Add parallel Print Page Options

Atë natë mbretin nuk e zinte gjumi. Atëherë urdhëroi që t’i sillnin librin e ngjarjeve për t’u mbajtur mend, Kronikat; dhe u lexua para mbretit.

U gjet e shkruar që Mardokeu kishte denoncuar Bigthanan dhe Tereshin, dy eunukët e mbretit midis derëtarëve, që kishin kërkuar të shtrinin dorën kundër mbretit Asuero.

Atëherë mbreti pyeti: "Çfarë nderimi dhe shpërblimi iu dha Mardokeu për këtë?". Shërbëtorët e mbretit që i shërbenin u përgjigjën: "Nuk u bë asgjë për të".

Atëherë mbreti tha: "Kush është në oborr?". (Hamani sapo kishte hyrë në oborrin e jashtëm të pallatit të mbretit, për t’i kërkuar mbretit që ta varte Mardokeun në trekëmbëshin që kishte përgatitur për të).

Shërbëtorët e mbretit iu përgjigjën: "Ja, Hamani është në oborr". Mbreti tha: "Lëreni të hyjë".

Atëherë Hamani hyri dhe mbreti i tha: "Çfarë duhet t’i bëhet një njeriu që mbreti dëshiron ta nderojë?". Hamani mendoi në zemër të vet: "Cilin do të donte të nderonte mbretin më shumë se mua?".

Hamani iu përgjigj mbretit: "Për njeriun që mbreti dëshiron të nderojë,

të merret rroba mbretërore që ka veshur mbreti dhe kali mbi të cilin ka hipur dhe të vihet mbi kokën e tij një kurorë mbretërore.

T’i dorëzohet rrobja dhe kali njerit prej princave më fisnikë të mbretit dhe t’i vishen rrobat njeriut që mbreti dëshiron të nderojë; pastaj të çohet me kalë nëpër rrugët e qytetit dhe të shpallet para tij: "Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshëron të nderojë!"".

10 Atëherë mbreti i tha Hamanit: "Shpejto, merr rroben dhe kalin, siç e the, dhe vepro kështu me Judeun Mardoke, që rri ulur pranë portës së mbretit, mos lër pa kryer asgjë nga ato që ke thënë".

11 Hamani mori, pra, rroben dhe kalin, ia veshi Mardokeut rroben dhe e çoi me kalë nëpër rrugët e qytetit, duke shpallur para tij: "Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshëron të nderojë!".

12 Pastaj Mardokeu u kthye te porta e mbretit, por Hamani nxitoi të kthehet në shtëpinë e vet, i pikëlluar dhe kokëmbuluar.

13 Hamani i tregoi bashkëshortes së tij Zeresh dhe gjithë miqve të tij të gjitha sa i kishin ngjarë. Atëherë njerëzit e urtë dhe gruaja e tij Zeresh i thanë: "Në qoftë se Mardokeu para të cilit ke filluar të biesh është nga fisi i Judejve, ti nuk do të arrish të fitosh kundër tij, por do të rrëzohesh plotësisht para tij".

14 Ata po flisnin akoma me të, kur arritën eunukët e mbretit, të cilët nxituan ta çonin Hamanin në banketin që Ester i kishte përgatitur.

Mbreti dhe Hamani shkuan, pra, në banketin bashkë me mbretëreshën Ester.

Edhe ditën e dytë, ndërsa gjatë banketit po shërbehej vera, mbreti i tha Esterit: "Cila është kërkesa jote, o mbretëreshë Ester? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Edhe sikur të jetë gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet".

Atëherë mbretëresha Ester u përgjigj: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, o mbret, dhe në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, kërkesa ime është që të më jepet jeta; dhe kërkoj që populli im të falet.

Sepse unë dhe populli im kemi qenë të shitur për t’u prishur, për t’u vrarë dhe për t’u shfarosur. Po të ishim shitur për t’u bërë skllevër dhe skllave do të kisha heshtur; por armiku nuk mund ta kompensojë kurrë dëmin që do t’i shkaktohej mbretit".

Mbreti Asuero i tha mbretëreshës Ester: "Kush është dhe ku ndodhet ai që ka guximin të bëjë një gjë të tillë?".

Esteri u përgjigj: Armiku dhe kundërshtari është ai i keqi Haman". Atëherë Hamanit i hyri tmerri në prani të mbretit dhe të mbretëreshës.

Mbreti u ngrit shumë i zemëruar nga banketi në të cilin shërbehej vera dhe shkoi në kopshtin e pallatit, ndërsa Hamani qëndroi për t’iu lutur me të madhe mbretëreshës Ester për jetën e tij, sepse e kishte kuptuar që mbreti kishte vendosur tashmë shkatërrimin e tij.

Pastaj mbreti u kthye nga kopshti i pallatit, në vendin e banketit ku shërbehej vera; ndërkaq Hamani kishte rënë mbi divanin në të cilin rrinte Esteri. Atëherë mbreti thirri: "Dashke gjithashtu të dhunosh mbretëreshën, ndërsa unë vetë jam në shtëpi?". Sa dolën këto fjalë nga goja e mbretit, ia mbuluan fytyrën Hamanit.

Pastaj Harbonahu, një nga eunukët, tha përpara mbretit: "Ja, në shtëpinë e vetë Hamanit është ngritur një trekëmbësh, i lartë pesëdhjetë kubitë, që Hamani kishte përgatitur për Mardokeun, i cili kishte folur për të mirën e mbretit". Mbreti tha: "Vareni aty këtë!".

10 Kështu Hamanin e varën në trekëmbëshin që kishte përgatitur për Mardokeun. Dhe zemërimi i mbretit u qetësua.

Po atë ditë mbreti Asuero i dha mbretëreshës Ester shtëpinë e Hamanit, armikut të Judejve; dhe Mardokeu erdhi para mbretit, të cilit Esteri i kishte shpjeguar se ç’ishte ai për të.

Kështu mbreti hoqi unazën që i kishte rimarrë Hamanit dhe ia dhe Mardokeut. Pastaj Esteri e caktoi Mardokeun mbi shtëpinë e Hamanit.

Esteri foli akoma para mbretit, ra në këmbët e tij dhe iu lut me lot ndër sy që të pengonte komplotin e keq të Hamanit, Agagitit, dhe planin që ai kishte menduar kundër Judejve.

Atëherë mbreti zgjati skeptrin prej ari në drejtim të Esterit; kështu Esteri u ngrit, mbeti në këmbë para mbretit

dhe tha: "Në se i duket mirë mbretit, në rast se kam gjetur hir në sytë e tij, në rast se çështja i duket gjithashtu e drejtë mbretit dhe në rast se gjej pëlqim nga sytë e tij, të shkruhet për të revokuar dokumentet e hartuara nga Hamani, bir i Hamedathas, Agagitit, që ai shkroi për të shkatërruar Judejtë që janë në të gjitha krahinat e mbretit.

Si do të mund të rezistoja në fakt duke parë fatkeqësinë që do të godiste popullin tim? Ose si do të mund të rezistoja duke parë shkatërrimin e fisit tim?".

Atëherë mbreti Asuero i tha mbretëreshës Ester dhe Judeut Mardoke: "Ja, unë i dhashë Esterit shtëpinë e Hamanit, dhe këtë e varën në trekëmbësh, sepse kishte dashur të shtrinte dorën e tij mbi Judejtë.

Ju vetë shkruani një dekret në favor të Judejve në emër të mbretit, si t’ju duket më mirë, dhe vuloseni me unazën mbretërore, sepse vendimi i shkruar në emër të mbretit dhe i vulosur me unazën mbretërore është i prerë".

Atëherë, më njëzet e tre të muajit të tretë, që është muaji i Sivanit, u thirrën sekretarët e mbretit dhe sipas gjithë atyre që Mardokeu kishte urdhëruar, u dërguan shkrime Judejve, satrapëve, qeveritarëve dhe krerëve të njëqind e njëzet e shtatë krahinave, nga India deri në Etiopi, çdo krahine sipas shkrimit të saj, çdo populli sipas gjuhës së tij, dhe Judejve sipas shkrimit dhe gjuhës së tyre.

10 Kështu ai shkroi në emër të mbretit Asuero, duke vënë vulën me unazën mbretërore, dhe i dërgoi dokumentet me anë të korierëve që ngisnin kuaj të shpejtë, të lindur nga kuaj të racës.

11 Me anë të këtyre dokumenteve u jepej Judejve, në çfarëdo qyteti që të ndodheshin, e drejta të bashkoheshin dhe të mbronin jetën e tyre, duke shkatërruar, duke vrarë dhe duke shfarosur tërë njerëzit e armatosur të çfarëdo populli o krahine që t’i sulmonin, duke përfshirë fëmijët dhe gratë, dhe të plaçkisnin pasuritë e tyre,

12 në një ditë të vetme, në të gjitha krahinat e mbretit Asuero: ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit.

13 Një kopje e dekretit, i shpallur si ligj në çdo krahinë, duhet të nxirrej për të gjithë popujt, me qëllim që Judejtë të ishin gati për atë ditë të hakmerreshin kundër armiqve të tyre.

14 Kështu korierët të hipur mbi kuaj të shpejtë u nisën të nxitur dhe të shtypur nga urdhri i mbretit; dhe dekreti u nxuar në qytetin e Suzës.

15 Mardokeu doli nga prania e mbretit me një rrobe mbretërore të purpurt dhe prej liri të bardhë, me një kurorë të madhe prej ari dhe një mantel prej pëlhure liri në ngjyrë të kuqe flakë; në qytetin e Suzës dëgjoheshin britma gëzimi dhe ai ishte në festë.

16 Për Judejtë ishte dritë, gëzim, gaz dhe lavdi.

17 Në çdo krahinë dhe në çdo qytet, kudo që arrinte urdhri i mbretit dhe dekreti i tij, për Judejtë kishte gëzim dhe ngazëllim, bankete dhe ditë të lumtura. Dhe shumë nga pjestarët e popujve të vendit u bënë Judej, sepse tmerri i Judejve i kishte zënë.

Muajin e dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit, ditën e trembëdhjetë të muajit, kur duhet të zbatoheshin urdhri dhe dekreti i mbretit, dita në të cilën armiqtë e Judejve shpresonin të sundonin mbi ta, situata u përmbys krejt dhe Judejtë sunduan mbi armiqtë e tyre.

Judejtë u mblodhën në qytetet e tyre, në të gjitha krahinat e mbretit Asuero, për të shtrirë dorën kundër atyre që kërkonin t’u bënin keq; dhe askush nuk mundi t’u rezistonte atyre, sepse tmerri i Judejve i kishte zënë tërë popujt.

Tërë krerët e krahinave, satrapët, qeveritarët dhe ata që merreshin me punët e mbretit i përkrahën Judejtë, sepse tmerri i Mardokeut i kishte zënë.

Në fakt Mardokeu ishte i madh në pallatin e mbretit, dhe fama e tij përhapej në të gjitha krahinat, sepse ky njeri, Mardokeu, bëhej gjithnjë më i madh.

Kështu Judejtë goditën tërë armiqtë e tyre, duke i kaluar në tehun e shpatës dhe duke kryer një kërdi dhe një shkatërrim të madh; u sollën si deshën me armiqtë e tyre.

Në qytetin e Suzës Judejtë vranë dhe shfarosën pesëqind njerëz;

vranë edhe Parshandathan, Dalfonin, Aspathan,

Porathan, Adalian, Aridathan,

Parmashtan, Arisain, Aridain dhe Vajezathan,

10 dhjetë bijtë e Hamanit, birit të Hamedathas, armiku i Judejve, por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

11 Po atë ditë numri i atyre që ishin vrarë në qytetin e Suzës iu njoftua mbretit.

12 Mbreti i tha atëherë mbretëreshës Ester: "Në qytetin e Suzës Judejte kanë vrarë dhe shfarosur pesëqind njerëz dhe dhjetë bij të Hamanit; çfarë kanë bërë vallë në krahinat e tjera të mbretit? Tani cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë tjetër kërkon? Do të bëhet".

13 Atëherë Esteri tha: "Në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, le të lejohen Judejtë që janë në Suzë të bëjnë edhe nesër atë që është dekretuar për sot; dhe të varen në trekëmbësh të dhjetë bijtë e Hamanit".

14 Mbreti urdhëroi që të veprohej pikërisht kështu. Dekreti u nxuarr në Suza dhe dhjetë bijtë e Hamanit u varën në trekëmbësh.

15 Judejtë që ishin në Suza u mblodhën edhe ditën e katërmbëdhjetë të muajit të Adarit dhe vranë në Suza treqind njerëz; por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

16 Edhe Judejtë e tjerë që ishin në krahinat e mbretit u mblodhën, për të mbrojtur jetën e tyre dhe për të qenë të sigurt nga sulmet e armiqve të tyre; vranë shtatëdhjetë e pesë mijë nga ata që i urrenin, por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

17 Kjo ndodhi ditën e trembëdhjetë të muajit të Adarit; ditën e katërmbëdhjetë u çlodhën dhe e kthyen në një ditë banketi e gëzimi.

18 Judejtë që ishin në Suza u grumbulluan përkundrazi ditën e trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë; ditën e pesëmbëdhjetë të muajit u çlodhën, e bënë ditë banketi dhe gëzimi.

19 Për këtë arësye Judejtë e fushës, që banojnë në qytete pa mure, e kanë bërë ditën e katërmbëdhjetë të muajit të Adarit një ditë gëzimi, banketesh dhe feste, dhe në këtë ditë i dërgojnë dhurata njeri-tjetrit.

20 Mardokeu i shkroi tërë këto gjëra dhe u dërgoi letra tërë Judejve që ishin në të gjitha krahinat e mbretit Asuero, afër dhe larg,

21 për t’i urdhëruar të kremtonin çdo vit ditën e katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë të muajit të Adarit,

22 si ditët gjatë të cilave Judejtë patën pushim nga sulmet e armiqve të tyre, dhe si muaji në të cilin dhembja e tyre u kthye në gëzim dhe zia në festë, dhe kështu ato t’i bënin ditë banketi e gëzimi, gjatë të cilave t’i dërgonin dhurata njeri-tjetrit dhe t’u bënin dhurata të varfërve.

23 Judejtë u zotuan të respektonin atë që kishin filluar të bënin, ashtu si u kishte shkruar atyre Mardokeu.

24 Në fakt Hamani, bir i Hamedathas, Agagitit, armiku i të gjithë Judejve, kishte komplotuar kundër Judejve për t’i shkatërruar dhe kishte hedhur Purin (domethënë kishte hedhur shortin), për t’i shfarosur dhe për t’i shkatërruar.

25 Por kur Esteri u paraqit para mbretit, ky urdhëroi me shkrim që komploti i keq që Hamani kishte kurdisur kundër Judejve të binte mbi kryet e tij dhe që ai dhe bijtë e tij të vareshin në trekëmbësh.

26 Prandaj ato ditë u quajtën Purim, nga fjala Pur. Në përshtatje, pra, me të gjitha ato që ishin shkruar në atë letër, me të gjitha ato që kishin parë lidhur me këtë dhe me ato që kishin ndodhur,

27 Judejtë vendosën të zotoheshin pa iu shmangur për vete, për pasardhësit e tyre dhe për të gjithë ata që do të bashkoheshin me ta, të kremtonin çdo vit këto dy ditë sipas udhëzimeve të shkruara dhe kohës së caktuar.

28 Ato ditë duhet të kujtoheshin dhe të kremtoheshin brez pas brezi, në çdo familje, në çdo krahinë, në çdo qytet; në asnjë mënyrë Judejtë nuk duhet të hiqnin dorë nga kremtimi i këtyre ditëve të Purimit, dhe kujtimi i tyre nuk duhet të zhdukej te pasardhësit e tyre.

29 Mbretëresha Ester, bijë e Abihailit, dhe Judeu Mardoke shkruan me autoritet të plotë letrën e tyre të dytë lidhur me Purimin.

30 Mardokeu u dërgoi letra tërë Judejve në njëqind e njëzet e shtatë krahina të mbretërisë së Asueros, me fjalë paqeje dhe të së vërtetës.

31 për t’i vendosur ato ditë të Purimit në kohën e caktuar, siç i kishin vendosur atyre Judeu Mardoke dhe mbretëresha Ester ashtu si kishin vendosur ata vetë për vete dhe për pasardhësit e tyre me rastin e agjerimit të tyre dhe të britmës së tyre.

32 Kështu dekreti i Esterit fiksoi caktimin e Purimit dhe u shkrua në një libër.

10 Mbreti Asuero i vuri një haraç vendit dhe ishujve të detit.

Gjithë faktet e forcës dhe fuqisë së tij dhe përshkrimi i kujdesshëm i Mardokeut, i cili u ngrit nga mbreti, a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Medisë dhe të Persisë?

Judeu Mardoke vinte i dyti në fakt mbas mbretit Asuero, i madh midis Judejve dhe i dashur nga moria e vëllezërve të tij; ai kërkonte të mirën e popullit të tij dhe kishte fjalë paqeje për gjithë fisin e tij.