Add parallel Print Page Options

12 Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit në vendin e Egjiptit, duke u thënë:

"Ky muaj do të jetë për ju muaji më i rëndësishëm, do të jetë për ju muaji i parë i vitit.

I thoni gjithë asamblesë së Izraelit: "Ditën e dhjetë të këtij muaji, çdo burrë të marrë për vete një qengj, sipas madhësisë së familjes të të atit, një qengj për shtëpi.

Por në qoftë se shtëpia është tepër e vogël për një qengj, le të marrë një së bashku me fqinjin më të afërt, duke llogaritur numrin e personave; ju do të përcaktoni sasinë e qengjit të nevojshëm, në bazë të asaj që çdonjëri mund tëhajë.

Qengji juaj duhet të jetë pa të meta, mashkull, motak; mund të merrni një qengj ose një kec.

Do ta ruani deri në ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, dhe tërë asambleja e popullit të Izraelit do ta therë atë në të ngrysur.

Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë.

Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura.

Nuk do të hani fare mish të gjallë apo të zier në ujë, por të pjekur në zjarr me kokën, këmbët dhe të brendshmet.

10 Dhe nuk do të lini asnjë mbetje deri në mëngjes; dhe ç’të mbetet deri në mëngjes, do ta digjni në zjarr.

11 Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.

12 Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t’i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.

13 Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t’ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.

14 Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t’u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.

15 Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Ditën e parë do të kujdeseni të hiqni çdo maja nga shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në të shtatën, do të këputet nga Izraeli.

16 Ditën e parë do të keni një mbledhje të shenjtë, dhe një mbledhje të shenjtë edhe ditën e shtatë. Të mos bëhet asnjë punë ato ditë; të përgatitet vetëm ajo që do të hajë secili dhe asgjë tjetër.

17 Do të kremtoni, pra, festën e të ndormëve, sepse pikërisht në këtë ditë bëra të dalin radhët tuaja nga vendi i Egjiptit; do ta kremtoni, pra, këtë ditë nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.

18 Gjatë muajit të parë, nga dita e katërmbëdhjetë e muajit, në mbrëmje, deri ditën e njëzetenjëtë, në mbrëmje, do të hani bukë të ndorme.

19 Për shtatë ditë të mos gjendet maja në shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë diçka të mbrujtur, do të këputet nga asambleja e Izraelit, qoftë ai i huaj apo i lindur në vend.

20 Nuk do të hani asgjë të mbrujtur; në të gjitha banesat tuaja do të hani bukë të ndorme"".

21 Moisiu, pra, thirri gjithë pleqtë e Izraelit dhe u tha atyre: "Shkoni dhe merrni qengja për ju dhe për familjet tuaja, dhe flijoni Pashkët.

22 Pastaj do të merrni një tufëz hisopi, do ta ngjyeni në gjakun që është në legen, dhe me gjakun që është në legen do të spërkatni arkitraun dhe të dy shtalkat e dyerve; dhe asnjë prej jush nuk do të dalë nga dera e shtëpisë së tij deri në mëngjes.

23 Sepse Zoti do të kalojë për të goditur Egjiptasit; po, kur do të shohë gjakun mbi arkitraun dhe mbi dy shtalkat, Zoti do të kalojë më tej derës dhe nuk do ta lejojë shkatërruesin të hyjë në shtëpitë tuaja për t’ju goditur.

24 Zbatojeni, pra, këtë si një porosi të përjetshme për ju dhe për bijtë tuaj.

25 Kur të hyni në vendin që do t’ju japë Zoti, siç e ka thënë, zbatoni këtë rit.

26 Kur bijtë tuaj do t’ju pyesin: "Ç’kuptim ka ky rit për ju?,"

27 ju do t’u përgjigjeni: "Kjo është flija e Pashkës së Zotit, që kaloi tej shtëpive të bijve të Izraelit në Egjipt, kur goditi Egjiptasit dhe i fali shtëpitë tona"". Dhe populli u përkul dhe adhuroi.

28 Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe vepruan ashtu; ata bënë ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe Aaronin.

29 Prandaj ndodhi që në mesnatë Zoti goditi tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, që nga i parëlinduri i Faraonit që rrinte mbi fronin e tij, deri te i parëlinduri i të burgosurit që ishte në burg, si dhe çdo pjellë e parë e bagëtive.

30 Kështu Faraoni u ngrit natën, ai me gjithë shërbëtorët e tij dhe gjithë Egjiptasit; dhe u dëgjua një klithmë e madhe në Egjipt, sepse nuk kishte shtëpi ku të mos kishte një të vdekur.

31 Atëherë ai thirri Moisiun dhe Aaronin natën dhe u tha: "Çohuni dhe largohuni nga mesi i popullit tim, ju dhe bijtë e Izraelit; dhe shkoni t’i shërbeni Zotit, siç e keni thënë.

32 Merrni me vete kopetë e bagëtive të imta dhe të trasha, siç keni thënë, dhe shkoni; dhe më bekoni edhe mua!".

33 Dhe Egjiptasit e nxisnin popullin për të shpejtuar nisjen nga vendi, sepse thonin: "Do të vdesim të gjithë".

34 Populli mori me vete brumin e bukës para se ai të vinte; i mbështolli magjet e tij me rroba trupi dhe i vuri mbi kurriz.

35 Dhe bijtë e Izraelit bënë ashtu siç i kishte thënë Moisiu dhe u kërkuan Egjiptasve sende argjendi, sende ari dhe rroba;

36 dhe Zoti bëri që Egjiptasit ta shikonin me sy të mirë popullin dhe t’i jepnin atë që kërkonte. Kështu i zhveshën Egjiptasit.

37 Bijtë e Izraelit u nisën nga Ramsesi për në Sukoth, ishin rreth gjashtëqind mijë njerëz më këmbë, pa llogaritur fëmijët.

38 Dhe me ta iku gjithashtu një përzierje e madhe njerëzish, bashkë me kopetë e tyre të bagëtive të imta dhe të trasha, një numër i madh kafshësh.

39 Dhe ata e poqën brumin që kishin sjellë nga Egjipti, duke bërë kuleçë të ndormë; në fakt brumi nuk kishte maja, sepse ata u dëbuan nga Egjipti dhe nuk mundën të mënojnë, as të përgatisin rezerva për udhëtimin.

40 Koha që bijtë e Izraelit kaluan në Egjipt qe katërqind e tridhjetë vjet.

41 Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, ndodhi që të gjitha radhët e Zotit dolën nga vendi i Egjiptit.

42 Kjo është një natë për t’u kremtuar për nder të Zotit, sepse ai i nxori nga vendi i Egjiptit; kjo natë do të jetë një kremtim solemn ndaj Zotit, për të gjithë bijtë e Izraelit brez pas brezi.

43 Pastaj Zoti i tha Moisiut dhe Aaronit: "Ky është rregulli i Pashkëve: asnjë i huaj nuk do të hajë;

44 por çdo skllav, i blerë me para, mbasi të jetë rrethprerë, mund të hajë.

45 Të ardhurit dhe mercenarët nuk do të hanë.

46 Qengji do të hahet vetëm në një shtëpi; asnjë pjesë të mishit të tij nuk do ta nxirrni jashtë shtëpisë dhe nuk do të thyeni asnjë kockë të tij.

47 Tërë asambleja e Izraelit do ta kremtojë atë.

48 Dhe kur një i huaj do të banojë me ty do të dojë të kremtojë Pashkët për nder të Zotit, tërë meshkujt e familjes së tij duhet të rrethpriten më parë dhe pastaj ai le të afrohet për të kremtuar këtë ditë, ai do të konsiderohet si i lindur në vend; por asnjë i parrethprerë s’ka për të ngrënë.

49 Do të ketë një ligj të vetëm për atë që ka lindur në vend dhe për të huajin që banon me ju".

50 Tërë bijtë e Izraelit vepruan në këtë mënyrë; ata bënë pikërisht atë që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut dhe Aaronit.

51 Kështu ndodhi që pikërisht atë ditë Zoti i bëri bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i Egjiptit, simbas radhëve të tyre.

13 Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

"Më shenjtëro çdo të parëlindur, ai që çel barkun ndër bijtë e Izraelit, qofshin njerëz apo kafshë; më takon mua".

Pastaj Moisiu i tha popullit: "Mbajeni mend këtë ditë, gjatë së cilës dolët nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë; sepse Zoti ju nxori nga ky vend me dorë të fuqishme; nuk do të hahet bukë me maja.

Ju po dilni sot, në muajin e Abibit.

Atëherë pra kur Zoti do të bëjë që të hyni në vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Hivejve dhe të Jebusejve që u është betuar etërve të tu të të japë, vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, do të kryesh këtë rit gjatë këtij muaji.

Shtatë ditë me radhë do të hash bukë të ndorme; dhe ditën e shtatë do të bëhet një festë për Zotin.

Do të hahet bukë e ndorme gjatë shtatë ditëve; dhe nuk do të duket bukë me maja tek ju, as do të duket maja pranë teje, brenda tërë kufijve të tu.

Atë ditë do t’ia shpjegosh këtë gjë birit tënd, duke i thënë: "Veprohet kështu për shkak të asaj që bëri Zoti për mua kur dola nga Egjipti".

Dhe do të jetë për ty si një shenjë mbi dorën tënde dhe si një kujtim ndër sytë e tu, me qëllim që ligji i Zotit të jetë në gojën tënde; sepse Zoti të bëri të dalësh nga Egjipti me dorë të fuqishme.

10 Zbatoje pra këtë rregull në kohën e caktuar, vit pas viti.

11 Kur Zoti do të ketë bërë që të hysh në vendin e Kananejve, ashtu siç të është betuar ty dhe etërve të tu, dhe do të ta ketë dhënë atë,

12 do t’i shenjtërosh Zotit tërë ata që çelin barkun dhe çdo pjellje të parë të bagëtisë që ti zotëron: meshkujt do t’i takojnë Zotit.

13 Kështu do të shpengosh çdo pjellje të parë të gomarit me një qengj; por në qoftë se nuk dëshiron ta shpengosh, atëherë thyeja qafën; kështu do të shpengosh çdo të parëlindur të njeriut ndër bijtë e tu.

14 Kur në të ardhmen biri yt do të të pyesë, duke thënë: "Çfarë do të thotë kjo?," ti do t’i përgjigjesh: "Zoti na bëri të dalim nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë, me dorë të fuqishme;

15 dhe ndodhi që, kur Faraoni nguli këmbë të mos na linte të shkonim, Zoti vrau tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, si të parëlindurit e njerëzve ashtu dhe të parëlindurit e kafshëve. Prandaj unë i bëj fli Zotit tërë meshkujt që çelin barkun, por shpengoj çdo të parëlindur të bijve të mi".

16 Kjo do të jetë si një shenjë mbi dorën tënde dhe një ballore midis syve të tu, sepse Zoti na bëri të dalim nga Egjipti me dorë të fuqishme".

17 Kur Faraoni e la popullin të shkojë, Perëndia nuk e çoi nëpër rrugën e vendit të Filistejve, megjithëse kjo ishte më e shkurtëra, sepse Perëndia tha: "Që të mos pendohet populli, kur të shohë luftën, dhe të mos kthehet në Egjipt".

18 Por Perëndia bëri që populli të vinte një herë përqark, nëpër rrugën e shkretëtirës, drejt Detit të Kuq. Dhe bijtë e Izraelit dolën të armatosur nga vendi i Egjiptit.

19 Dhe Moisiu mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse i kishte vënë bijtë e Izraelit të betoheshin shprehimisht, duke thënë: "Me siguri Perëndia do t’ju vizitojë; atëhere i bartni me vete eshtrat e mia".

20 Kështu ata u nisën nga Sukothi dhe fushuan në Etham, buzë shkretëtirës.

21 Dhe Zoti shkonte para tyre, ditën në një kolonë resh për t’i udhëhequr në rrugë, dhe natën në një kolonë zjarri për t’u bërë atyre dritë, që të mund të ecnin ditën dhe natën.

22 Kolona e reve nuk tërhiqej kurrë ditën përpara popullit, as kolona e zjarrit natën.

16 Pastaj iu afruan farisenjtë dhe saducenjtë dhe, për ta tunduar, i kërkuan që t’u tregojë një shenjë nga qielli.

Por ai iu përgjigj atyre dhe tha: “Në mbrëmje ju thoni: "Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është i kuq".

Dhe në mëngjes thoni: "Sot do të jetë stuhi, sepse qielli është i kuq dhe i vranët". Hipokritë, pra, ju dini të dalloni dukuritë e qiellit, por nuk arrini të kuptoni shenjat e kohës?

Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona.” Dhe i la ata dhe shkoi.

Kur dishepujt e vet arritën në bregun tjetër, ja që kishin harruar të marrin bukë me vete.

Dhe Jezusi u tha atyre: “Kini kujdes dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve!.”

Dhe ata arsyetuan ndërmjet tyre duke thënë: “Se nuk kemi marrë bukë.”

Por Jezusi i vuri re e iu tha atyre: “O njerëz besimpakë, përse diskutoni ndërmjet jush që nuk keni marrë bukë?

Nuk e keni kuptuar akoma dhe nuk kujtoni të pesë bukët për pesë mijë burrat dhe sa kosha keni mbledhur?

10 Dhe të shtatë bukët për katër mijë bu-rra dhe sa kosha keni mbushur?

11 Si nuk kuptoni që nuk e kisha fjalën për bukën kur ju thashë të ruheni nga majaja e farisenjve dhe saducenjve?.”

12 Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u kishte thënë të ruheshin nga majaja e bukës, por nga doktrina e farisenjve dhe të saducenjve.

13 Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: “Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?.”

14 Dhe ata thanë: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët.”

15 Ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam unë?.”

16 Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”

17 Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.

18 Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.

19 Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej.”

20 Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thonin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.

21 Që nga ai çast Jezusi filloi t’u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë.

22 Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: “O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë.”

23 Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: “Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s’ke ndër mënd punët e Perëndisë, por punët e njerëzve.”

24 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.

25 Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.

26 Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?

27 Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.

28 Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet.”