Add parallel Print Page Options

16 "Respekto muajin e Abibit dhe kremto Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tënd, sepse në muajin e Abibit Zoti, Perëndia yt, të nxori nga Egjipti, gjatë natës.

Do t’i bësh fli, pra, Pashkën e Zotit, Perëndisë tënd, me bagëti të trasha dhe të imta, në vendin që Zoti ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.

Dhe nuk do të hash bashkë me të bukë të mbrujtur; shtatë ditë do të hash bukë të ndorme (sepse dole me nxitim nga vendi i Egjiptit), me qëllim që ta kujtosh ditën që dole nga Egjipti tërë ditët e jetës sate.

Nuk do të shihet maja pranë teje, brenda tërë kufijve të tua, për shtatë ditë me radhë; dhe nuk do të mbetet asgjë nga mishi që flijove mbrëmjen e ditës së parë për gjithë natën deri në mëngjes.

Nuk do të mund ta flijosh Pashkën në çfarëdo qyteti që Zoti, Perëndia yt, të jep,

por do ta flijosh Pashkën vetëm në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij; do ta flijosh në mbrëmje, në perëndim të diellit, në orën që dole nga Egjipti.

Do ta pjekësh viktimën dhe do ta hash në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur; dhe në mëngjes do të largohesh dhe do të kthehesh në çadrat e tua.

Gjashtë ditë me radhë do të hash bukë të ndorme; dhe ditën e shtatë do të mbahet një asamble solemne për nder të Zotit, Perëndisë tënd; ti nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë.

Do të numërosh shtatë javë; fillo të numërosh shtatë javë nga koha që fillon të korrësh grurin;

10 pastaj do ta kremtosh festën e Javëve për nder të Zotit, Perëndisë tënd, duke bërë ofertat e tua vullnetare dhe kjo në masën që Zoti, Perëndia yt, të bekon.

11 Dhe do të gëzosh përpara Zotit, Perëndisë tënd, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, Leviti që ndodhet brenda portave të tua, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që ndodhen në mes teje, në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.

12 Do të kujtosh që ke qenë skllav në Egjipt dhe do të kujdesesh t’i zbatosh në praktikë këto statute.

13 Do të kremtosh festën e Kasolleve shtatë ditë me radhë, mbasi të kesh mbledhur prodhimin e lëmit dhe të fushës sate;

14 dhe do të gëzohesh në festën tënde, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, dhe Leviti, i huaji, jetimi dhe e veja që ndodhen brenda portave të tua.

15 Do të kremtosh një festë për shtatë ditë me radhë për nder të Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti ka zgjedhur, sepse Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha të korrat e tua dhe tërë punën e duarve të tua, dhe ti do të jesh shumë i kënaqur.

16 Tri herë në vit çdo mashkull i yt do t’i paraqitet Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, në festën e bukëve në festën të ndorme, në festën të Javëve dhe të Kasolleve; asnjeri prej tyre nuk do të paraqitet para Zotit duarbosh.

17 Por secili do të japë nga pjesa e tij simbas bekimit që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

18 Do të caktosh gjykatës dhe zyrtarë brenda portave të tua për çdo fis tëndin, në të gjitha qytetet që Zoti, Perëndia yt, të jep; dhe ata do ta gjykojnë popullin me vendime të drejta.

19 Nuk do ta prishësh drejtësinë, nuk do të tregohesh i anshëm dhe nuk do të pranosh dhurata, sepse dhurata i verbon sytë e njerëzve të urtë dhe korrupton fjalët e njerëzve të drejtë.

20 Do të zbatosh plotësisht drejtësinë, në mënyrë që ti të jetosh dhe të zotërosh vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

21 Nuk do të ngresh për ty asnjë Asherah, me asnjë lloj druri pranë altarit që do t’i ndërtosh Zotit, Perëndisë tënd;

22 dhe nuk do të ngresh asnjë shtyllë të shenjtë, që Zoti, Perëndia yt, urren".

17 "Nuk do t’i flijosh Zotit, Perëndisë tënd, ka, dele ose dhi që kanë ndonjë të metë ose gjymtim, sepse kjo do t’ishte një gjë e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd.

Në rast se gjendet midis teje, në një nga qytetet që Zoti, Perëndia yt, po të jep, një burrë apo një grua që bën atë që është e keqe për sytë e Zotit, Perëndisë tënd, duke shkelur besëlidhjen e tij,

dhe që shkon t’u shërbej perëndive të tjera dhe bie përmbys para tyre, para diellit, hënës apo tërë ushtrisë qiellore, gjë që unë nuk të kam urdhëruar,

dhe që të është referuar dhe që ke dëgjuar të flitet për të, atëherë hetoje me kujdes; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurtë se ky akt i neveritshëm është kryer në Izrael,

do ta çosh në portat e qytetit tënd atë burrë ose grua që ka kryer këtë veprim të keq, dhe do ta vrasësh me gurë atë burrë ose atë grua; dhe kështu ata do të vdesin

Ai që duhet të vdesë do të dënohet me vdekje me deponimin e dy apo tri dëshmitarëve, por nuk do të dënohet me vdekje askush me deponimin e një dëshmitari të vetëm.

Dora e dëshmitarëve do të jetë e para që do të ngrihet kundër tij për t’i shkaktuar vdekjen; pastaj do të ngrihet dora e të gjithë popullit; kështu do të çrrënjosësh të keqen nga gjiri yt.

Në rast se të paraqitet një rast shumë i vështirë për t’u gjykuar, midis vrasësve, midis një padie e tjetrës, midis një plagosjeje e tjetrës, grindje brenda portave të shtëpisë sate, atëherë do të çohesh dhe do të shkosh në vendin që ka zgjedhur Zoti, Perëndia yt;

dhe do të takohesh me priftërinjtë levitikë dhe me gjykatësit në funksion në atë kohë dhe do të këshillohesh me ta; atëherë ata do të shpallin vendimin e gjyqit;

10 dhe ti do t’i përmbahesh vendimit që ata të kanë treguar në vendin ku Zoti ka zgjedhur dhe do të kujdesesh të bësh të gjitha ato që të kanë mësuar.

11 Do t’i përmbahesh ligjit që të kanë mësuar dhe vendimit që të kanë deklaruar; nuk do të shmangesh nga vendimi që të kanë treguar as djathtas, as majtas.

12 Por njeriu që do të veprojë me mendjemadhësi dhe nuk do ta dëgjojë priftin që ndodhet aty për t’i shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, ose gjykatësit, ky njeri ka për të vdekur; kështu do të shkulësh të keqen nga Izraeli;

13 tërë populli do të mësojë kësisoj atë që ndodhi, do të ketë frikë dhe nuk do të veprojë me mendjemadhësi.

14 Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep dhe do ta shtiesh në dorë dhe do të banosh atje, në rast se do të thuash: "Dua të caktoj mbi mua një mbret ashtu si tërë kombet që më rrethojnë,"

15 do të caktosh mbi ty mbretin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur. Do të caktosh mbi ty një mbret të zgjedhur midis vëllezërve të tu; nuk mund të caktosh mbi ty një të huaj që të mos jetë vëllai yt.

16 Por ai nuk duhet të ketë një numër të madh kuajsh, as ta kthejë popullin në Egjipt për të shtënë në dorë një numër të madh kuajsh, sepse Zoti ju ka thënë: "Nuk do të ktheheni më në atë rrugë".

17 Nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret; dhe nuk duhet të grumbullojë për vete një sasi të madhe argjendi dhe ari.

18 Përveç kësaj, kur të ulet mbi fronin e mbretërisë së tij, do të shkruajë për veten e tij në një libër një kopje të këtij ligji, simbas kopjes së priftërinjve levitikë.

19 Do ta mbajë pranë vetes këtë libër dhe do ta lexojë çdo ditë të jetës së tij, që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij, dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji dhe të këtyre statuteve,

20 me qëllim që zemra e tij të mos ngrihet mbi vëllezërit e tij dhe të mos shmanget nga ky urdhërim as djathtas, as majtas, dhe të zgjasë kështu ditët e mbretërimit të tij, ai vetë dhe bijtë e tij, në mes të Izraelit".

18 "Tërë priftërinjtë levitë, tërë fisi i Levit, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi në Izrael; do të jetojnë me flijimet e bëra me zjarr për Zotin, trashëgimi e tij.

Nuk do të kenë asnjë trashëgimi nga vëllezërit e tyre; sepse Zoti është trashëgimia e tyre, ashtu siç ua ka thënë.

Kjo është ajo që i detyrohet priftit populli, ata që ofrojnë një flijim, qoftë një lopë, një dele apo një dhi; ata do t’i japin priftit shpatullat, nofullat dhe plëndësin.

Do t’i japësh prodhimin e parë të grurit tënd, të mushtit tënd dhe të vajit tënd, si dhe qethjen e parë të dhenve të tua;

sepse Zoti, Perëndia yt, e ka zgjedhur midis gjithë fiseve të tu për të kryer shërbimin në emër të Zotit, atë vetë dhe bijtë e tij për gjithnjë

Por në rast se një Levit, që ka ardhur nga një prej qyteteve të tua të të gjithë Izraelit, ku ai banonte, vjen me gjithë dëshirën e zemrës së tij në vendin e zgjedhur nga Zoti,

atëherë ai do të mund të shërbejë në emër të Zotit, Perëndisë së tij, ashtu si gjithë vëllezërit e tij Levitë që ndodhen aty përpara Zotit.

Ata do të marrin për mbajtjen e tyre pjesë të barabarta, përveç parave nga shitja e pasurisë së tyre.

Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të mësosh të shkosh pas veprave të neveritshme të këtyre kombeve.

10 Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji,

11 as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit,

12 sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti; dhe për shkak të kësaj neverie, Zoti është duke i përzënë para teje.

13 Ti do të jesh i përkryer para Zotit, Perëndisë tënd;

14 sepse kombet, që ti do të dëbosh, i kanë dëgjuar shortarët dhe magjistarët; kurse ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të ka lejuar të veprosh kështu.

15 Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar,

16 në bazë të gjithë atyre gjërave që i kërkove Zotin, Perëndinë tënd, në Horeb, ditën e asamblesë, kur the: "Të mos dëgjoj më zërin e Zotit, Perëndisë tim, dhe të mos shoh më këtë zjarr të madh, që unë të mos vdes".

17 Dhe Zoti më tha: "Atë që thanë, është mirë;

18 unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj.

19 Dhe do të ndodhë që në se dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t’i kërkoj llogari.

20 Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë e kam urdhëruar ta thotë ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet".

21 Dhe në se ti thua në zemrën tënde: "Si do të bëjmë për të dalluar fjalën që Zoti nuk ka thënë?".

22 Kur profeti flet në emër të Zotit dhe kjo gjë nuk ndodh dhe nuk realizohet, kemi të bëjmë me një gjë që Zoti nuk e ka thënë; e ka thënë profeti me mendjemadhësi; mos ki frikë prej tij".

13 Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: “Mësues, shih ç’gurë e ç’ndërtesa!.”

Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: “A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”

Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas:

“Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?.”

Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: “Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri.

Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: "Unë jam!"; dhe do të mashtrohen shumë veta.

Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi.

Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes.

Kujdesuni për veten! Sepse do t’ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t’ju rrahin ndër sinagoga; do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.

10 Por më parë duhet që t’u përhapet ungjilli gjithë popujve.

11 Tani, kur t’ju çojnë për t’ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t’ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.

12 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i bëjnë të vdesin.

13 Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet.”

14 Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve.

15 Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet.

16 Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.

17 Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë!

18 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.

19 Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.

20 Dhe, nëse Zoti nuk do t’i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi.

Read full chapter