Add parallel Print Page Options

"Pastaj u kthyem dhe u ngjitëm nëpër rrugën e Bashanit; dhe Ogu, mbret i Bashanit, me gjithë njerëzit e tij, na doli kundër për t’u ndeshur në Edrej.

Por Zoti më tha: "Mos ki frikë nga ai, sepse unë do ta jap atë në duart e tua, tërë njerëzit e tij dhe vendin e tij; do t’i bësh atij atë që i bëre Sihonit, mbretit të Amorejve, që banonte në Heshbon".

Kështu Zoti, Perëndia ynë, na dha në dorë edhe Ogun, mbretin e Bashanit, me gjithë njerëzit e tij; dhe ne e mundëm atë pa lënë gjallë asnjë.

Në atë kohë pushtuam tërë qytetet e tij; nuk pati qytet që nuk ra në dorën tonë: gjashtëdhjetë qytete, tërë krahina e Argobit, mbretëria e Ogut në Bashan.

Tërë këto qytete ishin të fortifikuara me mure të larta, porta dhe shufra hekuri, pa llogaritur një numër të madh fshatrash.

Ne vendosëm t’i shfarosim, ashtu si kishim vepruar me Sihonin, mbretin e Heshbonit, duke shkatërruar plotësisht tërë qytetet, duke shfarosur burrat, gratë dhe fëmijët.

Por mbajtëm si plaçkë tërë bagëtinë dhe plaçkat e qyteteve të tyre.

Në atë kohë, pra, morëm nga duart e dy mbretërve të Amorejve vendin që ndodhet matanë Jordanit, nga përroi i Armonit deri në malin e Hermonit,

(Hermoni quhet Sirion nga Sidonët dhe Senir nga Amorejtë),

10 të gjitha qytetet e fushës, tërë Galaadin, tërë Bashanin deri në Salkah dhe në Edrej, qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan.

11 Sepse Ogu, mbret i Bashanit, ishte i vetmi që kishte mbetur gjallë nga fisi i gjigantëve. Ja, shtratin i tij ishte një shtrat prej hekuri (a nuk ndodhet sot ndofta në Rabah të Amonitëve?). Ai është i gjatë nëntë kubitë dhe i gjerë katër kubitë, simbas kubitit të njeriut.

12 Në atë kohë ne pushtuam këtë vend; unë u dhashë Rubenitëve dhe Gaditëve territorin e Aroerit, gjatë përroit Arnon deri në gjysmën e krahinës malore të Galaadit së bashku me qytetet e tij;

13 dhe i dhashë gjysmës së fisit të Manasit mbetjen e Galaadit dhe tërë Bashanin, mbretërinë e Ogut (tërë krahinën e Argobit me gjithë Bashanin, që quhej vendi i gjigantëve.

14 Jairi, bir i Manasit, mori tërë krahinën e Argobit, deri në kufijtë e Geshuritëve dhe të Maakathitëve; dhe u vuri emrin e tij lagjeve të Bashanit, që edhe sot quhen qytetet e Jairit).

15 Dhe i dhashë Makirin Galaadit.

16 Rubenitëve dhe Gaditëve u dhashë territorin e Galaadit deri në përroin e Armonit, bashkë me gjysmën e lumit që shërben si kufi, dhe deri në lumin Jabok, që është kufiri i bijve të Amonit,

17 dhe Arabahun, me Jordanin si kufi, nga Kinerethi deri në bregun lindor të detit të Arabahut poshtë shpatëve të Pisgahut.

18 Në atë kohë unë ju dhashë këtë urdhër, duke thënë: "Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë këtë vend që ta zotëroni. Ju të gjithë, njerëz trima, do të kaloni Jordanin të armatosur, në krye të bijve të Izraelit, të vëllezërve tuaj.

19 Por bashkëshortet tuaja, të vegjëlit dhe bagëtia juaj (e di që keni shumë bagëti) do të mbeten në qytetet që ju kam dhënë,

20 për deri sa Zoti t’i lërë vëllezërit tuaj të çlodhen, ashtu siç bëri me juve, dhe të shtien edhe ata në dorë vendin që Zoti, Perëndia juaj, u jep atyre matanë Jordanit. Pastaj secili ka për t’u kthyer në trashëgiminë që ju dhashë".

21 Në atë kohë urdhërova gjithashtu Jozueun, duke thënë: "Sytë e tu kanë parë të gjitha ato që Zoti, Perëndia juaj, u ka bërë këtyre dy mbretërve; në të njëjtën mënyrë do të veprojë Zoti në të gjitha mbretëritë që do të përshkosh.

22 Mos kini frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, ka për të luftuar ai vetë për ju".

23 Në të njëjtën kohë unë iu luta Zotit, duke i thënë:

24 O Zot, O Zot, ti ke filluar t’i tregosh shërbëtorit tënd madhështinë tënde dhe dorën e fuqishme që ke; sepse cila është perëndia në qiell apo në tokë që mund të kryejë vepra dhe mrekulli si ato që bën ti?

25 Prandaj më ler të kaloj Jordanin për të parë vendin e bukur që është matanë tij, krahinën e bukur malore dhe Libanin".

26 Por Zoti u zemërua me mua, për shkakun tuaj, dhe nuk e plotësoi dëshirën time. Kështu Zoti më tha: "Mjaft me kaq; mos më fol më për këtë gjë.

27 Ngjitu në majën e Pisgahut, hidh sytë nga perëndimi, nga veriu, nga jugu dhe nga lindja dhe sodit me sytë e tu, sepse ti nuk do ta kalosh këtë Jordan.

28 Por jepi urdhër Jozueut, përforcoje dhe jepi zemër, sepse ai do ta kalojë Jordanin në krye të këtij populli dhe do ta bëjë Izraelin zot të vendit që ke për të parë".

29 Kështu u ndalëm në luginën përballë Beth-Peorit".

"Tani, pra, o Izrael, dëgjo statutet dhe dekretet që po ju mësoj, që t’i zbatoni në praktikë, të jetoni dhe të shtini në dorë vendin që Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju jep.

Nuk do t’i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t’u hiqni asgjë, por zotohuni të zbatoni urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj, që unë ju porosis.

Sytë tuaj panë atë që Zoti bëri në Baal-Peor; sepse Zoti, Perëndia juaj, shkatërroi para jush të gjithë ata që kishin shkuar pas Baal-Peorit;

por ju që i qëndruat besnikë Zotit, Perëndisë tuaj, sot jeni të gjithë të gjallë.

Ja, unë ju mësova statutet dhe dekretet, ashtu si Zoti, Perëndia im, më ka urdhëruar, me qëllim që t’i zbatoni në vendin në të cilin po hyni për ta shtënë në dorë.

Do t’i respektoni, pra, dhe do t’i zbatoni në praktikë; sepse kjo do të jetë dituria dhe zgjuarsia juaj në sytë e popujve, të cilët, duke dëgjuar të flitet për të gjitha këto statute, kanë për të thënë: "Ky komb i madh është një popull i ditur dhe i zgjuar!".

Cili komb i madh ka në fakt Perëndinë aq pranë vetes, si Zotin Perëndinë tonë, që është pranë nesh sa herë e kërkojmë?

Cili komb i madh ka statute dhe dekrete të drejta si gjithë ky ligj që po ju vë përpara sot?

Vetëm kini kujdes për veten tuaj dhe tregohuni të zellshëm për shpirtin tuaj, në mënyrë që të mos harroni gjërat që sytë tuaj kanë parë dhe këto të mos largohen nga zemra juaj për të gjitha ditët e jetës suaj. Por ua mësoni bijve tuaj dhe bijve të bijve tuaj,

10 veçanërisht për ditën gjatë së cilës jeni paraqitur para Zotit, Perëndisë tuaj në Horeb, kur Zoti më tha: "Më mblidh popullin dhe ai të dëgjojë fjalët e mia, që të mësojnë të më kenë frikë gjatë të gjitha ditëve që do të jetojnë mbi tokë dhe t’ua mësojnë bijve të tyre".

11 Atëherë ju u afruat dhe u ndalët në këmbët e malit; dhe mali digjej nga flakët që ngriheshin në mes të qiellit, dhe ishte rrethuar nga terrina, nga re dhe nga një errësirë e dëndur.

12 Dhe Zoti ju foli nga mesi i zjarrit; ju dëgjuat tingëllimin e fjalëve, por nuk patë asnjë figurë; dëgjuat vetëm një zë.

13 Kështu ai ju shpalli besëlidhjen e tij, që ju porositi të respektoni, domethënë të dhjetë urdhërimet; dhe i shkroi mbi dy pllaka prej guri.

14 Dhe mua, në atë kohë, Zoti më urdhëroi t’ju mësoj statutet dhe dekretet, që t’i zbatoni në vendin ku jeni duke hyrë për t’u bërë zotër të tij.

15 Me qenë, pra se nuk patë asnjë figurë ditën që Zoti ju foli në Horeb nga mesi i zjarrit, tregoni kujdes të veçantë për shpirtërat tuaja,

16 me qëllim që të mos shthureni dhe të mos gdhendni ndonjë shëmbëlltyrë, në trajtën e ndonjë figure: paraqitjen e një burri apo të një gruaje,

17 paraqitjen e një kafshe që është mbi tokë, paraqitjen e një zogu që fluturon në qiell,

18 paraqitjen e çdo gjëje që zvarritet mbi dhe, paraqitjen e një peshku që noton në ujërat poshtë tokës;

19 sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t’u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë;

20 por Zoti ju mori dhe ju nxori nga furra e hekurt, nga Egjipti, për të qenë populli i tij, trashëgimia e tij, ashtu siç jeni sot.

21 Zoti u zemërua me mua për shkakun tuaj, dhe u betua që nuk do ta kaloja Jordanin dhe nuk do të hyja në vendin e mirë që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

22 Kështu unë do të vdes në këtë vend pa kaluar Jordanin; ju do ta kaloni dhe do të shtini në dorë atë vend të mirë.

23 Ruhuni se harroni besëlidhjen që Zoti, Perëndia juaj, ka lidhur me ju, dhe bëni ndonjë shëmbëlltyrë të gdhendur në trajtën e çfarëdo gjëje që Zoti, Perëndia yt, e ka ndaluar.

24 Sepse Zoti, Perëndia yt, është një zjarr që të konsumon, një Zot ziliqar.

25 Kur të kesh pjellë bij dhe bij të bijve të tu, dhe të keni banuar për një kohë të gjatë në atë vend, në rast se shthureni dhe sajoni shëmbëlltyra të gdhendura në trajtën e çfarëdo gjëje, dhe bëni të keqen në sytë e Zotit, Perëndisë tuaj, për ta ngacmuar,

26 unë thërres sot për të dëshmuar kundër jush qiellin dhe tokën, se ju do të zhdukeni shpejt plotësisht nga vendi ku shkoni për t’u bërë zotër të tij, duke kaluar Jordanin. Ju atje nuk do t’i zgjatni ditët tuaja, por do të shkatërroheni plotësisht.

27 Dhe Zoti do t’ju shpërndajë midis popujve, dhe nuk do të mbetet nga ju veçse një numër i vogël njerëzish midis kombeve ku do t’ju çojë Zoti.

28 Dhe atje do t’u shërbeni perëndive prej druri e prej guri, të bëra nga dora e njeriut, që nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk hanë dhe nuk nuhasin.

29 Por aty do të kërkosh Zotin, Perëndinë tënd; dhe do ta gjesh, në rast se do ta kërkosh me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

30 Kur do të jesh në ankth dhe do të kenë ndodhur tërë këto gjëra, në kohën e fundit, do të kthehesh tek Zoti, Perëndia yt, dhe do ta dëgjosh zërin e tij;

31 (sepse Zoti, Perëndia yt, është një Zot mëshirëplotë); ai nuk të ka braktisur dhe nuk do të të shkatërrojë, nuk do të harrojë besëlidhjen për të cilën iu betua etërve të tu.

32 Pyet gjithashtu kohërat e lashta, që kanë qenë para teje, nga dita që Perëndia krijoi njeriun në tokë, dhe pyet nga një anë e qiellit në tjetrën në se ka pasur ndonjë herë një gjë aq të madhe si kjo ose në se është dëgjuar një gjë e tillë si kjo.

33 A ka pasur vallë ndonjë popull që të ketë dëgjuar zërin e Perëndisë të flasë nga mesi i zjarrit, siç e dëgjove ti, dhe të ketë mbetur gjallë?

34 A ka pasur vallë ndonjë Perëndi që ka provuar të shkojë e të marrë për vete një komb në mes të një kombi tjetër me anë provash, shenjash, mrekullish dhe betejash, me dorë të fuqishme, me krahë të shtrirë dhe me ankthe të mëdha terrori, siç bëri për ju Zoti, Perëndia juaj, në Egjipt para syve tuaj?

35 Të tëra këto të janë treguar, në mënyrë që të pranosh se Zoti është Perëndi dhe që nuk ka asnjë tjetër veç tij.

36 Nga qielli bëri që të dëgjosh zërin e tij që të të mësojë; dhe mbi tokë të bëri të shikosh zjarrin e tij të madh dhe dëgjove fjalët e tij në mes të zjarrit.

37 Dhe nga që i deshi etërit e tu, ai zgjodhi pasardhësit e tyre dhe i nxori nga Egjipti në prani të tij, me anë të fuqisë së tij të madhe.

38 duke dëbuar para teje kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ti, me qëllim që ti të hyje dhe ta merrje si trashëgimi vendin e tyre.

39 Mëso, pra, sonte dhe mbaje në zemrën tënde që Zoti është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë, dhe se nuk ka asnjë tjetër.

40 Respekto pra statutet dhe urdhërimet e tij që unë po të jap sot, që të jetosh në begati ti dhe bijtë e tu mbas teje dhe të zgjatësh ditët e tua në vendin që Zoti, Perëndiai yt, po të jep për gjithnjë".

41 Atëherë Moisiu veçoi tri qytete matanë Jordanit, në drejtim të lindjes,

42 në të cilët mund të strehohej vrasësi që kishte vrarë të afërmin e tij padashur, pa e urryer më parë, dhe me qëllim që të ruante jetën e tij duke u strehuar në njerin prej këtyre qyteteve:

43 Betseri në shkretëtirën e krahinës fushore për Rubenitët, Ramothi në Galaad për Gaditët dhe Golani në Bashan për Manasitët.

44 Ky është ligji që Moisiu u paraqiti bijve të Izraelit.

45 Këto janë regullat, statutet dhe dekretet që Moisiu u dha bijve të Izraelit kur dolën nga Egjipti,

46 matanë Jordanit, në luginën përballë Beth-Peorit, në vendin e Sihonit, mbretit të Amorejve, që banonte në Heshbon, dhe që Moisiu dhe bijtë e Izraelit i mundën kur dolën nga Egjipti.

47 Ata shtinë në dorë vendin e tij dhe vendin e Ogut, mbretit të Balshanit, dy mbretër të Amorejve, që banonin matanë Jordanit, në drejtim të lindjes,

48 nga Aroreri, që ndodhet në brigjet e përroit Arnon, deri në malin Sion, (domethënë mali i Hermonit),

49 bashkë me gjithë fushën matanë Jordanit, në drejtim të lindjes, deri në detin e Arabahut, poshtë shpateve të Pisgahut.