Add parallel Print Page Options

26 Atëherë Agripa i tha Palit: “Ke leje të flasësh për të mbrojtur veten!.” Dhe Pali, si e shtriu dorën, nisi të bëjë mbrojtjen e tij:

“O mbret Agripa, e quaj veten të lumtur që kam mundësi sot të shfajësohem para teje nga të gjitha ato që më kanë akuzuar Judenjtë,

veçanërisht sepse ti i njeh të gjitha zakonet dhe çështjet që janë midis Judenjve; prandaj të lutem të më dëgjosh me durim.

Se cila ka qenë mënyra ime e të jetuarit që nga rinia, të cilën e kalova tërësisht në Jeruzalem në mes të popullit tim, të gjithë Judenjtë e dinë.

Ata më njohin qysh atëherë dhe mund të dëshmojnë, po deshën, se kam jetuar si farise, sipas sektit më të drejtë të fesë sonë.

Dhe tani ndodhem para qjyqit për shpresën e premtimit që u ka bërë Perëndia etërve tanë,

premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë me zell ditë e natë Perëndisë, shpresojnë ta fitojnë; për këtë shpresë, o mbret Agripa, unë jam akuzuar nga Judenjtë.

Përse vallë mendoni se është e pabesueshme që Perëndia t’i ringjallë të vdekurit?

Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit Nazarenas.

10 Dhe këtë kam bërë në Jeruzalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe, kur i vrisnin, jepja miratimin tim.

11 Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe, me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja.

12 Në kohën kur unë po merresha me këtë punë dhe po shkoja në Damask me autorizim dhe me fuqi të plota nga krerët e priftërinjve,

13 në mesditë, o mbret, në rrugë unë pashë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se dielli, e cila vetëtiu rreth meje dhe rreth atyre që udhëtonin me mua.

14 Mbasi të gjithë ne ramë përtokë, dëgjova një zë që po më fliste dhe më tha në gjuhën hebraike: "Saul, Saul, pse më përndjek? Éshtë e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave".

15 Unë thashë: "Kush je ti, Zot?". Ai tha: "Unë jam Jezusi, të cilin ti e përndjek.

16 Por çohu dhe rri në këmbë, sepse prandaj të jam shfaqur: që të të vë shërbyes dhe dëshmues për gjërat që ke parë dhe për ato për të cilat unë do të shfaqem,

17 duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani,

18 që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve".

19 Prandaj, o mbret Agripa, unë nuk kam qenë i pabindur ndaj vegimit qiellor.

20 Por në fillim atyre në Damask, pastaj në Jeruzalem, në mbarë krahinën e Judesë dhe johebrenjve, u kam shpallur të pendohen dhe të kthehen te Perëndia, duke bërë vepra të denja pendimi.

21 Për këto gjëra Judenjtë, mbasi më kapën në tempull, u orvatën të më vrasin.

22 Por, për shkak të ndihmës që pata nga Perëndia deri në këtë ditë, vazhdova t’u dëshmoj të vegjëlve dhe të mëdhenjve, duke mos thënë tjetër përveç atyre që profetët dhe Moisiu thanë se duhet të ndodhnin,

23 domethënë: që Krishti duhej të vuante dhe që, duke qenë i pari i ringjallur prej së vdekuris, duhej t’i shpallte dritën popullit dhe johebrenjve.”

24 Dhe, ndërsa Pali i thoshte këto gjëra në mbrojtje të tij, Festi tha me zë të lartë: “Pal, ti je tërbuar; studimet e shumta të bënë të shkallosh".

25 Por ai tha: “Unë nuk jam tërbuar, shumë i shkëlqyeri Fest, por them fjalë të së vërtetës dhe të mendjes së shëndoshë.

26 Sepse mbreti, të cilit unë po i flas lirisht, është i mirinformuar për këto gjëra, sepse unë jam i bindur se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse e gjithë kjo nuk është bërë në fshehtësi.

27 O mbret Agripa, a u beson profetëve? Unë e di se ti beson.”

28 Atëherë Agripa i tha Palit: “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë.”

29 Pali i tha: “Dhëntë Perëndia që në pak ose në shumë kohë jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që sot po më dëgjojnë, të bëhen të tillë, sikurse jam unë, përveç këtyre zinxhirëve.”

30 Mbasi tha këto gjëra, mbreti u ngrit dhe me të qeveritari, Berenike dhe ata që ishin ulur me ta.

31 Mbasi u hoqën mënjanë, folën me njëri-tjetrin dhe thanë: “Ky njeri nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen ose burgun.”

32 Atëherë Agripa i tha Festit: “Ky njeri mund të ishte liruar, po të mos i ishte apeluar Cezarit.”

27 Kur u vendos që ne të lundrojmë për në Itali, Pali dhe disa të burgosur të tjerë iu dorëzuan një centurioni me emër Jul, i kohortës Augusta.

Hipëm në një anije të Adramitit, që duhej të kalonte nga portet e brigjeve të Azisë, dhe lundronim duke pasur me vete Aristarkun, një maqedonas nga Thesaloniki.

Të nesërmen arritëm në Sidon; dhe Juli, duke u treguar njerëzor me Palin, i dha leje të shkojë te miqtë e vet dhe që të kujdesen për të.

Pastaj, si u nisëm prej andej, lundruam të mbrojtur nga Qipro, sepse erërat ishin të kundërta.

Si e kaptuam detin e Kilikisë dhe të Panfilisë, arritëm në Mirë të Likisë.

Centurioni gjeti atje një anije të Aleksandrisë, që do të shkonte për në Itali, dhe na futi në të.

Duke lundruar ngadalë për shumë ditë, arritëm me vështirësi deri përballë Knidit, sepse nuk na linte era; pastaj filluam të lundrojmë të mbrojtur nga Kreta nga ana e Salmonit.

Dhe duke lundruar me shumë vështirësi përbri brigjeve të saj, arritëm në një vend që quhet Limanet e Bukur, pranë të cilit ishte qyteti Lasea.

Dhe, duke qenë se kishte kaluar mjaft kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse edhe agjërimi tashmë kishte kaluar, Pali i këshilloi ata të anijes,

10 duke thënë: “O burra, unë po shoh se lundrimi do të bëhet me rrezik dhe me dëm të madh jo vetëm për ngarkesën dhe për anijen, por edhe për ne vetë.

11 Por centurioni kishte më shumë besim te timonieri dhe te kapiteni i anijes sesa në ato që thoshte Pali.

12 Dhe duke qenë se ai liman nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica qe e mendimit të lundronim prej andej për t’u përpjekur të arrijnim në njëfarë mënyre në Fenike, një liman i Kretës, që e rrihte jugperëndimi dhe veriperëndimi, dhe aty të kalonim dimrin.

13 Dhe kur filloi të fryjë lehtë juga, duke menduar se mund të realizohej qëllimi i tyre, i ngritën spirancat dhe filluan të lundrojnë afër brigjeve të Kretës.

14 Por, pak më vonë, shpërtheu mbi ishull një erë e vrullshme, që e quajnë euroklidon.

15 Duke qenë se anija po ikte pa qenë në gjendje t’i qëndronte erës, e lamë në mëshirë të fatit dhe kështu filluam të shkojmë sa andej-këtej.

16 Si kaluam me të shpejtë pranë një ishulli të vogël, që quhet Klauda, arritëm me vështirësi ta vëmë nën kontroll sandallin.

17 Dhe, mbasi e ngritën në bordin, detarët përdorën të gjitha mënyrat për ta ngjeshur nga poshtë anijen dhe, nga frika se mos ngecnin në cekëtinat ranore të Sirtës, i ulën velat dhe kështu shkonin andej-këtej.

18 Por mbasi furtuna na vuri përpara me forcë, të nesërmen filluan ta hedhim në det ngarkesën.

19 Ditën e tretë, hodhën me duart e tyre, pajisjet e anijes në det.

20 Dhe, duke qenë se prej shumë ditësh nuk dukeshin as dielli as yjet, dhe furtuna po tërbohej, humbi tashmë çdo shpresë shpëtimi.

21 Edhe, mbasi kishin mbetur shumë kohë pa ushqim, Pali u çua në mes të tyre dhe tha: “O burra, po të më kishit dëgjuar dhe të mos ishit nisur nga Kreta, do t’i ishim shmangur këtij rreziku dhe kësaj humbjeje.

22 Dhe tani ju këshilloj të mos e humbni torruan sepse asnjë shpirt nga ne nuk do të humbasë, përveç anijes.

23 Sepse këtë natë m’u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit unë i përkas dhe të cilit unë i shërbej,

24 duke thënë: "Pal, mos druaj, ti duhet të dalësh para Cezarit; dhe ja, Perëndia ty t’i ka dhënë të gjithë ata që lundrojnë me ty".

25 Prandaj, o burra, kini zemër të gëzuar, sepse unë besoj në Perëndinë se do të ndodhë pikërisht ashtu siç m’u tha.

26 Edhe duhet të ngecim në një ishull.”

27 Kur erdhi nata e katërmbëdhjetë që po kalonim andej e këndej në detin Adriatik, aty nga mesnata detarët patën përshtypjen se po i afroheshin një toke.

28 Dhe, si hodhën matësin e thellësisë, gjetën njëzet pashë thellësi; pastaj, pak më tutje e hodhën përsëri matësin e thellësisë dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë.

29 Atëherë, nga frika se mos përplaseshin kundër shkëmbinjve, hodhën nga kiçi katër spiranca, duke pritur me ankth që të bëhej ditë.

30 Por, duke qenë se detarët kërkonin të iknin prej anijes dhe po e ulnin sandallen në det gjoja për të hedhur spirancat nga bashi,

31 Pali u tha centurionit dhe ushtarëve: “Po nuk qëndruan këta në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni.”

32 Atëherë ushtarët i prenë litarët e sandallit dhe e lanë të bjerë jashtë.

33 Dhe në pritje që të bëhej ditë, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka, duke thënë: “Sot është e katërmbëdhjeta ditë që, duke pritur, jeni të uritur, pa ngrënë asgjë.

34 Prandaj ju këshilloj të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; sepse as edhe një fije floku nga kokat tona nuk do të bjerë.”

35 Si tha këto, mori bukë, iu falënderua Perëndisë përpara të gjithëve, pastaj e theu dhe filloi të hajë.

36 Atëherë të gjithë, si morën zemër, morën edhe ata nga ushqimi.

37 Dhe në anijen ne ishim gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta.

38 Dhe mbasi hëngrën sa u ngopën, e lehtësuan anijen duke hedhur grurin në det.

39 Dhe kur u gdhi, nuk e njihnin dot vendin, por vunë re një gji me një breg dhe vendosën ta shtyjnë anijen aty, po të mundnin.

40 I zgjidhën spirancat dhe i lanë të fundosen në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë të lidhurat e timonit; pastaj, si e ngritën velën kryesore nga era, u drejtuan për te bregu.

41 Por, mbasi ranë në një cekëtinë që kishte deti nga të dy anët, anija ngeci dhe mbeti me bashin të zënë e të palëvizshëm, ndërsa kiçi po shkallmohej nga furia e valëve.

42 Ushtarët ishin të mendimit t’i vritnin robërit, që asnjë të mos ikte me not.

43 Por centurioni, duke dashur të shpëtojë Palin, ua largoi mendimin për këtë propozim dhe u dha urdhër atyre që dinin të notonin të hidheshin të parët në det dhe të dilnin në tokë;

44 pastaj të tjerët, kush mbi dërrasa, kush mbi pjesë të anijes; dhe kështu ndodhi që të gjithë mundën të shpëtojnë në tokë.

28 Dhe si shpëtuan, morën vesh atëherë se ishulli quhej Maltë.

Barbarët treguan ndaj nesh një mirësjellje të pazakontë, sepse ndezën një zjarr të madh dhe na morën të gjithëve brenda, sepse binte shi dhe bënte ftohtë.

Dhe, ndërsa Pali mblidhte ca shkarpa dhe i vinte mbi zjarr, nga të nxehtit doli një nepërkë dhe iu ngjit te dora.

Barbarët, kur panë gjarprin që i varej nga dora, i thanë njëri-tjetrit: “Me siguri ky njeri është një vrasës, sepse, edhe pse shpëtoi nga deti, drejtësia hyjnore nuk e lë të rrojë.”

Por Pali, si e shkundi gjarprin në zjarr, nuk pësoi ndonjë të keqe.

Dhe ata po prisnin që ai të fryhej ose të binte i vdekur në çast; por, mbasi pritën gjatë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndryshuan mendim dhe thanë se ishte një perëndi.

Edhe rreth atij vendi i kishte arat i pari i ishullit me emër Publius; ai na priti dhe na mbajti në shtëpi tri ditë miqësisht.

Dhe ndodhi që i ati i Publit dergjej në shtrat, i sëmurë me ethe dhe me dizenteri; Pali i shkoi dhe, mbasi ishte lutur, vuri duart mbi të dhe e shëroi.

Mbas kësaj edhe banorë të tjerë të ishullit që kishin sëmundje vinin tek ai dhe u shëruan;

10 dhe këta na nderuan me shumë ndere dhe, kur u nisëm për të lundruar, na furnizuan gjërat e nevojshme.

11 Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë, që kishte dimëruar në ishull dhe që kishte si shenjë Dioskurët.

12 Dhe, si arritëm në Sirakuzë, qëndruam atje tri ditë.

13 Dhe, prej andej, duke lundruar afër bregut, arritëm në Rexho. Të nesërmen fryu juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuoli.

14 Kur gjetëm atje vëllezër, na lutën të rrimë tek ata shtatë ditë. Dhe kështu mbërritëm në Romë.

15 Dhe vëllezërit e atjeshëm, kur dëgjuan për ne, na dolën para deri te Fori Apian dhe te Tri Tavernat; dhe Pali, kur i pa, e falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.

16 Kur arritëm në Romë, centurioni ia dorëzoi robërit komandantit të kampit; por Palit iu dha leja të rrijë më vete me një ushtar si roje.

17 Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e Judenjve. Kur ata u mblodhën, u tha atyre: “Vëllezër, ndonëse nuk bëra asgjë kundër popullit dhe kundër zakoneve të etërve, jam arrestuar në Jeruzalem dhe më kanë dorëzuar në duart e Romakëve.

18 Ata, si më pyetën, donin të më lëshonin, sepse tek unë nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen.

19 Por, duke qenë se Judenjtë kundërshtonin, u detyrova t’i apelohem Cezarit, jo se kam ndonjë akuzë kundër kombit tim.

20 Për këtë arsye, pra, ju kam thirrur, ë t’ju shoh dhe t’ju flas, sepse për shpresën e Izraelit jam lidhur me këta hekura.”

21 Edhe ata i thanë: “Ne nuk kemi marrë asnjë letër për ty nga Judeja, as nuk erdhi ndonjë nga vëllezërit të na tregojë ose të thotë ndonjë të keqe për ty.

22 Por ne dëshirojmë të dëgjojmë prej teje ç’mendon, sepse për këtë sekt ne dimë se kudo flitet kundra.”

23 Dhe, mbasi i caktuan një ditë, erdhën shumë veta tek ai në banesën e tij; dhe ai shtjellonte dhe u dëshmonte atyre për mbretërinë e Perëndisë dhe, me anë të ligjit të Moisiut dhe të profetëve kërkonte t’i bindte për gjërat që i përkasin Jezusit, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.

24 Disa bindeshin nga ato që u thoshte, por të tjerë nuk besonin.

25 Dhe, duke qenë në mospajtim njëri me tjetrin, u larguan, pasi Pali u tha pikërisht këto fjalë: “Mirë u foli Fryma e Shenjtë me anë të profetit Isaia etërve tanë,

26 duke thënë: "Shko tek ai popull dhe i thuaj: "Do të dëgjoni, por nuk do të merrni vesh, do të vështroni, por nuk do të shikoni;

27 në fakt zemra e këtij populli u bë e ngurtë, dhe i janë rënduar veshët dhe kanë mbyllur sytë, që të mos shohin me sy dhe të mos dëgjojnë me veshë dhe të mos kuptojnë me zemër dhe të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj.

28 Ta dini, pra, se ky shpëtim i Perëndisë iu dërgua johebrenjve, dhe ata do ta dëgjojnë!.”

29 Dhe si i tha këto fjalë, Judenjve ikën duke u ngrënë me shumë fjalë njëri me tjetrin.

30 Dhe Pali ndenji plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira dhe priste të gjithë ata që vinin tek ai,

31 duke predikuar mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar gjërat e Zotit Jezu Krisht me shumë liri dhe pa ndalim.