Add parallel Print Page Options

19 Pastaj i thanë Joabit: "Ja, mbreti qan dhe mban zi për Absalomin".

Kështu fitorja atë ditë u shndërrua në zi për të gjithë popullin, sepse populli dëgjoi atë ditë të thuhet: "Mbreti është i dëshpëruar për shkak të birit të tij".

Atë ditë populli hyri fshehurazi në qytet, ashtu si largohen fshehurazi dhe tërë turp ata që ia mbathin gjatë betejës.

Mbreti kishte mbuluar fytyrën dhe bërtiste me zë të lartë: "O biri im Absalom, o Absalom, biri im, biri im!".

Atëherë Joabi hyri në shtëpi të mbretit dhe tha: "Ti sot mbulon me turp fytyrën e të gjithë njerëve që në këtë ditë shpëtuan jetën tënde, atë të bijve dhe të bijave të tua, jetën e bashkëshortes dhe të konkubinave të tua,

sepse ti dashuron ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan; sot ke treguar qartë që komandantët dhe ushtarët nuk kanë asnjë vlerë për ty; dhe tani kuptoj se, po të ishte gjallë Absalomi dhe ne të ishim këtë ditë të tërë të vdekur, atëherë do të ishe i kënaqur.

Tani, pra, çohu dil dhe foli zemrës së shërbëtorëve të tu, sepse betohem në emër të Zotit se, po nuk dole, asnjeri nuk do të qëndrojë me ty këtë natë; dhe kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe që të ka rënë që kur ishe i ri e deri më sot".

Atëherë mbreti u ngrit dhe u ul te porta; dhe kjo iu njoftua tërë popullit, duke thënë: "Ja, mbreti është ulur te porta". Kështu tërë populli doli në prani të mbretit. Ndërkaq ata të Izraelit kishin ikur secili në çadrën e vet.

Në të gjitha fiset e Izraelit populli i tërë diskutonte dhe thoshte: Mbreti na çliroi nga duart e armiqve tanë dhe na shpëtoi nga duart ee Filistejve; dhe tani i është dashur të ikë nga vendi për shkak të Absalomit.

10 Por Absalomi, të cilin ne e kishim vajosur mbret mbi ne, vdiq në betejë. Dhe tani pse nuk flisni për kthimin e mbretit?".

11 Atëherë mbreti David dërgoi t’u thotë priftërinjve Tsadok dhe Abiathar: Foluni pleqve të Judës dhe u thoni atyre: "Pse ju duhet të jeni të fundit për kthimin e mbretit në shtëpinë e tij, sepse bisedat e tërë Izraelit kanë arritur deri te mbreti, pikërisht në këtë shtëpi?

12 Ju jeni vëllezër të mi, ju jeni kocka dhe mishi im. Pse duhet të jeni të fundit në kthimin e mbretit?".

13 Dhe i thoni Amasas: "A nuk je ti kocka dhe mishi im? Këtë më bëftë Perëndia, madje edhe më keq, në rast se ti nuk bëhesh për gjithnjë komandanti i ushtrisë në vend të Joabit".

14 Kështu Davidi anoi zemrën e të gjithë njerëzve të Judës, sikur të ishte zemra e një njeriu të vetëm; prandaj ata i dërguan t’i thonë mbretit: Kthehu ti me gjithë shërbëtorët e tuu".

15 Atëherë mbreti u kthye dhe arriti në Jordan; dhe ata të Judës erdhën në Gilgal për t’i dalë përpara mbretit dhe për t’i siguruar kalimin e Jordanit.

16 Beniaminiti Shimei, bir i Geras, që ishte nga Bahurimi, nxitoi me njerëzit e Judës t’i dalë përpara Davidit.

17 Ai kishte me vete një mijë njerëz të Beniaminit dhe Tsiban, shërbëtorin e shtëpisë së Saulit, me pesëmbëdhjetë bijtë e tij dhe njëzet shërbëtorët e tij. Ata e kaluan Jordanin para mbretit.

18 Ata kaluan me trap për ta çuar matanë familjen e mbretit dhe për të bërë atë që u dukej e mirë për mbretin. Ndërkaq Shimei, bir i Geras, ra përmbys përpara mbretit, në çastin kur ai kalonte Jordanin,

19 Dhe i tha mbretit: "Mos më ngarko me asnjë faj, imzot, dhe harro të keqen që shërbëtori yt ka bërë ditën që mbreti, zotëria im, dilte nga Jeruzalemi; mbreti të mos e ketë parasysh.

20 Sepse shërbëtori yt pranon se ka mëkatuar. Dhe ja, sot kam qenë i pari i tërë shtëpisë së Jozefit që i dal përpara mbretit, zotërisë tim".

21 Por Abishai, bir i Tserujahut, filloi të thotë: A nuk duhet të dënohet me vdekje Shimei, sepse ka mallkuar njeriun e vajosur nga Zoti?".

22 Davidi tha: "Ç’marrëdhënie kam unë me ju, bijtë e Tserujahut, që sot u treguat kundërshtarë të mi? A mund ta dënosh sot me vdekje dikë në Izrael? A nuk e di, vallë që sot jam mbret i Izraelit?".

23 Pastaj mbreti i tha Shimeit: "Ti nuk ke për të vdekur!". Dhe mbreti iu betua atij për këtë.

24 Edhe Mefiboshethi, nip i Saulit, i doli përpara mbretit. Ai nuk i kishte mjekuar këmbët, nuk e kishte rruar mjekrën dhe nuk i kishte larë rrobat nga dita që kishte ikur mbreti deri në kthimin e tij në paqe.

25 Kur arriti nga Jeruzalemi për të takuar mbretin, ky i tha: "Pse nuk erdhe me mua, Mefibosheth?".

26 Ai u përgjigj: "O mbret, imzot, shërbëtori im më mashtroi, sepse shërbëtori yt kishte thënë: "Unë do të shaloj gomarin, do të hip mbi të dhe do të shkoj me mbretin," sepse shërbëtori yt është çalaman.

27 Përveç kësaj, ai ka shpifur kundër shërbëtorit tënd pranë mbretit, zotërisë sime; por mbreti, zotëria im, është si një engjëll i Perëndisë; bëj, pra, atë që do të të pëlqejë.

28 Në fakt tërë ata të shtëpisë së atit tim nuk meritojnë tjetër gjë veç vdekjes përpara mbretit, zotërisë tim; megjithatë ti e kishe caktuar shërbëtorin tënd ndër ata që hanin në tryezën tënde. Prandaj çfarë të drejte tjetër do të kisha për t’i bërtitur mbretit?".

29 Mbreti i tha: "Nuk është nevoja të shtosh fjalë të tjera. Unë kam vendosur; Ti dhe Tsiba ndajini tokat".

30 Atëherë Mefiboshethi iu përgjigj mbretit: "Le t’i marrë të gjitha, sepse mbreti, zotëria im, u kthye në paqe në shtëpinë e tij".

31 Edhe Galaaditi Barzilaj zbriti nga Rogelimi dhe kaloi Jordanin bashkë me mbretin, për ta shoqëruar matanë Jordanit.

32 Barzilaj ishte shumë i vjetër, tetëdhjetë vjeç; ai e kishte furnizuar me ushqime mbretin kur ky ndodhej në Mahanaim, sepse ishte shumë i pasur.

33 Mbreti i tha Barzialit: "Eja me mua matanë lumit dhe unë do të kujdesem për ushqimin tënd pranë meje në Jeruzalem".

34 Por Barzilaj iu përgjigj mbretit: "Sa vjet jetë më kanë mbetur akoma që unë të shkoj me mbretin në Jeruzalem?

35 Tani unë jam tetëdhjetë vjeç; a mund të dalloj akoma atë që është e mirë nga ajo që është e keqe? A mund ta shijojë akoma shërbëtori yt atë që ha o atë që pi? A mund të dëgjojë unë akoma zërin e këngëtarëve dhe të këngëtareve. Pse shërbëtori yt duhet t’i bëhet barrë mbretit, zotërisë tim?

36 Shërbëtori yt do të shkojë me mbretin matanë Jordanit për një copë rrugë; po pse mbreti duhet të ma lajë me një shpërblim të tillë?

37 Por lëre shërbëtorin tënd të kthehet prapa dhe që unë të mund të vdes në qytetin tim pranë varrit të atit tim dhe të nënës sime! Por ja shërbëtori yt Kimham; le të vijë ai me mbretin, zotërinë tim, dhe bëj për të atë që do të të pëlqej".

38 Mbreti u përgjigj: "Kimhami do të vijë me mua dhe unë do të bëj për të atë që do të të pëlqejë ty; po, unë do të bëj për ty të gjitha ato që më kërkon".

39 Kështu tërë populli kaloi Jordanin dhe e kaloi edhe mbreti. Pastaj mbreti e puthi Barzilain dhe e bekoi, dhe ai u kthye në shtëpinë e vet.

40 Mbreti vazhdoi rrugën në drejtim të Gilgalit, i shoqëruar nga Kimhami. Tërë populli i Judës e përcolli mbretin dhe kështu bëri edhe gjysma e popullit të Izraelit.

41 Atëherë tërë Izraelitët erdhën te mbreti dhe i thanë: "Pse vëllezërit tanë, njerëzit e Judës, të kanë marrë fshehurazi dhe kanë bërë të kalojnë Jordanin mbreti, familja e tij dhe të gjithë njerëzit e Davidit?".

42 Tërë njerëzit e Judës iu përgjigjën njerëzve të Izraelit: "Sepse mbreti është fisi ynë i afërt. Pse zemëroheni për këtë? Mos kemi ngrënë, vallë me shpenzimet e mbretit, ose na ka dhënë ndonjëherë dhurata?".

43 Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën njerëzve të Judës, duke thënë: Ne na takojnë dhjetë pjesë të mbretit, prandaj Davidi është më tepër yni see sa juaji; për çfarë arësye na keni përçmuar? Nuk kemi qenë ne të parët që propozuam kthimin e mbretit tonë?". Por fjala e njerëzve të Judës ishte më e ashpër se ajo e njerëzve të Izraelit.

20 Ndodhej aty një keqbërës i quajtur Sheba, bir i Bikrit, një Beniaminit, i cili i ra borisë dhe tha: "Nuk kemi asnjë pjesë me Davidin dhe asnjë trashëgimi me birin e Isait! O Izraelitë, secili të shkojë në çadrën e vet".

Kështu tërë njerëzit e Izraelit e braktisën Davidin për të ndjekur Shebin, birin e Bikrit. Por njerëzit e Judës mbetën të bashkuar me mbretin e tyre dhe e shoqëruan nga Jordani deri në Jeruzalem.

Kur mbreti David hyri në shtëpinë e tij në Jeruzalem, i mori të dhjetë konkubinat që kishte lënë për të ruajtur shtëpinë dhe i vendosi në një banesë të mbikqyrur; ai i mbante ato, por nuk hynte te ato; kështu ato mbetën të mbyllura deri ditën e vdekjes së tyre, në një gjendje vejërie.

Pastaj mbreti i tha Amasas: "Më mblidh njerëzit e Judës brenda tri ditëve dhe ti vetë të jesh këtu".

Amasa u nis, pra, për të mbledhur njerëzit e Judës, por vonoi tej afatit të caktuar.

Atëherë Davidi i tha Abishait: "Sheba, biri i Bikrit, do të na bëjë më keq se Absalomi; merr shërbëtorët e zotërisë tënd dhe ndiqe që të mos shtjerë në dorë qytete të fortifikuara dhe të na shpëtojë".

Nën komandën e tij shkuan njerëzit e Joabit: Kerethejtë, Pelethejtë dhe tërë njerëzit më trima; dolën nga Jeruzalemi për të ndjekur Sheban, birin e Bikrit.

Kur ata arritën pranë gurit të madh që është në Gabaon, Amasa u doli përpara. Joabi kishte veshur një uniformë ushtarake, mbi të cilën kishte brezin me një shpatë në këllëfin e ngritur me ijet; ndërsa po ecte përpara, shpata i ra.

Joabi i tha Amasas: "A je mirë, vëllai im?". Pastaj Joabi me dorën e djathtë e kapi Amasan nga mjekra për ta puthur.

10 Amasa nuk vuri re shpatën që Joabi kishte në dorën tjetër; me të ai e goditi në bark dhe përbrëndësat e barkut u përhapën për tokë pa e goditur për së dyti, dhe ai vdiq. Pastaj Joabi dhe i vëllai Abishai filluan të ndiqnin Sheban, birin e Bikrit.

11 Ndërkaq njeri prej të rinjve të Joabit kishte mbetur pranë Amasas dhe thoshte: "Kush e do Joabin dhe kush është për Davidin le të shkojnë pas Joabit!".

12 Por Amasa po përpëlitej në gjak, në mes të rrugës. Kur ai njeri vuri re që tërë populli po ndalej, e tërhoqi zvarrë Amasan jashtë rrugës në një fushë dhe i hodhi sipër një mantel, sepse të gjithë ata që i afroheshin ndaleshin.

13 Kur u hoq nga rruga, të gjithë vazhduan pas Joabit për të ndjekur Sheban, birin e Bikrit.

14 Joabi kaloi në të gjitha fiset e Izraelit deri në Abel dhe në Beth-Maakah. Të gjithë Berejtë u mblodhën dhe i shkuan pas.

15 Shkuan pastaj të rrethojnë Sheban në Abel të Beth-Maakahut dhe ndërtuan kundër qytetit një ledh prej dheu që ngrihej pranë mureve; tërë njerëzit që ishin me Joabin përpiqeshin të dëmtonin muret për t’i rrëzuar.

16 Atëherë një grua e urtë thirri nga qyteti: "Dëgjoni, dëgjoni! Ju lutem, i thoni Joabit të afrohet, sepse dua t’i flas!".

17 Kur iu afrua, gruaja e pyeti: "A je ti Joabi?". Ai u përgjigj: "Jam unë". Atëherë ajo i tha: "Dëgjo fjalët e shërbëtores sate". Ai u përgjigj: Po dëgjojj".

18 Ajo vazhdoi: "Dikur e kishin zakon të thonin: "Do t’i kërkojmë këshillë Abelit," sepse kështu problemi ishte i zgjidhur.

19 Jemi në një nga qytetet më paqësore e më besnike të Izraelit; dhe ti kërkon të shkatërrosh një qytet që është një nënë në Izrael. Pse kërkon të shkatërrosh trashëgiminë e Zotit?".

20 Joabi u përgjigj: "Qoftë larg, larg meje mendimi i shkatërrimit dhe i shkretimit.

21 Punët nuk qëndrojnë kështu; një njeri nga krahina malore e Efraimit i quajtur Sheba, bir i Bikrit, ka ngritur dorën kundër mbretit, kundër Davidit. Më dorëzoni vetëm atë dhe unë do të largohem nga qyteti". Gruaja i tha Joabit: "Ja, koka e tij do të hidhet nga muri".

22 Atëherë gruaja; me urtësinë e saj, iu drejtua tërë popullit; kështu ia prenë kokën Shebas, birit të Bikrit, dhe ia hodhën Joabit. Ky urdhëroi t’i bien borisë dhe të gjithë u larguan nga qyteti dhe secili shkoi në çadrën e vet. Pastaj Joabi u kthye në Jeruzalem pranë mbretit.

23 Joabi ishte në krye të gjithë ushtrisë së Izraelit; Benajahu, bir i Jehojadit, ndodhej në krye të Kerethejve dhe të Pelethejve.

24 Adorami merrej me haraçet; Jozafati, bir i Ahiludit, ushtronte funksionin e kançelierit;

25 Sheva ishte sekretar; Tsadoku dhe Abiathari ishin priftërinj;

26 dhe Ira i Jairit ishte kryeministri i Davidit.

21 Në kohën e Davidit pati zi buke për tre vjet me radhë; Davidi kërkoi fytyrën e Zotit dhe Zoti i tha: "Kjo ndodh për shkak të Saulit dhe të shtëpisë së tij gjakatare, sepse ai i ka bërë të vdesin Gabaonitët".

Atëherë mbreti thirri Gabaonitët dhe u foli atyre. (Gabaonitët nuk u përkisnin bijve të Izraelit, por ishin mbeturina të Amorejve; bijtë e Izraelit ishin betuar se do t’i kursenin, por Sauli, në zellin e tij të madh për bijtë e Izraelit dhe të Judës, ishte orvatur t’i shfaroste).

Atherë Davidi u tha Gabaonitëve: "Çfarë duhet të bëj për ju dhe në ç’mënyrë duhet të veproj për të ndrequr gabimin e bërë, me qëllim që ju të bekoni trashëgiminë e Zotit?".

Gabaonitët u përgjigjën: "Ne nuk na intereson të kemi ar apo argjend nga Sauli apo nga shtëpia e tij, as duhet të vrisni për ne ndonjë njeri në Izrael". Mbreti tha: "Atë që kërkoni, unë do ta bëj për ju".

Ata iu përgjigjën mbretit: "Për njeriun që na ka konsumuar dhe që ka menduar të na shfarosë për të na zhdukur nga tërë territori i Izraelit,

të na dorëzohen shtatë burra nga trashëgimtarët e tij dhe ne do t’i varim përpara Zotit në Gibeah të Saulit, që është i zgjedhuri i Zotit". Mbreti tha: "Do t’jua dorëzoj".

Mbreti e kurseu Mefoboshethin, birin e Jonatanit, bir të Saulit, për shkak të betimit të Zotit që ekzistonte midis tyre, midis Davidit dhe Jonathanit, birit të Saulit.

Por mbreti mori dy bijtë që Ritspah, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, Armonin dhe Mefibeshethin, dhe pesë bijtë që Mikal, e bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit nga Mehola, birit të Barzilait,

dhe ua dorëzoi Gabaonitëve, që i varën në mal, përpara Zotit. Kështu u vranë në ditët e para të korrjeve, kur filloi korrja e elbit.

10 Ritspah, e bija e Ajahut, mori një mbulesë të ashpër dhe e shtriu mbi shkëmb, duke qendruar aty nga fillimi i korrjes deri sa mbi ta ra shi nga qielli. Ajo nuk i lejoi shpendët e qiellit të zbrisnin mbi ta gjatë ditës dhe egërsirat e fushave të afroheshin natën.

11 Kur i treguan Davidit atë që kishte bërë Ritspah, bija e Ajahut, konkubinë e Saulit,

12 Davidi shkoi të marrë eshtrat e Saulit dhe ato të Jonathanit, birit të tij, nga banorët e Jabeshit të Galaadit, që i kishin marrë me vete nga sheshi i Beth-Shanit, ku Filistejt i kishin varur kur kishin mundur Saulin në Gilboa.

13 Ai solli që andej eshtrat e Saulit dhe ato të birit të tij, Jonatanit, dhe u mblodhën edhe eshtrat e atyre që ishin varur.

14 Eshtrat e Saulit dhe të Jonatanit, birit të tij, u varrosën në vendin e Beniaminit, në Tselah, në varret e Kishit, atit të Saulit. Kështu bënë të gjitha ato që mbreti kishte urdhëruar. Pas kësaj Perëndia dëgjoi lutjen që u bë për vendin.

15 Filistejtë i shpallën përsëri luftë Izraelit dhe Davidi zbriti me gjithë shërbëtorët e tij për të luftuar kundër Filistejve; dhe Davidi u lodh;

16 Ishbi-Benobi, një nga pasardhësit e gjigantëve që kishte një shtizë që peshonte treqind sikla bronzi dhe mbante në brez një shpatë të re, kishte ndër mend të vriste Davidin;

17 por Abishai, bir i Tserujahut, shkoi në ndihmë të mbretit, goditi Filisteun dhe e vrau. Atëherë njerëzit e Davidit u betuan: "Ti nuk do të dalësh më me ne për të luftuar dhe nuk do ta shuash llambën e Izraelit".

18 Pas kësaj u bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; atëherë Hushathiti Sibekai vrau Safin, një nga pasardhësit e gjigantëve.

19 U bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; dhe Elhanani, bir i Jaare-Oregimit nga Betlemi, vrau vëllanë e Goliathit nga Gathi; shkopi i shtizës së tij ishte shuli i vegjës së endësit.

20 U bë një betejë tjetër në Gath, ku ishte një njeri me shtat të lartë, i cili kishte gjashtë gishtërinj në çdo dorë dhe gjashtë gishtërinj në çdo këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve.

21 Ai e fyu Izraelin, por Jonathani, bir i Shimeahut, vëlla i Davidit, e vrau.

22 Këta të katër ishin pasardhësit e gjigantëve në Gath. Ata u vranë nga dora e Davidit dhe e shërbëtorëve të tij.