Add parallel Print Page Options

20 Në ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: "Kështu flet Zoti: "Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe nuk ke për t’u shëruar"".

Atëherë ai ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit, duke thënë:

"Të lutem shumë, o Zot, mos harro si kam ecur para teje me besnikëri dhe me zemër të pastër, duke bërë atë që është e mirë për sytë e tu". Pastaj Ezekia shpërtheu në vaj.

Isaia nuk kishte arritur akoma në oborrin qendror, kur fjala e Zotit iu drejtua, duke i thënë:

"Kthehu prapa dhe i thuaj Ezekias, princit të popullit tim: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: Kam dëgjuar lutjen tënde dhe kam parë lotët e tu; ja, unë po të shëroj; ditën e tretë do të ngjitesh në shtëpinë e Zotit.

Do t’i shtoj pesëmbëdhjetë vjet jetës sate, do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet për dashurinë që kam ndaj vetes dhe ndaj Davidit, shërbëtorit tim"".

Pastaj Isaia tha: "Merrni një jaki fiqsh". Kështu ata e morën dhe e vunë mbi ulçerën, dhe mbreti u shërua.

Por Ezekia i tha Isait: Cila është shenja që Zoti do të më shërojë dhe që ditën e tretë do të ngjitem në shtëpinë e Zotit?".

Atëherë Isaia iu përgjigj: "Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit që Zoti do të plotësojë atë që ka thënë: A dëshiron që hieja të shkojë përpara dhjetë shkallëza ose të kthehet prapa dhjetë shkallëza?".

10 Ezekia u përgjigj: "Éshtë lehtë për hijen të shkojë përpara dhjetë shkallëza. Jo! Më mirë hieja të shkojë prapa dhjetë shkallëza".

11 Atëherë profeti Isai kërkoi ndihmën e Zotit, që bëri hijen të kthehej prapa dhjetë shkallëzat që i kishte zënë në shkallën e Ashazit.

12 Në atë kohë Berodak-Baladani, bir i Baladanit, mbret i Babilonisë, i dërgoi letra dhe një dhuratë Ezekias, sepse kishte dëgjuar që Ezekia kishte qenë i sëmurë.

13 Ezekia priti në audiencë të dërguarit dhe u tregoi tërë shtëpinë e thesarit të tij: argjendin, arin, aromat, vajrat shumë të mira, arsenalin e tij dhe të gjitha gjërat që ndodheshin në magazinat e tij. Nuk pati asgjë në shtëpinë e tij dhe në të gjitha pronat e tij që Ezekia nuk ua tregoi atyre.

14 Atëherë profeti Isaia shkoi te mbreti Ezekia dhe i tha: "Çfarë thanë ata njerëz dhe nga kanë ardhur te ti?". Ezekia iu përgjigj: "Kanë ardhur nga një vend i largët, nga Babilonia".

15 Isaia i tha: "Çfarë kanë parë në shtëpinë tënde?". Ezekia u përgjigj: Kanë parë të gjitha ato që ka shtëpia ime; u tregova edhe ato gjëra që janëë në magazinat e mia".

16 Atëherë Isaiai i tha Ezekias: "Dëgjo fjalën e Zotit:

17 "Ja, do të vijnë ditët, kur tërë ato që ka shtëpia jote dhe tërë ato që etërit e tu kanë grumbulluar deri më sot, do të çohen në Babiloni; asgjë nuk do të lihet, thotë Zoti.

18 Përveç kësaj, disa nga bijtë e tu, që kanë dalë nga ti dhe që të kanë lindur, do të bëhen eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë"".

19 Ezekia iu përgjigj pastaj Isaias: "Fjala e Zotit që ti ke shqiptuar është e mirë". Në fakt ai mendonte: "A nuk është një gjë e bukur që të ketë paqe dhe siguri gjatë jetës sime?".

20 Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias dhe të gjitha trimëritë e tij, ndërtimi i rezervuarit dhe i ujësjellësit, me anën e të cilëve pruri ujin në qytet, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

21 Pastaj Ezekian e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Manasi.

21 Manasi ishte dymbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe e mbajti fronin pesëdhjetë e pesë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Eftsibah.

Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Zotit, sipas zakoneve të neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar para bijve të Izraelit.

Ai rindërtoi vende të larta që Ezekia, i ati, kishte shkatërruar; ngriti altarin e Baalit, bëri një Asherah ashtu si kishte bërë Ashabi, mbret i Izraelit; dhe adhuroi tërë ushtrinë e qiellit dhe u vu në shërbim të tij.

Ai ngriti gjithashtu altare në shtëpinë e Zotit, lidhur me të cilën Zoti kishte thënë: "Në Jeruzalem do të vë emrin tim".

I ngriti altare tërë ushtrisë së qiellit në dy oborret e shtëpisë të Zotit.

Kaloi edhe nëpër zjarr të birin, u muarr me magji dhe shortari dhe u këshillua me mediume dhe magjistarë. Bëri atë që është plotësisht e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.

Vuri madje një shëmbëlltyrë të gdhendur të Asherahut, që kishte bërë, në tempull, lidhur me të cilin Zoti i kishte thënë Davidit dhe Salomonit, birit të tij: "Në këtë tempull dhe në Jeruzalem, që kam zgjedhur ndër gjithë fiset e Izraelit, do të vendos emrin tim përjetë;

dhe nuk do të bëj që këmba e Izraelit të endet larg vendit që u kam dhënë etërve të tyre, me kusht që ata të kujdesen të zbatojnë në praktikë atë që kam urdhëruar dhe gjithë ligjin që Moisiu, shërbëtori im, u ka urdhëruar".

Por ata nuk e dëgjuan dhe Manasi i shtyu të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit.

10 Atëherë Zoti foli me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve, duke thënë:

11 "Meqenëse Manasi, mbret i Judës, ka kryer këto gjëra të neveritshme (ka bërë një të keqe më të madhe se ajo që kanë bërë Amorejtë, që ishin para tij, dhe me anë të idhujve të tij e ka bërë edhe Judën të kryejë mëkate),

12 kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do të sjell mbi Jeruzalemin dhe mbi Judën një fatkeqësi të tillë, sa që kushdo që ta dëgjojë do t’i tronditen veshët.

13 Do të zgjas mbi Jeruzalem rripin matës të Samarisë dhe plumbçen e shtëpisë së Ashabit, dhe do ta pastrojë Jeruzalemin si pastrohet një pjatë e cila, pasi të jetë pastruar, kthehet përmbys.

14 Kështu do të braktis mbetjen e trashëgimisë sime dhe do ta jap në duart e armiqve të tyre, dhe ata do të bëhen preja dhe plaçka e gjithë armiqve të tyre,

15 sepse kanë bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe kanë shkaktuar zemërimin tim nga dita që etërit e tyre dolën nga Egjipti e deri më sot".

16 Manasi derdhi gjithashtu shumë gjak të pafajshëm, duke e mbushur Jeruzalemin nga njeri skaj në tjetrin, përveç mëkatit të tij që e shtyu Judën të mëkatojë, duke bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit.

17 Pjesa tjetër e veprave të Manasit, tërë ato që kreu dhe mëkatet që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

18 Kështu Manasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në kopshtin e pallatit të tij, në kopshtin e Uzas. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni.

19 Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Meshulemeth, ishte e bija e Harutsit nga Jotbahu.

20 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishte vepruar i ati, Manasi.

21 Ndoqi plotësisht rrugën e ndjekur nga i ati, u shërbeu idhujve të cilëve u kishte shërbyer i ati dhe i adhuroi.

22 Braktisi Zotin, Perëndinë e etërve të tij, dhe nuk eci në rrugën e Zotit.

23 Shërbëtorët e Amonit kurdisën një komplot kundër tij dhe e vranë mbretin në pallatin e tij.

24 Por populli i vendit vrau tërë ata që kishin marrë pjesë në komplot kundër mbretit Amon dhe në vend të tij u bë mbret i biri, Josia.

25 Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Amoni a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretit të Judës?

26  Ai u varros në varrin e tij, në kopshtin e Uzas. Në vendin e tij mbretëroi i biri, Josia.

22 Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin e tij tridhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jedidah, ishte e bija e Adajahut nga Botskathi.

Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe vazhdoi tërësisht rrugën e Davidit, atit të tij, duke mos devijuar as më të djathtë as më të majtë.

Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia, mbreti dërgoi në shtëpinë e Zotit Shafanin, sekretarin, birin e Atsaliahut, që ishte bir i Meshulamit, duke thënë:

"Shko te kryeprifti Hilkiah dhe i thuaj që të mbledhë paratë që kanë sjellë në shtëpinë e Zotit dhe ato që derëtarët kanë mbedhur nga populli.

T’u jepet në dorë atyre që kryejnë punën, që u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit; dhe këta t’ua japin punëtorëve që ndodhen në shtëpinë e Zotit për të meremetuar dëmtimet e tempullit;

marangozave, ndërtuesve dhe muratorëve, për të blerë lëndën e drurit dhe gurë të latuar, të cilat nevojiten për të ndrequr tempullin.

Por mos kërkoni fare llogari për paratë e dorëzuara në duart e tyre, sepse ata veprojnë me ndershmëri".

Atëherë kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, sekretarit: "Gjeta në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Hilkiahu ia dha pastaj librin Shafanit që e lexoi.

Kështu Shafani, sekretari, shkoi te mbreti për t’i njoftuar ngjarjen, duke i thënë: "Shërbëtorët e tu kanë mbledhur paratë e gjetura në tempull dhe i kanë dorëzuar në duart e atyre që bëjnë punën, të cilëve u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit".

10 Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më ka dhënë një libër". Dhe Shafani e lexoi në prani të mbretit.

11 Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e tij.

12 Pastaj mbreti urdhëroi priftin Hilkiah, Ahikamin, birin e Shafanit, Agborin, birin e Mikajahut, Shafanin, sekretarin, dhe Asajahun, shërbëtorin e mbretit:

13 "Shkoni dhe konsultohuni me Zotin për mua për popullin dhe për tërë Judën, lidhur me fjalët e këtij libri që u gjet; sepse i madh është zemërimi i Zotit kundër nesh, sepse etërit tanë nuk iu bindën fjalëve të këtij libri dhe nuk kanë vepruar në përshtatje me të gjitha ato që janë shkruar për ne".

14 Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shalumit të Tikvahut, që ishte i biri i Harahsit, ruajtësit të rrobave, (ajo banonte në Jeruzalem, në lagjen e dytë) dhe folën me të.

15 Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njoftojani atij që ju dërgoi tek unë:

16 "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, tërë fjalët e librit që mbreti i Judës ka lexuar,

17 sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera për të më zemëruar me të gjitha veprat e duarve të tyre. Prandaj zemërimi im u ndez kundër këtij vendi dhe nuk do të shuhet".

18 Por mbretit të Judës, që ju ka dërguar për t’u konsultuar me Zotin, do t’i thoni kështu: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ti ke dëgjuar,

19 sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit kur dëgjove atë që kam thënë kundër këtij vendi dhe banorëve të tij, që do të bëheshin një dëshpërim dhe një mallkim, dhe grise rrobat dhe qave përpara meje, edhe unë të dëgjova," tha Zoti.

20 "Prandaj, ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu dhe ty do të të vendosin në paqe në varrin tënd; dhe sytë e tu nuk kanë për të parë tërë të keqen që unë do t’i sjell këtij vendi"". Dhe ata ia njoftuan mbretit këtë mesazh.