Add parallel Print Page Options

Atëherë kryeprifti i tha: “A janë këto gjëra pikërisht kështu?.”

Ai tha: “Vëllezër dhe etër, dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq Abrahamit, atit tonë, kur ai ishte në Mesopotami, përpara se të banonte në Haran,

dhe i tha: "Dil prej vendit tënd e prej farefisit tënd dhe shko në vendin që unë do të të tregoj".

Atëherë ai doli nga vendi i Kaldeasve dhe banoi në Haran; prej andej, mbasi i vdiq i ati, Perëndia e bëri të vijë në këtë vend, ku banoni ju tani.

Ai nuk i dha kurrfarë trashëgimie, as edhe vend për të vënë një këmbë. Por i premtoi t’ia japë për pronë atij dhe pasardhësve të tij, pas tij, kur ai ende s’kishte asnjë fëmijë.

Dhe Perëndia foli kështu: "Pasardhësit e tij do të banonin si të huaj në një vend të huaj, dhe atje do të mbaheshin në skllavëri dhe do të të keqtrajtoheshin për katërqind vjet.

Por Perëndia shtoi: "Unë do ta gjykoj atë komb të cilit ata do t’i shërbejnë; dhe pas kësaj ata do të dalin dhe do të më shërbejnë në këtë vend".

Pastaj i dha atij besëlidhjen e rrethprerjes. Dhe kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu të tetën ditë; Isakut i lindi Jakobi, dhe Jakobit dymbëdhjetë patriarkë.

Patriarkët, duke pasur smirë Jozefin, e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të;

10 dhe e shpëtoi nga të gjitha mundimet e tij dhe i dha hir e urtësi para Faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e caktoi guvernator të Egjiptit dhe të mbarë shtëpisë së tij.

11 Por ra një zi buke dhe u bë një shtrëngesë në gjithë vendin e Egjiptit dhe të Kanaanit, dhe etërit tanë nuk gjenin ushqime.

12 Por Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dhe dërgoi atje herën e parë etërit tanë.

13 Herën e dytë Jozefi u tregoi që ta njihnin vëllezërit e tij dhe Faraonit iu njoftua farefisnia e Jozefit.

14 Atëherë Jozefi dërgoi ta thërresin atin e vet Jakobin dhe gjithë farefisin e vet, gjithsej shtatëdhjetë e pesë veta.

15 Jakobi zbriti në Egjipt, ku vdiq ai dhe etërit tanë.

16 Ata pastaj i mbartën në Sikem dhe i varrosën në varrin që Abrahami pati blerë me argjend nga bijtë e Emorit, ati i Sikemit.

17 Por, ndërsa po afrohej koha e premtimit që Perëndia i ishte betuar Abrahamit, populli u shtua dhe u shumua në Egjipt,

18 derisa doli në Egjipt një mbret tjetër që nuk e kishte njohur Jozefin.

19 Ky, duke vepruar me ligësi kundër skotës sonë, i keqtrajtoi etërit tanë deri sa t’i ekspozojnë foshnjat e tyre, që të mos mbeteshin gjallë.

20 Në atë kohë lindi Moisiu, dhe ishte i bukur në sytë e Perëndisë; ai u ushqye për tre muaj në shtëpinë e të atit.

21 Dhe kur u ekspozua, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si birin e vet.

22 Kështu Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e Egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra.

23 Po kur arriti në moshën dyzet vjeçare, i erdhi në zemër të shkojë e të vizitojë vë-llezërit e tij: bijtë e Izraelit.

24 Kur pa se dikujt po i bëhej një padrejtësi, e mbrojti dhe ia mori hakun të shtypurit, duke vrarë Egjiptasin.

25 Dhe ai mendonte se vëllezërit e tij do ta kuptonin se Perëndia do t’u jepte çlirimin me anë të tij, por ata nuk e kuptuan.

26 Të nesërmen ai u duk në mes tyre, ndërsa po ziheshin dhe i këshilloi për paqe, duke thënë: "O burra, ju jeni vëllezër, pse ia bëni me të padrejtë njëri-tjetrit?".

27 Por ai që ia bënte me të padrejtë fqinjit të vete shtyu, duke thënë: Kush të ka vënë ty të parë dhe gjykatës mbi ne??

28 Don të më vrasësh mua, ashtu si vrare dje Egjiptasin?".

29 Për shkak të këtyre fjalëve Moisiu iku dhe banoi si i huaj në vendin e Madianit, ku i lindën dy bij.

30 Si kaluan dyzet vjet, engjëlli i Zotit iu shfaq në shkretëtirën e malit Sinai, në flakën e zjarrit të një ferrishteje.

31 Kur e pa, Moisiu mbeti i habitur nga sa shihte; dhe, kur po afrohej për të vërejtur, dëgjoi zërin e Zotit,

32 që thoshte: "Unë jam Perëndia e etërve të tu, Perëndia e Abrahamit, Perëndia e Isakut dhe Perëndia e Jakobit". Por Moisiu, që dridhej i tëri, nuk guxonte të shikonte.

33 Atëherë Perëndia i tha: "Hiqi sandalet nga këmbët e tua, sepse vendi ku ti po qëndron është tokë e shenjtë.

34 Unë e kam parë qartë pikëllimin e popullit tim në Egjipt dhe i dëgjova psherëtimat e tyre, dhe kam zbritur për t’i çliruar; tani, pra, eja, unë do të të dërgoj në Egjipt!".

35 Atë Moisiun që e kishin refuzuar, duke thënë: "Kush të vuri ty të parë dhe gjykatës?," po atë u dërgoi Perëndia si kryetar dhe çlirues me anë të engjëllit që i ishte shfaqur në ferrishte.

36 Ai i nxori jashtë, duke kryer shenja e mrekulli në vendin e Egjiptit, në Detin e Kuq dhe në shkretirë për dyzet vjet.

37 Ky është ai Moisi që u tha bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia juaj do të nxjerrë për ju, nga mesi i vëllezërve tuaj, një profet si mua. Dëgjojeni!".

38 Ky është ai që në kuvend, në shkretëtirë, ishte me engjëllin që i fliste mbi malin Sinai dhe me etërit tanë; dhe mori fjalët e jetës për të na e përçuar neve.

39 Etërit tanë nuk deshën t’i binden atij; madje e hodhën poshtë dhe me zemrat e tyre u kthyen nga Egjipti,

40 duke i thënë Aaronit: "Na bëj disa perëndi që të na prijnë, sepse nuk dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiu që na nxori nga vendi i Egjiptit".

41 Dhe në ato ditë ata bënë një viç, i ofruan flijim idhullit dhe u gëzuan me veprën e duarve të tyre.

42 Atëherë Perëndia u tërhoq dhe i la t’i shërbejnë ushtrisë së qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e profetëve: "O shtëpi e Izraelit, a më keni kushtuar flijime dhe olokauste për dyzet vjet në shkretëtirë?

43 Apo më shumë mbartët çadrën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, imaxhe që i bëtë vetë për t’i adhuruar; për këtë arsye unë do t’ju shpërngul përtej Babilonisë".

44 Etërit tuaj në shkretëtirë kishin tabernakullin e dëshmisë, ashtu siç kishte urdhëruar ai që i pati thënë Moisiut ta bëjë sipas modelit që kishte parë.

45 Dhe etërit tanë, pasi e morën, e mbartën me Jozueun në vendin që e kishin pushtuar johebrenjtë, të cilët Perëndia i dëboi para etërve tanë; dhe aty qëndroi deri në ditët e Davidit,

46 i cili gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të mund të gjente një banesë për Perëndinë e Jakobit.

47 Por qe Salomoni ai që ia ndërtoi një shtëpi.

48 Por Shumë i Larti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga dora e njeriut, sikurse thotë profeti:

49 “Qielli është froni im dhe toka stoli i këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të më ndërtonit ju, thotë Zoti, ose cili do të qe vendi i pushimit tim?

50 A nuk i bëri të gjitha këto gjëra dora ime?.”

51 O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju.

52 Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmeronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;

53 ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!.”

54 Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.

55 Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë,

56 dhe tha: “Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë.”

57 Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të;

58 dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul.

59 Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: “O Zoti Jezus, pranoje frymën time!.”

60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: “O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!.” Dhe, si tha këtë, fjeti.

Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve.

Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të.

Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg.

Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën.

Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin.

Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte.

Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin.

Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh.

Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh.

10 Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: “Ky është fuqia e madhe e Perëndisë.”

11 Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari.

12 Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan.

13 Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur.

14 Por kur apostujt dëgjuan në Jeruzalem se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, i dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin.

15 Kur këta arritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë,

16 sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus.

17 Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë.

18 Dhe Simoni, kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre para,

19 duke thënë: “Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që ai të cilit do t’i vë duart, të marrë Frymën e Shenjtë.”

20 Por Pjetri i tha: “Le të humbasë paraja jote dhe ti bashkë me të, sepse ti mendove se mund ta blesh me para dhuratën e Perëndisë.

21 Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë.

22 Pendohu, pra, për këtë ligësi që ke dhe lutju Perëndisë që, po të jetë e mundur, të të falet mendimi i zemrës sate.

23 Sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë.”

24 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: “Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga ato që thatë.”

25 Ata, pra, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem, mbasi ungjillzuan shumë fshatra të Samaritanëve.

26 Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: “Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë.”

27 Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar.

28 Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia.

29 Dhe Fryma i tha Filipit: “Afrohu dhe arrije atë karrocë!.”

30 Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: “A e kupton atë që lexon?.”

31 Ai tha: “E si do të mundja, po s’pata një që të më udhëzojë?.” Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij.

32 Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: “Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet.

33 Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka.”

34 Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: “Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?.”

35 Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli Jezusin.

36 Dhe, ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend me ujë. Dhe eunuku tha: “Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?.”

37 Dhe Filipi tha: “Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh.” Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.”

38 Urdhëroi atëherë të ndalet karroca, dhe të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën në ujë dhe ai e pagëzoi.

39 Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; por e vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim.

40 Por Filipi u gjet në Azot; dhe, duke vazhduar, ungjillëzoi të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare.