Add parallel Print Page Options

24 Gjatë mbretërimit të tij erdhi Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, dhe Jehojakimi u bë shërbëtor i tij për tre vjet; pastaj ngriti krye kundër tij.

Atëherë Zoti dërgoi kundër tij banda Kaldeasish, Sirësh, Moabitësh dhe Amonitësh; i dërgoi kundër Judës për ta shkatërruar, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.

Kjo ndodhi në Judë vetëm me urdhër të Zotit, që donte ta largonte nga prania e tij për shkak të mëkateve të Manasit, për të gjitha ato që kishte bërë,

por edhe për shkak të gjakut të pafajshëm të derdhur prej tij, sepse ai e kishte mbushur Jeruzalemin me gjak të pafajshëm. Për këtë arësye Zoti nuk deshi ta falë.

Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit dhe tërë atë që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

Kështu Jehojakimin e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.

Por mbreti i Egjiptit nuk doli më nga vendi i tij, sepse e mbreti i Babilonisë kishte shtënë në dorë tërë ato që ishin pronë e mbretit të Egjiptit, nga përroi i Egjiptit deri në lumin Eufrat.

Jehojakini ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Nehushta, ishte bija e Elnathanit nga Jeruzalemi.

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar ati i tij.

10 Në atë kohë shërbëtorët e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, u vërsulën kundër Jeruzalemit dhe qyteti mbeti i rrethuar.

11 Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, arriti para qytetit ndërsa shërbëtorët e tij po e rrethonin.

12 Atëherë Jehojakini, mbret i Judës, i doli përpara mbretit të Babilonisë bashkë me nënën e tij, me shërbëtorët, me krerët dhe me eunikët e tij. Kështu mbreti i Babilonisë e bëri rob vitin e tetë të mbretrimit të tij.

13 Pastaj, ashtu siç e kishte thënë Zoti, mori që andej tërë thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror, i bëri copë-copë të gjitha veglat prej ari që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte bërë për tempullin e Zotit.

14 Internoi pastaj tërë Jeruzalemin, tërë krerët, tërë njerëzit trima, gjithsej dhjetë mijë robër, si dhe të gjithë artizanët dhe farkëtarët; mbetën vetëm njerëzit më të varfër të vendit.

15 Kështu ai internoi Jehojakinin në Babiloni; çoi gjithashtu në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni nënën e mbretit, bashkëshortet e tija, eunukët e tij dhe fisnikët e vendit,

16 gjithë njerëzit e aftë që ishin shtatë mijë veta, artizanët dhe farkëtarët, një mijë veta, tërë njerëzit trima dhe të aftë për luftë. Mbreti i Babilonisë i internoi në Babiloni.

17 Në vendin e Jehojakinit, mbreti i Babilonisë, bëri mbret Mataniahun, ungjin e tij, të cilit i ndërroi emrin në Sedekia.

18 Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu.

19 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar Jehojakimi.

20 Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, i cili në fund i dëboi nga prania e tij. Më vonë Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.

25 Vitin e nëntë të mbretërisë së tij në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, ndodhi që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, ngriti kampin e tij kundër tij dhe ndërtoi përreth vepra rrethonjëse.

Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.

Ditën e nëntë të muajit të katërt, uria ishte aq e madhe në qytet sa që nuk kishte bukë për popullin e vendit.

Atëherë u hap një e çarë në muret e qytetit dhe tërë luftëtarët ikën natën, nëpër rrugën e portës midis dy mureve, që ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu mbreti mori rrugën e Arabahut.

Por ushria e Kaldeasve e ndoqi mbretin dhe e arriti në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij shpërndahej larg tij.

Kështu ata e zunë mbretin dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku u shqiptua vendimi kundër tij.

Vranë pastaj bijtë e Sedekias në sytë e tij; pastaj i nxorën sytë Sedekias, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.

Ditën e shtatë të muajit të pestë (ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë) arriti në Jeruzalem Nebuzaradani, kapiteni i rojes personale, shërbëtor i mbretit të Babolonisë.

Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror, i vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit, domethënë tërë shtëpive të fisnikëve.

10 Kështu tërë ushtria e Kaldeasve, që ishte me kapitenin e rojeve, shembi muret që rrethonin Jeruzalemin.

11 Pastaj Nebuzaradani, kapiteni i rojeve, internoi pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që ishin hedhur nga ana e mbretit të Babilonisë dhe ata që mbeten nga turma.

12 Por kapiteni i rojeve la disa nga më të varfërit e vendit të merreshin me punimin e vreshtave dhe të arave.

13 Kaldeasit i bënë copë-copë shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, dhe e çuan bronzin në Babiloni.

14 Ata muarrën edhe tiganët, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin gjatë shërbimit të tempullit.

15 Kapiteni i rojes mori gjithashtu mangallët dhe kupat, ato gjëra që ishin prej ari dhe argjendi të pastër.

16 Sa për dy shtyllat, detin dhe qerret që Salomoni kishte ndërtuar për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre objekteve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.

17 Lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; mbi të kishte një kapitel prej bronzi. Lartësia e kapitelit ishte tre kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë tërësisht prej bronzi. Shtylla tjetër, me rrjetëzën ishte njëlloj si kjo.

18 Kapiteni i rojes mori Serajahun, kryepriftin, Sofonien, priftin e dytë dhe tre derëtarët.

19 Nga qyteti mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët; pesë nga këshilltarët personalë të mbretit që i gjetën në qytet; sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit, dhe gjashtëdhjetë veta nga populli i vendit që u gjetën në qytet.

20 Kështu Nebuzaradani, kapiten i rojes, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah;

21 dhe mbreti i Babilonisë urdhëroi që të vriten në Riblah, në vendin e Hamathit. Kështu Juda u internua larg vendit të tij.

22 Sa për popullin që mbeti në vendin e Judës, që e kishte lënë Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, ky vuri në krye të tij Gedaliahun, birin e Ahikamit, që ishte bir i Shafanit.

23 Kur tërë kapitenët e trupave dhe njerëzit e tyre dëgjuan që mbreti i Babilonisë kishte caktuar Gedaliahun si qeveritar, shkuan te Gedaliahu në Mitspah; ata ishin Ishmaeli, bir i Nethaniahut, Johanani, bir i Kareahut, Serajahu, bir i Tanhumethit nga Netofahu, Jaazaniahu, bir i një Maakathitit, së bashku me njerëzit e tyre.

24 Gedaliahu iu betua atyre dhe njerëzve të tyre, duke thënë: "Mos kini frikë nga shërbëtorët e Kaldeasve; qëndroni në vend, i shërbeni mbretit të Babilonisë dhe do ta ndjeni veten mirë".

25 Por muajin e shtatë, Ishmaeli, bir i Nethaniahut, që ishte bir i Elishamit, nga familja mbretërore, erdhi bashkë me dhjetë njerëz; këta goditën dhe vranë Gedaliahun si edhe Judejtë dhe Kaldeasit që ishin me të në Mitspah.

26 Atëherë tërë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, dhe kapitenët e trupave u ngritën dhe shkuan në Egjipt, sepse kishin frikë nga Kaldeasit.

27 Në vitin e tridhjetë e shtatë të robërisë së Jehojakinit, mbretit të Judës, në muajin e dymbëdhjetë, ditën e njëzeteshtatë të muajit, Evilmerodaku, mbret i Babilonisë, pikërisht vitin që filloi të mbretërojë, fali Johajakinin, mbretin e Judës, dhe e nxori nga burgu.

28 I foli me dashamirësi dhe i ofroi një fron më të lartë se ata që kishin mbretërit që ishin me të në Babiloni.

29 Kështu Jehojakini ndërroi rrobat e tij prej të burgosurit dhe hëngri gjithnjë në prani të mbretit për të gjithë ditët e jetës së tij.

30 Ushqimi i tij ishte siguruar rregullisht nga mbreti, një racion në ditë, për të gjitha ditët e jetës së tij.

36 Atëherë populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josias, dhe e bëri mbret në Jeruzalem në vend të atit të tij.

Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem.

Mbreti i Egjiptit e hoqi nga froni në Jeruzalem dhe i vuri vendit një gjobë njëqind talentash argjendi dhe një talent ari.

Pastaj mbreti i Egjiptit bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit vëllanë e tij Eliakimin, të cilit ia ndërroi emrin dhe e quajti Jehojakim. Neko përkundrazi mori vëllanë e tij Jehoahaz dhe e çoi në Egjipt.

Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë të tij.

Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, doli kundër tij dhe e lidhi me zinxhira prej bronzi për ta çuar në Babiloni.

Nebukadnetsari çoi gjithashtu në Babiloni një pjesë të sendeve të shtëpisë të Zotit dhe i vuri në pallatin e tij në Babiloni.

Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit, gjërat e neveritshme që kreu dhe të gjitha ato që u gjetën kundër tij, ja, janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës. në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.

Jehojakini ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj dhe dhjetë ditë në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.

10 Në fillim të vitit të ri mbreti Nebukadnetsar dërgoi ta marrë dhe e çoi në Babiloni me gjërat e çmuara të shtëpisë të Zotit. Pastaj bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit Sedekian, vëllanë e Jehojakinit.

11 Sedekia ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem.

12 Edhe ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë të tij, dhe nuk u përul përpara profetit Jeremia, që fliste nga ana e Zotit.

13 Ai ngriti krye gjithashtu kundër mbretit Nebukadnetsar, që e kishte vënë të betohej në emër të Perësndisë por ai e mpiu zverkun e tij dhe ngurtësoi zemrën e tij, duke mos pranuar të kthehej tek Zoti, Perëndia i Izraelit.

14 Edhe tërë krerët e priftërinjve dhe populli mëkatuan gjithnjë e më tepër duke ndjekur të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve dhe e ndotën shtëpinë se Zotit, që ai u kishte shenjtëruar në Jeruzalem.

15 Zoti, Perëndia i etërve të tyre, u dërgoi atyre, që në fillim dhe me këmbëngulje, paralajmërime me anë të lajmëtarëve të tij, sepse donte ta shpëtonte popullin e tij dhe banesën e tij.

16 Por ata u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij, deri sa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje.

17 Atëherë ai bëri që të dalin kundër tyre mbreti i Kaldeasve, që vrau me shpatë të rinjtë e tyre në shtëpinë e shenjtërores së tyre, pa pasur mëshirë për të riun, për virgjireshën, për plakun ose për flokëthinjurin. Zoti i dha të gjithë në duart e tij.

18 Nebukadnetsari solli në Babiloni të gjitha sendet e shtëpisë së Perëndisë, të mëdha ose të vogla, thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e mbretit dhe të parisë së tij.

19 Pastaj i vunë zjarrin shtëpisë të Perëndisë, rrëzuan muret e Jeruzalemit, u vunë flakën të gjitha pallateve të tij dhe shkatërruan të gjitha sendet me vlerë.

20 Përveç kësaj Nebukadnetsari internoi në Babiloni ata që i kishin shpëtuar shpatës; këta u bënë shërbëtorë të tij dhe të bijve të tij deri në ardhjen e mbretërisë së Persisë,

21 që kështu të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, deri sa vendi të kremtonte të shtunat e tij. Në fakt ai kremtoi të shtunën për gjithë kohën e shkretimit të tij deri sa u mbushën të shtatëdhjetë vjetët.

22 Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, me qëllim që të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, Zoti e nxiti frymën e Kirit, mbret të Persisë, që të nxirrte një dekret për gjithë mbretërinë e tij dhe ta jepte me të shkruar, duke thënë:

23 "Kështu thotë Kiri, mbret i Persisë: Zoti, Perëndia i qiejve, më ka dhënë tërë mbretëritë e dheut. Ai më ka urdhëruar t’i ndërtoj një shtëpi në Jeruzalem, që është në Judë. Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të dhe le të niset!".