A A A A A
Bible Book List

Eksodi 1-3Albanian Bible (ALB)

Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt me Jakobin. Secili prej tyre erdhi me familjen e tij:

Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda,

Isakari, Zabuloni dhe Beniamini,

Dani dhe Naftali, Gadi dhe Asheri.

Tërë njerëzit që kishin dalë nga gjaku i Jakobit arrinin shtatëdhjetë veta (Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt).

Pastaj Jozefi vdiq, dhe po ashtu vdiqën tërë vëllezërit e tij dhe gjithë ai brez.

Dhe bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta.

Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin.

Ai i tha popullit të tij: "Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne.

10 Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi".

11 Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t’i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet-depozitë Pitom dhe Raamses.

12 Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj Egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit,

13 dhe Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t’u shërbenin me ashpërsi,

14 dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t’i bënin tërë këto punë me ashpërsi.

15 Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha:

16 "Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse, dhe do t’i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë".

17 Por mamitë patën frikë nga Perëndia dhe nuk bënë ashtu siç i kishte urdhëruar mbreti i Egjiptit, por i lanë gjallë fëmijët meshkuj.

18 Atëherë mbreti i Egjiptit thirri mamitë dhe u tha: "Pse e bëtë këtë dhe i latë gjallë fëmijët meshkuj?".

19 Mamitë iu përgjigjën Faraonit: "Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptase, por janë të fuqishme dhe lindin para se t’u vijë mamia pranë".

20 Dhe Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive; dhe populli u shtua dhe u bë jashtëzakonisht i fortë.

21 Kështu, duke qenë se ato mami kishin frikë nga Perëndia, ky u dha familje më vete.

22 Atëherë Faraoni i dha këtë urdhër tërë popullit të tij duke thënë: "Çdo mashkull që lind, hidheni në lumë; por lini gjallë tërë femrat".

Por një njeri i shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një bijë të Levit.

Dhe gruaja u ngjiz dhe lindi një bir; dhe, duke parë që ishte i bukur, e mbajti fshehur tre muaj.

Por, kur nuk mundi ta mbante më të fshehur, mori një kanistër prej xunkthi, e leu me bitum dhe katran, vendosi në të fëmijën dhe e la në kallamishtën në bregun e lumit.

Motra e fëmijës rrinte në një farë largësie për të mësuar se çfarë do t’i ndodhte.

Por vajza e Faraonit zbriti për t’u larë në lumë, ndërsa shërbëtoret e saj shëtisnin buzë lumit. Ajo pa kanistrën në kallamishte dhe dërgoi shërbëtoren e saj ta marrë.

E hapi dhe pa fëmijën; dhe ja, i vogli po qante; asaj iu dhimbs dhe tha: Ky është një fëmijë hebree".

Atëherë motra e fëmijës i tha bijës së Faraonit: "A duhet të shkoj të thërras një tajë nga gratë hebre që ta mëndë këtë fëmijë për ty?".

E bija e Faraonit iu përgjegj: "Shko". Dhe vajza shkoi të thërrasë nënën e fëmijës.

Dhe bija e Faraonit i tha: "Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua, dhe unë do të të jap pagën tënde". Kështu gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi.

10 Kur fëmija u rrit, ajo ia çoi bijës së Faraonit; ai u bë bir i saj dhe ajo e quajti Moisi, duke thënë: "Sepse unë e nxora nga uji".

11 Në ato ditë, kur Moisiu ishte rritur, ndodhi që ai doli për të gjetur vëllezërit e tij dhe vuri re se bënin punë të rënda; dhe pa një Egjiptas që po rrihte një burrë hebre, një nga vëllezërit e tij.

12 Dhe vështroi andej e këtej dhe, duke parë se nuk kishte njeri, e vrau Egjiptasin dhe e fshehu pastaj nën rërë.

13 Ditën e nesërme doli dhe pa dy burra hebrenj që po grindeshin; ai i tha atij që kishte faj: "Pse e rreh shokun tënd?".

14 Por ai iu përgjigj: "Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? Mos do të më vrasësh siç vrave Egjiptasin?". Atëherë Moisiu u tremb, dhe tha: "Me siguri kjo gjë dihet nga të gjithë".

15 Kur Faraoni dëgjoi të flitej për ngjarjen, kërkoi të vrasë Moisiun; por Moisiu iku nga prania e Faraonit dhe u vendos në vendin e Madianit; dhe u ul afër një pusi.

16 Por prifti i Madianit kishte shtatë bija; dhe ato erdhën për të mbushur ujë dhe për të mbushur koritat për t’i dhënë të pijë kopesë së atit të tyre.

17 Por erdhën disa barinj dhe i përzunë. Atëherë Moisiu u ngrit dhe u erdhi në ndihmë, duke i dhënë të pijë kopesë së tyre.

18 Kur shkuan te Reueli, ati i tyre, ai u tha: "Vallë si u kthyet kaq shpejt sot?".

19 Ato u përgjigjën: "Një Egjiptas na liroi nga duart e barinjve; përveç kësaj mbushi ujë për ne dhe i dha të pijë kopesë".

20 Atëherë ai u tha bijave të tij: "Po ai ku është? Pse e latë këtë njeri? Thirreni, të vijë të hajë".

21 Dhe Moisiu pranoi të banojë tek ai njeri; dhe ai i dha Moisiut për grua bijën e tij, Seforën.

22 Pastaj ajo lindi një bir që ai e quajti Gershom, sepse tha: "Unë jam mik në dhe të huaj".

23 Por ndodhi që, mbas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit, dhe bijtë e Izraelit rënkonin për shkak të skllavërisë; ata bërtitën dhe britma e tyre për shkak të skllavërisë u ngjit deri tek Perëndia.

24 Kështu Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin.

25 Dhe Perëndia shikoi bijtë e Izraelit, dhe Perëndia u kujdes për ta.

Ndërkaq Moisiu po kulloste kopenë e Jethros, vjehrrit të tij dhe prift i Madianit; ai e çoi kopenë matanë shkretëtirës dhe arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.

Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishtjeje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej.

Atëherë Moisiu tha: "Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po konsumohet!".

Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: "Moisi, Moisi!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam".

Perëndia tha: "Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë".

Pastaj tha dhe këto fjalë: "Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit". Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë.

Pastaj Zoti tha: "Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij.

Kështu zbrita për ta çliruar nga dora e Egjiptasve dhe për ta çuar nga ky vend në një vend të mirë dhe të hapur, në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, në vendin ku ndodhen Kananejtë, Hitejtë, Amorejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë.

Dhe tani, ja britma e bijve të Izraelit ka arritur deri tek unë, dhe kam parë gjithashtu se si Egjiptasit i shtypin.

10 Prandaj eja dhe unë do të të dërgoj te Faraoni me qëllim që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti".

11 Por Moisiu i tha Perëndisë: "Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?".

12 Perëndia tha: "Unë do të jem me ty, dhe kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t’i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal".

13 Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: "Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: "Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju," po të jetë se ata më thonë: "Cili është emri i tij?," ç’përgjigje duhet t’u jap?".

14 Perëndia i tha Moisiut: "UNÉ JAM AI QÉ JAM". Pastaj tha: "Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: "UNÉ JAM-i më ka dërguar tek ju"".

15 Perëndia i tha akoma Moisiut: "Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhee Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë".

16 Shko dhe mblidh pleqtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit m’u shfaq, duke thënë: Unë patjetër ju kam vizituar dhe kam parë atë që ju bëjnë në Egjipt;

17 dhe kam thënë: Nga shtypja e Egjiptit do t’ju çoj në vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë".

18 Dhe ata do t’i binden zërit tënd; dhe ti dhe pleqtë e Izraelit do të shkoni te mbreti i Egjiptit dhe do t’i thoni: "Zoti, Perëndia i Hebrenjve na doli përpara; dhe tani na lër të shkojmë dhe të bëjmë tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t’i bëjmë fli Zotit, Perëndisë tonë".

19 Por unë e di që mbreti i Egjiptit nuk do t’ju lejojë të shkoni, veç po të jetë i shtrënguar nga një dorë e fuqishme.

20 Atëherë unë do të shtrij dorën time dhe do të godas Egjiptin me të gjitha mrekullitë që unë do të bëj në mes tyre; pas kësaj ai do t’ju lërë të ikni.

21 Dhe do t’i jap këtij populli të mira para syve të Egjiptasve; dhe do të ndodhë që kur të niseni, nuk do të shkoni duarbosh;

22 por çdo grua do t’i kërkojë fqinjës së saj dhe gruas që banon në shtëpinë e saj sende argjendi, sende ari dhe rroba; dhe ju do t’ua vini në shtat bijve dhe bijave tuaja; kështu do t’i zhvishni Egjiptasit".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes