A A A A A
Bible Book List

2 i Samuelit 22-23 Albanian Bible (ALB)

22 Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha:

"Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im,

Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna!

Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi.

Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar.

Dhimbjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve.

Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij.

Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim.

Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij.

10 Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij.

11 Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës.

12 Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

13 Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij.

14 Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij.

15 Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau.

16 Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij.

17 Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha.

18 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë

19 Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im,

20 ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej.

21 Zoti më ka shpërblyer simbas së drejtës sime dhe më ka dhënë simbas pastërtisë së duarve të mia,

22 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im.

23 Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij.

24 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.

25 Prandaj Zoti më ka dhënë simbas së drejtës sime, simbas pastërtisë sime përpara syve të tij.

26 Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë;

27 ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur.

28 Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t’i ulur.

29 Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim.

30 Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur.

31 Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është purifikuar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai.

32 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë?

33 Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time.

34 Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta.

35 Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi.

36 Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh.

37 Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast.

38 Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t’i shfarosja.

39 I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia.

40 Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje;

41 bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin.

42 Ata shikuan, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre.

43 Unë i thërmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve.

44 Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.

45 Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden.

46 Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre.

47 Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim!

48 Éshtë Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt,

49 dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm.

50 Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd.

51 Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë".

23 Këto janë fjalët e fundit të Davidit. Kështu thotë Davidi, bir i Isait, kështu thotë njeriu që u ngrit lart, i vajosuri i Perëndisë së Jakobit, këngëtari i ëmbël i Izraelit:

"Fryma e Zotit ka folur nëpërmjet meje dhe fjala e tij ka qenë mbi buzët e mia.

Perëndia i Izraelit ka folur, Kalaja e Izraelit më ka thënë: "Ai që mbretëron me drejtësi mbi njerëzit, ai që mbretëron në frikën e Perëndisë,

është si drita e mëngjesit në të dalë të diellit, në një mëngjes pa re, ashtu si shkëlqimi mbas shiut, që bën të mbijë bari i njomë nga dheu".

A nuk është vallë kështu shtëpia ime përpara Perëndisë? Sepse ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurt. A nuk do të bëjë ai të lulëzojë shpëtimi im i plotë dhe të gjitha ato që unë dëshiroj?

Njerëzit e kobshëm do të hidhen tej të gjithë si gjembat, sepse nuk mund të kapen me duar.

Kush i prek duhet të armatoset me një hekur ose me shkopin e një ushte; ato digjen plotësisht në vend me zjarr".

Këto janë emrat e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Josheb-Bashshebethi, Tahkemoniti, prijës i oficerëve kryesorë. Atë e quajtën Etseniti Adino; sepse kishte vrarë tetëqind njerëz në një herë të vetme.

Pas tij vinte Eleazari, bir i Dodas, që ishte bir i Ahohit, një ndër tre luftëtarët trima që ishin me Davidin, kur sfiduan Filistejtë e mbledhur për të luftuar, ndërsa Izraelitët ishin tërhequr.

10 Ai u ngrit dhe i goditi Filistejtë, deri sa dora e tij e rraskapitur i ngriu me shpatën. Atë ditë Zoti korri një fitore të madhe dhe populli shkoi pas tij vetëm për të bërë plaçkë.

11 Prapa tij vinte Shamahu, bir i Agesë, Hararitit. Filisejtë ishin mbledhur në një numër të madh në një fushë të mbjellë me thjerrëza. Populli ia kishte mbathur përpara Filistejve,

12 por Shamahu, ishte vendosur në mes të kampit dhe e mbrojti atë, dhe bëri kërdinë në radhët e Filistejve. Kështu Zoti korri një fitore të madhe.

13 Tre nga tridhjetë krerët zbritën në kohën e korrjes dhe erdhën te Davidi në shpellën e Adullamit, ndërsa një grup Filistejsh kishte ngritur kampin e tij në luginën e gjigantëve.

14 Davidi ndodhej atëherë në kala dhe kishte një garnizon Filistejsh në Betlem.

15 Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit, që është afër portës".

16 Të tre trimat çanë në mes të kampit të Filistejve dhe morën ujë nga pusi i Betlemit, pranë portës; pastaj e morën me vete dhe ia çuan Davidit. Por ai nuk desh ta pinte, por e derdhi përpara Zotit,

17 duke thënë: "Larg qoftë për mua, o Zot, një veprim i tillë! A nuk u vu, vallë gjaku i njerëzve, jeta e tyre në rrezik?". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima.

18 Abishai, vëlla i Joabit dhe biri Tserujahut, ishte prijës i një treshe tjetër. Ngriti ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm në mes të treve.

19 Ishte më i dëgjuari i treshes; prandaj u bë dhe kryetari i tyre, por nuk arriti të barazohet me tre të parët.

20 Benajahu, bir i Jehojadit, bir i një trimi nga Kabtseeli, bëri trimëri të mëdha. Vrau dy heronj të Moabit, që ishin si luanë. Zbriti edhe në mes të një sterne ku vrau një luan, një ditë që binte borë.

21 Ai vrau gjithashtu një Egjiptas gjigand që kishte në dorë një shtizë; por Benajahu i doli përballë me një bastun, i hoqi nga dora shtizën dhe e vrau me shtizën e tij.

22 Këto gjëra bëri Benajahu, bir i Jehojadit, dhe u bë i famshëm ndër të tre trima.

23 Ishte më i dëgjuari i të tridhjetëve, por nuk arriti të barazohet me treshen e parë. Davidi e bëri shef të truprojes së tij.

24 Pastaj vinin: Asaheli, vëlla i Joabit, njeri nga tridhjetët; Elhanani, bir i Dodos, nga Betlemi;

25 Shamahu nga Harodi; Elika nga Harodi;

26 Heleci nga Palti; Ira, bir i Ikeshit, nga Tekoa;

27 Abiezeri nga Anathothi; Mebunai nga Husha;

28 Tsalmoni nga Ahoahu; Maharai nga Netofa;

29 Helebi, bir i Baanahut (nga Netofa);

30 Benajahu nga Pirathoni; Hidai nga përrenjtë e Gaashit;

31 Abi-Alboni nga Arbathi; Azmavethi nga Barhumi;

32 Eliahba nga Shaalboni (nga bijtë e Jasenit), Jonathani;

33 Shamahu nga Harari; Ahiami, bir i Shararit, nga Harari;

34 Elifeleti, bir i Ahasbait, bir i një Maakatheu; Eliami, bir i Ahithofelit, nga Gilo;

35 Hetsrai nga Karmeli; Paarai nga Arabi;

36 Igali, bir i Nathanit, nga Tsobahu; Bani nga Gadi;

37 Tseleku, Amoniti; Naharai nga Beerothi (shqyrtar i Joabit, birit të Tserujahut);

38 Ira nga Jetheri; Garedi nga Jetheri;

39 Uriahu, Hiteu. Gjithsej tridhjetë e shtatë veta.

Psalmet 57 Albanian Bible (ALB)

57 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im gjen strehë te ti; gjej strehë në hijen e krahëve të tu deri sa të kalojnë fatkeqësitë.

Unë do t’i thërras Perëndisë, Shumë të Lartit, Perëndisë që kryen çdo gjë për mua.

Ai do të dërgojë nga qielli për të më shpëtuar, ai qorton ashpër atë që dëshiron të më përpijë. (Sela) Perëndia do të dërgoj mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij.

Shpirti im është si në mes të luanëve; banoj midis njerëzve që vjellin zjarr, midis njerëzve dhëmbët e të cilëve janë shtiza dhe shigjeta, dhe gjuha e tyre është një shpatë e mprehur mirë.

U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; shkëlqeftë lavdia jote mbi të gjithë tokën.

Ata kanë shtrirë një rrjetë mbi hapat e mia; unë jam i tëri i kërrusur; kanë hapur një gropë para meje, por ata vetë ranë brenda. (Sela)

Zemra ime është e prirur mirë, o Perëndi, zemra ime është e prirur mirë; unë do të këndoj dhe do të lëvdoj.

Rizgjohu, fryma ime; rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin.

Do të të kremtoj midis popujve, o Zot, do të këndoj lavdet e tua midis kombeve,

10 sepse e madhe deri në qiell është mirësia jote, dhe e vërteta jote arrin deri në retë.

11 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; lavdia jote shkëlqeftë mbi të gjithë tokën.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes