Add parallel Print Page Options

Atëherë profeti Eliseu thirri një nga dishepujt e profetëve dhe i tha: Ngjesh brezin, merr me vete këtë enë të vogël me vaj dhe shko në Ramoth tëë Galaadit.

Kur të arrish aty, kërko të takosh Jehun, birin e Jozafatit, që është bir i Nimshit; hyrë në dhomë, merre nga mesi i vëllezërve të tij dhe çoje në një dhomë të veçantë.

Do të marrësh pastaj enën e vogël me vaj dhë do ta derdhësh mbi kokën e tij, duke thënë: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit". Pastaj hape portën dhe mbathja pa humbur kohë".

Atëherë i riu, shërbëtori i profetit, u nis për në Ramoth të Galaadit.

Kur arriti aty, i gjeti kapitenët e ushtarët të ulur bashkë dhe tha: "Kam një kumtesë për ty, o kapiten". Jehu e pyeti: "Për cilin prej nesh?". Ai u përgjigj: "Për ty, kapiten".

Atëherë u ngrit dhe hyri në shtëpi; i riu i derdhi vajin mbi kryet, duke i thënë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të vajos mbret të popullit të Zotit, të Izraelit.

Ti do të godasësh shtëpinë e Ashabit, zotit sate, kështu do të marr hak për gjakun që kanë derdhur profetët, shërbëtorë të mi, dhe për gjakun e tërë shërbëtorëve të Zotit, që është derdhur nga dora e Jezebelit.

Tërë shtëpia e Ashabit do të shuhet dhe unë do të shfaros nga kjo shtëpi tërë meshkujt, skllevër apo të lirë, që janë në Izrael.

Kështu do ta katandis shtëpinë e Ashabit si shtëpinë e Joreboamit, birit të Nebatit, dhe si atë të Baashas, birit të Ahijahut.

10 Qentë do të hanë Jezebelin në fushën e Jezreelit, dhe nuk do të ketë njeri që ta varrosë"". Pastaj i riu hapi portën dhe iku me vrap.

11 Kur Jehu doli nga shërbëtorët e zotit të tij, një nga këta e pyeti: "A shkon çdo gjë mirë? Pse ai i marrë erdhi te ty?". Ai u përgjigj: "Ju e njihni njeriun dhe fjalët e tij!".

12 Por ata thanë: "S’është e vërtetë! Na e thuaj, pra!". Jehu u përgjigj: Ai më tha kështu e ashtu, duke deklaruar: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit"".

13 Atëherë ata shpejtuan të merrnin secili mantelin e tij dhe ta shtrijnë poshtë tij në po ato shkallëza; pastaj i ranë borisë dhe thanë: "Jehu është mbret!".

14 Kështu Jehu, bir i Josafatit, që ishte i biri i Nimshit, kurdisi një komplot kundër Joramit. (Por Jorami, me tërë Izraelin, ishte duke mbrojtur Ramothin e Galaadit kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë;

15 pastaj mbreti Joram ishte kthyer nga Jezreeli për të shpëtuar plagët që i kishin shkaktuar Sirët ndërsa luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë). Jehu tha: "Në rast se mendoni në të njëjtën mënyrë, asnjeri të mos dalë nga qyteti për të njoftuar Jezreelin".

16 Pastaj Jehu hipi mbi një qerre dhe u nis për në Jezreel, sepse aty ndodhej i sëmurë Jorami, dhe Ashaziahu, mbret i Judës, kishte zbritur për të vizituar Joramin.

17 Roja që rrinte mbi kullën e Jezreelit vuri re ushtrinë e madhe të Jehut që vinte dhe tha: "Shoh një grumbull të madh!". Jorami urdhëroi: "Merr një kalorës dhe çoje t’i takojë për t’i pyetur: "A sillni paqen?"".

18 Atëherë një njeri i hipur mbi kalë u doli përpara dhe u tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqe?"". Jehu u përgjigj: "Ç’të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë". Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari arriti tek ata, por nuk po kthehet".

19 Atëherë Jorami dërgoi një kalorës të dytë, i cili me të arritur tek ata, tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqen?". Jehu u përgjigj: "Ç’të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë".

20 Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari ka arritur tek ata, por nuk po kthehet. Mënyra e të ngarit të qerres është ajo e Jehut, birit të Nimshit, sepse e nget si i çmëndur".

21 Atëherë Jorami tha: "Përgatitni qerren!". Kështu i përgatitën qerren. Pastaj Jorami, mbret i Izraelit dhe Ashaziahu, mbret i Judës, dolën secili me qerren e vet për t’i dalë përpara Jehut dhe e gjetën në fushën e Nabothit të Jezreelit.

22 Kur Jorami pa Jehun, i tha: "A sjell paqen, Jehu?". Jehu u përgjigj: Ç’paqe mund të ketë deri sa vazhdojnë kurvëritë e nënës sate Jezebel dhee magjitë e shumta të saj?".

23 Atëherë Jorami e ktheu drejtimin e qerres dhe iku me vrap duke i thënë Ashaziahut: "Tradhëti, Ashaziah!".

24 Por Jehu e ndau harkun me të gjithë forcën e tij dhe e goditi Joramin midis shpatullave; shigjeta i shpoi zemrën dhe ai u plandos në qerren e tij.

25 Pastaj Jehu i tha Bidkarit, ndihmësit të tij: "Merre dhe hidhe në kampin e Nabothit të Jezreelit sepse më kujtohet, kur ti dhe unë shkonim me kalë bashkë me suitën e Ashabit, atit të tij, Zoti shqiptoi kundër tij këtë orakulli:

26 "Dje me siguri pashë gjakun e Nabothit dhe gjakun e bijve të tij," thotë Zoti, "dhe unë do të të shpërblej në po këtë fushë," thotë Zoti! Kape, pra, dhe hidhe në fushë, sipas fjalës së Zotit".

27 Duke parë këtë, Ashaziahu, mbret i Judës, iku me vrap nëpër rrugën e shtëpisë me kopsht, por Jehu, iu ndjek prapa dhe tha: "Bjerini, edhe atij me qerre". Dhe e gjuajtën në të përpjetën e Gurit, që është afër Ibleamit. Por ai iku në Megido, ku vdiq.

28 Atëherë shërbëtorët e tij e çuan mbi një qerre në Jeruzalem dhe e varrosën në varrin e tij bashkë me etërit e tij, në qytetin e Davidit.

29 Ashaziahu kishte filluar të mbretëronte mbi Judë, vitin e dymbëdhjetë të Joramit, birit të Ashabit.

30 Kur Jehu arriti në Jezreel, Jezebeli e mori vesh. Atëherë filloi të zbukurojë sytë, rregulloi flokët e doli në dritare për të parë.

31 Ndërsa Jehu po hynte në portë, ajo i tha: "A sjell paqen, Zimri, vrasës i zotit sate?".

32 Jehu ngriti sytë nga dritarja dhe tha: "Kush është me mua? Kush?". Dy ose tre eunikë dolën në dritare duke shikuar nga ai.

33 Ai tha: "Hidheni poshtë!". Ata e hodhën poshtë, dhe pak gjak i saj ra mbi murin dhe mbi kuajt; dhe Jehu kaloi mbi të.

34 Pastaj hyri brenda, hëngri dhe piu; në fund tha: "Shkoni të shihni atë grua të mallkuar dhe varroseni, sepse është bijë mbreti".

35 Shkuan, pra, ta varrosin, por gjetën prej saj vetëm kafkën, këmbët dhe pëllëmbët e duarve.

36 U kthyen t’i tregonin gjendjen Jehut, që tha: "Kjo është fjala e Zotit e shqiptuar me anë të shërbëtorit të tij Elia, Tishbitit, kur tha: "Qentë kanë për të ngrënë mishin e Jezebelit në fushën e Jezreelit;

37 kufoma e Jezebelit do të jetë në fushën e Jezreelit si pleh në sipërfaqen e tokës; kështu nuk do të mundin të thonë: Këtu prehet Jezebeli"".

10 Ashabi kishte në Samari shtatëdhjetë bij. Jehu shkroi letra dhe ua dërgoi në Samari krerëve të qytetit, pleqve dhe tutorëve të bijve të Ashabit; në to thoshte:

"Sa t’ju arrijë kjo letër, me qenë se keni me vete bijtë e zotit suaj dhe keni qerre dhe kuaj, një qytet të fortifikuar dhe armë,

zgjidhni birin më të mirë dhe më të përshtatshëm të zotit suaj, vendoseni mbi fronin e atit të tij dhe luftoni për shtëpinë e zotit suaj".

Por ata patën shumë frikë dhe thanë: "Ja, dy mbretër nuk mundën ta përballojnë; si mund ta përballojmë ne?".

Prandaj prefekti i pallatit, qeveritari i qytetit, pleqtë dhe tutorët e bijve të Ashabit dërguan t’i thonë Jehut: "Ne jemi shërbëtorët e tu dhe do të bëjmë të gjitha ato që do të na urdhërosh; nuk do të zgjedhim asnjë mbret; bëj atë që të duket më e mirë".

Atëherë ai u shkroi një letër të dytë, në të cilën thoshte: "Në rast se mbani anën time dhe doni t’i bindeni zërit tim, merrni kokat e atyre njerëzve, të bijve të zotit suaj dhe ejani tek unë në Jezreel, nesër në këtë orë". Bijtë e mbretit, gjithsej shtatëdhjetë, rrinin me fisnikët e qytetit, që i edukonin.

Me të marrë letrën, ata morën bijtë e mbretit dhe i therën të shtatëdhjetët; pastaj i vunë në shporta kokat e tyre dhe ia çuan Jehut në Jezreel.

Kështu erdhi një lajmëtar për t’i njoftuar ngjarjen dhe i tha: "Kanë sjellë kokat e bijve të mbretit". Jehu u përgjigj: "Vendosini në dy grumbuj në hyrje të portës deri nesër në mëngjes".

Të nesërmen ai doli dhe, duke qëndruar në këmbë, i tha tërë popullit: Ju jeni të drejtë; ja, unë kam komplotuar kundër zotërisë sime dhe e kamm vrarë; po kush i ka vrarë tërë këta?

10 Pranoni, pra, që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e Zotit që ky ka shqiptuar kundër shtëpisë të Ashabit; Zoti në të vërtetë ka kryer atë që kishte thënë me anë të shërbëtorit të tij Elia".

11 Kështu Jehu bëri që të vdesin tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Jezreel, tërë të mëdhenjtë, miqtë dhe priftërinjtë e tij, pa lënë asnjë prej tyre.

12 Pastaj u ngrit dhe shkoi në Samari. Gjatë rrugës, me të arritur në Beth-Eked,

13 Jehu takoi vëllezërit e Ashaziahut, mbretit të Judës, dhe tha: "Kush jeni?". Ata u përgjigjën: "Jemi vëllezërit e Ashaziahut dhe po zbresim për të përshëndetur bijtë e mbretit dhe bijtë e mbretëreshës".

14 Atëherë ai urdhëroi: "Kapini të gjallë!". Kështu i zunë të gjallë dhe i therën pranë pusit të Beth-Ekedit, gjithsej dyzet e dy veta; nuk kursyen as edhe një.

15 U nis që andej dhe gjeti Jehonadabin, birin e Rekabit, që iu kishte dalë para; e përshëndeti dhe i tha: "A është zemra jote e drejtë ashtu siç është imja ndaj teje?". Jehonadabi u përgjigj: "Éshtë". "Në qoftë se është kështu," tha Jehu, "më jep dorën". Atëherë ai i dha dorën, kështu e bëri të hipë me të mbi qerren dhe i tha:

16 "Eja me mua dhe do të shohësh zellin tim për Zotin!". Pastaj e mori me vete në qerren e tij.

17 Me të arritur në Samari, vrau tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Samari, deri në shkatërimin e plotë të saj, sipas fjalës që Zoti i kishte thënë Elias.

18 Pastaj Jehu mblodhi tërë popullin dhe i tha: "Ashabi i ka shërbyer pak Baalit, por Jehu do t’i shërbejë shumë më tepër.

19 Tani thirri pranë meje tërë profetët e Baalit, tërë shërbëtorët dhe priftërinjtë e tij; të mos mungojë asnjë prej tyre, sepse duhet t’i bëj një flijim të madh Baalit; ai që do të mungojë, nuk do mbetet i gjallë". Por Jehu vepronte me mashtrim për të shkatërruar adhuruesit e Baalit.

20 Pastaj Jehu urdhëroi: "Shpallni një festë solemne për nder të Baalit!". Festa u shpall.

21 Pastaj Jehu dërgoi lajmëtarë nëpër gjithë Izraelin; kështu tërë adhuruesit e Baalit erdhën dhe nuk mungoi asnjë prej tyre; hynë në tempullin e Baalit dhe tempulli u mbush plot nga një anë në anën tjetër.

22 Jehu i tha rojtarit të rrobave: "Nxirri jashtë rrobat për të gjithë adhuruesit e Baalit". Kështu ai i nxori rrobat për ta.

23 Atëherë Jehu, bashkë me Jehonadabin, birin e Rekabit, hyri në tempullin e Baalit dhe u tha adhuruesve të Baalit: "Kërkoni mirë dhe shikoni që këtu të mos ketë asnjë shërbëtor të Zotit, por vetëm adhurues të Baalit".

24 Kështu ata hynë për të ofruar flijime dhe olokauste. Jehu kishte vënë jashtë tempullit tetëdhjetë burra, të cilëve u kishte thënë: "Në rast se dikush lë të ikë një njeri të vetëm nga njerëzit që kam lënë në duart tuaja, do ta paguajë me jetën e tij jetën e atij që ka ikur".

25 Kështu, sa mbaroi oferta e olokaustit, Jehu u dha këtë urdhër rojeve dhe kapitenëve: "Hyni, vritni dhe mos lini që asnjë t’ju ikë!". Prandaj ata i kaluan në majë të shpatës, pastaj rojet dhe kapitenët i hodhën jashtë dhe depërtuan në pjesën e brendshme të tempullit të Baalit;

26 pastaj çuan jashtë shtyllat e shenjta të tempullit të Baalit dhe i dogjën.

27 Pastaj shkatërruan statujën e Baalit dhe shembën tempullin e tij, duke e katansdisur në një vend ku grumbullohen plehrat e kështu mbetet edhe sot e kësaj dite.

28 Kështu Jehu bëri që të zhduket Baali nga Izraeli;

29 megjithatë ai nuk u tërhoq nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilët e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, domethënë nga viçat e artë që ishin në Bethel dhe në Dan.

30 Prandaj Zoti i tha Jehut: "Me qenë se ke vepruar mirë, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e mi, dhe i ke bërë shtëpisë së Ashabit të gjitha atë që kisha në zemër, bijtë e tu do të ulen mbi fronin e Izraelit deri në brezin e katërt".

31 Por Jehu nuk u kujdesua të ndiqte me gjithë zemër ligjin e Zotit, Perëndisë së Izraelit; në fakt ai nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, me të cilat e kishte bërë Izraelin të mëkatonte.

32 Në atë kohë Zoti filloi t’i presë disa pjesë të Izraelit; në fakt Hazaeli i mundi Izraelitët gjatë gjithë kufirit të tyre:

33 nga Jordani drejt lindjes, pushtoi tërë vendin e Galaadit, Gaditët, Rubenitët dhe Manasitët; nga Aroeri, që është afër përroit të Amonit, deri në Galaad dhe Bashan.

34 Pjesa tjetër e bëmave të Jehut, tërë ato që bëri dhe të gjitha trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

35 Pastaj Jehun e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri Jehoahazi.

36 Jehu mbretëroi mbi Izraelin në Samari njëzet e tetë vjet.

11 Kur Athaliah, e ëma e Ashaziahut, pa që i biri kishte vdekur, u ngrit dhe zhduku tërë pasardhësit mbretërorë.

Por Jehosheba, bija e mbretit Joram dhe e motra e Ashaziahut, mori Joasin, birin e Ashaziahut, e nxorri fshehurazi nga mesi i bijve të mbretit që ishin vrarë dhe e vuri me tajën në dhomën e shtretërve; kështu ia fshehën Athaliahut dhe nuk u vra.

Mbeti, pra, i fshehur gjashtë vjet në shtëpinë e Zotit me të, ndërsa Athaliah mbretëronte mbi vendin.

Vitin e shtatë Jehojada dërgoi të thërrasë komandantët e qindsheve të rojeve personale dhe të rojeve dhe i solli pranë vetes në shtëpinë e Zotit; ai lidhi një besëlidhje me ta, i vuri të betohen në shtëpinë e Zotit dhe u tregoi birin e mbretit.

Pastaj i urdhëroi, duke thënë: "Kjo është ajo që ju do të bëni: një e treta e atyre prej jush që hyjnë në shërbim ditën e shtunë, ka për të ruajtur shtëpinë e mbretit;

një e treta portën e Surit dhe një e treta portën prapa rojeve. Ju do të ruani shtëpinë, duke ndaluar hyrjen në të.

Dy pjesët e tjera prej jush, domethënë tërë ata që e lënë shërbimin ditën e shtunë, kanë për të ruajtur shtëpinë e Zotit rreth mbretit.

Ju do të viheni rreth mbretit, secili me armët e tij në dorë; dhe kushdo që do të kërkojë të futet në radhët tuaja, do të vritet. Ju do të jeni me mbretin qoftë kur del, qoftë kur hyn".

Kështu komandantët e qindsheve vepruan pikërisht ashtu si kishte urdhëruar prifti Jehojada. Secili mori njerëzit e tij, ata që hynin në shërbim ditën e shtunë dhe ata që linin shërbimin ditën e shtunë, dhe shkuan te prifti Jehojada.

10 Prifti u dha komandantëve të qindshëve shtizat dhe mburojat që i kishte pasur mbreti David dhe që ishin në shtëpinë e Zotit.

11 Rojet, secili me armën e tij në dorë, u vendosën në krahun jugor të tempullit deri në krahun e tij verior, pranë altarit dhe tempullit, rreth mbretit.

12 Pastaj Jehojada e çoi jashtë birin e mbretit, i vuri mbi kokë diademën dhe i dorëzoi ligjin. E shpallën mbret dhe e vajosën; pastaj duartrokitën dhe thirrën: "Rroftë mbreti!".

13 Kur Athaliahu dëgjoi zhurmën e rojeve dhe të popullit, shkoi në drejtim të popullit në shtëpinë e Zotit.

14 Vështroi dhe e pa mbretin në këmbë mbi podiumin, sipas zakonit; kapitenët dhe borizanët ishin afër mbretit, ndërsa tërë populli i vendit ishte në festë dhe u binte borive. Atëherë Athaliahu grisi rrobat e saj dhe bërtiti: "Tradhëti, tradhëti!".

15 Por prifti Jehojada urdhëroi komandantët e qindshëve, që komandonin ushtrinë, dhe u tha atyre: "Nxirreni jashtë nga rreshtat dhe kushdo që i shkon pas të vritet me shpatë!". Në fakt prifti kishte thënë: "Mos lejoni që ajo të vritet në shtëpinë e Zotit".

16 Kështu e kapën dhe, sa po arriti në shtëpinë e mbretit nëpër rrugën e portës së kuajve, aty e vranë.

17 Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje midis Zotit, mbretit dhe popullit, me qëllim që Izraeli të ishte populli i Zotit; lidhi gjithashtu një besëlidhje midis mbretit dhe popullit.

18 Atëherë tërë populli i vendit shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi; i bëri copë-copë tërë altarët dhe shëmbëlltyrat e tij, vrau para altarëve Matanin, priftin e Baalit. Pastaj prifti Jehojada vendosi roje rreth shtëpisë së Zotit.

19 Pastaj mori komandantët e qindsheve të rojeve personale të mbretit dhe të rojeve dhe tërë popullin e vendit; këta bënë që mbreti të zbresë nga shtëpia e Zotit dhe, duke ndjekur rrugën e portës së rojeve e çuan në shtëpinë e mbretit, ku ai u ul në fronin e mbretërve.

20 Kështu populli i vendit bëri festë dhe qyteti mbeti i qetë, sepse kishin vrarë me shpatë Athaliahun në shtëpinë e mbretit.

21 Joasi ishte shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë.