Add parallel Print Page Options

21 "Në rast se në vendin që Zoti, Perëndia yt, është duke të dhënë, gjindet një i vrarë, i shtrirë në një fushë, dhe nuk dihet se kush e ka vrarë,

pleqtë dhe gjykatësit e tu do të dalin dhe do të masin largësinë midis të vrarit dhe qyteteve që ndodhen rreth e rrotull.

Pastaj pleqtë e qytetit më të afërt me të vrarin do të marrin një mëshqerrë që nuk ka punuar akoma dhe as nuk është mbrehur.

Pleqtë e atij qyteti do ta zbresin mëshqerrën pranë një rrjedhe uji, në një vend as të lëruar as të mbjellë, dhe aty afër rrjedhës së ujit do t’ia thyejnë qafën mëshqerrës.

Pastaj do të afrohen priftërinjtë, bij të Levit, sepse Zoti, Perëndia yt, i ka zgjedhur për të shërbyer dhe për të dhënë bekimin në emër të Zotit, dhe fjala e tyre duhet të zgjidhë çdo mosmarrëveshje dhe çdo dëmtim trupor.

Atëherë tërë pleqtë e qytetit, që është më afër me të vrarin, do të lajnë duart mbi mëshqerrën së cilës i është thyer qafa pranë rrjedhës së ujit;

dhe, duke marrë fjalën, do të thonë: "Duart tona nuk e kanë derdhur këtë gjak, as sytë tona s’e kanë parë.

O Zot, fale popullin tënd Izrael që ti ke çliruar, dhe mos i ngarko fajin e gjakut të pafajshëm popullit tënd Izrael". Dhe ai gjak do t’u falet atyre.

Kështu ti do të heqësh nga vetja jote fajin e gjakut të pafajshëm, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit.

10 Kur të shkosh në luftë kundër armiqve të tu dhe Zoti, Perëndia yt, të t’i japë në dorë dhe ti t’i zësh robër,

11 në rast se sheh midis robërve një grua të pashme dhe të pëlqen aq sa të duash ta bësh bashkëshorten tënde,

12 do ta çosh në shtëpinë tënde, dhe ajo do të rruajë kokën dhe do të presë thonjtë,

13 do të heqë rrobat e robinjës, do të banojë në shtëpinë tënde dhe do të mbajë zi një muaj të tërë për të atin dhe për të ëmën, pastaj ti do të hysh te ajo dhe do të jesh bashkëshorti i saj dhe ajo do të jetë bashkëshortja jote.

14 Në qoftë se më vonë nuk të pëlqen më, do ta lësh të shkojë ku të dojë, por nuk mund ta shesësh për para as ta trajtosh si skllave, sepse ti e ke poshtëruar.

15 Në qoftë se një burrë ka dy gra, dhe njerën e dashuron dhe tjetrën e urren, dhe si e dashuruara ashtu dhe ajo e urryera i kanë lindur fëmijë, në rast se i parëlinduri është fëmija e gruas së urryer,

16 ditën që u lë me testament pasurinë që zotëron bijve, nuk mund t’i shënojë të drejtën e paralindjes djalit të gruas që dashuron duke e preferuar nga djali i gruas që urren që është i parëlinduri;

17 por do të njohë si të parëlindur djalin e gruas së urryer, duke i dhënë një pjesë të dyfishtë të të gjitha atyre që zotëron; sepse ai është prodhimi i parë i fuqisë së tij dhe atij i përket e drejta e paralindjes.

18 Në qoftë se një burrë ka një fëmijë kokëfortë dhe rebel që nuk i bindet as zërit të babait, as atij të nënës dhe me gjithëse e kanë ndëshkuar, nuk u bindet atyre,

19 i ati dhe e ëma do ta marrin dhe do ta çojnë te pleqtë e qytetit të tij, në portën e vendit ku banon,

20 dhe do t’u thonë pleqve të qytetit: "Ky biri ynë është kokëfortë dhe rebel; nuk do t’i bindet zërit tonë; është grykës dhe pijanec".

21 Atëherë tërë banorët e qytetit të tij do ta vrasin me gurë dhe ai ka për të vdekur; kështu do të shrrënjosësh të keqen nga mesi yt, tërë Izraeli do ta mësojë dhe do të ketë frikë.

22 Në rast se dikush ka kryer një krim që meriton vdekjen dhe ka pësuar vdekjen, dhe ti e ke varur në një dru,

23 kufoma e tij nuk do të rrijë tërë natën mbi pemën, por do ta varrosësh po atë ditë; sepse ai që rri varur është i mallkuar nga Perëndia, dhe ti nuk do ta ndotësh tokën që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi".

22 "Në qoftë se shikon kaun ose delen e vëllait tënd që e kanë humbur rrugën, ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë, por do ta marrësh përsipër t’ia çosh përsëri vëllait tënd.

Dhe në qoftë se vëllai yt nuk banon afër teje dhe ti nuk e njeh, do ta çosh kafshën në shtëpinë tënde deri sa yt vëlla të fillojë ta kërkojë; dhe atëherë do t’ia kthesh.

Në të njëjtën mënyrë do të veprosh me gomarin, rrobat dhe çfarëdo send tjetër që yt vëlla ka humbur dhe ti ke gjetur; ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë.

Në qoftë se ti shikon gomarin e vëllait tënd apo kaun e tij të rrëzuar gjatë rrugës, ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë, por do të ndihmosh tët vëlla për t’i ngritur.

Gruaja nuk do të veshë rroba burrash, as burri nuk ka për të veshur rroba grash, sepse kushdo që bën gjëra të tilla neveritet nga Zoti, Perëndia yt.

Në rast se rrugës të rastis të gjesh mbi një dru ose për tokë një fole zogu me gjithë të vegjëlit ose me vezët dhe nënën që ngroh të vegjëlit apo vezët, nuk ke për të marrë nënën me të vegjëlit;

do të lesh nënën të ikë dhe do të marrësh për vete të vegjëlit, që ti të kesh mbarësi dhe të zgjatësh ditët e tua.

Kur të ndërtosh një shtëpi të re do të ngresh një parapet rreth çatisë së saj për të mos tërhequr një faj gjaku mbi shtëpinë tënde, në rast se dikush rrëzohet nga çatia.

Nuk do të mbjellësh në vreshtin tënd farëra të llojeve të ndryshme, me qëllim që prodhimi i asaj që ke mbjellë dhe renta e vreshtit të mos preken.

10 Nuk do të punosh njëkohësisht me një ka dhe një gomar.

11 Nuk do të veshësh rroba të bëra me një stof të përzierë leshi dhe liri.

12 Nuk do të vësh theka në katër cepat e mantelit me të cilin mbulohesh.

13 Në qoftë se një burrë martohet me një grua, hyn tek ajo dhe pastaj fillon ta urrejë,

14 dhe e padit për gjëra të turpshme dhe i nxjerr një nam të keq, duke thënë: "Mora këtë grua, por kur iu afrova nuk gjeta tek ajo shenjat e virgjërisë,"

15 babai dhe nëna e së resë do të marrin shenjat e virgjërisë së saj dhe do t’ua tregojnë pleqve të qytetit, te porta;

16 dhe babai i së resë do t’u thotë pleqve: "Unë ia dhashë time bijë për grua këtij burri, por ai filloi ta urrejë,

17 dhe tani e akuzon për gjëra të turpshme, duke thënë: Nuk gjeta tek jote bijë shenjat e virgjërisë; por këto janë shenjat e virgjërisë të bijës sime". Dhe do të shpalosin çarçafin përpara pleqve të qytetit.

18 Atëherë pleqtë e atij qyteti do të marrin bashkëshortin dhe do ta dënojnë me rrahje;

19 dhe duke qenë se i ka hapur një nam të keq një virgjëreshe të Izraelit, do t’i vënë një gjobë prej njëqind siklash argjendi, që do t’ia japin të atit të së resë; kështu ajo do të mbetet bashkëshorte e tij dhe ai nuk do të mund ta përzërë deri sa të rrojë.

20 Por në qoftë se vërtetohet fakti dhe tek e reja nuk janë gjetur shenjat e virgjërisë,

21 atëherë do ta nxjerrin të renë te pragu i shtëpisë së babait të saj dhe njerëzit e qytetit të saj do ta vrasin me gurë, dhe ajo ka për të vdekur, sepse ka kryer një vepër të turpshme në Izrael, duke u bërë kurvë në shtëpinë e atit të saj. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri juaj

22 Në rast se një burrë gjendet në shtrat me një grua të martuar, do të vriten që të dy, si burri që ka rënë me gruan dhe gruaja. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri i Izraelit.

23 Kur një vajzë e virgjër është e fejuar, dhe një burrë e gjen në qytet dhe bie në shtrat me të,

24 që të dy do t’i çoni në portën e atij qyteti dhe do t’i vritni me gurë, dhe ata do të vdesin: vajza sepse, ndonëse ishte në qytet, nuk bërtiti, dhe burri sepse ka çnderuar gruan e të afërmit të tij. Kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt.

25 Por në rast se burri gjen një vajzë të fejuar, në arë, e dhunon dhe shtrihet me të, atëherë do të vritet vetëm burri që është shtrirë me të;

26 por nuk do t’i bësh asgjë vajzës; kjo nuk ka asnjë mëkat që meriton vdekjen, sepse ky rast është si ai kur një njeri ngrihet kundër të afërmit të tij dhe e vret;

27 në fakt ai e gjeti në arë; vajza e fejuar ka bërtitur, por nuk kishte njeri që ta shpëtonte.

28 Në rast se një burrë gjen një vajzë të virgjër që nuk është e fejuar, e merr dhe bie në shtrat me të, dhe kapen në flagrancë,

29 burri që është shtrirë me të do t’i japë atit të vajzës pesëdhjetë sikla argjendi dhe ajo do të bëhet bashkëshortja e tij, sepse e ka çnderuar dhe nuk mund ta përzërë sa të jetë gjallë.

30 Asnjeri nuk ka për të marrë gruan e atit të tij, as ka për të ngritur skajin e mbulesës së atit të tij".

23 "Ai që është tredhur me anë të shtypjes apo të gjymtimit, nuk ka për të hyrë në asamblenë e Zotit.

Një kopil nuk do të hyjë në asamblenë e Zotit; asnjë nga pasardhësit e tij, qoftë edhe ata të brezit të dhjetë, s’ka për të hyrë në asamblenë e Zotit.

Amoniti dhe Moabiti nuk do të hyjnë në asamblenë e Zotit, asnjë nga pasardhësit e tyre, as edhe në brezin e dhjetë, nuk kanë për të hyrë kurrë në asamblenë e Zotit,

sepse nuk ju pritën në rrugë me bukë dhe me ujë kur dolët nga Egjipti dhe sepse rekrutuan kundër jush Balaamin, birin e Beorit nga Pethori i Mesopotamisë, për t’ju mallkuar.

Megjithatë Zoti, Perëndia yt, nuk deshi të dëgjojë Balaamin; por Zoti, Perëndia yt, e ndërroi për ty mallkimin në bekim, sepse Zoti, Perëndia yt, të do.

Nuk do t’u kërkosh kurrë as paqen, as begatinë e tyre deri sa të jetosh.

Nuk do të urresh Idumeon, sepse ai është vëllai yt; nuk do të urresh Egjiptasin, sepse ti ishe i huaj në vendin e tij,

bijtë që do t’u lindin atyre, në brezin e tretë, do të mund të hyjnë në asamblenë e Zotit.

Kur të dalësh me ushtrinë kundër armiqve të tu, ruhu nga çdo gjë e keqe.

10 Në rast se dikush në mes teje është i papastër nga një ngjarje e natës, ka për të dalë nga kampi dhe nuk do të kthehet më;

11 në mbrëmje do të lahet me ujë dhe pas perëndimit të diellit do të mund të kthehet në kamp.

12 Do të kesh edhe një vend jashtë kampit, dhe do të shkosh atje për nevojat e tua;

13 dhe midis veglave të tua do të kesh edhe një kunj dhe kur të shkosh për t’u mbledhur kruspull përjashta, me të do të gërmosh një gropë dhe pastaj do të mbulosh jashtëqitjet e tua.

14 Me qenë se Zoti, Perëndia yt, ecën në mes të kampit tënd që të të bëjë të lirë dhe që të të japë në dorë armiqtë e tu; prandaj kampi yt do të jetë i shenjtë që Zoti të mos shohë në gjirin tënd asnjë paturpësi dhe të largohet prej teje.

15 Nuk do t’i dorëzosh pronarit të tij skllavin që i ka ikur për t’u strehuar pranë teje.

16 Ai do të banojë me ty, në mes jush, në vendin që ka zgjedhur, në atë qytetin tënd që do t’i duket më i mirë; dhe nuk do ta ngacmosh.

17 Nuk do të ketë asnjë grua që të merret me kurvëri midis bijave të Izraelit, nuk do të ketë asnjë burrë që të merret me kurvëri midis bijve të Izraelit.

18 Në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, nuk do të çosh shpërblimin e një kurve as çmimin e një qeni, për asnjë kusht, sepse këto dy gjëra janë një ndyrësi për Zotin, Perëndinë tënd.

19 Vëllait tënd nuk do t’i japësh hua me kamatë: interes për të holla, interes për ushqime ose çfarëdo gjë tjetër që huazohet me interes.

20 Të huajit mund t’i japësh hua me kamatë, por jo vëllait tënd, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në të gjitha gjërat mbi të cilat do të vësh dorë në vendin ku je duke hyrë për ta pushtuar.

21 Kur lidh një kusht me Zotin, Perëndinë tënd, nuk do të vonosh ta kryesh, sepse i Zoti, Perëndia yt, do të të kërkojë me siguri llogari dhe ti do të ishe fajtor;

22 por në rast se ti nuk lidh kushte, nuk kryen mëkat.

23 Mbaje fjalën që ka dalë nga goja jote, sepse ke marrë përsipër në mënyrë të neveritshme përpara Zotit, Perëndisë tënd, atë që ke premtuar me gojën tënde.

24 Kur hyn në vreshtin e të afërmit tënd, mund të hash rrush sa të ngopesh, por nuk do vësh rrush në shportën tënde.

25 Kur hyn në arën e grurit të të afërmit tënd, mund të mbjellësh kallinj; por nuk do të përdorësh drapërin në arën e grurit të të afërmit tënd".