Add parallel Print Page Options

13 Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të.

Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t’i bënte gjë.

Amnoni kishte një shok, që quhej Jonadab, bir i Shimeahut, vëllait të Davidit; Jonadabi ishte një njeri shumë dinak.

Ky i tha: "Pse, o bir i mbretit, vazhdon të dobësohesh çdo ditë që kalon? Nuk dëshiron të ma thuash?". Amnoni iu përgjigj: "Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e vëllait tim Absalom".

Atëherë Jonadabi i tha: "Rri në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë; kur të vijë yt atë të të shikojë, thuaji: "Bëj, të lutem, që motra ime Tamara të vijë të më japë të ha dhe ta përgatisë ushqimin në praninë time, në mënyrë që unë ta shikoj dhe ta marr nga duart e saj"".

Kështu Amnoni ra në shtrat dhe u shti i sëmurë; kur më vonë erdhi mbreti ta shikojë, Amnoni i tha: "Lër, të lutem, që motra ime Tamara të vijë dhe të më përgatisë nja dy kuleç në praninë time; kështu do të marr ushqim nga duart e saj".

Atëherë Davidi dërgoi njeri në shtëpinë e Tamarës për t’i thënë: "Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnon dhe përgatiti diçka për të ngrënë".

Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të saj Amnon, që rrinte shtrirë në shtrat. Pastaj mori pak miell, e brumosi, përgatiti disa kuleçë para syve të tij dhe i poqi.

Pastaj mori një enë me bisht dhe i derdhi kuleçët para tij, por Amnoni nuk pranoi t’i hajë dhe tha: "Nxirrni jashtë që këtej tërë njerëzit". Tërë sa ishin dolën jashtë.

10 Atëherë Amnoni i tha Tamarës: "Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua". Kështu Tamara i mori kuleçët që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj.

11 Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: "Eja, shtrihu me mua, motra ime".

12 Ajo iu përgjigj: "Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë!

13 Po unë ku ta çoj turpin tim? Kurse ti do të konsiderohesh si keqbërës në Izrael. Tani, të lutem, foli mbretit dhe ai nuk ka për të më refuzuar ndaj teje".

14 Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të.

15 Pastaj Amnoni filloi ta urrejë me një urrejtje shumë të madhe, kështu që urrejtja që ndjente për të ishte më e madhe se dashuria me të cilën e kishte dashuruar më parë. Kështu Amnoni i tha: "Çohu, shko!".

16 Por ajo iu përgjigj: "Oh, jo! Dëmi që do të më bëje duke më përzënë do të ishte më i madh se ai që më ke bërë deri tani". Por ai nuk deshi ta dëgjojë.

17 Thirri, pra, shërbëtorin që e ndihmonte dhe i tha: "Largoje këtë larg meje dhe mbylle portën prapa saj".

18 Ajo kishte veshur një tunikë me mëngë, sepse kështu visheshin vajzat e mbretit akoma të virgjëra. Kështu shërbëtori i Amnonit e nxori jashtë dhe mbylli derën prapa saj.

19 Tamara atëherë hodhi mbi kryet e saj, grisi tunikën më mëngë që kishte veshur, vuri dorën mbi kokë dhe iku duke ulëritur.

20 Absalomi, vëllai, i tha: "Ndofta vëllai yt Amnon ka qenë me ty? Tani për tani hesht, motra ime; ai është yt vëlla; mos e lësho veten për këtë". Kështu Tamara mbeti e dëshpëruar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj.

21 Kur mbreti David i mësoi të gjitha këto, u zemërua shumë.

22 Por Absalomi nuk i drejtoi asnjë fjalë Amnonit, as për të mirë as për të keq, sepse e urrente Amnonin se kishte poshtëruar motrën e tij Tamara.

23 Dy vjet më vonë, kur Absalomi kishte qethësit e bagëtive në Baal-Hatsroit pranë Efraimit, ftoi të gjithë bijtë e mbretit.

24 Absalomi shkoi të takohet me mbretin dhe i tha: "Shërbëtori yt ka qethësit; të lutem të vijë edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij në shtëpinë e shërbëtorit tënd!".

25 Por mbreti i tha Absalomit: "Jo, biri im, nuk po vijmë tani të gjithë, që të mos të të rëndojë". Megjithëse ai nguli këmbë, mbreti nuk desh të shkonte, por i dha bekimin e tij.

26 Atëherë Absalomi i tha: "Në rast se nuk do të vish ti, të lutem, lejo Amnonin, vëllanë tim, të vijë me ne". Mbreti iu përgjigj: "Pse duhet të vijë me ty?".

27 Por Absalomi nguli këmbë aq shumë sa që Davidi lejoi të shkojnë bashkë me të Amnonin dhe gjithë bijtë e mbretit.

28 Absalomi u kishte dhënë këtë urdhër shërbëtorëve të tij, duke thënë: Hapni sytë, kur Amnoni të jetë dehur nga vera dhe unë t’ju them: "Goditeni Amnonin!," ju vriteni dhe mos kini frikë. A nuk jam unë që ju urdhëroj? Bëhuni trima dhe tregohuni të fortë!".

29 Kështu shërbëtorët e Absalomit vepruan kundër Amnonit, ashtu si kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë tërë bijtë e mbretit u ngritën, hipën secili mbi mushkën e vet dhe ua mbathën.

30 Ndërsa ishin akoma rrugës, Davidit i arriti ky lajm: "Absalomi ka vrarë tërë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre".

31 Atëherë mbreti u ngrit, grisi rrobat e tij dhe u shtri për tokë; dhe të gjithë shërbëtorët e tij, i rrinin rrotull, me rrobat e grisura.

32 Por Jonadabi, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, tha: "Të mos mendojë zotëria im që tërë të rinjtë, bijtë e mbretit, u vranë; Amnoni është i vetmi që vdiq. Me urdhër të Absalomit kjo gjë u vendos që ditën që Amnoni poshtëroi motrën e tij Tamara.

33 Prandaj mbreti, zotëria im, të mos hidhërohet duke menduar se të gjithë bijtë e mbretit kanë vdekur; vetëm Amnoni ka vdekur,

34 dhe Absalomi ka ikur". Ndërkaq i riu që bënte roje ngriti sytë, shikoi, dhe ja, një turmë e madhe njerëzish vinte nga rruga prapa tij, nga ana e malit.

35 Jonadabi i tha mbretit: "Ja bijtë e mbretit që po vijnë! Gjendja është pikërisht ashtu siç tha shërbëtori yt".

36 Sa e mbaroi fjalën, arritën bijtë e mbretit, të cilët e ngritën zërin dhe filluan të qajnë; edhe mbreti dhe tërë shërbëtorët e tij filluan të qajnë me të madhe.

37 Absaloni kishte ikur dhe kishte shkuar te Talmai, bir i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbante zi çdo ditë për birin e tij.

38 Kështu Absalimo ia mbathi dhe shkoi në Geshur, ku qëndroi tre vjet.

39 Mbreti David dëshironte të shkonte te Absalomi, sepse ishte ngushulluar tanimë nga vdekja e Amnonit.

14 Joabi, bir i Tserujahut, vuri re që zemra e mbretit ishte e shqetësuar për Absalomin.

Kështu Joabi dërgoi dikë në Tekoa dhe solli që andej një grua të urtë, së cilës i tha: "Bëj sikur mban zi dhe vish një palë rroba zije; mos u lyej me vaj, por sillu si një grua që qan prej kohe një të vdekur.

Shko pra te mbreti dhe foli në këtë mënyrë". Dhe Joabi e mësoi se ç’duhej të thoshte.

Gruaja e Tekoas shkoi të flasë me mbretin, u hodh me fytyrën për tokë, u përul dhe tha: "Ndihmomë, o mbret!".

Mbreti i tha: "Çfarë ke?". Ajo u përgjigj: "Mjerësisht jam e ve dhe burri më ka vdekur.

Shërbëtorja jote kishte dy djem, por këta patën një grindje midis tyre në arë, dhe, me qenë se nuk kishte njeri t’i ndante, njeri gioditi tjetrin dhe e vrau.

Tani tërë farë e fis është ngritur kundër shërbëtores sate, duke thënë: Na dorëzo atë që vrau vëllanë, që ta bëjmë të vdesë për jetën e vëllait qëë ai ka vrarë dhe për të shfarosur edhe trashëgimtarin". Në këtë mënyrë do të shuhet e vetmja urë zjarri që më ka mbetur dhe nuk kanë për t’i lënë burrit tim as emër as pasardhës mbi faqen e dheut".

Mbreti i tha gruas: "Shko në shtëpinë tënde; unë do të jap urdhrat për çështjen tënde".

Gruaja e Tekoas i tha mbretit: "O mbret, zotëria ime, faji të bjerë mbi mua dhe mbi shtëpinë e atit tim, por mbreti dhe froni i tij të jenë të pafaj".

10 Mbreti tha: "Në qoftë se dikush të thotë diçka, sille tek unë dhe ke për të parë që nuk do të të bjerë më në qafë".

11 Atëherë ajo tha: "Të mos e harrojë mbreti, të lutem, Zotin, Perëndinë tënd, në mënyrë që hakmarrësi i gjakut të mos vazhdojë të shkatërrojë dhe biri im të mos shfaroset". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, birit tënd, nuk do t’i bjerë në tokë asnjë qime floku!".

12 Atëherë gruaja i tha: "Lejoje shërbëtoren tënde t’i thotë akoma një fjalë mbretit!". Ai u përgjigj: "Thuaje, pra".

13 Gruaja ia rifilloi: "Pse ke menduar një gjë të tillë kundër popullit të Perëndisë? Duke folur në këtë mënyrë në fakt mbreti është deri diku fajtor, sepse mbreti nuk e kthen atë që është në mërgim.

14 Ne duhet të vdesim dhe jemi si ujët që derdhet mbi tokë, që nuk mund të mblidhet; por Perëndia nuk të heq jetën, por gjen mënyrën që ai që është në mërgim të mos qëndrojë larg tij.

15 Dhe tani kam ardhur të flas për këtë gjë me mbretin, me zotërinë time, sepse populli më ka trembur; dhe shërbëtorja jote ka thënë: "Dua të flas me mbretin; ndofta mbreti do të bëjë atë që shërbëtorja e tij do t’i thotë.

16 Mbreti do të dëgjojë shërbëtoren e tij dhe do ta çlirojë nga duart e atye që duan të më heqin mua dhe birin tim nga trashëgimia e Perëndisë".

17 Shërbëtorja jote thoshte: "Oh, fjala e mbretit, e tim zoti, më ngushëlloftë, sepse mbreti, zotëria ime, është si një engjëll i Perëndisë që di të dallojë të mirën dhe të keqen". Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty".

18 Mbreti u përgjigj dhe i tha gruas: "Të lutem, mos më fshih asgjë nga ato që do të pyes. Gruaja i tha: "Le të flasë mbreti, Zotëria ime".

19 Atëherë mbreti tha: "A nuk është ndoshta dora e Joabit me ty në tërë këtë çështje?". Gruaja u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, zotëria im, çështja është pak a shumë ashtu siç e ka thënë mbreti, zotëria im; ka qenë në fakt shërbëtori yt Joabi ai që ka dhënë këto urdhëra dhe ka vënë tërë këto fjalë në gojën e shërbëtores sate.

20 Shërbëtori yt Joab e bëri këtë gjë për të sjellë një ndryshim në gjendjen e tanishme; por zotëria ime ka po atë dituri të një engjëlli të Perëndisë për të kuptuar tërë ato që ndodhin mbi dhe".

21 Atëherë mbreti i tha Joabit: "Ja, do të bëj pikërisht këtë. Shko, pra, dhe bëj që të kthehet i riu Absalom.

22 Atëherë Joabi u shtri me fytyrën për tokë, u përul dhe e bekoi mbretin. Pastaj Joabi tha: "Sot shërbëtori yt kupton se ka gjetur hirin tënd, o mbret, o imzot, sepse mbreti bëri atë që shërbëtori kishte kërkuar".

23 Kështu Joabi u ngrit dhe shkoi në Geshur, dhe e solli Absalomin në Jeruzalem.

24 Por mbreti tha: "Të mblidhet në shtëpinë e tij dhe të mos e shohë fytyrën time!". Kështu Absalomi u tërhoq në shtëpinë e tij dhe nuk e pa fytyrën e mbretit.

25 Në të gjithë Izraelin nuk kishte njeri që ta lavdëronin më tepër për bukuri se sa Absalomit; nga tabanët e këmbëve deri në majën e kokës nuk kishte asnjë të metë tek ai.

26 Kur priste flokët (dhe këtë e bënte çdo vit sepse flokët i rëndonin shumë), ai i peshonte flokët e kokës së tij; ato peshonin dyqind sikla simbas masave të caktuara nga mbreti.

27 Absalomit i lindën tre djem dhe një vajzë e quajtur Tamara, që ishte e hijshme.

28 Absalomi banoi dy vjet në Jeruzalem, pa e parë fytyrën e mbretit.

29 Pastaj Absalomi thirri Joabin për ta dërguar te mbreti, por ai nuk deshi të vinte; e dërgoi ta thërriste një herë të dytë, por ai nuk deshi të vinte.

30 Atëherë Absalomi u tha shërbëtorëve të tij: "Ja, ara e Joabit është pranë arës sime dhe aty ka elb; shkoni t’i vini zjarrin!". Kështu shërbëtorët e Absalomit i vunë zjarrin arës.

31 Atëherë Joabi u ngrit, shkoi në shtëpinë e Absalomit dhe i tha: "Pse shërbëtorët e tu i vunë zjarrin arës sime?".

32 Absalomi iu përgjigj Joabit: "Unë të kisha dërguar fjalë: "Eja këtu, që të kem mundësi të të dërgoj te mbreti për t’i thënë: Pse jam kthyer nga Geshuri? Do të kishte qenë më mirë për mua të kisha mbetur atje". Tani më lejo të shoh fytyrën e mbretit. Në rast se tek unë ka ndonjë paudhësi, ai të shkaktojë vdekjen time".

33 Joabi shkoi atëherë te mbreti dhe ia tregoi çështjen. Ky thirri Absalomin që shkoi te mbreti dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara tij; dhe mbreti e puthi Absalomin.

15 Mbas kësaj Absalomi gjeti një karrocë, disa kuaj dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij.

Absalomi ngrihej herët në mëngjes dhe rrinte anës rrugës që të çonte te porta e qytetit. Kështu, në qoftë se dikush kishte ndonjë gjyq dhe shkonte te mbreti për të siguruar drejtësi, Absalomi e thërriste dhe i thoshte: "Nga cili qytet je?". Tjetri i përgjigjej: "Shërbëtori yt është nga filan fis i Izraelit".

Atëherë Absalomi i thoshte: "Shif, argumentat e tua janë të mira dhe të drejta, por nuk ka njeri nga ana mbretit që të të dëgjojë".

Pastaj Absalomi shtonte: "Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit, kushdo që të kishte një proçes apo një çështje do të vinte tek unë dhe unë do t’i siguroja drejtësi".

Kur dikush afrohej për të rënë përmbys përpara tij, ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte.

Absalomi sillej kështu me të gjithë ata të Izraelit që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi; në këtë mënyrë Absalomi fitoi zemrën e njerëzve të Izraelit.

Ndodhi që, pas katër vjetve, Absalomi i tha mbretit: "Të lutem, lermë të shkoj në Hebron për të përmbushur një kusht që kam lidhur me Zotin.

Sepse gjatë qëndrimit të tij në Geshur të Sirisë, shërbëtori yt ka lidhur një kusht duke thënë: "Në rast se Zoti më kthen në Jeruzalem, unë do t’i shërbejë Zotit!".

Mbreti i tha: "Shko në paqe!". Atëherë ai u ngrit dhe vajti në Hebron.

10 Pastaj Absalomi dërgoi emisarë ndër të gjitha fiset e Izraelit për të thënë: "Kur të dëgjoni tingullin e borisë, do të thoni: "Absalomi u shpall mbret në Hebron".

11 Me Absalomin u nisën nga Jeruzalemi dyqind njerëz si të ftuar; ata shkuan pa të keq, pa ditur gjë.

12 Absalomi, ndërsa ofronte flijimet, dërgoi të thërrasë nga qyteti i tij Gjiloh Ahithofelin, Gilonitin, këshilltarin e Davidit. Kështu komloti bëhej më i fortë, sepse populli shtohej rreth Absalomit.

13 Pastaj arriti te Davidi një lajmëtar për të thënë: "Zemra e njerëzve të Izraelit ndjek Absalomin".

14 Atëherë Davidi u tha gjithë shërbëtorëve të tij që ishin me të në Jeruzalem: "Çohuni dhe t’ia mbathim; përndryshe asnjeri prej nesh nuk ka për të shpëtuar nga duart e Absalomit. Nxitoni të ikni, që të mos na kapë në befasi dhe të bjerë mbi ne shkatërrimi, dhe të mos godasë qytetin me majën e shpatës".

15 Shërbëtorët e mbretit i thanë: "Ja, shërbëtorët e tu janë gati të bëjnë gjithçka që i pëlqen mbretit, zotërisë tonë".

16 Kështu mbreti u nis, i ndjekur nga tërë shtëpia e tij, por la dhjetë konkubina për të ruajtur pallatin.

17 Mbreti u nis, i ndjekur nga tërë populli, që u ndal te shtëpia e fundit.

18 Tërë shërbëtorët e mbretit kalonin përpara dhe pranë tij; tërë Kerethejtë, tërë Pelethejtë dhe tërë Gitejtë, gjithsej gjashtëqind veta që e kishin ndjekur nga Gathi, ecnin para mbretit.

19 Atëherë mbreti i tha Itait nga Gathi: "Pse vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin, sepse ti je i huaj dhe për më tepër i mërguar nga atdheu yt.

20 Ti ke arritur vetëm dje dhe sot do të të duhej të endesh sa andej e këtej, kur unë vetë nuk e di se ku po shkoj? Kthehu prapa dhe kthe me vëllezërit e tu në mirësi dhe në besnikëri".

21 Por Itai iu përgjigj mbretit duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që jeton mbreti, zotëria im, në çdo vend që të jetë mbreti, zotëria im, për të vdekur ose për të jetuar, aty do të jetë edhe shërbëtori yt".

22 Atëherë Davidi i tha Itait: "Shko përpara dhe vazhdo". Kështu Itai, Giteu, shkoi tutje me gjithë njerëzit e tij dhe tërë fëmijët që ishin me të.

23 Tërë banorët e vendit qanin me zë të lartë, ndërsa tërë populli kalonte. Mbreti kapërceu përruan e Kidronit dhe tërë populli kaloi në drejtim të shkretëtirës.

24 Dhe ja po vinte edhe Tsadoku me tërë Levitët, të cilët mbanin arkën e besëlidhjes së Perëndisë Ata e vendosën arkën e Perëndisë dhe Abiathari ofroi flijime, deri sa tërë populli mbaroi daljen nga qyteti.

25 Pastaj mbreti i tha Tsadokut: "Çoje në qytet arkën e Perëndisë! Po të kem gjetur hirin e Zotit, ai do të më kthejë dhe do të bëjë që ta shoh përsëri qytetin bashkë me banesën e tij.

26 Por në rast se thotë: "Nuk të pëlqej," ja ku jam, le të më bëjë atë që i pëlqen"..

27 Mbreti i tha akoma priftit Tsadok: "A nuk je ti shikues? Kthehu në paqe në qytet me dy bijtë tuaj: Ahimaatsin, birin tënd, dhe me Jonathain, birin e Abiatharit.

28 Shikoni, unë do të pres në fushat e shkretëtirës, deri sa të më vijë nga ana juaj ndonjë fjalë për të më njoftuar".

29 Kështu Tsadoku dhe Abiathari e çuan përsëri në Jeruzalem arkën e Perëndisë dhe qëndruan aty.

30 Davidi mori të përpjetën e malit të Ullinjve dhe, duke u ngjitur, qante; ecte kokëmbuluar dhe këmbëzbathur. Dhe tërë njerëzit që ishin me të ishin kokëmbuluar dhe qanin duke u ngjitur.

31 Dikush erdhi t’i thotë Davidit: "Ahithofeli figuron me Absalomin në mes të komplotistëve". Davidi tha: "O Zot, të lutem, bëji të kota këshillat e Ahithofelit!".

32 Kur Davidi arriti në majë të malit; ku adhuroi Perëndinë, ja që doli përpara Hushai, Arkiti, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe.

33 Davidi i tha: "Po të jetë se vazhdon rrugën me mua, do të më bëhesh barrë;

34 por në rast se kthehesh në qytet dhe i thua Absalomit: "Unë do të jem shërbëtori yt, o mbret; ashtu si kam qenë shërbëtor i atit tënd në të kaluarën, kështu do të jem shërbëtori yt"; ti do ta bësh të kotë në favorin tim këshillën e Ahithofelit.

35 Nuk do të kesh atje pranë teje priftërinjtë Tsadok dhe Abiathar? Të gjitha ato që do të dëgjosh që të thuhen nga ana e shtëpisë së mbretit, do t’ua bësh të njohura priftërinjve Tsadok dhe Abiathar.

36 Ja, ata kanë atje me vete dy bijtë e tyre, Ahimats, birin e Tsadokut, dhe Jonathanin, birin e Abiatharit; me anë të tyre do të më njoftoni të gjitha ato që do të dëgjoni".

37 Kështu Hushai, miku i Davidit, u kthye në qytet dhe Absalomi hyri në Jeruzalem.