Añadir traducción en paralelo Imprimir Opciones de la página

19 Ditën e parë të muajit të tretë nga dalja prej vendit të Egjiptit, po atë ditë, bijtë e Izraelit arritën në shkretëtirën e Sinait.

Të nisur nga Refidimi, ata arritën në shkretëtirën e Sinait dhe fushuan aty; Izraeli e ngriti kampin e tij përballë malit.

Pastaj Moisiu u ngjit drejt Perëndisë; dhe Zoti i thirri nga mali, duke i thënë: "Kështu do t’i thuash shtëpisë së Jakobit dhe këtë do t’u njoftosh bijve të Izraelit:

"Ju e patë atë që u bëra Egjiptasve, dhe si ju solla mbi krahë shqiponje pranë meje.

Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja.

Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Këto janë fjalët që do t’u thuash bijve të Izraelit"".

Atëherë Moisiu dërgoi e thirri pleqtë e popullit, dhe u tha tërë këto fjalë që Zoti kishte urdhëruar të thoshte.

Dhe tërë populli u përgjigj bashkë dhe tha: "Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti". Kështu Moisiu i raportoi Zotit fjalët e popullit.

Dhe Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të vij te ti në një re të dendur, me qëllim që populli të dëgjojë kur unë do të flas me ty, dhe të të besojë për gjithnjë". Pastaj Moisiu i tregoi Zotit fjalët e popullit.

10 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shko te populli, shenjtëroje atë sot dhe nesër, dhe bëj që të lajë rrobat.

11 Dhe të jenë gati për ditën e tretë, sepse ditën e tretë Zoti do të zbresë mbi malin e Sinait para syve të tërë popullit.

12 Ti do të përcaktosh rreth e qark kufij për popullin dhe do të thuash: Ruhuni se ngjiteni në mal ose prekni skajet e tij. Kushdo që do të prekë malin do të dënohet me vdekje.

13 Asnjë dorë nuk do ta prekë, por do të vritet me gurë ose do të shpohet me shigjeta, qoftë njeri ose kafshë; nuk do të mbetet gjallë. Kur briri të dëgjohet shtruar, atëherë të ngjiten mbi mal".

14 Kështu Moisiu zbriti nga mali drejt popullit; shenjtëroi popullin dhe ata i lanë rrobat e tyre.

15 Pastaj i tha popullit: "Bëhuni gati brenda tri ditëve; mos iu afroni grave".

16 Ditën e tretë, sa u bë mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima; mbi mal doli një re e dendur dhe u dëgjua një zë shumë i fortë borie; dhe tërë populli që ishte në kamp u drodh.

17 Pastaj Moisiu e nxori popullin nga kampi për ta çuar përballë Perëndisë; dhe ata qëndruan në këmbët e malit.

18 Mali i Sinait ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr; tymi i tij ngrihej si tymi i një furre, dhe tërë mali dridhej fort.

19 Ndërsa zëri i borisë po bëhej gjithnjë më i fortë, Moisiu fliste, dhe Perëndia i përgjigjej me një zë gjëmues.

20 Zoti zbriti pra mbi malin e Sinait, në majë të tij; pastaj Zoti thirri Moisiun në majë të malit dhe Moisiu u ngjit atje.

21 Dhe Zoti i tha Moisiut: "Zbrit dhe paralajmëro popullin solemnisht, që të mos sulet drejt Zotit për ta parë, dhe kështu shumë prej tyre të gjejnë vdekjen.

22 Edhe priftërinjtë që do t’i afrohen Zotit të shenjtërohen, që Zoti të mos sulet kundër tyre".

23 Moisiu i tha Zotit: "Populli nuk mund të ngjitej mbi malin e Sinait, sepse ti na ke urdhëruar solemnisht, duke thënë: "Vër kufi rreth malit dhe shenjtëroje"".

24 Por Zoti i tha: "Shko, zbrit poshtë; pastaj ngjitu, ti edhe Aaroni bashkë me ty; por priftërinjtë dhe populli të mos sulen për t’u ngjitur te Zoti, që ai të mos u sulet atyre".

25 Kështu Moisiu zbriti te populli dhe i foli atij.

20 Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë:

"Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.

Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.

Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë.

Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,

dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.

Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.

Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar.

Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde;

10 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua;

11 sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.

12 Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

13 Nuk do të vrasësh.

14 Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.

15 Nuk do të vjedhësh.

16 Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

17 Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd".

18 Tani tërë populli dëgjonte bubullimat, tingullin e borisë dhe shihte shkreptimat dhe malin që nxirrte tym. Para kësaj pamjeje, populli dridhej dhe qëndronte larg.

19 Prandaj ata i thanë Moisiut: "Fol ti me ne dhe ne do të të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia që të mos vdesim".

20 Moisiu i tha popullit: "Mos u trembni, sepse Perëndia erdhi që t’ju provojë, dhe me qëllim që frika e tij të jetë gjithmonë para jush, dhe kështu të mos mëkatoni".

21 Populli, pra, qëndronte larg, por Moisiu iu afrua errësirës së dendur ku ndodhej Perëndia.

22 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: "Ju vetë e patë që kam folur me ju nga qielli.

23 Nuk do të bëni perëndi të tjera afër meje; nuk do të bëni perëndi prej argjendi ose prej ari.

24 Do të bësh për mua një altar prej dheu dhe mbi të do të ofrosh olokaustet e tua, flitë e tua të falënderimit, delet dhe qetë e tua; në çdo vend ku do të bëj që emri im të kujtohet, do të vij te ti dhe do të të bekoj.

25 Dhe në rast se do të ndërtosh për mua një altar me gurë, nuk do ta ndërtosh me gurë të latuar; sepse duke ngritur mbi to daltën do t’i ndotësh.

26 Dhe nuk do të ngjitesh në altarin tim me anë shkallaresh, me qëllim që mbi të të mos zbulohet lakuriqësia jote"".

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?.”

22 Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.

23 Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.

24 Mbasi filloi t’i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.

25 Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç’kishte, dhe të shlyejë detyrimin.

26 Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t’i paguaj të gjitha".

27 I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.

28 Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".

29 Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: Ki durim me mua, dhe do t’i paguaj të gjithaa".

30 Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg deri sa ai ta shlyente detyrimin.

31 Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.

32 Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m’u lute.

33 A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".

34 Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.

35 Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij.”

Read full chapter