Add parallel Print Page Options

Ndërsa ata po i flisnin popullit, priftërinjtë, komandanti i tempullit dhe saducenjtë u turrën mbi ta,

të zemëruar sepse e mësonin popullin dhe shpallnin në Jezusin ringjalljen e të vdekurve.

Dhe i shtinë në dorë dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte ngrysur.

Por shumë nga ata që ua kishin dëgjuar fjalën besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë.

Të nesërmen krerët, pleqtë dhe skribët u mblodhën në Jeruzalem,

bashkë me kryepriftin Anan dhe me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin dhe të gjithë ata që i përkisnin farefisit të kryepriftërinjve.

Dhe, si i nxorën aty në mes, i pyetën: “Me ç’pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?.”

Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: “Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit!

Nëse ne sot gjykohemi për një mirësi që iu bë një njeriu të sëmurë, për të ditur si u shërua ai,

10 le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht.

11 Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes.

12 Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.”

13 Ata, kur e panë çiltërsinë e Pjetrit dhe të Gjonit dhe duke kuptuar se ishin njerëz të pamësuar dhe pa arsim, u mrrekulluan dhe i njihnin se kishin qenë me Jezusin.

14 Duke parë pastaj në këmbë pranë tyre, njeriun që u shërua, nuk mund të thoshnin asgjë kundër.

15 Dhe, mbasi i urdhëruan të dalin jashtë sinedrit, u konsultuan me njëri tjetrin,

16 duke thënë: “Ç’t’u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse u është njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit se është bërë një mrekulli e dukshme prej tyre, dhe ne nuk mund ta mohojmë;

17 por, që kjo të mos përhapet më shumë në popull, t’i shtrëngojmë me kërcënime të rrepta të mos i flasin më asnjeriu në këtë emër.”

18 Dhe, si i thirrën, u dhanë urdhër atyre të mos flasin fare dhe as të mësojnë në emër të Jezusit.

19 Por Pjetri dhe Gjoni, duke iu përgjigjur atyre, thanë: “Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t’ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë.

20 Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar.”

21 Ata pasi i kërcënuan përsëri, i lanë të shkojnë duke mos gjetur mënyrë se si t’i ndëshkojnë për shkak të popullit, sepse të gjithë përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.

22 Sepse njeriu në të cilin kishte ndodhur ajo mrekulli e shërimit ishte më shumë se dyzet vjeç.

23 Kur u liruan, ata u kthyen tek të vetët dhe u treguan gjithçka që krerët e priftërinjve dhe pleqtë u kishin thënë.

24 Kur i dëgjuan këto, ata unanimisht e ngritën zërin te Perëndia dhe thanë: “O Zot, ti je Perëndia që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta,

25 dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: "Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota?

26 Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij".

27 Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit,

28 për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.

29 Dhe tani, Zot, shqyrto kërcënimet e tyre dhe lejo që shërbëtorët e tu të kumtojnë fjalën tënde me plot çiltërsi,

30 duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit.”

31 Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë, dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltersi.

32 Dhe numri i madh i atyre që besuan ishte me një zemër të vetme dhe me një shpirt të vetëm; askush nuk thoshte se ç’kishte ishte e vet, por të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta.

33 Dhe apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi të ringjalljes së Zotit Jezus; dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata.

34 Sepse midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse të gjithë ata që zotëronin ara ose shtëpi i shisnin dhe sillnin fitimin nga gjërat e shitura,

35 dhe i vinin te këmbët e apostujve; pastaj secilit i jepej, sipas nevojës së tij.

36 Kështu Iose, i mbiquajtur nga apostujt Barnaba (që do të thotë "biri i ngushëllimit"), Levit, me prejardhje nga Qipro,

37 kishte një arë, e shiti dhe solli fitimin dhe i vuri te këmbët e apostujve.

Kurse një farë burri, me emër Anania, me gruan e vet Safira, shiti një arë,

por mbajti për vete një pjesë të parave, me miratimin e gruas, dhe e çoi mbetjen te këmbët e apostujve.

Por Pjetri i tha: “Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës?

Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!.”

Kur i dëgjoi këto fjalë, Anania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra.

Atëherë u ngritën disa të rinj, e mbështollën, e mbartën jashtë dhe e varrosën.

Dhe afërsisht tre orë më vonë hyri dhe gruaja e tij, e cila nuk dinte ç’kishte ndodhur.

Dhe Pjetri i drejtoi fjalën, duke thënë: “Më thuaj, a e shitët arën për kaq?.” Dhe ajo u përgjigj: “Po, për aq.”

Atëherë Pjetri i tha: “Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty!.”

10 Në moment ajo ra te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe të rinjtë, si hynë, e gjetën të vdekur, e mbartën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj.

11 Kështu një frikë e madhe e zuri gjithë kishën dhe gjithë ata që i dëgjonin këto gjëra.

12 Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve. Të gjithë me një mendje të vetme mblidheshin nën portikun e Salomonit.

13 Dhe asnjeri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte.

14 Kështu Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash,

15 aq sa i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e në shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata.

16 Edhe një turmë nga qytetet përreth turrej në Jeruzalem, duke sjellë të sëmurët dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin.

17 Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,

18 dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.

19 Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha:

20 “Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete.”

21 Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t’i sjellë apostujt.

22 Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre,

23 duke thënë: “Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda.”

24 Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç’donte të thoshte gjithë kjo punë.

25 Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: “Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin.”

26 Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.

27 Kështu, pra, i sollën dhe i paraqitën përpara sinedrit; dhe kryeprifti i pyeti,

28 duke thënë: “Po a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër? Dhe ja, ju e keni mbushur Jeruzalemin me doktrinën tuaj dhe doni që të bjerë mbi ne gjaku i atij njeriu.”

29 Por Pjetri dhe apostujt, duke u përgjigjur, thanë: “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.

30 Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru.

31 Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.

32 Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij.”

33 Kur i dëgjuan këto gjëra, ata u tërbuan dhe vendosën t’i vrasin.

34 Por një farise, me emër Gamaliel, mësues i ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit në këmbë në sinedër dhe urdhëroi të nxirren jashtë apostujt për një moment.

35 Pastaj u tha atyre të sinedrit: “Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t’u bëni këtyre njerëzve.

36 Sepse pak kohë më parë u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush; rreth tij u mblodhën afro katërqind burra; por ai u vra dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë dhe u asgjësuan.

37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda Galileas që tërhoqi pas vetes shumë njerëz; edhe ai humbi, dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë.

38 Tani unë po ju them t’u rrini larg këtyre njerëzve dhe t’i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet,

39 por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!.”

40 Dhe ata ia vunë veshin. Dhe, mbasi i thirrën apostujt, i rrahën dhe u dhanë urdhër të mos flasin në emër të Jezusit; pastaj i lanë të shkojnë.

41 Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit.

42 Dhe çdo ditë, në tempull e nëpër shtëpi, nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti.

Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.

Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: “Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t’ua besojmë këtë detyrë.

Kurse ne do të vazhdojmë t’i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës.”

Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.

I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.

Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.

Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.

Dhe disa nga sinagoga, që quhej e Libertinëve, të Kirenarëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;

10 por nuk mund t’i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.

11 Atëherë nxitën disa njerëz të thoshnin: “Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë.”

12 Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.

13 Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshnin: “Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit.

14 E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, Nazareasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu.”

15 Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.