Add parallel Print Page Options

11 Me fillimin e vitit të ri, në kohën kur mbretërit shkojnë të luftojnë, Davidi dërgoi Joabin me shërbëtorët e tij dhe me tërë Izraelin për të shkatërruar vendin e bijve të Amonit dhe për të rrethuar Rabahun; por Davidi mbeti në Jeruzalem.

Një mbrëmje u ngrit nga shtrati i tij dhe filloi të shëtisë në taracën e pallatit mbretëror. Nga taraca pa një grua që po bënte banjo; dhe gruaja ishte shumë e bukur.

Kështu Davidi dërgoi të kërkojë informata për gruan; dhe i thanë: "Éshtë Bath-Sheba, bija e Eliamit, bashkëshortja e Hiteut Uriah".

Davidi dërgoi lajmëtarë për ta marrë; kështu ajo erdhi tek ai dhe ajo ra në shtrat me të; pastaj u pastrua nga papastërtia e saj dhe u kthye në shtëpinë e vet.

Gruaja mbeti me barrë dhe ia njoftoi Davidit, duke i thënë: "Jam me barrë".

Atëherë Davidi dërgoi t’i thotë Joabit: "Dërgomë Hiteun Uriah". Dhe Joabi dërgoi Uriahun te Davidi.

Kur Uriahu arriti tek ai, Davidi e pyeti për gjendjen shëndetsore të Joabit dhe të popullit, dhe si shkonte lufta.

Pastaj Davidi i tha Uriahut: "Zbrit në shtëpinë tënde dhe laji këmbët". Uriahu doli nga shtëpia e mbretit dhe i nisën një dhuratë nga ana e mbretit.

Por Uriahu fjeti te porta e shtëpisë së mbretit bashkë me tërë shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij.

10 Kur e njoftuan Davidin për këtë gjë dhe i thanë: "Uriahu nuk zbriti në shtëpinë e tij". Davidi i tha Uriahut: "A nuk vjen vallë nga një udhëtim? Pse, pra, nuk zbrite në shtëpinë tënde?".

11 Uriahu iu përgjigj Davidit: "Arka, Izraeli dhe Juda banojnë në çadra, zotëria im Joab dhe shërbëtorët e zotërisë tim e kanë ngritur kampin e tyre në fushë të hapur. Si mund të hyj unë në shtëpinë time për të ngrënë dhe për të pirë? Ashtu siç është e vërtetë që ti rron dhe që rron shpirti yt, unë nuk do ta bëj këtë gjë!".

12 Atëherë Davidi i tha Uriahut: "Qëndro edhe sot këtu, nesër do të të lë të shkosh". Kështu Uriahu qëndroi në Jeruzalem atë ditë dhe ditën tjetër.

13 Davidi e ftoi pastaj të hajë e të pijë bashkë me të dhe e dehu. Por në mbrëmje Uriahu doli për të shkuar në shtrojën e tij bashkë me shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij.

14 Të nesërmen në mëngjes, Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi me anë të Uriahut.

15 Në letër kishte shkruar kështu: "Vendoseni Uriahun në vijë të parë, ku beteja është më e ashpër, pastaj tërhiquni nga ai, me qëllim që të goditet dhe të vdesë".

16 Ndërsa rrethonte qytetin, Joabi e vuri Uriahun në vendin ku e dinte se kishte njerëz trima.

17 Banorët e qytetit bënë një dalje dhe sulmuan Joabin, disa nga shërbëtorët e Davidit ranë dhe vdiq edhe Hiteu Uriah.

18 Atëherë Joabi dërgoi një lajmëtar për t’i njoftuar Davidit tërë ngjarjet e luftës,

19 dhe i dha lajmëtarit këtë urdhër: "Kur të kesh mbaruar së treguari mbretit tërë ngjarjet e luftës,

20 në qoftë se ai zemërohet dhe të thotë: "Pse iu afruat qytetit për të luftuar? A nuk e dinit që do të gjuanin nga muret lart?

21 Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerubeshethit? A nuk qe një grua që i hodhi një gur nga muret, dhe kështu ai vdiq në Thebets?. Sepse ju jeni afruar te murët?," atëherë ti do të thuash: "Vdiq edhe shërbëtori yt Hiteu Uriah"".

22 Kështu lajmëtari u nis dhe, kur arriti, i tregoi Davidit të gjitha ato që Joabi e kishte ngarkuar të thoshte.

23 Lajmëtari i tha Davidit: "Armiqtë patën epërsi mbi ne dhe bënë një dalje kundër nesh në fushë të hapur, por ne i sprapsëm deri në hyrjen e portës;

24 atëherë harkëtarët gjuajtën mbi shërbëtorët e tu nga lartësia e mureve dhe disa shërbëtorë të mbretit vdiqën, dhe vdiq edhe shërbëtori yt, Hiteu Uriah".

25 Atëherë Davidi i tha lajmëtarit: "Do t’i thuash kështu Joabit: "Mos u hidhëro për këtë gjë, sepse shpata ha o njerin o tjetrin; lufto me forcë më të madhe kundër qytetit dhe shkatërroje". Dhe ti jepi zemër".

26 Kur gruaja e Uriahut dëgjoi që burri i saj kishte vdekur, ajo mbajti zi për bashkëshortin e saj.

27 Me të mbaruar zija, Davidi dërgoi ta marrë dhe e priti në shtëpinë e tij. Ajo u bë gruaja e tij dhe i lindi një djalë. Por ajo që Davidi kishte bërë nuk i pëlqeu Zotit.

12 Pastaj Zoti i dërgoi Nathanin Davidit; dhe Nathani shkoi tek ai dhe i tha: "Na ishin dy njerëz në të njëjtin qytet, njeri i pasur dhe tjetri i varfër.

I pasuri kishte një numër të madh kopesh me bagëti të imët dhe të trashë;

por i varfëri nuk kishte asgjë, veçse një qengj femër që e kishte blerë dhe ushqyer; ai ishte rritur bashkë me të dhe me fëmijët e tij, duke ngrënë ushqimin e tij, duke pirë në kupën e tij dhe duke fjetur mbi gjirin e tij; ishte për të si bija e tij.

Një udhëtar arriti në shtëpinë e njeriut të pasur; ky refuzoi të merrte ndonjë bagëti nga kopetë e tij për t’i përgatitur për të ngrënë udhëtarit që kishte ardhur tek ai, por mori manarin e njeriut të varfër dhe e gatoi për njeriun që i kishte ardhur"

Atëherë zemërimi i Davidit u rrit me të madhe kundër këtij njeriu dhe i tha Nathanit: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ai që ka bërë këtë gjë meriton të vdesë!

Ai do t’a paguajë katërfish vlerën e manarit, sepse ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka pasur mëshirë".

Atëherë Nathani i tha Davidit: "Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të kam vajosur mbret të Izraelit dhe të kam çliruar nga duart e Saulit.

Të kam dhënë shtëpinë e zotërisë sate, të kam vënë në krahët e tua gratë e zotërisë tënd dhe të kam dhënë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës; dhe në qoftë se kjo ishte shumë pak, unë do të të kisha dhënë shumë gjëra të tjera.

Pse, pra, ke përçmuar fjalën e Zotit, duke bërë atë që është e keqe për sytë e tij? Ti ke bërë të vdesë me shpatë Hiteun Uriah, more për grua bashkëshorten e tij dhe e vrave me shpatën e bijve të Amonit.

10 Kështu, pra, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote, sepse ti më ke përçmuar dhe ke marrë gruan e Hiteut Uriah si bashkëshorten tënde".

11 Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote, dhe do t’i marrë gratë e tua para syve të tu për t’ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën.

12 Sepse ti e ke bërë këtë gjë fshehurazi, kurse unë do ta bëj përpara tërë Izraelit në dritën e diellit".

13 Atëherë Davidi i tha Nathanit: "Kam mëkatuar kundër Zotit". Nathani iu përgjigj Davidit: "Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur.

14 Megjithatë, duke qenë se më këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të Zotit të blasfemojnë, djali që ka lindur duhet të vdesë".

15 Pastaj Nathani u kthye në shtëpinë e vet. Kështu Zoti goditi fëmijën që bashkëshortja e Uriahut i kishte lindur Davidit, dhe ai u sëmur.

16 Atëherë Davidi iu lut Perëndisë për fëmijën dhe agjëroi; pastaj hyri në shtëpi dhe e kaloi natën i shtrirë për tokë.

17 Pleqtë e shtëpisë së tij ngulën këmbë që ai të ngrihej nga toka, por ai nuk deshi dhe nuk pranoj të hante me ta.

18 Ditën e shtatë fëmija vdiq dhe shërbëtorët e Davidit kishin frikë t’i njoftonin që fëmija kishte vdekur, sepse thonin: "Ja, kur fëmija ishte akoma i gjallë, ne i kemi folur, por ai nuk i dëgjonte fjalët tona. Si të bëjmë tani për t’i thënë se fëmija ka vdekur? Kjo mund t’i shkaktojë ndonjë të keqe".

19 Kur Davidi pa që shërbëtorët e tij flisnin me zë të ulët, e kuptoi se fëmija kishte vdekur; prandaj Davidi u tha shërbëtorëve të tij: "Ka vdekur fëmija?". Ata u përgjigjën: "Ka vdekur".

20 Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u vajos dhe ndërroi rrobat; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys; pastaj u kthye në shtëpinë e tij dhe kërkoi t’i sillnin ushqim dhe hëngri.

21 Shërbëtorët e tij i thanë: "Ç’bëre? Kur fëmija ishte akoma gjallë ti ke agjëruar dhe ke qarë; mbas vdekjes së fëmijës, u ngrite dhe hëngre".

22 Ai u përgjigj: "Kur fëmija ishte akoma gjallë, unë agjëronja dhe qaja, sepse thoja: "Kushedi Zotit mund t’i vijë keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë?". Por tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj?

23 Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!".

24 Pastaj Davidi ngushëlloi Bath-Shebën, bashkëshorten e tij, hyri tek ajo dhe ra në shtrat me të; kështu ajo lindi një djalë, që ai e quajti Solomon; dhe Zoti e deshi.

25 Pastaj dërgoi një mesazh me anë të profetit Nathan që i vuri emrin Jedidiah, për shkak të dashurisë të Zotit.

26 Ndërkaq Joabi lufonte kundër Rabahut të bijve të Amonit dhe pushtoi qytetin mbretëror.

27 Pastaj Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit për t’i thënë: "Kam sulmuar Rabahun dhe kam shtënë në dorë rezervat e tij të ujit.

28 Prandaj tani mblidh popullin që ka mbetur, vendos kampin tënd përballë qytetit dhe shtjere atë në dorë, përndryshe do ta marr unë qytetin dhe ai do të mbajë emrin tim".

29 Atëherë Davidi mblodhi tërë popullin, shkoi në Rabah, e sulmoi dhe e pushtoi.

30 Hoqi pastaj kurorën nga koka e mbretit të tyre; ajo peshonte një talent ari dhe kishte gurë të çmuar; ajo u vu mbi kokën e Davidit. Ai mori me vete gjithashtu nga qyteti një plaçkë të madhe.

31 I nxori banorët që ishin në qytet dhe i vuri të punonin me sharra, me lesa dhe më sëpata prej hekuri, i futi të punojnë në furrat e tullave; kështu bëri në të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Pastaj Davidi u kthye në Jeruzalem bashkë me tërë popullin.

20 Me fillimin e vitit të ri, në kohën kur mbretërit shkojnë të luftojnë, Joabi u vu në krye të një ushtrie të fuqishme dhe shkretoi vendin e bijve të Amonit; pastaj shkoi të rrethojë Rabahun, ndërsa Davidi qëndroi në Jeruzalem; Joabi mundi Rabahun dhe e shkatërroi.

Atëherë Davidi i hoqi kurorën nga koka e mbretit të tyre dhe pa që ajo peshonte një talent ari, dhe në të kishte gurë të çmuar; ajo pastaj u vu mbi kryet e Davidit. Përveç kësaj nga ai qytet ai mori një plaçkë shumë të madhe.

I nxori banorët që ishin në qytet dhe i vuri të punojnë me sharra, me lesa prej hekuri dhe me sëpata. Kështu veproi Davidi në të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Pastaj Davidi u kthye në Jeruzalem me tërë popullin.

Mbas këtyre ngjarjeve u bë në Gezer një betejë me Filistejtë; atëherë Sibekai nga Hushahu vrau Sipain, një nga pasardhësit e gjigantëve, dhe kështu Filistejtë u poshtëruan.

U bë një betejë tjetër me Filistejtë; Elhanani, bir i Jairit, vrau Lahmin, vëllanë e Goliathit nga Gathi, që e kishte shtizën sa një shul endësi.

U bë edhe një beteje tjetër në Gath, ku kishte një njeri me shtat të madh, me gjashtë gishtërinj në secilën dorë dhe gjashtë gishtërinj në secilën këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve.

Ai e fyu Izraelin dhe Jonathani, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, e vrau.

Këta kishin lindur nga gjigantët e Gathit. Ata i zhduku dora e Davidit dhe ajo e shërbëtorëve të tij.