Add parallel Print Page Options

10 Mbas këtyre gjërave, mbreti i bijve të Amonit vdiq dhe biri i tij Hanun mbretëroi në vend të tij.

Davidi tha: "Unë dua të sillem me Hanunin, birin e Nahashit, me po atë dashamirësi që i ati tregoi ndaj meje". Kështu Davidi dërgoi shërbëtorët e tij për ta ngushëlluar për humbjen e atit. Por kur shërbëtorët e Davidit arritën në vendin e bijve të Amonit,

krerët e bijve të Amonit i thanë Hanunit, zotërisë së tyre: "Beson me të vërtetë që Davidi të ka dërguar njerëz për ngushëllim për të nderuar atin tënd? A nuk të ka dërguar përkundrazi shërbëtorët e tij për të vëzhguar qytetin, për të spiunuar dhe për të shkatërruar atë?".

Atëherë Hanuni i zuri shërbëtorët e Davidit, i detyroi të rruajnë gjysmën e mjekrës dhe të presin për gjysmë rrobat e tyre deri në vithe, pastaj i la të shkojnë.

I informuar për këtë ngjarje, Davidi dërgoi disa persona për t’i takuar, sepse këta njerëz e ndjenin veten shumë të turpëruar. Mbreti dërgoi t’u thonë: "Rrini në Jeriko sa t’ju rritet mjekra, pastaj do të ktheheni".

Kur bijtë Amonit e kuptuan që ishin bërë të urryer për Davidin, dërguan të rekrutojnë njëzet mijë këmbësorë te Sirët e Beth-Rehobit dhe te Sirët e Tsobas, një mijë njerëz të mbretit të Maakahut dhe dymbëdhjetë mijë nga njerëzit e Tobit.

Me të dëgjuar këtë lajm, Davidi dërgoi kundër tyre Joabin me gjithë ushtrinë e njerëzve trima.

Bijtë e Amonit dolën dhe u renditën për betejë në hyrjen e portës së qytetit, ndërsa Sirët e Tsobas dhe të Rehobit, dhe njerëzit e Tobit dhe të Maakahut u rreshtuan në fushë të hapur.

Kur Joabi e kuptoi se kundër tij ishin dy fronte beteje, njeri nga përpara dhe tjetri nga prapa, ai zgjodhi disa nga njerëzit më të mirë të Izraelit dhe i renditi për betejë kundër Sirëve;

10 Pjesën tjetër të njerëzve e la në duart e vëllait të tij Abishai për t’i renditur kundër bijve të Amonit.

11 Pastaj i tha: "Në qoftë se Sirët janë më të fortë se unë, ti do të më vish në ndihmë; por në qoftë se bijtë e Amonit janë më të fortë se ti, atëherë unë do të të vij në ndihmë.

12 Tregohu guximtar dhe të jemi të fortë për të mbrojtur popullin tonë dhe qytetet e Perëndisë tonë; dhe Zoti të bëjë atë që i pëlqen".

13 Pastaj Joabi me gjithë njerëzit e tij ecën përpara për të luftuar kundër Sirëve; por këta ikën para tij.

14 Kur bijtë e Amonit panë që Sirët kishin ikur, ua mbathën edhe ata para Abishait dhe hynë përsëri në qytet. Atëherë Joabi u kthye nga ekspedita kundër bijve të Amonit dhe erdhi në Jeruzalem.

15 Kur Sirët panë që ishin mundur nga Izraeli, u mblodhën të tërë.

16 Hadadezeri dërgoi lajmëtarë për të sjellë Sirët që ishin matanë Lumit. Ata arritën në Helam, me komandantin e ushtrisë të Hadedezerit, Shobakun, në krye.

17 Kur Davidi u njoftua për këtë gjë, mblodhi tërë Izraelin, kaloi Jordanin dhe arriti në Helam. Sirët u radhitën kundër Davidit dhe nisën betejën.

18 Por Sirët ua mbathën përpara Izraelit; dhe Davidi vrau nga Sirët njerëzit e shtatëqind qerreve dhe dyzet mijë kalorës, goditi Shobakun, komandantin e ushtrisë së tyre, i cili vdiq në atë vend.

19 Kur tërë mbretërit vasalë të Hadadezerit e panë që ishin mundur nga Izraeli, bënë paqe me Izraelin dhe iu nënshtruan atij. Kështu Sirët patën frikë të ndihmonin akoma bijtë e Amonit.

19 Mbas këtyre ngjarjeve ndodhi që Nahashi, mbret i bijve të Amonit, vdiq dhe i biri mbretëroi në vend të tij.

Davidi tha: "Unë dua të përdor me Hanunin, birin e Nahashit, po atë dashamirësi që i ati ka treguar ndaj meje". Kështu Davidi dërgoi lajmëtarë për ta ngushëlluar për humbjen e atit të tij. Por kur shërbëtorët e Davidit arritën ne vendin e bijve të Amonit te Hanuni për ta ngushëlluar,

krerët e bijve të Amonit i thanë Hanunit: "Ti beson që Davidi të ka dërguar ngushëllues për të nderuar atin tënd? Shërbëtorët e tij a nuk kanë ardhur vallë për të vëzhguar, për të shkatërruar dhe për të spiunuar vendin?".

Atëherë Hanuni mori shërbëtorët e Davidit, i detyroi të rruhen dhe të presin rrobat për gjysmë deri në mollaqet, pastaj i la të shkonin.

Ndërkaq disa shkuan të njoftojnë Davidin për atë që u kishte ndodhur këtyre njerëzve; atëherë Davidi dërgoi njerëz për t’i takuar, sepse ata ishin krejt të turpëruar. Mbreti porositi që t’u thonë atyre: "Qëndroni në Jeriko sa t’ju rritet mjekra, pastaj do të ktheheni".

Kur bijtë e Amonit e kuptuan se kishin shkaktuar urrejtjen e Davidit, Hanuni dhe Amonitët dërguan një mijë talenta argjendi për të rekrutuar në shërbimin e tyre qerre dhe kalorës nga Mesopotamia, nga Sirët e Maakahut dhe nga Tsobahu.

Rekrutuan gjithashtu tridhjetë e dy mijë qerre dhe mbretin e Maakahut me gjithë popullin tij, që fushuan përballë Medebas. Ndërkaq bijtë e Amonit ishin mbledhur nga qytetet e tyre për të marrë pjesë në luftë.

Kur Davidi e dëgjoi këtë, dërgoi kundër tyre Joabin dhe tërë ushtrinë e njerëzve trima.

Bijtë e Amonit dolën dhe u renditën për betejë në portën e qytetit, ndërsa mbretërit që kishin ardhur në ndihmë të tyre rrinin mënjanë në fushë.

10 Kur Joabi e kuptoi që kishte kundër tij dy fronte beteje, njeri pëpara dhe tjetri prapa, zgjodhi nga njerëzit më të mirë të Izraelit dhe i vendosi në rend beteje kundër Sirëve;

11 pjesën tjetër të popullit e vendosi nën urdhrat e vëllait të tij Abishai; këta u renditën kundër bijve të Amonit;

12 pastaj i tha: "Në rast se Sirët janë më të fortë se unë, ti do të më vish në ndihmë; por në rast se bijtë e Amonit janë më të fortë se ti, atëherë do të vij unë të të ndihmoj.

13 Tregohu trim dhe të jemi të fortë për popullin tonë dhe për qytetet e Perëndisë tonë; dhe Zoti të bëjë atë që i pëlqen".

14 Pastaj Joabi me njerëzit që kishte me vete shkoi përpara për t’u ndeshur me Sirët; por këta ikën para tij.

15 Kur bijtë e Amonit panë që Sirët kishin ikur, edhe ata ua mbathën para Abishait, vëllait të Joabit, dhe u kthyen në qytet. Atëherë Joabi u kthye në Jeruzalem.

16 Sirët, duke qenë se ishin mundur nga Izraeli, dërguan lajmëtarë dhe prunë Sirët që ishin matanë lumit. Në krye të tyre ishte Shofaku, komandanti i ushtrisë të Hadarezerit.

17 Kur Davidi u njoftua për këtë gjë, mblodhi tërë Izraelin, kaloi Jordanin, marshoi kundër tyre dhe u vendos në rend beteje kundër tyre. Sapo Davidi u rreshtua në rend beteje kundër Sirëve, këta e filluan menjëherë betejën.

18 Por Sirët ua mbathën para Izraelit; dhe Davidi vrau shtatë mijë kalorës dhe dyzet mijë këmbësorë Sirë; vrau gjithashtu Shofakun, komandantin e ushtrisë.

19 Kur shërbëtorët e Hadarezerit panë se ishin mundur nga Izraeli, bënë paqe me Davidin dhe iu nënshtruan atij. Kështu Sirët nuk deshën më t’u vinin në ndihmë bijve të Amonit.

20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.

Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;

Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)

Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.

Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.

Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.

Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.

Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.

Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.