Add parallel Print Page Options

Ki kujdes hapat e tua kur shkon te shtëpia e Perëndisë; afrohu për të dëgjuar në vend që të ofrosh flijimin e budallenjve, të cilët as nuk dinë që veprojnë keq.

Mos u nxito me gojën tënde, dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë asnjë fjalë përpara Perëndisë, sepse Perëndia është në qiell dhe ti mbi tokë; prandaj fjalët e tua të jenë të pakta.

Sepse nga punët e shumta vijnë ëndrrat, dhe nga fjalët e shumta zëri i budallait.

Kur i ke bërë një zotim Perëndisë mos humb kohë ta plotësosh, sepse ai nuk kënaqet me budallenjtë; plotëso zotimin që ke marrë.

Më mirë të mos marrësh zotime se sa t’i bësh dhe të mos i plotësosh.

Mos lejo që goja jote ta çojë trupin tënd të mëkatojë dhe mos thuaj para lajmëtarit të Perëndisë: "Ka qenë gabim". Pse Perëndia duhet të zemërohej me fjalët e tua dhe të shkatërronte veprën e duarve të tua?

Sepse në ëndrrat e shumta dhe në fjalët e shumta ka kotësi; por ti ke frikë nga Perëndia.

Në rast se në provincë sheh shtypjen e të varfërit dhe shkeljen me dhunë të së drejtës dhe të drejtësisë, mos u habit nga kjo gjë; sepse mbi një pushtet të lartë ndodhet një më i lartë dhe mbi ta disa pushtete akoma më të larta.

Toka ofron përfitime më të mëdha se çdo gjë tjetër, dhe vetë mbreti shërbehet nga fusha.

10 Kush është i dhënë pas parasë, nuk ngopet kurrë me para, dhe kush dëshiron pasuritë nxjerr përfitim prej tyre. Edhe kjo është kotësi.

11 Kur rritet pasuria, shtohen edhe ata që e përpijnë; dhe çfarë përfitimi kanë prej saj pronarët, veç asaj që e shohin me sytë e tyre?

12 I ëmbël është gjumi i punonjësit, qoftë edhe kur ha pak ose shumë; por velitja e të pasurit nuk e lë atë të flerë.

13 Éshtë një e keqe tjetër e vajtueshme që kam parë nën diell: pasuritë e ruajtura për pronarin e tyre në dëm të tij.

14 Këto pasuri humbasin për shkak të një pune të keqe, dhe kështu në duart e birit që ka lindur nuk mbetet më asgjë.

15 Ashtu si ka dalë nga barku i nënës, kështu lakuriq do të kthehet për të shkuar si pati ardhur, pa marrë gjë nga mundi i tij që mund ta marrë me vete.

16 Edhe kjo është një e keqe e vajtueshme që duhet të shkojë pikërisht ashtu si ka ardhur; dhe çfarë përfitimi ka se është munduar për erën?

17 Përveç kësaj ai ha çdo ditë të jetës së tij në errësirrë, dhe ka shumë hidhërime, sëmundje dhe telashe.

18 Ja çfarë kuptova: është mirë dhe e përshtatshme për njeriun të hajë, të pijë dhe të gëzojë të mirën e gjithë mundit të tij nën diell, tërë ditët e jetës që Perëndia i jep, sepse kjo është pjesa e tij.

19 Çdo njeriu të cilit Perëndia i jep pasuri dhe të mira dhe të cilit i jep gjithashtu mundësinë t’i gëzojë ato, të marrë pjesën e vet dhe të gëzojë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.

20 Në fakt ai nuk do të kujtojë shumë ditët e jetës së tij, sepse Perëndia i përgjigjet me gëzimin e zemrës së tij.

Éshtë një e keqe tjetër që kam parë nën diell dhe që është e përhapur midis njerëzve:

dikujt Perëndia i ka dhënë pasuri, të mira dhe lavdi, dhe nuk i mungon asgjë nga gjithë ato që mund të dëshirojë, por Perëndia nuk i jep mundësinë t’i gëzojë, por i gëzon një i huaj. Kjo është kotësi dhe një e keqe e madhe.

Në qoftë se dikujt i lindin njëqind bij dhe jeton shumë vite dhe të shumta janë ditët e viteve të tij, por shpirti i tij nuk ngopet me të mira dhe nuk ka as varr unë them se një dështim është më i lumtur se ai;

sepse ka ardhuar më kot dhe po ikën në terr, dhe emri i tij është mbuluar nga terri.

Edhe sikur të mos e ketë parë as njohur diellin, megjithatë ka më shumë pushim se tjetri.

Po, edhe sikur të duhej të jetonte dy herë një mijë vjet, por pa mundur të gëzojë të mirat e tij. A nuk mbarojnë të gjitha në po atë vend?

Tërë mundi i njeriut është për gojën e tij, megjithatë oreksi i tij nuk ngopet kurrë.

Ç’përfitim ka i urti mbi budallanë? Ç’përfitim ka i varfëri në rast se di të ecë përpara njerëzve të gjallë?

Éshtë më mirë të shikosh me sy se sa të endesh me dëshirën. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.

10 Ajo që është, prej kohe është quajtur me emrin e vet dhe dihet se ç’është njeriu, dhe që nuk mund të hahet me atë që është më i fortë se ai.

11 Duke qenë se ka shumë gjëra që e shtojnë kotësinë, çfarë përfitimi ka prej tyre njeriu?

12 Kush e di në fakt ç’është e mirë për njeriun në këtë jetë, gjatë tërë ditëve të jetës së tij të kotë që ai i kalon si një hije? Kush mund t’i thotë njeriut çfarë ka për të ndodhur pas tij nën diell?

Një emër i mirë pëlqehet më tepër se një vaj i parfumuar, dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes.

Éshtë më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi se sa të shkosh në një shtëpi ku ka festë, sepse ky është fundi i çdo njeriu, dhe kush rron ka për të vënë mend.

Trishtimi është më i mirë nga gazi, sepse përpara një fytyre të trishtuar zemra bëhet më e mirë.

Zemra e të urtit është në shtëpinë ku mbahet zi, por zemra e budallenjve është në një shtëpi të gëzuar.

Éshtë më mirë për dikë të dëgjojë qortimin e të urtit se sa të dëgjojë këngën e budallenjve,

sepse ashtu siç është kërcitja e shkurreve nën një tenxhere, kështu është e qeshura e budallait. Edhe kjo është kotësi.

Me siguri shtypja e bën të pamend njeriun e urtë, dhe dhurata bën që të humbasë arsyen.

Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj, dhe më mirë ai që ka frymë të durueshëm se ai që ka frymë krenar.

Mos u nxito në frymën tënd të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.

10 Mos thuaj: "Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?," sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.

11 Dituria është e mirë bashkë me një pasuri dhe u sjell përfitime atyre që shohin diellin.

12 Sepse dituria është një mbrojtje ashtu si është paraja; por epërsia e diturisë qëndron në këtë; dituria i bën të jetojnë ata që e zotërojnë.

13 Konsideroje veprën e Perëndisë: kush mund të drejtojë atë që ai ka bërë të shtrëmbër?

14 Në ditën e bollëkut ji i gëzuar, por në ditën e fatkqësisë mendohu thellë. Perëndia ka bërë si njerën ashtu dhe tjetrën, me qëllim që njeriu të mos zbulojë asgjë nga ato që do të ndodhin pas tij.

15 Pashë gjithçka në ditët e kotësisë sime. Ndodh që i drejti të vdesë në drejtësinë e vet dhe që i pabesi të jetojë gjatë në ligësinë e tij.

16 Mos ji tepër i drejtë as i urtë jashtë mase. Pse kërkon të shkatërohesh?

17 Mos ji tepër i keq dhe mos u trego budalla. Pse kërkon të vdesësh para kohës sate?

18 Éshtë mirë që ti të kapesh pas kësaj gjëje dhe të mos heqësh dorë prej saj, sepse ai që ka frikë Perëndinë do t’u shmanget tërë këtyre gjërave.

19 Dituria e bën të urtin më të fortë se dhjetë të fuqishëm në një qytet.

20 Nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë.

21 Përveç kësaj mos u vër veshin tërë fjalëve që thuhen, që të mos mallkohesh nga shërbëtori yt,

22 sepse zemra jote gjithashtu e di që ti vet i ke mallkuar shumë herë të tjerët.

23 Unë i hetova të gjitha këto gjëra me dituri. Thashë: "Do të bëhem i urtë," por dituria është mjaft larg nga unë.

24 Një gjë që është kaq larg dhe kaq e thellë, kush mund ta gjejë?

25 Atëherë e vura zemrën time të njohë, të hetojë dhe të kërkojë diturinë dhe shkakun e gjërave dhe të njohë ligësinë e marrëzisë dhe budallallëkun e marrëzisë;

26 dhe gjeta një gjë më të hidhur se vdekja; gruan zemra e së cilës është kurth dhe grackë dhe duart e së cilës janë pranga. Kush i pëlqen Perëndisë i shpëton asaj; por mëkatari do të kapet nga ajo.

27 Ja ajo që gjeta," thotë Predikuesi, "duke i shqyrtuar një për një gjërat, për të gjetur shkakun e tyre.

28 Atë që unë po kërkoj ende, por nuk e kam gjetur; një burrë ndër një mijë e gjeta, por një grua në mes gjithë atyre nuk e gjeta.

29 Ja, vetëm këtë gjeta: Perëndia e ka bërë njeriun të drejtë, por njerëzit kanë kërkuar shumë marifete.

Kush është si i urti? Kush e njeh interpretimin e sendeve? Dituria e njeriut bën që të shkëlqejë fytyra e tij dhe e ndryshon ashpërsinë e fytyrës së tij.

Unë të jap një këshillë: respekto urdhërin e mbretit për shkak të betimit të bërë Perëndisë.

Mos u nxito të largohesh nga prania e tij dhe mos ngul këmbë në një gjë të keqe, sepse ai bën të gjitha gjërat që i pëlqen.

Në fakt fjala e mbretit është e fuqishme; dhe kush mund t’i thotë: "Çfarë po bën?".

Kush respekton urdhërin e tij nuk do të pësojë asnjë të keqe; zemra e njeriut të urtë di në fakt të dallojë kohën dhe gjykimin,

sepse për çdo gjë ka një kohë dhe një gjykim, dhe ligësia e njeriut rëndon shumë mbi të.

Sepse ai nuk e di çfarë ka për të ndodhur; kush në fakt do t’i tregojë si do të venë gjërat?

Nuk ka njeri që të ketë pushtet mbi frymën për ta përmbajtur, apo të ketë pushtet mbi ditën e vdekjes. Nuk ka leje në betejë, dhe padrejtësia nuk mund të shpëtojë atë që e kryen.

E pashë tërë këtë gjë dhe vura mend për të gjitha gjërat që bëhen nën diell; ka një kohë kur një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.

10 Pastaj pashë të pabesët që u varrosën, të cilët kishin hyrë dhe kishin dalë nga vendi i shenjtë; edhe ata ishin harruar në qytetin ku kishin bërë këto gjëra. Edhe kjo është kotësi.

11 Sepse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen.

12 Edhe në qoftë se mëkatari bën njëqind herë të keqen dhe i zgjat ditët e tij, megjithatë, unë e di që do të kenë të mirën ata që kanë frikë nga Perëndia, që kanë frikë para tij.

13 Por nuk ka të mirë për të pabesin, dhe nuk ka për t’i zgjatur ditët e tij si hija sepse nuk ka frikë përpara Perëndisë.

14 Éshtë një kotësi që ndodh mbi tokë; ka njerëz të drejtë që trajtohen ashtu sikur i përket veprës të të pabesëve, dhe ka të pabesë që trajtohen sikur i përket veprës të të drejtëve. Kam thënë që edhe kjo është kotësi.

15 Kështu lëvdova harenë, sepse nuk ka gjë më të mirë për njeriun nën diell se të hajë, të pijë dhe të jetë i gëzuar, sepse kjo i mbetet në mundin e tij gjatë ditëve të jetës që Perëndia i ka dhënë nën diell.

16 Kur unë e vura zemrën time të njohë diturinë dhe të mendojë përpjekjet që bëhen mbi tokë (edhe kur dikush nuk i lë të pushojnë sytë e tij as ditën as natën),

17 atëherë pashë gjithë veprën e Perëndisë, që njeriu nuk mund të arrijë të zbulojë të gjitha ato që bëhen nën diell sepse, edhe sikur njeriu të mundohet duke kërkuar, nuk arrin t’i zbulojë; edhe sikur i urti të thotë që e di, nuk është në gjendje t’i zbulojë.