Add parallel Print Page Options

Dëgjoni këtë fjalë, lopë të Bashanit, që ndodheni mbi malin e Samarisë, ju, që shypni të mjerët, që keqtrajtoni të varfrit, që u thoni zotërinjve tuaj: "Sillni verë dhe ta pimë".

Zoti, Zoti, është betuar për shenjtërinë e tij: "Ja, do të vinë për ju ditë në të cilat do t’ju zënë me çengela dhe ata që kanë mbetur me grepa peshkimi.

Do të dilni nëpër të çara, secili drejt përpara, dhe do t’ju hedhin në Harmon," thotë Zoti.

"Shkoni në Bethel dhe kryeni mëkate; në Gilgal kryeni edhe më shumë mëkate. Sillni çdo mëngjes flijimet tuaja dhe çdo tri ditë të dhjetat tuaja.

Ofroni një flijim falënderimi me maja. Shpallni ofertat me dëshirë dhe i propagandoni, sepse kështu ju pëlqen të veproni, o bij të Izraelit," thotë Zoti, Zoti.

"Ju kam lënë gojë thatë në të gjitha qytetet tuaja dhe pa bukë në të gjitha banesat tuaja, por nuk jeni kthyer tek unë," thotë Zoti.

"Kam ndalur shiun gjithashtu prej jush tre muaj para korrjes. Kam bërë të bjerë shi mbi një qytet, ndërsa nuk ka rënë shi mbi një qytet tjetër. Mbi një pjesë të arës ka rënë shi, por pjesa ku nuk ka rënë shi është tharë.

Kështu dy ose tre qytete endeshin drejt një qyteti tjetër për të pirë ujë, por pa shuar dot etjen; por ju nuk u kthyet tek unë," thotë Zoti.

"Ju godita me blozën dhe me ndryshkun. Krimbi ka ngrënë kopshtet tuaja të shumta, vreshtat tuaja, fiqtë tuaj, ullinjtë tuaj, por ju nuk u kthyet tek unë," thotë Zoti.

10 "Dërgova midis jush murtajën, ashtu si kisha bërë në Egjipt; vrava të rinjtë tuaj me shpatë bashkë me kuajt e zënë; bëra që duhma e kampeve tuaj të ngjitet deri te flegrat tuaja, por ju nuk u kthyet tek unë," thotë Zoti.

11 "Ju përlava, si Sodoma dhe Gomora, ju ishit si një urë zjarri, dhe nuk u kthyet tek unë," thotë Zoti.

12 "Prandaj kështu do të sillem me ty, o Izrael; dhe duke qenë se unë do të bëj këtë kundër teje, përgatitu, o Izrael, të takosh Perëndinë tënd".

13 Sepse ja, ai që formon malet dhe krijon erën, që i bën të njohur njeriut cili është mendimi i tij, që e kthen agimin në terr dhe ecën mbi vendet e larta të tokës: Zoti, Perëndia i ushtrive, është emri i tij.

Dëgjoni këtë fjalë, këtë vajtim që unë ngre mbi ju, o shtëpi e Izraelit.

Virgjëresha e Izraelit ra dhe nuk do të ngrihet më; ajo rri shtrirë në tokën e vet dhe askush nuk e ngre.

Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Qyteti që dilte me njëmijë njerëz do të mbetet me njëqind, ndërsa ai që dilte me njëqind do të mbetet me dhjetë për shtëpinë e Izraelit".

Sepse kështu thotë Zoti shtëpisë së Izraelit: "Më kërkoni dhe do të rroni,

por mos kërkoni Bethelin, mos shkoni në Gilgal, mos vazhdoni deri në Beer-Sheba, sepse Gilgali do të shkojë me siguri në robëri dhe Betheli do të katandiset në asgjë.

Kërkoni Zotin dhe do të rroni, që të mos shpërthejë si zjarr në shtëpinë e Jozefit dhe ta gllabërojë pa qenë në gjendje ta shuajë askush në Bethel.

Ai braktis ata që e ndërrojnë ndershmërinë dhe drejtësinë në helm mbi tokë".

Ai ka bërë Plejadat dhe Orionin, e kthen hijen e vdekjes në agim dhe e bën ditën të errët si nata; thërret ujërat e detit dhe i derdh mbi faqen e dheut: emri i tij është Zoti.

Ata sjellin papritmas shkatërrimin mbi të fuqishmit, dhe kështu rrënimi u sulet fortesave.

10 Ata e urrejnë atë që i qorton te porta dhe kanë neveri për ata që flasin me ndershmëri.

11 Pastaj, duke qenë se keni shtypur të varfrin dhe kërkoni prej tij taksa në grurë, megjithëse keni ndërtuar shtëpi prej guri të palatuar, nuk do të banoni në to; keni mbjellë vreshta të mrekullueshme, por nuk do ta pini verën e tyre.

12 Unë, pra, njoh sa të shumta janë shkeljet tuaja dhe sa të rënda janë mëkatet tuaja; ju shtypni të drejtin, pranoni dhurata dhe u bëni padrejtësi të varfërve në gjyq.

13 Prandaj njeriu i matur në këtë kohë do të heshtë, sepse koha është e keqe.

14 Kërkoni të mirën dhe jo të keqen, që të rroni, dhe kështu Zoti, Perëndia i ushtrive, do të jetë me ju, ashtu si thoni ju.

15 Urreni të keqen, dashuroni të mirën dhe vendosni mirë drejtësinë në gjyq. Ndofta Zoti, Perëndia i ushtrive, do të tregojë dhemshurinë për ata që kanë mbetur nga Jozefi.

16 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Zoti: "Në të gjitha sheshet do të ketë vajtime dhe në të gjitha rrugët do të thonë: "Vaj medet, vaj medet!". Atëherë do të thërrasin bujkun të mbajë zi dhe ata që janë të aftë të qajnë të vajtojnë.

17 Në të gjitha vreshtat do të ketë vajtim, sepse unë do të kaloj në mes teje," thotë Zoti.

18 Mjerë ju që dëshironi ditën e Zotit! Çfarë do të jetë vallë për ju dita e Zotit? Do të jetë një ditë terri dhe jo drite.

19 Do të jetë ashtu si dikush që fugon para një luani dhe ndesh një ujk; ose hyn në shtëpi, e mbështet dorën mbi mur dhe një gjarpër e kafshon.

20 Dita e Zotit a nuk është vallë terr dhe jo dritë, errësirë e madhe dhe pa asnjë shkëlqim?

21 Unë i urrej, i përçmoj festat tuaja, nuk ndiej asnjë gëzim në mbledhjet tuaja solemne.

22 Edhe sikur të më ofroni olokaustet tuaja dhe blatimet tuaja ushqimore, unë nuk do t’i pëlqej as do të shikoj me favor flijimet e falendërimit të kafshëve të majme.

23 Largo nga unë zhurmën e këngëve të tua, sepse nuk dua të dëgjoj muzikën e harpave të tua.

24 Por le të rrjedhë e drejta si uji dhe drejtësia si një burim i përhershëm uji.

25 O shtëpi e Izraelit, më keni ofruar vallë flijime dhe blatime ushqimore në shkretëtrë për dyzet vjet me radhë?

26 Ju keni mbartur gjithashtu Sikuthin, mbretin tuaj, dhe Kiunin, figurat tuaja, yllin e perëndive tuaja, që i keni bërë vetë.

27 Prandaj unë do të bëj që të shkoni në robëri matanë Damaskut," thotë Zoti, emri i të cilit është Perëndia i ushtrive.

Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion dhe që e ndjejnë veten të sigurt në malin e Samarias, njerëz të parisë të ballit të kombeve, ku po shkon shtëpia e Izraelit.

Kaloni në Kalneh dhe shikoni, që andej shkoni në Hamathin e madh, pastaj zbrisni në Gathin e Filistejve. A janë vallë ato më të mira nga këto mbretëri ose territori i tyre është më i madh nga ai juaji?

Ju doni të largoni ditën e keqe, por e afroni selinë e dhunës.

Mjerë ata që rrinë shtrirë mbi shtretër prej fildishi, që shtrihen mbi divanet e tyre dhe hanë qengjat e kopesë dhe viçat që merren nga stalla.

Këndojnë me tingullin e harpës dhe ashtu si Davidi shpikin për vete vegla muzikore;

pinë verë në kupa të gjëra dhe lyhen me vajrat më të mira, por nuk trishtohen për shkatërrimin e Jozefit.

Prandaj do të shkojnë në robëri në krye të të internuarve dhe ata që shtrihen mbi divanet në banketet do të hiqen.

Zoti, Zoti, është betuar për veten e tij, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Unë nuk e shoh dot me sy madhështinë e Jakobit dhe i urrej pallatet e tij; prandaj do t’ia jap armikut në dorë qytetin me tërë ato që përmban".

Dhe do të ndodhë që, po të lënë dhjetë burra në një shtëpi, do të vdesin edhe ata.

10 Kur një i afërt do të vijë me atë që djeg kufomat për t’i marrë trupat dhe për t’i nxjerrë jashtë shtëpisë, do t’i thotë atij që ndodhet brenda në shtëpi: "A ka të tjerë me ty?". Tjetri do të përgjigjet: "Jo". Dhe i pari do të thotë: "Hesht, sepse nuk duhet të përmendet emri i Zotit".

11 Sepse ja, Zoti urdhëron dhe e katandis shtëpinë e madhe në bajgë dhe të voglën në copëza.

12 Vallë, a rendin kuajt mbi shkëmbinjtë ose a lërohen ata me qe? Por ju e ktheni të drejtën në helm dhe frytin e drejtësisë në hidhërim,

13 ju, që gëzoheni për Lo-debarin, ju që thoni: "A nuk e kemi marrë për vete Karnaimin me forcën tonë?".

14 "Sepse ja, o shtëpia e Izraelit," thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, "unë do të ngre kundër jush një komb, që do t’ju shtypë nga hyrja e Hamathit deri të përroi i Arabahut".

Pas këtyre gjërave, pashë katër engjëj të cilët rrinin në këmbë në të katër këndet e dheut dhe mbanin të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë mbi dhe, as mbi det, as mbi ndonjë dru.

Pastaj pashë një engjëll tjetër që ngjitej nga lind dielli e që kishte vulën e Perëndisë së gjallë; dhe u thirri me zë të madh të katër engjëjve, të cilëve u qe dhënë të dëmtojnë dheun dhe detin,

duke thënë: “Mos dëmtoni dheun, as detin, as pemët, deri sa t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë.”

Dhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit.

Nga fisi i Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Rubenit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Gadit dymbëdhjetë mijë të vulosur;

nga fisi i Asherit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Neftalit, dymbëdhjetë mjië të vulosur; nga fisi i Manasit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;

nga fisi i Simeonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Levit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Isakarit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;

nga fisi i Zabulonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Jozefit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Beniaminit, dymbëdhjetë mijë të vulosur.

Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre.

10 Dhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: “Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit.”

11 Dhe të gjithë engjëjt rrinin në këmbë përqark fronit, dhe pleqve dhe katër qenieve e gjalla, dhe ranë përmbys mbi fytyrën e tyre përpara fronit dhe adhuruan Perëndinë,

12 duke thënë: “Amen! Bekimi, dhe lavdia, dhe dituria, dhe falendërimi, dhe nderimi, dhe fuqia dhe forca janë te Perëndia ynë në shekuj të shekujve. Amen!.”

13 Pastaj një nga pleqtë m’u drejtua, duke më thënë: “Cilët janë këta që janë veshur me rroba të bardha, dhe nga kanë ardhur?.”

14 Dhe unë i thashë: “Imzot, ti e di.” Atëherë ai më tha: “Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.

15 Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbenin atij ditë e natë në tempullin e tij; dhe ai që rri ulur mbi fron do të banojë në mes tyre.

16 Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t’i godasë më dielli, as kurrfarë vape,

17 sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t’i kullosë dhe do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre.”