralajmëruar, por nuk e kishte mbajtur të mbyllur, dhe kau pastaj vret një burrë o një grua, kau do të vritet me gurë dhe i zoti gjithashtu do të vritet.

30 Në qoftë se i caktohet një çmim për shpengim, ai duhet të japë për të shpenguar jetën e tij aq sa i kanë caktuar.

31 Në qoftë se kau godet një bir ose një bijë, do të veprohet ndaj tij sipas po këtij ligji.

32 Në qoftë se kau godet një skllav ose një skllave, i zoti i kaut do t’i paguajë të zotit të skllavit tridhjetë sikla argjendi dhe kau do të vritet me gurë.

33 Në qoftë se dikush hap një gropë, ose dikush gërmon një gropë dhe nuk e mbulon, dhe një ka ose një gomar bien brenda,

34 pronari i gropës do ta paguajë zhdëmtimin; ai do t’i paguajë me para pronarit vleftën e kafshës dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij.

35 Në qoftë se kau i një njeriu godet për vdekje kaun e një tjetri, do të shitet kau i gjallë dhe do të ndahet çmimi i tij; edhe kau i ngordhur do të ndahet midis tyre.

36 Por në qoftë se dihet se ky ka e kishte zakon prej kohe të godiste me brirët, dhe i zoti nuk e ka mbajtur të mbyllur, ky do të paguajë ka për ka dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij".