A A A A A
Bible Book List

Ester 4-6Albanian Bible (ALB)

Kur Mardokeu mësoi të gjitha ato që kishin ndodhur, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe me hi dhe doli nëpër qytet, duke lëshuar britma të forta dhe plot hidhërim;

dhe arriti deri te porta e mbretit, sepse nuk lejohej që asnjeri i mbuluar me thes të hynte te porta e mbretit.

Në çdo krahinë, ku arritën urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij, pati një keqardhje të madhe për Judejtë, me agjerime, me të qara dhe vajtime; dhe shumë njerëz u mbuluan me një thes dhe me hi.

Vajzat e Esterit dhe eunukët e saj erdhën t’ia njoftojnë ngjarjen, dhe mbretëresha u angështua shumë; pastaj i dërgoi rroba Mardokeut, që t’i vishte dhe të hiqte nga trupi i tij thesin, por ai nuk i pranoi.

Atëherë Esteri thirri Hathakun, njerin nga eunukët e mbretit të caktuar prej tij t’i shërbenin asaj dhe e urdhëroi të shkonte te Mardokeu për të mësuar se çfarë gjë e brengoste dhe për ç’arësye.

Kështu Hathaku shkoi te Mardokeu në sheshin e qytetit, që ndodhej përballë portës së mbretit.

Mardokeu i tregoi tërë ato që i kishin ndodhur dhe përmëndi gjithashtu shumën e parave që Hamani kishte premtuar të derdhte në thesarin mbretëror për të siguruar shkatërrimin e Judejve;

i dha gjithashtu një kopje të tekstit të dekretit që ishte shpallur në Suzë për shfarosjen e tyre, me qëllim që t’ia tregonte Esterit, t’ia shpjegonte asaj dhe ta urdhëronte të shkonte te mbreti për ta lutur me të madhe dhe për të ndërhyrë pranë tij në favor të popullit të tij.

Kështu Hathaku u kthye tek Esteri dhe i njoftoi fjalët e Mardokeut.

10 Atëherë Esteri i foli Hathakut dhe e urdhëroi të shkonte e t’i thoshte Mardokeut:

11 "Tërë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e dinë që cilido burrë ose grua që hyn në oborrin e brendshëm për të shkuar te mbreti, pa qenë i thirrur, duhet të dënohet me vdekje, në bazë të një ligji të veçantë, veç po të jetë se mbreti shtrin ndaj tij skeptrin e tij prej ari; vetëm kështu ai do të shpëtojë jetën e tij. Dhe kaluan tanimë tridhjetë ditë që nuk jam thirrur për të shkuar te mbreti".

12 Kështu ia njoftuan Mardokeut fjalët e Esterit,

13 dhe Mardokeu iu përgjigj Esterit: "Mos mendo se do të shpëtosh vetëm ti nga gjithë Judejtë, sepse ndodhesh në pallatin e mbretit.

14 Sepse po të jetë se ti hesht në këtë moment, ndihma dhe çlirimi do të vijnë për Judejtë nga një anë tjetër; por ti dhe shtëpia e atit tënd do të shuheni. Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?".

15 Atëherë Esteri urdhëroi t’i përgjigjeshin Mardokeut kështu:

16 "Shko, mblidh tërë Judejtë që ndodhen në Suzë, dhe agjeroni për mua; rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjerojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes".

17 Mardokeu iku dhe bëri të gjitha gjërat që Esteri kishte urdhëruar.

Ditën e tretë, Esteri veshi rrobën mbretërore dhe u paraqit në oborrin e brendshëm të pallatit të mbretit, përballë apartamentit të mbretit. Mbreti ishte ulur mbi fronin mbretëror në pallatin mbretëror, përballë hyrjes së pallatit.

Sa e pa mbreti mbretëreshën Ester më këmbë në oborr, ajo fitoi simpatinë e tij. Kështu mbreti zgjati në drejtim të Esterit skeptrin prej ari që mbante në dorë, dhe Esteri u afrua dhe preku majën e skeptrit.

Atëherë mbreti i tha: "Çfarë do, mbretëreshë Ester? Cila është kërkesa jote? Edhe sikur të jetë gjysma e mbretërisë sime, do të të jepet".

Esteri u përgjigj: "Në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, le të vijë sot mbreti me Hamanin në banketin që i kam përgatitur".

Atëherë mbreti tha: "Silleni shpejt Hamanin, që të bëhet ç’ka thënë Esteri". Kështu mbreti dhe Hamani shkuan në banketin që Esteri kishte përgatitur.

Ndërsa po shërbehej vera gjatë banketit, mbreti i tha Esterit: "Cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Qoftë edhe gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet".

Esteri u përgjigj dhe tha: "Ja, kërkesa ime ajo që po kërkoj:

Në qoftë se kam gjetur hir në sytë e mbretit dhe në qoftë se mbretit i pëlqen të plotësojë kërkesën time dhe të më japë atë që kërkoj, le të vijë mbreti me Hamanin në banketin që unë do t’u përgatis atyre, dhe nesër kam për të bërë ashtu si ka thënë mbreti".

Atë ditë Hamani doli gjithë qejf dhe me zemër të kënaqur, por kur Hamani në portën e mbretit pa Mardokeun që as ngrihej as lëvizte para tij, u zemërua shumë me të.

10 Megjithatë Hamani e mbajti veten, shkoi në shtëpi dhe dërgoi të thërrasin miqtë e tij dhe Zereshin, bashkëshorten e tij.

11 Pastaj Hamani u foli atyre mbi shkëlqimin e pasurive të tij, mbi numrin e madh të bijve të tij, mbi të gjitha gjërat me të cilat mbreti e kishte nderuar, dhe si e kishte ngritur mbi princat dhe shërbëtorët e mbretit.

12 Hamani shtoi gjithashtu: "Edhe mbretëresha Ester nuk ka sjellë bashkë me mbretin në banket askënd tjetër veç meje; edhe nesër më ka ftuar ajo bashkë me mbretin.

13 Por tërë kjo nuk më mjafton deri sa do të shoh Mardokeun Judeun të ulur para portës së mbretit".

14 Aëherë bashkëshortja e tij Zeresh dhe tërë miqtë e tij i thanë: "Të përgatitet një trekëmbësh i lartë pesëdhjetë kubitë; nesër në mëngjes i thuaj mbretit që aty të varet Mardokeu; pastaj shko i kënaqur në banket me mbretin". Kjo gjë i pëlqeu Hamanit, që bëri të përgatitet trekëmbëshi.

Atë natë mbretin nuk e zinte gjumi. Atëherë urdhëroi që t’i sillnin librin e ngjarjeve për t’u mbajtur mend, Kronikat; dhe u lexua para mbretit.

U gjet e shkruar që Mardokeu kishte denoncuar Bigthanan dhe Tereshin, dy eunukët e mbretit midis derëtarëve, që kishin kërkuar të shtrinin dorën kundër mbretit Asuero.

Atëherë mbreti pyeti: "Çfarë nderimi dhe shpërblimi iu dha Mardokeu për këtë?". Shërbëtorët e mbretit që i shërbenin u përgjigjën: "Nuk u bë asgjë për të".

Atëherë mbreti tha: "Kush është në oborr?". (Hamani sapo kishte hyrë në oborrin e jashtëm të pallatit të mbretit, për t’i kërkuar mbretit që ta varte Mardokeun në trekëmbëshin që kishte përgatitur për të).

Shërbëtorët e mbretit iu përgjigjën: "Ja, Hamani është në oborr". Mbreti tha: "Lëreni të hyjë".

Atëherë Hamani hyri dhe mbreti i tha: "Çfarë duhet t’i bëhet një njeriu që mbreti dëshiron ta nderojë?". Hamani mendoi në zemër të vet: "Cilin do të donte të nderonte mbretin më shumë se mua?".

Hamani iu përgjigj mbretit: "Për njeriun që mbreti dëshiron të nderojë,

të merret rroba mbretërore që ka veshur mbreti dhe kali mbi të cilin ka hipur dhe të vihet mbi kokën e tij një kurorë mbretërore.

T’i dorëzohet rrobja dhe kali njerit prej princave më fisnikë të mbretit dhe t’i vishen rrobat njeriut që mbreti dëshiron të nderojë; pastaj të çohet me kalë nëpër rrugët e qytetit dhe të shpallet para tij: "Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshëron të nderojë!"".

10 Atëherë mbreti i tha Hamanit: "Shpejto, merr rroben dhe kalin, siç e the, dhe vepro kështu me Judeun Mardoke, që rri ulur pranë portës së mbretit, mos lër pa kryer asgjë nga ato që ke thënë".

11 Hamani mori, pra, rroben dhe kalin, ia veshi Mardokeut rroben dhe e çoi me kalë nëpër rrugët e qytetit, duke shpallur para tij: "Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshëron të nderojë!".

12 Pastaj Mardokeu u kthye te porta e mbretit, por Hamani nxitoi të kthehet në shtëpinë e vet, i pikëlluar dhe kokëmbuluar.

13 Hamani i tregoi bashkëshortes së tij Zeresh dhe gjithë miqve të tij të gjitha sa i kishin ngjarë. Atëherë njerëzit e urtë dhe gruaja e tij Zeresh i thanë: "Në qoftë se Mardokeu para të cilit ke filluar të biesh është nga fisi i Judejve, ti nuk do të arrish të fitosh kundër tij, por do të rrëzohesh plotësisht para tij".

14 Ata po flisnin akoma me të, kur arritën eunukët e mbretit, të cilët nxituan ta çonin Hamanin në banketin që Ester i kishte përgatitur.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes