Add parallel Print Page Options

13 Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

"Më shenjtëro çdo të parëlindur, ai që çel barkun ndër bijtë e Izraelit, qofshin njerëz apo kafshë; më takon mua".

Pastaj Moisiu i tha popullit: "Mbajeni mend këtë ditë, gjatë së cilës dolët nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë; sepse Zoti ju nxori nga ky vend me dorë të fuqishme; nuk do të hahet bukë me maja.

Ju po dilni sot, në muajin e Abibit.

Atëherë pra kur Zoti do të bëjë që të hyni në vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Hivejve dhe të Jebusejve që u është betuar etërve të tu të të japë, vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, do të kryesh këtë rit gjatë këtij muaji.

Shtatë ditë me radhë do të hash bukë të ndorme; dhe ditën e shtatë do të bëhet një festë për Zotin.

Do të hahet bukë e ndorme gjatë shtatë ditëve; dhe nuk do të duket bukë me maja tek ju, as do të duket maja pranë teje, brenda tërë kufijve të tu.

Atë ditë do t’ia shpjegosh këtë gjë birit tënd, duke i thënë: "Veprohet kështu për shkak të asaj që bëri Zoti për mua kur dola nga Egjipti".

Dhe do të jetë për ty si një shenjë mbi dorën tënde dhe si një kujtim ndër sytë e tu, me qëllim që ligji i Zotit të jetë në gojën tënde; sepse Zoti të bëri të dalësh nga Egjipti me dorë të fuqishme.

10 Zbatoje pra këtë rregull në kohën e caktuar, vit pas viti.

11 Kur Zoti do të ketë bërë që të hysh në vendin e Kananejve, ashtu siç të është betuar ty dhe etërve të tu, dhe do të ta ketë dhënë atë,

12 do t’i shenjtërosh Zotit tërë ata që çelin barkun dhe çdo pjellje të parë të bagëtisë që ti zotëron: meshkujt do t’i takojnë Zotit.

13 Kështu do të shpengosh çdo pjellje të parë të gomarit me një qengj; por në qoftë se nuk dëshiron ta shpengosh, atëherë thyeja qafën; kështu do të shpengosh çdo të parëlindur të njeriut ndër bijtë e tu.

14 Kur në të ardhmen biri yt do të të pyesë, duke thënë: "Çfarë do të thotë kjo?," ti do t’i përgjigjesh: "Zoti na bëri të dalim nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë, me dorë të fuqishme;

15 dhe ndodhi që, kur Faraoni nguli këmbë të mos na linte të shkonim, Zoti vrau tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, si të parëlindurit e njerëzve ashtu dhe të parëlindurit e kafshëve. Prandaj unë i bëj fli Zotit tërë meshkujt që çelin barkun, por shpengoj çdo të parëlindur të bijve të mi".

16 Kjo do të jetë si një shenjë mbi dorën tënde dhe një ballore midis syve të tu, sepse Zoti na bëri të dalim nga Egjipti me dorë të fuqishme".

17 Kur Faraoni e la popullin të shkojë, Perëndia nuk e çoi nëpër rrugën e vendit të Filistejve, megjithëse kjo ishte më e shkurtëra, sepse Perëndia tha: "Që të mos pendohet populli, kur të shohë luftën, dhe të mos kthehet në Egjipt".

18 Por Perëndia bëri që populli të vinte një herë përqark, nëpër rrugën e shkretëtirës, drejt Detit të Kuq. Dhe bijtë e Izraelit dolën të armatosur nga vendi i Egjiptit.

19 Dhe Moisiu mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse i kishte vënë bijtë e Izraelit të betoheshin shprehimisht, duke thënë: "Me siguri Perëndia do t’ju vizitojë; atëhere i bartni me vete eshtrat e mia".

20 Kështu ata u nisën nga Sukothi dhe fushuan në Etham, buzë shkretëtirës.

21 Dhe Zoti shkonte para tyre, ditën në një kolonë resh për t’i udhëhequr në rrugë, dhe natën në një kolonë zjarri për t’u bërë atyre dritë, që të mund të ecnin ditën dhe natën.

22 Kolona e reve nuk tërhiqej kurrë ditën përpara popullit, as kolona e zjarrit natën.

14 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

"U thuaj bijve të Izraelit të kthehen prapa dhe të vendosin kampin e tyre përballë Pi-Hahirothit, midis Migdolit dhe detit, përballë Baal-Tsefonit; vendosni kampin tuaj përpara këtij vendi pranë detit.

Atëherë Faraoni do të thotë për bijtë e Izraelit: "Ata po enden si të humbur në vend; shkretëtira i mban të mbyllur".

Dhe unë do ta ngurtësoj zemrën e Faraonit, dhe ai do t’i ndjekë ata; por unë do të siguroj lavdi nga Faraoni dhe nga gjithë ushtria e tij, dhe Egjiptasit do të mësojnë që unë jam Zoti". Dhe ata ashtu vepruan.

Pastaj iu njoftua mbretit të Egjiptit që populli kishte ikur; dhe zemra e Faraonit dhe e shërbëtorëve të tij ndryshoi kundrejt popullit, dhe ata thanë: "Ç’bëmë që e lamë Izraelin të ikë nga shërbimi ynë?".

Kështu Faraoni bëri që të përgatitej qerrja e tij dhe mori me vete popullin e tij.

Mori dhe gjashtëqind qerre të zgjedhura dhe tërë qerret e Egjiptit, me luftëtarë në secilin prej tyre.

Dhe Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi bijtë e Izraelit, që dilnin plot trimëri.

Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt, qerret e Faraonit, kalorësit e tij dhe ushtria e tij i arritën kur kishin fushuar pranë detit, në afërsi të Pi-Hahirothit, përballë Baal-Tsefonit.

10 Ndërsa Faraoni po afrohej, bijtë e Izraelit ngritën sytë; dhe ja, Egjiptasit marshonin prapa tyre, prandaj patën shumë frikë; dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit,

11 dhe i thanë Moisiut: "Pse, nuk kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim në shkretëtirë? Pse e bëre këtë gjë me ne, duke na nxjerrë nga Egjipti?

12 A nuk ishte vallë kjo për të cilën të flisnim në Egjipt, duke të thënë: Na lër rehat, kështu do të mund t’u shërbejmë Egjiptasvee"? Sepse për ne do të qe më mirë t’u shërbenim Egjiptasve se sa të vdesim në shkretëtirë".

13 Por Moisiu i tha popullit: "Mos kini frikë, qëndroni dhe çlirimi do të vijë nga Zoti, i cili do ta bëjë sot për ju; sepse Egjiptasit që shihni sot, nuk do t’i shihni më kurrë.

14 Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë".

15 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Pse më bërtet mua? U thuaj bijve të Izraelit të shkojnë përpara.

16 Dhe ti ço lart bastunin tënd, shtrije dorën mbi det dhe ndaje atë, në mënyrë që bijtë e Izraelit të mund të kalojnë në mes të detit në të thatë.

17 Sa për mua, unë do ta ngurtësoj zemrën e Egjiptasve, dhe këta do t’i ndjekin ata. Kështu unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga tërë ushtria e tij, nga qerret dhe kalorësit e tij.

18 Dhe Egjiptasit do të dinë që unë jam Zoti, kur unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga qerret e tij dhe nga kalorësit e tij".

19 Atëherë Engjëlli i Perëndisë, që ecte përpara kampit të Izraelit, u zhvendos dhe shkoi e u vu prapa tyre; edhe kolona e reve lëvizi nga përpara dhe shkoi e u vu prapa tyre.

20 Dhe kështu vajti e u vendos midis fushimit të Egjiptit dhe fushimit të Izraelit; dhe reja prodhonte errësirë për njërën palë, ndërsa u jepte dritë të tjerëve natën. Kështu tërë natën kurrkush nuk iu afrua tjetrit.

21 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë.

22 Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre.

23 Dhe Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt e Faraonit, qerret e tij dhe kalorësit e tij hynë pas tyre në mes të detit.

24 Aty nga agimi i mëngjesit ndodhi që Zoti i hodhi sytë në kampin e Egjiptasve nga kolona e zjarrit dhe nga reja, dhe i dha dërmën.

25 Ai bëri të shkëputen rotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre. Kështu Egjiptasit thanë: "T’ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti lufton bashkë me ta kundër Egjiptasve".

26 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi detin, me qëllim që ujërat e tij të kthehen mbi Egjiptasit, mbi qerret dhe kalorësit e tyre".

27 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; kështu në të gdhirë, deti u kthye në vendin e tij të zakonshëm; Egjiptasit ikën para tij; dhe Zoti i përlau Egjiptasit në mes të detit.

28 Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur Izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre.

29 Por bijtë e Izraelit vazhduan të ecnin në tokë të thatë në mes të detit, dhe ujërat qenë për ta si një mur, në të djathtë të tyre dhe në të majtë të tyre.

30 Kështu, atë ditë, Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptasve, dhe Izraeli pa mbi bregun e detit Egjiptasit e vdekur.

31 Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër Egjiptasve, dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti dhe te Moisiu shërbëtor i tij.

15 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan këtë kantik Zotit dhe folën duke thënë: "Unë do t’i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës.

Zoti është forca ime dhe kantiku im, ka qënë shpëtimi im. Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj; është Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj.

Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti.

Ai hodhi në det qerret e Faraonit dhe ushtrinë e tij, luftëtarët më të mirë të tij u mbytën në Detin e Kuq.

Ata mbulohen nga humnera; ranë në fund si një gur.

E djathta jote, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj. E djathta jote, o Zot, i dërmoi armiqtë.

Me madhështinë e madhërisë sate, ti i përmbys ata që ngrihen kundër teje; ti nxjer jashtë zemërimin tënd, ai i prish ata sikur të ishin kallamishte.

Sa të shfrysh nga vrimat e hundëve, ujërat janë grumbulluar, valët janë ngritur si një mur, dhe dallgët janë përforcuar në zemrën e detit.

Armiku thoshte: "Do t’i ndjek, do t’i arrij, do të ndaj kufomat, lakmia ime do të ngopet mbi ta; do të zhvesh shpatën time, dora ime do t’i shfarosë".

10 Po ti dërgove jashtë frymën tënde dhe deti i mbuloi; u mbytën si plumbi në ujërat e fuqishme.

11 Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?

12 Ti shtrive dorën e djathtë, dhe toka i gëlltiti.

13 Me mëshirën tënde, ke udhëhequr popullin që e ke shpenguar; me forcën tënde e ke çuar drejt banesës sate të shenjtë.

14 Popujt e kanë dëgjuar këtë dhe dridhen. Ankthi ka mbërthyer banorët e Filistinës.

15 Që tani krerët e Edomit e kanë humbur, të fuqishmit e Moabit i ka zënë frika, tërë banorët e Kanaanit po shkrihen.

16 Frika dhe tmerri do të bierë mbi ta. Falë forcës së krahut tënd do të bëhen të palëvizshëm si guri, deri sa populli yt, o Zot, të kalojë, deri sa të kalojë populli që ti ke blerë.

17 Ti do t’i futësh dhe do t’i vendosësh në malin e trashëgimisë sate, në vendin që ke përgatitur, o Zot, për banesën tënde, në shenjtëroren që duart e tua, o Perëndi, kanë vendosur.

18 Zoti do të mbretërojë gjithnjë, përjetë".

19 Pasi kuajt e Faraonit me qerret e tij dhe kalorësit e tij kishin hyrë në det, dhe Zoti kishte kthyer mbi ta ujërat e detit, por bijtë e Izraelit kishin ecur në mes të detit, në të thatë.

20 Atëherë profetesha Miriam, motra e Aaronit, mori në dorë dajren, dhe të gjitha gratë e ndoqën nga pas me dajre dhe me valle.

21 Dhe Miriami u këndonte atyre: "Këndojini Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës".

22 Pastaj Moisiu i nisi Izraelitët nga Deti i Kuq dhe këta u drejtuan nga shkretëtira e Shurit; ecën tri ditë në shkretëtirë dhe nuk gjetën ujë.

23 Kur arritën në Mara nuk mundën të pinë ujërat e Marës sepse ishin të hidhura; prandaj ky vend u quajt Mara.

24 Atëherë populli murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: "Ç’do të pimë?".

25 Kështu ai i bërtiti Zotit; dhe Zoti i tregoi një dru; ai e hodhi atë në ujë, dhe ujërat u bënë të ëmbla. Atje Zoti i dha popullit një ligj dhe një dekret, dhe e vuri kështu popullin në provë,

26 dhe tha: "Në qoftë se ti dëgjon me vëmëndje zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e tij dhe dëgjon urdhërimet e tij dhe respekton tërë ligjet e tij, unë nuk do të jap asnjë nga ato sëmundje që u kam dhënë Egjiptasve, sepse unë jam Zoti që të shëron".

27 Kështu arritën në Elim, ku kishte dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma; dhe e ngritën kampin e tyre pranë ujërave.