Add parallel Print Page Options

16 Pastaj ata u nisën nga Elimi dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit, që ndodhet midis Elimit dhe Sinait, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë mbas nisjes së tyre nga vendi i Egjiptit.

Dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit në shkretëtirë.

Bijtë e Izraelit u thanë atyre: "Ah, le të kishim vdekur nga dora e Zotit në vendin e Egjiptit, ku uleshim pranë tenxhereve me mish dhe hanim bukë sa ngopeshim! Sepse ju na çuat në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria tërë kjo asamble".

Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të bëj që të bjerë manë mbi juve nga qielli; dhe populli do të dalë çdo ditë për të mbledhur racionin e ditës, sepse unë dua ta vë në provë për të parë në se do të ecë ose jo simbas ligjit tim.

Por ditën e gjashtë, kur do të përgatisin nozullimin që duhet të çojnë në shtëpi, ai do të jetë dyfishi i atij që mbledhin çdo ditë".

Atëherë Moisiu dhe Aaroni u thanë gjithë bijve të Izraelit: "Në mbrëmje do të mësoni që Zoti është ai që ju nxori nga vendi i Egjiptit;

dhe në mëngjes keni për të parë lavdinë e Zotit, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër Zotit; por ne çfarë jemi që murmurisni kundër nesh?".

Moisiu tha akoma: "Kjo ka për të ndodhur, kur Zoti do t’ju japë mish për të ngrënë në mbrëmje dhe bukë që të ngopeni në mëngjes, sepse Zoti i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Po ne çfarë jemi? Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Zotit".

Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Thuaji gjithë asamblesë së bijve të Izraelit: "Afrohuni para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja"".

10 Ndërsa Aaroni i fliste tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ata u sollën drejt shkretëtirës; dhe ja lavdia e Zotit u shfaq në re.

11 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

12 "Unë i dëgjova murmuritjet e bijve të Izraelit; folu atyre, duke thënë: Në të ngrysur do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë; dhe doo të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj"".

13 Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit.

14 Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë.

15 Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njeri tjetrit: "Çfarë është?," sepse nuk e dinin se ç’ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë.

16 Ja çfarë ka urdhëruar Zoti: Secili të mbledhë aq sa i duhet për ushqimin e tij, një omer për frymë, sipas numrit të personave që jeni; secili nga ju të marrë për ata që janë në çadrën e tij".

17 Bijtë e Izraelit vepruan kështu; disa prej tyre mblodhën më tepër dhe të tjerët më pak.

18 E matën me omerin; dhe kush kishte mbledhur shumë nuk pati tepricë; dhe kush kishte mbledhur më pak nuk pati mangut. Gjithkush mblodhi simbas nevojës së tij për ushqim.

19 Pastaj Moisiu u tha atyre: "Asnjeri të mos e lërë të teprojë për nesër në mëngjes".

20 Por ata nuk iu bindën Moisiut dhe disa prej tyre lanë teprica edhe për të nesërmen; ajo u kalb duke prodhuar krimba dhe doli një erë e keqe; dhe Moisiu u zemërua me ta.

21 Kështu e mblidhnin çdo mëngjes; secili sipas nevojës së tij për ushqim; por kur dielli bëhej i nxehtë, mana e mbledhur shkrihej.

22 Kështu ditën e gjashtë mblodhën një racion të dyfishtë buke, dy omerë për secilin prej tyre. Dhe të gjithë krerët e asamblesë erdhën për t’ia referuar Moisiut.

23 Atëherë ai u tha: "Kjo është ajo që ka thënë Zoti: Nesër është një ditë solemne pushimi, një e shtunë e shenjtë për Zotin; piqni sot atë që duhet të piqni dhe zieni atë që duhet të zieni; dhe çdo gjë që ju tepron, vëreni mënjanë dhe ruajeni deri nesër".

24 Ata pra e ruajtën deri të nesërmen, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu; dhe ushqimet e ruajtura nuk lëshuan erë të keqe dhe nuk prodhuan krimba.

25 Moisiu tha: "Hajeni sot, se sot është e shtuna e shenjtë e Zotit; sot nuk do ta gjeni nëpër fushat.

26 Mblidhni gjatë gjashtë ditëve; sepse ditën e shtatë nuk do ta gjeni më".

27 Dhe ditën e shtatë ndodhi që disa njerëz nga populli dolën për ta mbledhur, por nuk e gjetën.

28 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të kundërshtoni të zbatoni urdhërimet e mia dhe ligjet e mia?

29 Mos harroni që Zoti ju ka dhënë të shtunën; për këtë arësye ditën e gjashtë ju jep bukë për dy ditë. Secili të qëndrojë në vendin e tij; asnjeri të mos dalë nga çadra e tij ditën e shtatë".

30 Kështu populli pushoi ditën e shtatë.

31 Dhe shtëpia e Izraelit e quajti Mana; ajo ishte e ngjashme me farën e koriandrit, e bardhë dhe me shijen e revanisë që bëhet me mjaltë.

32 Pastaj Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar: "Mbush me të një omer, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj, që ata të shohin bukën që ju bëra të hani në shkretëtirë, kur ju nxora nga vendi i Egjiptit"".

33 Moisiu i tha pastaj Aaronit: "Merr një enë, vër brenda saj një omer të plotë mane dhe vendose para Zotit, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj".

34 Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, Aaroni e vendosi para Dëshmisë, që të ruhej.

35 Dhe bijtë e Izraelit hëngrën manën dyzet vjet, deri sa arritën në një vend të banuar; hëngrën manën deri sa arritën në kufirin e vendit të Kanaanit.

36 Omeri është e dhjeta pjesë e efës.

17 Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u nis nga shkretëtira e Sinit, duke marshuar me etapa sipas urdhrave të Zotit, dhe u vendos në Redifim. Por nuk kishte ujë të pijshëm për popullin.

Atëherë populli u grind me Moisiun dhe i tha: "Na jep ujë për të pirë". Moisiu u përgjigj: "Pse grindeni me mua? Pse tundoni Zotin?".

Atje populli pati etje për ujë dhe murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: Pse na bëre të ikim nga Egjipti që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhee bagëtia jonë?".

Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Çfarë të bëj për këtë popull? Edhe pak dhe ata do të më vrasin me gurë".

Zoti i tha Moisiut: "Kalo para popullit dhe merr me vete disa pleq nga Izraeli; merr në dorë edhe bastunin me të cilin rrahe lumin, dhe nisu.

Ja, unë do të rri përpara teje, atje mbi shkëmbin në Horeb; ti do të rrahësh shkëmbin, prej të cilit do të burojë ujë dhe populli do të pijë". Kështu bëri Moisiu para syve të pleqve të Izraelit.

Prandaj e quajti këtë vend Masa dhe Meriba për shkak të grindjeve që pati me bijtë e Izraelit, dhe sepse kishin tunduar Zotin, duke thënë: "A është vallë Zoti në mes nesh, apo jo?".

Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Refidim.

Dhe Moisiu i tha Jozueut: "Zgjidh për ne disa burra dhe dil për të luftuar kundër Amalekut; nesër do të jem në majë të kodrës me shkopin e Perëndisë në dorë".

10 Jozueu bëri ashtu siç i kishte thënë Moisiu dhe luftoi kundër Amalekut, ndërsa Moisiu, Aaroni dhe Huri u ngjitën në majë të kodrës.

11 Dhe ndodhi që, kur Moisiu ngrinte dorën e tij, Izraeli fitonte; përkundrazi, kur e ulte dorën, fitonte Amaleku.

12 Por duart e Moisiut ishin rënduar, kështu që ata morën një gur dhe ia vunë poshtë, ai u ul mbi të ndërsa Aaroni dhe Huri ia mbanin duart, njëri nga një krah, tjetri nga krahu tjetër; kështu duart e tij mbetën të palëvizura deri në perëndimin e diellit.

13 Prandaj Jozueu mundi Amalekun dhe njerëzit e tij, duke i prerë me shpata.

14 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shkruaje këtë ngjarje në një libër, që të mos harrohet kurrë, dhe njofto Jozueun që unë do ta fshij fare kujtimin e Amalekut nën qiellin".

15 Moisiu ndërtoi pastaj një altar, të cilit i vuri emrin: "Zoti është flamuri im"; dhe tha:

16 "Dora u ngrit kundër fronit të Zotit, dhe Zoti do t’i bëjë luftë Amalekut brez pas brezi".

18 Jethro, prift i Madianit, vjehrri i Moisiut, dëgjoi të gjitha ato që Perëndia kishte bërë për Moisiun dhe për Izraelin popullin e tij: si e kishte nxjerrë Zoti Izraelin nga Egjipti.

Atëherë Jethro, vjehrri i Moisiut, mori Seforan, gruan e Moisiut,

e cila i ishte kthyer, dhe dy bijtë e saj, prej të cilëve njëri quhej Gershom, (sepse Moisiu kishte thënë: "Kam qenë mik në tokë të huaj")

dhe tjetri Eliezer (sepse ai kishte thënë: "Perëndia i atit tim ka qenë ndihmësi im dhe më ka shpëtuar nga shpata e Faraonit").

Jethro, pra, vjehrri i Moisiut, erdhi te Moisiu bashkë me bijtë e tij dhe bashkëshorten e tij, në shkretëtirë ku ishte vendosur ai, në malin e Perëndisë.

I kishte çuar fjalë Moisiut: "Unë, Jethro, vjehrri yt, po vij te ti bashkë me gruan tënde dhe dy bijtë e saj".

Kështu Moisiu doli për të takuar vjehrrin e tij, u përkul dhe e puthi; pyetën njëri tjetrin për shëndetin e tyre, pastaj hynë në çadër.

Atëherë Moisiu i tregoi vjehrrit të tij të gjitha ato që Zoti u kishte bërë Faraonit dhe Egjiptasve për shkak të Izraelit, të gjitha fatkeqësitë e pësuara gjatë udhëtimit, dhe si i kishte shpëtuar Zoti.

Dhe Jethro u gëzua për të gjitha të mirat që Zoti i kishte bërë Izraelit, duke e shpëtuar nga dora e Egjiptasve.

10 Pastaj Jethro i tha: "Bekuar qoftë Zoti, që ju çliroi nga dora e Egjiptasve dhe nga dora e Faraonit, dhe çliroi popullin nga zgjedha e Egjiptasve!

11 Tani e di që Zoti është më i madhi nga tërë perënditë; po, ai ua vërtetoi atyre me sa krenari, kur vepruan me kryelartësi kundër Izraelit".

12 Pastaj Jethro, vjehrri i Moisiut, mori një olokaust dhe disa fli për t’ia ofruar Perëndisë; dhe Aaroni dhe tërë pleqtë e Izraelit erdhën të hanë me vjehrrin e Moisiut përpara Perëndisë.

13 Por ndodhi që, të nesërmen, Moisiu u ul për të gjykuar popullin; populli u mblodh rreth Moisiut që nga mëngjesi deri në mbrëmje.

14 Kur vjehrri i Moisiut pa të gjitha ato që ky bënte për popullin, tha: Ç’është kjo që bën ti me popullin? Pse ulesh vetëm, dhe tërë populli të rrii përqark nga mëngjesi deri në mbrëmje?".

15 Moisiu iu përgjigj vjehrrit të tij: "Sepse populli vjen tek unë për t’u këshilluar me Perëndinë.

16 Kur ata kanë ndonjë problem, vinë tek unë, dhe unë gjykoj njërin dhe tjetrin dhe u bëj të njohur kanunet e Perëndisë dhe ligjet e tij".

17 Por vjehrri i Moisiut i tha: "Ajo që bën ti nuk shkon mirë.

18 Do të rraskapitesh më në fund, ti dhe ky popull që është me ty, sepse detyra që ke marrë përsipër është shumë e vështirë. Nuk mund t’ia dalësh në krye vetëm.

19 Tani dëgjomë; unë do të të jap një këshillë dhe Perëndia qoftë me ty: përfaqësoje ti popullin përpara Perëndisë dhe paraqitja Perëndisë problemet e tyre.

20 Mësoju atyre statutet dhe ligjet dhe tregohu rrugën nëpër të cilën duhet të ecin dhe atë që duhet të bëjnë.

21 Por zgjidh në mes të të gjithë popullit disa njerëz të aftë që kanë frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrejnë fitimin e padrejtë dhe vendosi mbi popullin si krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetrave dhe krerë të dhjetrave.

22 Dhe lejo që të jenë ata që do ta gjykojnë popullin në çdo kohë; ata do të të parashtrojnë çdo problem me rëndësi të madhe, ndërsa për probleme të vogla do të vendosin vetë. Kështu do të jetë më lehtë për ty, dhe ata do ta mbajnë peshën bashkë me ty.

23 Në qoftë se ti vepron kështu, dhe kështu të urdhëron Perëndia, mund të mbahesh; dhe tërë ky popull do të arrijë faqebardhë në vendin e caktuar për të".

24 Moisiu e dëgjoi zërin e vjehrrit të tij, dhe bëri gjithçka që i kishte thënë.

25 Kështu Moisiu zgjodhi në tërë Izraelin disa njerëz të aftë dhe i vuri si krerë të popullit: krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetrave dhe krerë të dhjetrave.

26 Kështu ata e gjykonin popullin në çdo kohë; çështjet e vështira ia parashtronin Moisiut, por çdo problem të vogël e zgjidhnin vetë.

27 Pastaj Moisiu u nda nga vjehrri i tij, i cili u kthye në vendin e vet.