Add parallel Print Page Options

Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti,

dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t’i sillte të lidhur në Jeruzalem.

Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.

Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: “Saul, Saul, përse më përndjek?.”

Dhe ai tha: “Kush je, Zot?.” Dhe Zoti tha: “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave.”

Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: “Zot, ç’don ti të bëj unë?.” Dhe Zoti: “Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç’duhet të bësh.”

Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri.

Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.

Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.

10 Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: “Anania!.” Dhe ai u përgjigj: “Ja ku jam, Zot!.”

11 Dhe Zoti i tha: “Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;

12 ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t’ia kthyer dritën e syve.”

13 Atëherë Anania u përgjigj: “O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.

14 Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd.”

15 Por Zoti i tha: “Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.

16 Sepse unë do t’i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim.”

17 Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: “Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë.”

18 Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.

19 Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.

20 Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.

21 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshnin: “Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t’i çojë si robër te krerët e priftërinjve?.”

22 Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte Judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.

23 Pas shumë ditësh, Judenjtë u konsultuan bashkë që ta vrasin.

24 Por komploti i tyre u mor vesh nga Sauli. Dhe ditë e natë ata i ruanin portat e qytetit që të mund ta vrisnin;

25 atëherë dishepujt e morën natën dhe e zbritën poshtë nga muri, në një shportë.

26 Si arriti në Jeruzalem, Sauli u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull.

27 Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit.

28 Kështu ai qëndroi me ta në Jeruzalem, dhe shkonte e vinte, dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezus.

29 Ai u fliste dhe diskutonte me helenistët, por ata kërkonin ta vrisnin.

30 Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars.

31 Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.

32 Por ndodhi që, ndërsa Pjetri po e përshkonte gjithë vendin, erdhi edhe te shenjtorët që banonin në Lida.

33 Aty ai gjeti një njeri me emër Enea, i cili tashmë prej tetë vjetësh dergjej në shtrat, sepse ishte i paralizuar.

34 Pjetri i tha: “Enea, Jezusi, Krishti, të shëron; çohu dhe ndreqe shtratin.” Dhe ai u ngrit menjëherë.

35 Dhe të gjithë banorët e Lidës dhe të Saronit e panë dhe u kthyen te Zoti.

36 Por në Jopë ishte një dishepull me emër Tabitha, që do të thotë Gazelë; ajo bënte shumë vepra të mira dhe jepte shumë lëmoshë.

37 Por në ato ditë ndodhi që ajo u sëmur dhe vdiq. Pasi e lanë, e vunë në një dhomë në katin e sipërm.

38 Dhe, duke qenë se Lida është afër Jopës, dishepujt, kur morën vesh se Pjetri ndodhej atje, i dërguan dy burra që ta lutnin të vijë tek ata pa vonesë.

39 Atëherë Pjetri u ngrit dhe u nis bashkë me ta. Sapo arriti, e çuan në dhomën lart; të gjitha gratë e veja i dolën atij duke qarë dhe i treguan tunikat dhe veshjet që kishte punuar Gazela, sa ishte bashkë me to.

40 Atëherë Pjetri, mbasi i nxori jashtë të gjithë, u ngjunjëzua dhe u lut. Pastaj iu kthye trupit dhe tha: “Tabitha, çohu!.” Dhe ajo i hapi sytë dhe, si pa Pjetrin, u ngrit ndenjur.

41 Ai i dha dorën dhe e ndihmoi të ngrihet; dhe, si thirri shenjtorët dhe gratë e veja, ua tregoi të gjallë.

42 Kjo u muar vesh në mbarë Jopën, dhe shumë veta besuan në Zotin.

43 Dhe Pjetri qëndroi disa ditë në Jopë, në shtëpinë e njëfarë Simoni, regjës lëkurësh.

10 Por në Cezare ishte njëfarë njeriu me emër Kornel, centurion i kohortës, që quhej Italik;

ai ishte njeri i perëndishëm dhe që e druante Perëndinë me gjithë shtëpinë e tij; i jepte shumë lëmoshë popullit dhe vazhdimisht i lutej Perëndisë.

Ai pa qartë në një vegim, aty nga ora e nëntë e ditës, një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai dhe i tha: “Kornel!.”

dhe ai, duke ia ngulur sytë dhe shumë i trembur, i tha: “Ç’është, Zot?.” Atëherë engjëlli i tha: “Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua, janë ngjitur para Perëndisë, si një kujtesë;

tani, pra, dërgo disa njerëz në Jopë dhe thirre Simonin, që e thërrasin Pjetër.

Ai gjendet pranë njëfarë Simoni, regjës lëkurësh, që e ka shtëpinë afër detit; ai do të të thotë çfarë duhet të bësh.”

Sapo u largua engjëlli që i foli, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar besnik, nga ata që ishin në shërbimin e tij personal,

u tregoi çdo gjë dhe i nisi për në Jope.

Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë, rreth orës së gjashtë për t’u lutur.

10 E mori uria dhe donte të hante; dhe, ndërsa ata të shtëpisë po i përgatitnin ushqimin, u rrëmbye në ekstazë;

11 dhe pa qiellin e hapur dhe një send që i përngjante një çarçafi të madh që po zbriste drejt tij; ishte lidhur në të katër cepat dhe kishte zbritur në tokë,

12 dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e katërkëmbësheve, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë qielli.

13 Dhe një zë i tha: “Pjetër, çohu, ther dhe ha!.”

14 Por Pjetri u përgjigj: “Kurrsesi, o Zot, sepse unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër ose të ndotur!.”

15 Dhe zëri i tha për të dytën herë: “Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra.”

16 Kjo ndodhi tri herë; pastaj ai send u ngrit sërish në qiell.

17 Dhe ndërsa Pjetri po mendohej me mëdyshje ç’kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë, ja që njerëzit e dërguar nga Korneli, mbasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u paraqitën te dera.

18 Dhe thirrën e pyetën nëse Simoni, i mbiquajtur Pjetër, ndodhej aty.

19 Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: “Ja, po të kërkojnë tre burra.

20 Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t’i kam dërguar.”

21 Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: “Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?.”

22 Dhe ata i thanë: “Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i Judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t’i thënë.”

23 Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopes e shoqëruan.

24 Një ditë më pas hynë në Cezare. Por Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e tij të ngushtë.

25 Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe e adhuroi.

26 Por Pjetri e ngriti duke thënë: “Çohu, edhe unë jam një njeri!.”

27 Dhe, duke biseduar me të, hyri dhe gjeti mbledhur shumë njerëz.

28 Dhe ai u tha atyre: “Ju e dini se nuk është e ligjshme që një Jude të shoqërohet me një të huaj ose të hyjë në shtëpinë e tij; por Perëndia më dëftoi që të mos e quaj asnjë njeri të papastër a të ndotur.

29 Prandaj, sapo më ftuat të vij, erdha pa kundërshtuar. Tani po ju pyes: për ç’arsye më keni dërguar ftesë?.”

30 Dhe Korneli u përgjigj: “Para katër ditësh kisha agjëruar deri në këtë orë, dhe në orën e nëntë po lutesha në shtëpinë time, kur ja, një njeri me rroba të shndritshme qëndroi para meje,

31 dhe tha: "Kornel, lutja jote t’u plotësua dhe lëmoshat e tua u kujtuan para Perëndisë.

32 Dërgo, pra, ndonjë njeri në Jope dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër; ai ndodhet në shtëpinë e Simonit, regjës lëkurësh, pranë detit; dhe, kur të vijë, ai do të të flasë".

33 Kështu dërgova menjëherë të të thërrasin, dhe ti bëre mirë që erdhe; tani ne këtu jemi të gjithë në prani të Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që Perëndia të ka urdhëruar.”

34 Atëherë Pjetri hapi gojën dhe tha: “Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm;

35 por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai,

36 sipas fjalës që ai u ka dhënë bijve të Izraelit, duke u shpallur paqen me anë të Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve.

37 Ju e dini se ç’ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni:

38 se si Perëndia vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin prej Nazareti, i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me të.

39 Dhe ne jemi dëshmitarë për të gjitha ato që ai bëri në vendin e Judesë dhe në Jeruzalem; dhe se si ata e vranë, duke e varur në një dru.

40 Por Perëndia e ringjalli të tretën ditë dhe e bëri që ai të dëftohet,

41 jo mbarë popullit, por dëshmitarëve të paracaktuar nga Perëndia, neve, që hëngrëm dhe pimë me të, mbasi ai u ngjall së vdekuri.

42 Tani ai na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë se ai është ai që Perëndia e ka caktuar si gjykatës të të gja-llëve dhe të të vdekurve.

43 Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij.”

44 Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Fryma e Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që po e dëgjonin fjalën.

45 Dhe të gjithë besimtarët që ishin të rrethprerë, të cilët kishin ardhur me Pjetrin, u mrekulluan që dhurata e Frymës se Shenjtë u shpërnda edhe mbi johebrenjtë,

46 sepse i dëgjonin duke folur gjuhë të tjera dhe duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri filloi të thotë:

47 “A mund ta ndalojë dikush ujin, që të mos pagëzohen këta që kanë marrë Frymën e Shenjtë pikërisht si ne?.”

48 Kështu ai urdhëroi që ata të pagëzoheshin në emër të Zotit Jezus. Ata pastaj iu lutën të qëndronte disa ditë me ta.