Add parallel Print Page Options

"Kini kujdes të zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet që po ju jap sot, me qëllim që të jetoni, të shumëzoheni dhe të pushtoni vendin që Zoti u betua t’u japë etërve tuaj.

Kujto gjithë rrugën që Zoti, Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në këtë dyzetë vjet në shkretëtirë që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë kishte në zemrën tënde dhe në se do të respektoje apo jo urdhërimet e tij.

Kështu, pra, ai të bëri të ulesh kokën, të provosh urinë, pastaj të ka ushqyer me manna që ti nuk e njihje dhe as etërit e tu s’e kishin njohur kurrë, me qellim që ti të kuptosh se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit.

Petkat e tua nuk të janë konsumuar mbi trup dhe këmba jote nuk është enjtur gjatë këtyre dyzet viteve.

Prano, pra, në zemrën tënde se, ashtu si njeriu korigjon birin e vet, ashtu Zoti Perëndia, yt, të korigjon ty.

Prandaj zbato urdhërimet e Perëndisë, të Zotit tënd, duke ecur në rrugët e tij dhe duke ia pasur frikën;

sepse, Zoti Perëndia yt, po të bën të hysh në një vend të mirë, një vend me rrjedha uji e me burime që dalin nga luginat dhe nga malet;

një vend me grurë dhe elb, me vreshta, me fiq dhe shegë, një vend me ullinj që japin vaj dhe me mjaltë;

një vend ku do të hash bukë sa të duash, ku nuk do të të mungojë kurrgjë; një vend ku gurët janë hekur dhe ku do të rrëmosh bakër nga malet.

10 Do të hash, pra, dhe do të ngopesh, dhe do të bekosh, Zotin Perëndinë tënd, për shkak të vendit të bukur që të ka dhënë.

11 Ruhu mirë të mos harrosh Zotin, Perëndinë tënd, duke shtuar për të mos zbatuar urdhërimet e tij, dekretet e tij, statutet e tij që sot do të japë;

12 e të mos ndodhë që, pasi të kesh ngrënë deri sa të ngopesh dhe të kesh ndërtuar dhe banuar shtëpi të bukura,

13 pasi të kesh parë të shtohet bagëtia jote e trashë dhe e imët të shtohet, argjendi dhe ari yt, dhe të rriten tërë të mirat e tua,

14 zemra jote të lartohet dhe ti të harrosh Zotin, Perëndinë tënd, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë;

15 që të ka sjellë nëpër këtë shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme, vend gjarprinjsh veprues dhe akrepash, tokë e thatë pa ujë; që nxori ujë për ty nga shkëmbijtë shumë të fortë;

16 dhe që në shkretëtirë të ka ushqyer me manë të cilën etërit e tu nuk e njihnin, për të të përulur dhe për të të vënë në provë dhe së fundi për të të bërë të mirë.

17 Ruhu, pra, të thuash në zemrën tënde: "Forca ime dhe fuqia e dorës sime m’i kanë siguruar këto pasuri".

18 Por kujto Zotin, Perëndinë tënd, sepse ai të jep forcën për të fituar pasuri, për të ruajtur besëlidhjen për të cilën Ai iu betua etërve të tu, ashtu siç është në fuqi sot.

19 Por në qoftë se ti harron Zotin, Perëndinë tënd, për të shkuar pas perëndive të tjera dhe për t’u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, unë sot shpall solemnisht para jush se do të vdisni me siguri.

20 Do të vdisni si kombet që Zoti zhduk para jush, sepse nuk e keni dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tuaj".

"Dëgjo, o Izrael! Sot ti do të kalosh Jordanin për të hyrë dhe për të pushtuar kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ti, qytete të mëdha dhe të fortifikuara deri në qiell,

një popull të madh dhe me shtat të lartë, pasardhësit e Anakimëve që ti i njeh, dhe për të cilët ke dëgjuar të thonë: "Kush mund t’i përballojë pasardhësit e Anakut?".

Dije, pra, që sot Zoti, Perëndia yt, është ai që do të marshojë para teje si një zjarr gllabërues; ai do t’i shkatërrojë dhe do t’i rrëzojë para teje; kështu ti do t’i përzësh dhe do t’i vrasësh shpejt, ashtu si të ka thënë Zoti.

Kur Zoti, Perëndia yt, do t’i ketë dëbuar para teje, mos thuaj në zemrën tënde: "Éshtë për shkak të drejtësisë sime që Zoti më dha në zotërim këtë vend". Éshtë përkundrazi ligësia e këtyre kombeve që e shtyu Zotin t’i dëbojë para teje.

Jo, nuk është as nga drejtësia jote as nga ndershmëria e zemrës sate, që ti hyn për të pushtuar vendin e tyre, por nga ligësia e këtyre kombeve që Zoti, Perëndia yt, po i dëbon para teje, dhe për të mbajtur fjalën e dhënë etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.

Dije, pra, që nuk është për shkak të drejtësisë sate që Zoti, Perëndia yt, të jep në zotërim këtë vend të mirë, sepse ti je një popull kokëfortë.

Kujtohu dhe mos harro si e ke provokuar zemërimin e Zotit, Perëndisë tënd, në shkretëtirë. Prej ditës që keni dalë nga vendi i Egjiptit, deri në arritjen në këtë vend, keni mbajtur një qëndrim prej rebeli, ndaj Zotit.

Edhe në Horeb provokuat zemërimin e Zotit; dhe Zoti u zemërua kundër jush aq sa donte t’ju shkatërronte.

Kur u ngjita në mal për të marrë pllakat prej guri, pllakat e besëlidhjes që Zoti kishte lidhur me ju, unë mbeta në mal dyzet ditë dhe dyzet net, pa ngrënë bukë dhe pa pirë ujë,

10 dhe Zoti më dha dy pllaka guri, të shkruara me gishtin e Perëndisë, mbi të cilat ishin tërë fjalët që Zoti ju kishte thënë në mal, në mes të zjarrit, ditën e asamblesë.

11 Dhe pas dyzet ditëve dhe dyzet netve Zoti më dha dy pllaka prej guri, pllakat e besëlidhjes.

12 Pastaj Zoti më tha: "Çohu, zbrit me të shpejtë që këtej, sepse populli yt që ti nxore nga Egjipti është shthurur; kanë devijuar shpejt nga rruga që unë u kisha urdhëruar atyre të ndiqnin dhe kanë krijuar një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë".

13 Zoti më foli akoma, duke thënë: "Unë e pashë këtë popull; ja ai është një popull kokëfortë;

14 lë që ta shkatërroj dhe të fshij emrin e tij nën qiejt, dhe do të të bëj ty një komb më të fuqishëm dhe më të madh se ai".

15 Kështu u ktheva dhe zbrita nga mali, ndërsa mali digjej nga zjarri; dhe dy pllakat e besëlidhjes ishin në duart e mia.

16 Shikova, dhe ja, ju kishit mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kishit bërë një viç prej metali të shkrirë. Kishit lënë shumë shpejt rrugën që Zoti ju kishte urdhëruar të ndiqnit.

17 Atëherë i kapa dy pllakat, i flaka me duart e mia dhe i copëtova para syve tuaja.

18 Pastaj u shtriva përpara Zotit, si herën e parë, dyzet ditë dhe dyzet net me radhë; nuk hëngra bukë as piva ujë për shkak të mëkateve që kishit kryer, duke bërë atë që është e keqe për sytë e Zotit, për të provokuar zemërimin e tij.

19 Sepse unë kisha frikë nga zemërimi dhe nga tërbimi me të cilët Zoti ishte ndezur kundër jush, aq sa dëshëronte shkatërrimin tuaj. Por Zoti edhe këtë herë më dëgjoi.

20 Dhe Zoti u zemërua shumë gjithashtu kundër Aaronit, aq sa donte ta shkatërronte atë; kështu atë herë unë u luta edhe për Aaronin.

21 Pastaj mora objektin e mëkatit tuaj, viçin që kishit bërë, e dogja në zjarr, e copëtova dhe e thërmova në copa shumë të vogla, deri sa e katandisa në pluhur të hollë, dhe e hodha pluhurin në përruan që zbret nga mali.

22 Edhe në Taberah, në Masa dhe në Kibroth-Atavah ju provokuat zemërimin e Zotit.

23 Kur pastaj Zoti ju nisi jashtë Kadesh-Barneas duke thënë: "Ngjituni dhe shtini në dorë vendin që ju dhashë," ju ngritët krye kundër Zotit, Perëndisë tuaj, nuk i besuat dhe nuk iu bindët zërit të tij.

24 U bëtë rebelë kundër Zotit, qysh nga dita që ju kam njohur.

25 Kështu mbeta përmbys para Zotit dyzet ditë dhe dyzet net; dhe e bëra këtë sepse Zoti kishte thënë se donte t’ju shkatërronte.

26 Dhe iu luta Zotit, dhe i thashë: "O Zot, o Zot, mos e shkatërro popullin tënd dhe trashëgiminë tënde, që i ke çliruar me madhështinë tënde, qi i nxore nga Egjipti me një dorë të fuqishme.

27 Kujto shërbëtorët e tu: Abrahamin, Isakun dhe Jakobin; mos shiko kokëfortësinë e këtij populli, ligësinë ose mëkatin e tij,

28 me qëllim që vendi prej ku i nxore të mos thotë: Me qënë se Zoti nuk ishte në gjendje t’i fuste në tokën që u kishte premtuar dhe me qenë se i urrente, i nxori që të vdesin në shkretëtirë.

29 Megjithatë ata janë populli yt dhe trashëgimia jote, që ti nxore nga Egjipti me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë"".

10 "Në atë kohë Zoti më tha: "Pre dy pllaka prej guri të njëllojta me të parat dhe ngjitu tek unë në mal; bëj një arkë prej druri.

Unë do të shkruaj mbi pllakat fjalët që ishin mbi pllakat e para që ti copëtove, dhe ti do t’i vësh në arkë".

Kështu bëra një arkë prej dru akacjeje dhe preva dy pllaka prej guri të njëllojta me të parat; pastaj u ngjita në mal me dy pllakat në dorë.

Dhe Zoti shkroi mbi pllakat atë që kishte shkruar herën e parë, domethënë dhjetë urdhërimet që Zoti kishte shpallur për ju në mal, në mes të zjarrit, ditën e asamblesë. Pastaj Zoti m’i dorëzoi mua.

Atëherë u ktheva dhe zbrita nga mali; i vura pllakat në arkën që kisha bërë; dhe ato ndodhen aty, ashtu si më kishte urdhëruar Zoti.

(Bijtë e Izraelit u nisën nga puset e bijve të Jakaanit në drejtim të Moserahut. Aty vdiq Aaroni dhe aty u varros; dhe Eleazari bir i tij, u bë prift në vend të tij.

Që andej u nisën në drejtim të Gudgodahut dhe nga Gudgodahu për në Jotbathah, vendi me rrjedha ujore.

Në atë kohë Zoti veçoi fisin e Levit për ta mbartur arkën e besëlidhjes së Zotit, për të qenë përpara Zotit dhe për t’i shërbyer, si dhe për të bekuar në emër të tij deri ditën e sotme.

Prandaj Levi nuk ka pjesë, as trashëgimi me vëllezërit e tij; Zoti është trashëgimia e tij, ashtu si Zoti, Perëndia yt, u kishte premtuar).

10 Unë mbeta në mal dyzet ditë e dyzet net me radhë si herën e parë; Zoti më dëgjoi edhe këtë herë dhe nuk pranoi të të shkatërrojë.

11 Atëherë Zoti më tha: "Çohu, nis rrugën në krye të popullit, që ata të futen e të pushtojnë vendin që jam betuar t’u jap etërve të tyre".

12 Dhe tani, o Izrael, çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,

13 dhe të respektosh për të mirën tënde të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit që sot të urdhëroj.

14 Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qiejtë, qiejtë e qiejve, toka dhe gjithçka ajo përmban;

15 por Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve të tu dhe i deshi ata; dhe mbas tyre midis tërë popujve zgjodhi pasardhësit e tyre, domethënë ju, ashtu siç po ndodh sot.

16 Prandaj do të rrethpritni prepucin e zemrës suaj dhe nuk do ta fortësoni më qafën tuaj;

17 sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zotëria i zotërive, Perëndia i madh, i fortë dhe i tmerrshëm që nuk është fare i anshëm dhe nuk pranon dhurata,

18 që u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave, që e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje.

19 Duajeni, pra, të huajin, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit.

20 Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh atij, do të jesh lidhur ngushtë me të dhe do të betohesh me emrin e tij.

21 Ai është lavdia jote, ai është Perëndia yt, që ka bërë për ty ato gjëra të mëdha dhe të tmershme që sytë e tua i kanë parë.

22 Etërit e tu zbritën në Egjipt në një numër që nuk i kapërxente të shtatëdhjetë personat; dhe tani Zoti, Perëndia yt, të ka shumëzuar si yjet e qiellit".