Add parallel Print Page Options

Kështu unë e mendova gjithë këtë në zemrën time për të kërkuar ta qartësoj; që të drejtët dhe të urtët dhe veprat e tyre janë në duart e Perëndisë. Njeriu nuk njeh as dashurinë as urrejtjen; gjithçka është para tij.

Çdo gjë u ndodh në mënyrë të njëllojtë të gjithëve: i njëjti fat pret të drejtin dhe të pabesin, të mirin, të pastrin dhe të papastrin, atë që ofron flijime dhe atë që nuk i ofron. Si i miri është edhe mëkatari, dhe ai që betohet si ai që ka frikë të betohet.

Kjo është një e keqe që bëhet nën diell; të gjithë kanë të njëjtin fat, dhe përveç kësaj zemra e bijve të njerëzve është plot ligësi dhe marrëzia qëndron në zemrën e tyre për deri sa jetojnë; pastaj shkojnë te të vdekurit.

Për deri sa njeriu është i bashkuar me gjithë të gjallët e tjerë ka shpresë, sepse një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur.

Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet.

Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë, dhe ata nuk do të kenë asnjë pjesë në të gjitha ato që bëhet nën diell.

Shko, ha bukën tënde me gëzim dhe pi verën tënde me zemër të gëzuar, sepse Perëndia i ka pëlqyer veprat e tua.

Rrobat e tua qofshin të bardha në çdo kohë dhe vaji mos mungoftë kurrë mbi kokën tënde.

Gëzoje jetën me gruan që do për të gjitha ditët e jetës tënde të kotësisë, që ai të ka dhënë nën diell për të gjitha ditët e kotësisë, sepse kjo është pjesa që të takon në jetë dhe në mundin që kryen nën diell.

10 Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.

11 Gjithashtu pashë nën diell që vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë as beteja nga të fortët; as buka nuk u shkon të urtëve, as pasuritë njerëzve të zgjuar, as favori atyre që janë të shkathët, por të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë.

12 Sepse njeriu nuk e njeh orën e tij; ashtu si peshqit që kapen në një rjetë mizore dhe si zogjtë që kapen në një kurth, kështu bijtë e njerëzve kapen në kurth në kohën e fatkeqësisë, kur ajo bie papritur mbi ta.

13 E pashë edhe këtë shembull të diturisë nën diell dhe m’u duk i madh.

14 Ishte një qytet i vogël me pak njerëz brenda; një mbret i madh doli kundra, e rrethoi dhe ndërtoi bastione të mëdha.

15 Por gjendej në të një njeri i varfër dhe i urtë, i cili me diturinë e tij e shpëtoi qytetin. Megjithatë asnjeri nuk u kujtua për këtë njeri të varfër.

16 Atëherë unë thashë: "Dituria vlen më shumë se forca; por dituria e të varfërit përbuzet dhe fjalët e tij nuk dëgjohen".

17 Fjalët e të urtëve që thuhen shtruar dëgjohen më mirë se britmat e atij që sundon mbi budallenjtë.

18 Dituria vlen më tepër se armët e luftës, por një mëkatar i vetëm shkatërron një të mirë të madhe.

10 Mizat e ngordhura e qelbin vajin e parfumierit; kështu pak marrëzi prish vlerën e diturisë dhe të lavdisë.

Zemra e të urtit është në të djathtë të tij, por zemra e budallait është në të majtë të tij.

Edhe kur budallai ecën rrugës, arsyeja i mungon dhe u tregon të gjithëve se është budalla.

Në qoftë se zemërimi i një mbreti ndizet kundër teje, mos e lër vendin tënd, sepse gjakftohtësia i fashit fyerjet edhe kur janë të rënda;

Éshtë një e keqe që kam parë nën diell, një gabim që vjen nga ai që qeveris;

marrëzia është vënë në detyra të larta, ndërsa të pasurit ulen në vënde të ulëta.

Kam parë shërbëtorë mbi kuaj dhe princa të ecin më këmbë si shërbëtorë.

Kush çel një gropë mund të bjerë brënda dhe kush rrëzon një mur mund të kafshohet nga një gjarpër.

Kush zhvendos gurë mund të plagoset dhe kush çan drutë vihet në rrezik.

10 Në qoftë se sëpata topitet dhe nuk mprehet, duhet të përdoret me më tepër forcë; por dituria ka epërsinë t’ia dalë gjithnjë mbarë.

11 Në qoftë se gjarpëri kafshon sepse nuk është magjepsur, magjistari bëhet i kotë.

12 Fjalët e gojës të të urtit janë plot hir, por buzët e budallait e shkatërrojnë.

13 Fillimi i ligjëratës së tij është budallallëk dhe fundi është marrëzi e dëmshme.

14 Edhe sikur budallai t’i shumojë fjalët e tij, njeriu nuk di se çfarë do të ndodhë; kush mund t’i thotë çfarë do të ndodhë pas tij?

15 Lodhja e budallait e rraskapit, sepse ai nuk di as si të shkojë në qytet.

16 Mjerë ti, o vend, mbreti i të cilit është një fëmijë dhe princat e tij ia shtrojnë që në mëngjes!

17 Lum ti, o vend, që ke mbret nga një soj fisnik, dhe princa që hanë në kohën e duhur për të vënë në vend forcat e tyre dhe jo për t’u dehur!

18 Për shkak të përtacisë trarët e shtëpisë rrëzohen dhe gjerbon për shkak të plogështisë së duarve.

19 Një banket shtrohet për t’u dëfryer dhe vera i jep gaz jetës, por paraja i përgjigjet çdo nevojtari.

20 Mos mallko mbretin as me mend dhe mos mallko të pasurin në dhomën tënde të fjetjes, sepse një zog i qiellit mund ta çojë larg zërin tënd, dhe një zog që fluturon mund ta bëjë të ditur këtë gjë.

11 Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri.

Jepu pjesë shtatë, madje edhe tetë vetave, sepse ti nuk e di se çfarë fatkeqësie mund të të ndodhë mbi tokë.

Në rast se retë janë plot me shi, e derdhin mbi tokë; dhe në rast se një dru bie në jug apo në veri, ai mbetet aty ku bie.

Kush e ka mendjen te era nuk ka për të mbjellë dhe kush rri e shikon retë nuk ka për të korrur.

Ashtu si ti nuk njeh rrugën e erës dhe mënyrën si formohen kockat në barkun e gruas me barrë, kështu ti nuk e njeh veprën e Perëndisë që bën gjithçka.

Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë, sepse ti nuk e di se cili nga të dy do të dalë më mirë; ky apo ai, apo do të jenë të mirë që të dy.

Drita është e ëmbël dhe është diçka e këndshme për sytë që shohin diellin.

Edhe kur një njeri të jetojë shumë vjet, le t’i gëzojë të gjitha, por le të mendojë edhe për ditët e territ që do të jenë të shumta; të gjitha ato që do të ndodhin janë kotësi.

Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinisë sate; ndiq edhe rrugët e zemrës sate dhe pamjen e syve të tu, por dije që për të gjitha këto gjëra Perëndia do të të thërrasë në gjyq.

10 Elimino nga zemra jote trishtimin, dhe largo nga trupi yt dhembjen, sepse rinia dhe mituria janë kotësi.

12 Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: "Nuk gjej asnjë kënaqësi në to,"

para se të errësohet dielli, drita, hëna dhe yjet, dhe të kthehen retë pas shiut;

në moshën gjatë së cilës rojtarët e shtëpisë dridhen, njerëzit e fortë përkulen, ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak, ata që shikojnë nga dritaret errësohen

dhe portat mbi rrugë mbyllen; kur pakësohet zhurma e mokrës, dikush çohet me këngën e një zogu, dhe gjithë bijat e këngës dobësohen;

kur dikush ka frikë nga lartësitë dhe nga tmerret e rrugës; kur bajamja lulëzon, karkaleci është një peshë, dhe dëshira pakësohet, sepse njeriu shkon në banesën e tij të përjetshme dhe qaramanët enden rrugëve.

Kujto Krijuesin tënd përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus,

dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.

"Kotësi e kotësive," thotë Predikuesi, "gjithçka është kotësi".

Predikuesi, përveç se ka qenë një i urtë, i ka mësuar gjithashtu popullit dijen dhe ka peshuar, ka kërkuar dhe ka renditur një numër të madh fjalësh të urta.

10 Predikuesi është përpjekur të gjejë fjalë të këndshme; dhe gjërat e shkruara janë të drejta dhe të vërteta.

11 Fjalët e të urtëve janë si hostenë dhe ato që mbledhin njerëzit e ditur janë si gozhda të ngulura mirë; ato jepen nga një Bari i vetëm.

12 Biri im, ruhu nga çdo gjë që del jashtë kësaj. Shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë, dhe studimi i tepërt e lodh trupin.

13 Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: "Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut".

14 Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.