Add parallel Print Page Options

Dishepujt e profetëve i thanë Eliseut: "Ja, vendi ku ne banojmë me ty është tepër i vogël për ne.

Na lër të shkojmë deri në Jordan: atje secili prej nesh do të gjejë një tra dhe do të bëjmë një vend për të banuar". Eliseu u përgjigj: "Shkoni".

Njëri prej tyre tha: "Të lutem, prano të vish edhe me shërbëtorët e tu". Ai u përgjigj: "Do të vij".

Kështu ai shkoi me ata. Kur arritën në Jordan, filluan të presin disa drurë.

Ndërsa njeri prej tyre po i binte një trungu, hekuri i sëpatës i ra në ujë. Ai filloi të bërtasë dhe tha: "Oh, o imzot, këtë e kisha marrë hua".

Njeriu i Perëndisë pyeti: "Ku ka rënë?". Ai i tregoi vendin. Atëherë Eliseu preu një copë druri, e hodhi në atë pikë dhe nxorri në sipërfaqe hekurin.

Pastaj tha: "Merre". Kështu ai shtriu dorën dhe e mori.

Ndërsa mbreti i Sirisë ishte në luftë kundër Izraelit, duke u këshilluar me shërbëtorët e tij, ai tha: "Kampi im do të jetë në filan vend".

Atëherë njeriu i Perëndisë dërgoi t’i thotë mbretit të Izraelit: "Mos trego pakujdesi për filan vend, sepse aty po zbresin Sirët".

10 Prandaj mbreti i Izraelit dërgoi njerëz në vendin që njeriu i Perëndisë i kishte treguar dhe e kishte paralajmëruar të tregohej i kujdesshëm. Kështu ai u tregua vigjilent ndaj këtij vendi dhe kjo ndodhi jo vetëm një a dy herë.

11 Shumë i tronditur në zemër të tij për këtë gjë, mbreti i Sirisë mblodhi shërbëtorët e tij dhe u tha: "A dini të më thoni se kush nga tanët mban anën e mbretit të Izraelit?".

12 Një nga shërbëtorët e tij u përgjigj: "Asnjeri, o mbret, imzot, por Eliseu, profeti që ndodhet në Izrael, i bën të njohur mbretit të Izraelit bile edhe fjalët që ti thua në dhomën e gjumit".

13 Atëherë mbreti tha: "Shkoni të shihni se ku është, që të mund të dërgoj njerëz për ta marrë". I bënë këtë njoftim: "Ja, ndodhet në Dothan".

14 Kështu mbreti dërgoi aty kuaj, qerre dhe një ushtri të madhe; këta arritën natën dhe rrethuan qytetin.

15 Të nesërmen shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit në mëngjes dhe doli; dhe ja, qyteti ishte rrethuar nga një ushtri me kuaj dhe kalorës. Atëherë shërbëtori i tij i tha: "Oh, ç’do të bëjmë, imzot?".

16 Ai u përgjigj: "Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta".

17 Pastaj Eliseu u lut dhe tha: "O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë". Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut.

18 Ndërsa Sirët po zbrisnin në drejtim të Eliseut, ky iu lut Zotit dhe i tha: "Të lutem, goditi këta njerëz me verbëri". Dhe ai i verboi sipas fjalës së Eliseut.

19 Atëherë Eliseu u tha atyre: "Nuk është kjo rruga dhe nuk është ky qyteti; ejani pas meje dhe unë do t’ju çoj te njeriu që kërkoni". I çoi pastaj në Samari.

20 Kur arritën në Samari, Eliseu tha: "O Zot, hapua sytë që të shohin". Zoti ua hapi sytë dhe ata panë; ja, ndodheshin brenda në Samari.

21 Kur mbreti i Izraelit i pa, i tha Eliseut: "O ati im, duhet t’i vras? A duhet t’i vras?

22 Ai u përgjigj: "Mos i vrit! A do të vrisje, vallë ata që ke zënë robër me shpatën dhe me harkun tënd? Vëru përpara bukë dhe ujë, që të hanë dhe të pinë dhe pastaj të kthehen te zotit të tyre".

23 Atëherë ai përgatiti për ta një banket të madh. Pasi hëngrën dhe pinë, u ndame ta dhe ata u kthyen përsëri te zotit të tyre. Kështu bandat e Sirëve nuk erdhën më të bëjnë sulme në territorin e Izraelit.

24 Mbas këtyre ngjarjeve ndodhi që Ben Hadadi, mbret i Sirisë, mblodhi tërë ushtrinë e tij dhe u nis kundër Samarisë për ta rrethuar.

25 Në Samari ra një zi e madhe; rrethimi i Sirëve qe aq i fortë sa një kokë gomari shitej tetëdhjetë sikla argjendi dhe një çerek kabi glasash pëllumbi pesë sikla argjendi.

26 Kur mbreti i Izraelit po kalonte mbi muret, një grua i bërtiti dhe i tha: "Ndihmë, o mbret, o imzot!".

27 Ai iu përgjigj: "Në rast se nuk të ndihmon Zoti, ku mund ta gjej unë ndihmën për ty? Mos vallë me prodhimet e lëmit dhe të troullit?".

28 Pastaj mbreti shtoi: "Çfarë ke?". Ajo u përgjigj: "Kjo grua më tha: "Më jep djalin tënd që ta hamë sot; djalin tim do ta hamë nesër".

29 Kështu e gatuam djalin tim dhe e hëngrëm. Të nesërmen i thashë: "Më jep djalin tënd që ta hamë". Por ajo e fshehu djalin e saj".

30 Kur mbreti dëgjoi këto fjalë të gruas, grisi rrobat e tij. Ndërsa kalonte mbi muret, populli shikoi, dhe ja, ai kishte një grathore mbi lëkurë.

31 Atëherë mbreti tha: "Perëndia të më bëjë këtë dhe më keq, në qoftë se sot koka e Eliseut, birit të Shafatit, ka për të mbetur akoma mbi supet e tij!".

32 Eliseu po rrinte ulur në shtëpinë e tij dhe me të ishin ulur pleqtë. Mbreti dërgoi para tij një njeri; por para se lajmëtari të arrinte tek ai, ai u tha pleqve: "A e shikoni se ky bir vrasësi ka dërguar një person për të më prerë kokën? Kini kujdes, kur të arrijë lajmëtari, mbyllni portën dhe bllokojeni te porta. A nuk dëgjohet prapa tij vallë, zhurma e hapave të zotit të tij?".

33 Ndërsa ai vazhdonte të fliste akoma me ta, ja ku zbriti tek ai lajmëtari. Atëherë mbreti tha: "Ja, kjo fatkeqësi vjen nga Zoti; çfarë mund të shpresoj akoma unë nga Zoti?".

Atëherë Eliseu tha: "Dëgjoni fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti: "Nesër në këtë orë, në portën e Samarisë një masë maje mielli do të kushtojë një sikël dhe dy masa elbi do të kushtojnë gjithashtu një sikël"".

Por kapiteni, në krahun e të cilit mbështetej mbreti, iu përgjigj njeriut të Perëndisë: "Ja, edhe sikur Zoti të bënte dritare në qiell, a do të ndodhte, vallë një gjë e tillë?". Eliseu u përgjigj: "Mirë, pra, ke për ta parë me sytë e tu, por nuk do t’i hash".

Kishte katër lebrozë në hyrje të portës, të cilët i thanë njeri tjetrit: Pse po rrimë ulur këtu duke pritur vdekjen??

Në rast se themi: "Le të hyjmë në qytet," atje sundon uria dhe aty kemi për të vdekur; në rast se mbetemi këtu, do të vdesim njëlloj. Prandaj ejani, të shkojmë të paraqitemi te kampi i Sirëve; po të jetë se na lënë të gjallë, do të jetojmë; po të jetë se na vrasin, do të vdesim".

Në muzg u ngritën për të vajtur në kampin e Sirëve; kur arritën në skajin e kampit të Sirëve, atje nuk kishte njeri.

Perëndia në të vërtetë kishte bërë që ushtria e Sirëve të dëgjonte një zhurmë qerresh dhe kuajsh, zhurmën e një ushtrie të madhe, dhe ata i kishin thënë njeri tjetrit: "Ja, mbreti i Izraelit ka rekrutuar kundër nesh mbretin e Hitejve dhe mbretin e Egjiptasve për të na sulmuar".

Prandaj ata, në muzg, ishin ngritur dhe kishin ikur duke braktisur çadrat, kuajt dhe gomarët e tyre, tërë kampin siç ishte; kishin ikur kështu për të shpëtuar kokën.

Kur arritën në skajin e kampit, këta lebrozë hynë në një çadër, ku hëngrën e pinë; morën me vete argjend, ar dhe rroba, dhe shkuan t’i fshehin. Pastaj u kthyen dhe hynë në një çadër tjetër; edhe andej morën shumë gjëra dhe shkuan t’i fshehin.

Pastaj thanë midis tyre: "Nuk veprojmë mirë kështu; kjo është ditë sihariqi, por ne nuk hapim as gojën. Në rast se presim deri në mëngjes, mund të pësojmë ndonjë ndëshkim. Prandaj tani të nxitojmë dhe të shkojmë të njoftojmë shtëpinë e mbretit".

10 Kështu shkuan dhe thirrën rojet e qytetit, jua njoftuan gjendjen duke thënë: "Kemi shkuar në kampin e Sirëve dhe ja, nuk kishte njeri dhe as nuk dëgjohej zë njeriu; aty kishte vetëm kuaj dhe gomarë të lidhur dhe çadra të paprekura".

11 Atëherë rojet thirrën dhe e çuan lajmin brenda shtëpisë së mbretit.

12 Kështu mbreti u ngrit natën dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Do t’ju them unë ç’na kanë bërë Sirët. Duke ditur që ne jemi të uritur dolën nga kampi për t’u fshehur në fushë, duke thënë: "Si të dalim nga qyteti, do t’i kapim të gjallë dhe pastaj do të hyjmë në qytet"".

13 Një nga shërbëtorët e tij iu përgjigj: "Të lutem, lejo që disa njerëz të marrin pesë nga kuajt që akoma mbeten në qytet. Ja, ata do të jenë e shumta si shumica e Izraelit që ka mbetur në qytet, ose si shumica e Izraezlit që tashmë ka vdekur; t’i çojmë, pra, të shohin".

14 Morën, pra, dy qerre me kuajt e tyre dhe mbreti i dërgoi në gjurmët e ushtrisë së Sirëve, duke thënë: "Shkoni dhe shikoni".

15 Kështu ata shkuan prapa tyre deri në Jordan; por ja, tërë rruga ishte plot me rroba dhe me armë që sirët i kishin hedhur rrugës gjatë ikjes së tyre të nxituar. Pastaj lajmëtarët u kthyen dhe ia njoftuan gjendjen mbretit.

16 Atëherë populli doli jashtë dhe plaçkiti kampin e Sirëve; një masë maje mielli kushtonte një sikël, dhe dy masa elbi kushtonin gjithashtu një sikël, sipas fjalës së Zotit.

17 Mbreti kishte vënë si roje të portës kapitenin në krahun e të cilit mbështetej; por populli e shkeli pranë portës dhe ai vdiq, ashtu si kishte thënë njeriu i Perëndisë, kur i foli mbretit që kishte zbritur për ta takuar.

18 Ndodhi pikërisht ashtu siç i kishte folur mbretit njeriu i Perëndisë, duke i thënë: "Nesër, në këtë orë, në portën e Samarisë dy masa elbi do të kushtojnë një sikël dhe një masë maje mielli do të kushtojë gjithashtu një sikël".

19 Kapiteni i ishte përgjigjur pastaj njeriut të Perëndisë, duke i thënë: Ja, edhe sikur Zoti të hapë dritare në qiell, a ka për të ndodhur një gjë ee tillë?". Eliseu i kishte dhënë këtë përgjigje: "Mirë, pra, do ta shohësh me sytë e tua, por nuk do të hash".

20 I ndodhi pikërisht kjo: populli e shkeli me këmbë pranë portës dhe ai vdiq.

Eliseu i tha gruas, djalin e së cilës e kishte ringjallur: "Çohu dhe shko jashtë, ti me gjithë familjen tënde, për të banuar ku të mundesh, sepse Zoti ka vendosur të pllakosë zia, që do të zgjasë shtatë vjet në vend".

Kështu gruaja u ngrit dhe veproi sipas fjalës së njeriut të Perëndisë; iku me familjen e saj dhe banoi në vendin e Filistejve shtatë vjet.

Si kaluan shtatë vjet, gruaja u kthye nga vendi i Filistejve dhe shkoi te mbreti për t’i kërkuar shtëpinë dhe tokat e veta.

Mbreti ishte duke folur me Gehazin, shërbëtorin e njeriut të Perëndisë, dhe i thoshte: "Tregomë, të lutem, tërë veprat e mëdha që ka bërë Eliseu".

Pikërisht, ndërsa ai i tregonte mbretit se si Eliseu e kishte ringjallur të vdekurin, ja ku u paraqit gruaja, së cilës ai i kishte ringjallur të birin, për t’i kërkuar mbretit shtëpinë dhe tokat e veta. Atëherë Gehazi tha: "O mbret, o imzot, kjo është gruaja dhe ky është biri që Eliseu ka ringjallur".

Mbreti e pyeti gruan dhe ajo i tregoi ngjarjen; atëherë mbreti ngarkoi një funksionar, të cilit i tha: "Ktheja tërë atë që i përkasin dhe të gjitha të ardhurat e tokave, nga dita e largimit të saj nga vendi ynë deri më tani".

Pastaj Eliseu shkoi në Damask. Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, ishte i sëmurë dhe e njoftuan: "Njeriu i Perëndisë ka ardhur deri këtu".

Atëherë mbreti i tha Hazaelit: "Merr me vete një dhuratë dhe shko të takosh njeriun e Perëndisë, dhe këshillohu nëpërmjet tij me Zotin, duke thënë: "A do të shërohem nga kjo sëmundje?"".

Kështu Hazaeli shkoi të takohet me Eliseun duke sjellë si dhuratë gjërat më të mira të Damaskut: një ngarkesë prej dyzet devesh. Pastaj ai vajti, u paraqit tek ai dhe i tha: "Biri yt Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, më ka dërguar te ti për të pyetur: "A do të shërohem nga kjo sëmundje?"".

10 Eliseu iu përgjigj: "Shko t’i thuash: "Do të shërohesh me siguri". Por Zoti më bën të shoh se ai ka për të vdekur me siguri".

11 Pastaj ai e ngurtësoi fytyrën me një shikim të ngulët deri sa u skuq; pastaj njeriu i Perëndisë filloi të qajë.

12 Atëherë Hazaeli pyeti: "Pse po qan zoti im?". Ai u përgjigj: "Sepse e di të keqen që do t’u bësh bijve të Izraelit: do t’u vësh flakën fortesave të tyre, do të vrasësh me shpatë të rinjtë e tyre, do t’i bësh copë-copë fëmijët e tyre dhe do t’i çash barkun grave me barrë".

13 Hazaeli tha: "Por ç’është, vallë shërbëtori yt, një qen, që të bëj këtë hata?". Eliseu u përgjigj: "Zoti më bën të shoh që ti do të bëhesh mbret i Sirisë".

14 Pastaj Hazaeli u largua nga Eliseu dhe u kthye te zoti e tij, që e pyeti: "Çfarë të tha Eliseu?". Ai u përgjigj: "Më tha që do të shërohesh me siguri".

15 Të nesërmen Hazaeli mori një batanije e zhyti në ujë dhe e shtriu mbi fytyrën e mbretit që vdiq. Kështu Hazaeli mbretëroi në vend të tij.

16 Vitin e pestë të Joramit, birit të Ashabit, mbret i Izraelit, Jehorami, bir i Jozafatit, mbret i Judës, filloi të mbretërojë mbi Judën.

17 Ai ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem.

18 Ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit, ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.

19 Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërronte Judën, për hir të dashurisë që kishte për Davidin, shërbëtorin e tij, sepse i kishte premtuar t’u jepte një llambë për gjithnjë atij dhe bijve të tij.

20 Gjatë ditëve të mbretërimit të tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi edhe një mbret.

21 Atëherë Jorami shkoi në Tsair me gjithë qerret e tij; pastaj natën u ngrit dhe mundi Edomitët që e kishin rrethuar dhe kapitenët e qerreve, ndërsa njerëzit mundën të ikin në çadrat e tyre.

22 Kështu Edomi ka qenë i panënshtruar ndaj pushtetit të Judës deri më ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye.

23 Pjesa tjetër e bëmave të Joramit dhe të gjitha ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

24 Kështu Joramin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashaziahu.

25 Në vitin e dymbëdhjetë të Joramit, birit të Ashabit, mbreti i Izraelit, filloi të mbretërojë Ashaziahu, bir i Jerohamit, si mbret i Judës.

26 Ashaziahu ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah, ishte mbesa e Omrit, mbretit të Izraelit.

27 Ai vazhdoi rrugën e shtëpisë së Ashabit dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ashabit, sepse ishte i lidhur me marrëdhënie krushqie me shtëpinë e Ashabit.

28 Me Joramin, birin e Ashabit, ai shkoi të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; por Sirët plagosën Joramin;

29 atëherë mbreti Joram u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë nga Sirët në Ramah, kur luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Dhe Ashaziahu, bir i Jerohamit mbret i Judës, zbriti në Jezreel për të parë Joramin, birin e Ashabit, sepse ky ishte i sëmurë.