Add parallel Print Page Options

Dhe deri në Azi e përcollën Sopatri nga Berea, Aristarku dhe Sekundi nga Thesaloniki, Gai nga Derba dhe Timoteu, dhe Tikiku e Trofimi nga Azia.

Këta ishin nisur para nesh dhe na prisnin në Troas.

Kurse ne u nisëm nga Filipi, pas ditëve të të Ndormëve, dhe për pesë ditë i arritëm në Troas, ku qëndruam shtatë ditë.

Ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën, Pali, i cili duhet të nisej të nesërmen, bisedonte me ta dhe e zgjati fjalën deri në mesnatë.

Dhe në sallën ku ishim mbledhur kishte shumë llamba.

Një djalosh me emër Eutik, që ishte ulur në parvazin e dritares, e zuri një gjumë i rëndë; dhe, ndërsa Pali e çoi fjalën gjatë, e zuri gjumi, ra nga kati i tretë poshtë dhe e ngritën të vdekur.

10 Por Pali, si zbriti, ra mbi të, e përqafoi dhe tha: “Mos u shqetësoni, se shpirti i tij është në të.”

11 Atëherë u ngjit përsëri lart, e theu bukën dhe hëngri; dhe, pasi foli gjatë deri në të gdhirë, u nis.

12 Ndërkaq e prunë djalin të gjallë, dhe u ngushëlluan jo pak.

13 Kurse ne, që kishim hipur tashmë në anije, lundruam për në Asos, ku kishim ndër mend të merrnim Palin, sepse kështu kishte caktuar, mbasi donte vetë të shkonte më këmbë.

14 Kur na arriti në Asos, e morëm dhe arritëm në Mitilinë.

15 Lundruam prej andej dhe të nesërmen arritëm përballë Hiosit; një ditë më pas arritëm në Samo dhe, pas një ndalese në Trogjili, arritëm të nesërmen në Milet.

16 Sepse Pali kishte vendosur të lundronte pa u ndalur në Efes, që të mos humbiste kohë në Azi; sepse nxitonte që të ndodhej, po të ishte e mundur, në Jeruzalem ditën e Rrëshajëve.

17 Nga Mileti dërgoi në Efes për të thirrur pleqtë e kishës.

18 Kur ata erdhën tek ai, ai u tha atyre: “Ju e dini dita e parë që hyra në Azi si kam jetuar midis jush për të gjithë këtë kohë,

19 duke i shërbyer Zotit me gjithë përulësi e me shumë lot e me prova që m’u bënë nga tinëzitë e Judenjve;

20 dhe si unë nuk fsheha asnjë nga ato gjëra që ishin të dobishme për ju, por jua shpalla juve dhe jua mësova botërisht dhe nëpër shtëpi,

21 duke u deklaruar solemnisht Judenjve dhe Grekëve mbi pendimin te Perëndi dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht.

22 Dhe ja, tani, i shtyrë nga Fryma, po shkoj në Jeruzalem pa ditur se ç’do të më ndodhë atje,

23 përveçse Fryma e Shenjtë dëshmon për mua në çdo qytet, duke thënë se më presin pranga dhe mundime.

24 Por unë nuk dua t’ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë.

25 Dhe ja, tani e di se të gjithë ju, në mes të të cilëve kam vajtur dhe ardhur duke predikuar mbretërinë e Perëndisë, nuk do të shihni më fytyrën time.

26 Prandaj sot po ju deklaroj se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve;

27 sepse nuk u tërhoqa prapa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë.

28 Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.

29 Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën,

30 edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.

31 Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot.

32 Dhe tani, o vëllezër, unë po ju lë te Perëndia dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t’ju ndërtojë dhe t’ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve.

33 Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit.

34 Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua.

35 Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!!".”

36 Dhe, si kishte thënë këto gjëra, u ul mbi gjunjë dhe u lut me ata të gjithë.

37 Atëherë të gjithë qanë me të madhe, e rroknin në qafë Palin dhe e puthnin,

38 të hidhëruar sidomos për fjalën që kishte thënë, se nuk do ta shihnin më fytyrën e tij. Pastaj e përcollën në anije.

21 Mbasi u ndamë nga ta, lundruam dhe, duke shkuar drejt, arritëm në Koos, ditën tjetër në Rodos dhe që andej në Patara.

Edhe, si gjetëm një anije që shkonte për Feniki, hipëm dhe lundruam.

Pamë nga larg Qipron dhe e lamë në të majtë, vazhduam lundrimin për në Siri dhe dolëm në Tiro, sepse atje anija kishte për të shkarkuar.

Dhe, si i gjetëm dishepujt, qëndruam atje shtatë ditë; të shtyrë nga Fryma, ata i thoshin Palit të mos ngjitej në Jeruzalem.

Kur i plotësuam ato ditë, u nisëm dhe shkuam; dhe na përcollën të gjithë, me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit; dhe si u ulëm në gjunjë në breg, u lutëm.

Dhe, mbasi u përshëndetëm, hipëm në anije, kurse ata u kthyen në shtëpitë e veta.

Kur mbaruam lundrimin, nga Tiro erdhëm në Ptolemaidë dhe, si përshëndetëm vëllezërit, kaluam një ditë me ta.

Të nesërmen u nisëm (ne që ishim shokë me Palin), arritëm në Cezare dhe hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte një nga të shtatët, dhe ndenjëm tek ai.

Por ai kishte katër bija virgjëresha, që profetizonin.

10 Dhe, pasi qëndruam ne atje shumë ditë, zbriti nga Judeja një farë profeti me emër Agabo.

11 Si erdhi te ne, ai mori brezin e Palit, lidhi duart dhe këmbët e veta dhe tha: “Këtë thotë Fryma e Shenjtë: Kështu do ta lidhin Judenjtë në Jeruzalem burrin, të cilit i përket ky brez dhe do t’a dorëzojnë johebrenjve.”

12 Kur i dëgjuam këto gjëra, ne dhe vendësit iu lutëm që të mos ngjitej në Jeruzalem.

13 Por Pali u përgjigj: “Ç’po bëni ju, duke qarë e duke ma copëtuar zemrën? Sepse unë jam gati jo vetëm për të qenë i lidhur, por edhe për të vdekur në Jeruzalem për emrin e Zotit Jezus.”

14 Dhe, mbasi nuk i mbushej mendja, ne pushuam duke thënë: “U bëftë vullneti i Zotit!.”

15 Dhe pas atyre ditëve, bëmë gati gjërat tona, dhe u ngjitëm në Jeruzalem.

16 Me ne erdhën edhe disa dishepuj nga Cezareja dhe prunë me ta njëfarë Mnasoni, lindur në Qipro, një dishepull i vjetër, tek i cili do të bujtnim.

17 Kur arritëm në Jeruzalem, vëllezërit na pritën me gëzim.

18 Të nesërmen Pali u tërhoq me ne te Jakobi, dhe erdhën të gjithë pleqtë.

19 Mbasi i përshëndeti, Pali u tregoi atyre, një për një, të gjitha sa kishte bërë Zoti ndër johebrenjtë me anë të shërbesës së tij.

20 Dhe ata, kur dëgjuan këtë, përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit: “Vëlla, ti po sheh sa mijëra Judenj ka që kanë besuar; dhe të gjithë i përbahen me zell ligjit.

21 Tani ata morën vesh për ty se ti i mëson të gjithë Judenjtës që jetojnë midis johebrenjve të shkëputen nga Moisiu, duke thënë që të mos i rrethpresin djemtë dhe të mos ndjekin më zakonet.

22 Po atëherë, ç’duhet të bëhet? Duhet patjetër që të mblidhet populli, sepse do ta marrin vesh se ke ardhur.

23 Bëje, pra, atë që të themi: ne kemi katër burra, që kanë bërë një premtim solemn;

24 merri dhe pastrohu me ta, dhe paguaj për ta që të rruajnë kokën; kështu të gjithë do ta mësojnë se s’janë gjë ato që kanë dëgjuar për ty, por se edhe ti ecën duke respektuar ligjin.

25 Dhe sa për johebrenjtë që kanë besuar, ne u kemi shkruar atyre, mbasi vendosëm që ata nuk kanë ç’të respektojnë lidhur me këtë, por se të ruhen nga gjërat që u flijohen idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria.”

26 Atëherë Pali i mori me vete ata burra dhe, të nesërmen, pasi u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull dhe deklaroi plotësimin e ditëve të pastrimit, dhe kur do të paraqitej oferta për secilin nga ata.

27 Por, kur po mbusheshin shtatë ditët, Judenjtë e Azisë, duke e parë në tempull, e nxitën turmën dhe vunë duart mbi të,

28 duke bërtitur: “O burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky është ai njeri që u mëson të gjithëve dhe kudo kundër popullit, kundër ligjit dhe kundër këtij vendi; përveç kësaj ai i ka sjellë Grekët në tempull dhe e ka ndotur këtë vend të shenjtë.”

29 Sepse ata kishin parë më përpara Trofimin nga Efesi bashkë me Palin në qytet, dhe mendonin se ai e kishte sjellë në tempull.

30 Dhe gjithë qyteti ziente, dhe u mblodhën njerëzit; dhe, si e kapën Palin, e nxorrën jashtë tempullit dhe dyert u mby-llën menjëherë.

31 Dhe, ndërsa kërkonin ta vrisnin, tribunit të kohortës i shkoi lajmi se gjithë Jeruzalemi ishte turbulluar.

32 Ai mori menjëherë ushtarë dhe centurionë dhe u sul kundër tyre. Dhe këta, kur panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.

33 Atëherë tribuni u afrua, e zuri dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy zinxhirë, pastaj pyeti cili ishte dhe ç’kishte bërë.

34 Në turmë disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër; dhe, mbasi nuk mori vesh dot të vërtetën për trazirën, urdhëroi që ta sillnin në fortesë.

35 Dhe kur arriti te shkallaret, ndodhi që, për shkak të dhunës së turmës, duhej të bartej nga ushtarët,

36 sepse masa e popullit vinte pas duke bërtitur: “Vdekje!.”

37 Kur Pali do të hynte në fortesë, i tha tribunit: “A më lejohet të them diçka?.” Ai u përgjigj: “A di greqisht?

38 Mos je vallë ai Egjiptasi që disa ditë më parë ngriti krye dhe nxori në shkretëtirë katër mijë gjakësorë?.”

39 Dhe Pali tha: “Unë jam një Jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti të Kilikisë që s’është i padëgjuar; dhe të lutem më lejo t’i flas popullit.”

40 Dhe, mbasi e lejoi, Pali, duke qëndruar në këmbë mbi shkallarët, i bëri shenjë me dorë popullit. Dhe, si u bë heshtje e madhe, i foli në gjuhën hebraike, duke thënë:

22 “Vëllezër dhe etër, dëgjoni çfarë ju them tani për mbrojtjen time.”

Kur dëgjuan se u fliste atyre në gjuhën hebraike, heshtën edhe më shumë. Pastaj ai tha:

“Në të vërtetë unë jam një Jude, lindur në Tars të Kilikisë dhe rritur në këtë qytet te këmbët e Gamalielit, edukuar me përpikërinë e ligjit të etërve tanë, plot me zell për Perëndinë, sikurse jeni ju të gjithë sot;

unë kam përndjekur këtë Udhë deri në vdekje, duke lidhur dhe duke futur në burg burra dhe gra,

sikurse jep dëshmi për mua kryeprifti dhe gjithë sinedri i pleqve, prej të cilëve mora edhe letra për vëllezërit dhe shkova në Damask për të sjellë të lidhur në Jeruzalem ata që ishin atje, që të ndëshkoheshin.

Dhe më ndodhi që, kur isha duke udhëtuar dhe po i afrohesha Damaskut, aty nga mesi i ditës, papritmas një dritë e madhe nga qielli vetëtiu rreth meje.

Dhe unë rashë përdhe dhe dëgjova një zë që po më thoshte: "Saul, Saul, përse më përndjek?".

Dhe unë u përgjigja: "Kush je ti, o Zot?" Edhe ai më tha: "Unë jam Jezus Nazareasi, të cilin ti e përndjek".

Edhe ata që ishin me mua e panë dritën dhe u trembën, por nuk dëgjuan zërin e atij që më fliste.

10 Unë thashë: "O Zot, ç’duhet të bëj?". Zoti më tha: "Çohu dhe shko në Damask! Atje do të të thuhet çfarë të është urdhëruar të bësh".

11 Dhe, mbasi unë nuk shihja asgjë për shkak të shkëlqimit të asaj drite, më morën për dore ata që ishin me mua; dhe hyra në Damask.

12 Dhe njëfarë Anania, njeri i perëndishëm sipas ligjit, për të cilin jepnin dëshmi të gjithë Judenjtë që banonin aty,

13 erdhi tek unë, dhe duke qëndruar pranë meje, tha: "O vëlla Saul, shiko përsëri!". Dhe në atë çast unë fitova përsëri dritën e syve dhe e shikova.

14 Pastaj vazhdoi: "Perëndia i etërve tanë të ka paracaktuar të njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin dhe të dëgjosh një zë nga goja e tij.

15 Sepse ti duhet të dëshmosh për të tek të gjithë njerëzit për ato që ke parë dhe ke dëgjuar.

16 Dhe tani ç’pret? Çohu dhe ji i pagëzuar dhe i larë nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit".

17 Dhe ndodhi që, kur u ktheva në Jeruzalem dhe isha duke u lutur në tempull, u rrëmbeva në ekstazë,

18 dhe pashë Zotin që më thoshte: "Nxito dhe dil shpejt nga Jeruzalemi, sepse ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua".

19 Atëherë unë thashë: "O Zot, ata e dinë vetë se unë burgosja dhe rrihja nga një sinagogë te tjetra ata që besonin në ty;

20 kur u derdh gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë isha i pranishëm, e miratoja vdekjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin.

21 Por ai më tha: "Shko, sepse unë do të të dërgoj larg midis johebrenjve".”

22 Ata e dëgjuan deri në këtë pikë; pastaj ngritën zërin duke thënë: “Hiqe nga bota një njeri të tillë, sepse nuk është i denjë të rrojë!.”

23 Duke qenë se ata bërtisnin, duke i flakur rrobat e duke ngritur pluhurin në erë,

24 kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë, duke urdhëruar që ta marrin në pyetje duke e rrahur me kamxhik, që të merrej vesh për çfarë arsye ata bërtisnin kështu kundër tij.

25 Por, kur e shtrinë, të lidhur me rripa, Pali i tha centurionit që ishte aty: “A është e ligjshme për ju të rrihni me kamxhik një qytetar romak, ende të pagjykuar?.”

26 Kur e dëgjoi, centurioni shkoi e i tregoi kryemijësit duke thënë: “Çfarë do të bësh? Ky njeri është një qytetar romak!.”

27 Atëherë kryemijësi shkoi te Pali dhe e pyeti: “Më thuaj, a je një qytetar romak?.” Ai tha: “Po, jam!.”

28 Kryemijësi u përgjigj: “Unë e kam fituar këtë qytetëri me një shumë të madhe.” Pali tha: “Kurse unë e kam qysh prej lindjes!.”

29 Menjëherë ata që duhet ta merrnin në pyetje u larguan prej tij; dhe vetë kryemijësi, kur mori vesh se ai ishte qytetar romak, pati frikë që e kishte lidhur.

30 Të nesërmen, duke dashur të marrë vesh me saktësi përse ishte akuzuar nga Judenjtë, e zgjidhi nga prangat dhe urdhëroi krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrin të vinin. Pastaj, si e sollën poshtë Palin, e nxori përpara tyre.

23 Pali, duke shikuar nga sinedri, tha: “Vëllezër, deri në këtë unë jam sjellë përpara Perëndisë me ndërgjegje krejt të mirë.”

Kryeprifti Anania u dha urdhër atëherë atyre që ishin pranë tij ta godisnin në gojë.

Atëherë Pali i tha: “Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur. Ti je ulur të më gjykosh sipas ligjit dhe, duke e nëpërkëmbur atë, jep urdhër të më godasin.”

Dhe ata që ishin të pranishëm thanë: “E fyen ti kryepriftin e Perëndisë?.”

Pali u përgjigj: “Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: "Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd".”

Pali, pra, duke ditur se një pjesë ishte nga saducenj dhe tjetra nga farisenj, i thirri sinedrit: “Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh; për shkak të shpresës dhe të ringjalljes të së vdekurve unë po gjykohem.”

Sapo tha këtë, lindi një grindje ndërmjet farisenjve dhe saducenjve, dhe kuvendi u përça;

sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë, ndërsa farisenjtë pohojnë edhe njërën dhe tjetrën.

Atëherë u bë një zhurmë e madhe. Skribët e palës së farisenjve u çuan në këmbë dhe protestonin duke thënë: “Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri; dhe nëse i ka folur një frymë ose një engjëll të mos luftojmë kundër Perëndisë.”

10 Dhe duke qenë se grindja po shtohej, tribuni, nga druajtja se mos Pali bëhej copa-copa prej tyre, u dha urdhër ushtarëve të zbresin dhe ta heqin nga mesi i tyre, dhe ta çojnë përsëri në fortesë.

11 Një natë më pas, Zoti iu shfaq atij dhe tha: “Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.”

12 Kur zbardhi dita, disa Judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin.

13 Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet.

14 Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: “Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin.

15 Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t’jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim.”

16 Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit.

17 Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: “Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t’i thënë.”

18 Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: “Pali, i burgosuri, më thirri dhe m’u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë.”

19 Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: “Çfarë ke për të më thënë?.”

20 Ai tha: “Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij.

21 Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t’ua lejosh atyre.”

22 Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra.

23 Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: “Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare.”

24 Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks.

25 Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje:

26 “Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet.

27 Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak.

28 Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre.

29 Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin.

30 Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!.”

31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë.

32 Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë.

33 Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin.

34 Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç’krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia,

35 i tha: “Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu.” Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit.