Add parallel Print Page Options

18 Në vitin e tretë të Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Ezekia, bir i Ashazit, mbret i Judës.

Ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abi; ishte bijë e Zakarias.

Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, sipas tërë atyre që kishte bërë Davidi, ati i tij.

I hoqi nga vendi vendet e larta, bëri copë-copë shtyllat e shenjta, rëzoi Asherahun dhe bëri copë-copë gjarpërin prej bronzi që e pat bërë Moisiu, sepse deri në atë kohë bijtë e Izraelit i kishin ofruar temjan dhe e quajti Nehushtan.

Ai pati besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit; dhe mbas tij, midis tërë mbretërve të Judës, nuk pati asnjë si ai, as edhe midis atyre që kishin qenë para tij.

Mbeti i lidhur me Zotin, nuk pushoi së ndjekuri gjurmët e tij dhe respektoi urdhërimet që Zoti i kishte dhënë Moisiut.

Kështu Zoti mbeti pranë tij, dhe atij i dilnin mbarë të gjitha ndërmarrjet e tij. Ngriti krye kundër mbretit të Asirisë dhe nuk iu nënshtrua më;

mundi Filistejtë deri në Gaza dhe aty ku arrinte territori i tyre, nga kulla e rojes deri në qytetin e fortifikuar.

Read full chapter

29 Ezekia ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abijah; ishte bija e Zakarias.

Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar Davidi, i ati.

Në vitin e parë të mbretërimit të tij, në muajin e parë, ai hapi portat e shtëpisë të Zotit dhe i restauroi.

Pastaj solli priftërinjtë dhe Levitët, dhe i mblodhi në sheshin lindor,

dhe u tha: "Më dëgjoni, o Levitë! Tani shenjtërohuni dhe shenjtëroni shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, dhe nxirrni nga vendi i shenjtë çdo gjë të papastër.

Sepse etërit tanë kanë kryer mëkate dhe kanë bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë tonë dhe e kanë braktisur, duke i hequr fytyrat e tyre nga banesa e Zotit dhe duke i kthyer krahët.

Ata madje kanë mbyllur portat e portikut, kanë shuar llambat dhe nuk kanë djegur më temjan as nuk kanë ofruar olokauste në vendin e shenjtë të Perëndisë të Izraelit.

Prandaj zemërimi i Zotit ra mbi Judën dhe Jeruzalemin, dhe ai i ka braktisur në telashe, në shkretim dhe në përbuzje, siç mund ta shihni me sytë tuaj.

Dhe ja, për shkak të kësaj, etërit tanë ranë nga goditjet e shpatës, dhe bijtë tanë, bijat tona dhe gratë tona janë në robëri.

10 Tani kam në zemër të bëj një besëlidhje me Zotin, Perëndinë e Izraelit, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet prej nesh.

11 Bij të mij, mos u tregoni të shkujdesur tani, sepse Zoti ju ka zgjedhur që t’i shërbeni atij, që të jemi shërbëtorët e tij dhe që t’i ofroni temjan".

12 Atëherë Levitët u ngritën: Mahathi, bir i Amasait, Joeli, bir i Azariahut, nga bijtë e Kehathit. Nga bijtë e Merarit, Kishi, bir i Abdiut dhe Azariahut, bir i Jehalelelit. Nga Ghershonitët, Joahu, bir i Zimahut dhe Edeni, bir i Joahut.

13 Nga bijtë e Elitsafanit, Shimri dhe Jeieli. Nga bijtë e Asafit, Zakaria dhe Mataniahu.

14 Nga bijtë e Hemanit, Jehieli dhe Shimei. Nga bijtë e Jeduthunit, Shemajahu dhe Uzieli.

15 Ata mblodhën vëllezërit e tyre dhe u shenjtëruan; pastaj hynë në shtëpinë e Zotit për ta pastruar, sipas urdhrit të mbretit, në përputhje me fjalët e Zotit.

16 Kështu priftërinjtë hynë brënda shtëpisë të Zotit për ta pastruar dhe nxorën jashtë, në oborrin e shtëpisë të Zotit, të gjitha sendet e papastra që gjetën në tempullin e Zotit; Levitët i morën për t’i çuar jashtë në përroin e Kidronit.

17 Filluan të shenjtërohen ditën e parë të muajit; ditën e tetë të muajit hynë në portikun e Zotit; brenda tetë ditëve pastruan shtëpinë e Zotit dhe e përfunduan ditën e gjashtëmbëdhjetë të muajit të parë.

18 Pastaj hynë në pallatin e mbretit Ezekia dhe i thanë: "Kemi pastruar tërë shtëpinë e Zotit, altarin e olokausteve me të gjitha veglat e tij dhe tryezën e bukëve të paraqitjes me gjithë veglat e saj.

19 Përveç kësaj kemi vënë përsëri në vend dhe kemi pastruar të gjitha përdorëset që mbreti Ashaz në mëkatin e tij kishte flakur tej gjatë mbretërimit të tij; dhe ja, tani janë përpara altarit të Zotit".

20 Atëherë mbreti Ezekia u ngrit shpejt, mblodhi parinë e qytetit dhe u ngjit në shtëpinë e Zotit.

21 Ata sollën shtatë dema, shtatë desh, shtatë qengja dhe shtatë cjep, si flijim për mëkatin për mbretërinë, për shenjtëroren dhe për Judën. Pastaj mbreti urdhëroi priftërinjtë, bijtë e Aaronit, t’i ofronin në altarin e Zotit.

22 Kështu therën demat, dhe priftërinjtë mblodhën gjakun e tyre dhe spërkatën altarin me të; në të njëjtën mënyrë therën deshtë dhe spërkatën gjakun e tyre mbi altar; pastaj therën qengjat dhe spërkatën me gjakun e tyre altarin.

23 Pastaj i paraqitën mbretit dhe asamblesë cjeptë e flijimit për mëkatin, dhe ata vunë mbi to duart e tyre.

24 Priftërinjtë i therën dhe ofruan gjakun e tyre mbi altar si flijim për mëkatin, si shlyerje e fajit për tërë Izraelin, sepse mbreti kishte urdhëruar të ofronin olokaustin dhe flijimin për mëkatin, për tërë Izraelin.

25 Mbreti vendosi gjithashtu Levitët në shtëpinë e Zotit me cembale, me harpa dhe me qeste, sipas urdhrit të Davidit, të Gadit, shikuesi i mbretit, dhe të profetit Nathan, sepse urdhri ishte dhënë nga Zoti me anë të profetëve të tij.

26 Kështu Levitët zunë vend me veglat e Davidit, dhe priftërinjtë me boritë.

27 Atëherë Ezekia urdhëroi që olokausti të ofrohej mbi altar; dhe në çastin që filloi olokausti, filloi gjithashtu kënga e Zotit me boritë dhe me shoqërimin e veglave të Davidit, mbretit të Izraelit.

28 Atëherë tërë asambleja u përul, ndërsa këngëtarët këndonin dhe trumbetierët u binin veglave të tyre; e tërë kjo vazhdoi deri në fund të olokaustit.

29 Me të mbaruar olokausti, mbreti dhe tërë ata që ishin me të u përkulën dhe adhuruan.

30 Pastaj mbreti Ezekia dhe paria urdhëruan Levitët të lëvdonin Zotin me fjalët e Davidit dhe të shikuesit Asaf; ata e lëvduan me gëzim, pastaj u përkulën dhe e adhuruan.

31 Atëherë Ezekia mori fjalën dhe tha: "Tani që i jeni shenjtëruar Zotit, afrohuni dhe sillni flijime dhe oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit". Kështu asambleja solli flijime dhe oferta falenderimi; dhe të gjithë ata që ua donte zemra sollën olokauste.

32 Numri i olokausteve që solli asambleja ishte shtatëdhjetë dema, njëqind desh dhe dyqind qengja; të tëra këto ishin olokauste për Zotin.

33 Kafshët e shenjtëruara ishin gjashtëqind lopë dhe tre mijë dele.

34 Por priftërinjtë ishin shumë të pakët dhe nuk mund të rripnin tërë olokaustet; prandaj vëllezërit e tyre, Levitët, i ndihmuan deri sa mbaroi tërë puna dhe deri sa të shenjtëroheshin priftërinjtë e tjerë, sepse Levitët e kishin zemrën më të pastër në shenjtërimin e priftërinjve.

35 Pati një numër të madh olokaustesh së bashku me dhjamin e fljimeve të falënderimit dhe me blatimet e olokausteve. Kështu u rivendos shërbimi i shtëpisë të Zotit.

36 Ezekia dhe tërë populli u gëzua që Perëndia e kishte përgatitur popullin; në të vërtetë kjo gjë u bë shpejt.

30 Pastaj Ezekia i dërgoi lajmëtarë tërë Izraelit dhe Judës dhe i shkroi gjithashtu letra Efraimit dhe Manasit që të vinin në shtëpinë e Zotit në Jeruzalem për të festuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit.

Mbreti, paria dhe tërë asambleja në Jeruzalem vendosën ta kremtojnë Pashkën në muajin e dytë;

në të vërtetë nuk kishin mundur ta kremtonin në kohën e caktuar, sepse priftërinjtë nuk ishin shenjtëruar në numër të mjaftueshëm dhe populli nuk ishte mbledhur në Jeruzalem.

Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe tërë asamblesë.

Vendosën kështu të shpallin në tërë Izraelin, një njoftim nga Beer-Sheba deri në Dan, që të vijnë në Jeruzalem për të kremtuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit, sepse prej shumë vitesh nuk e kishin kremtuar në mënyrën e paracaktuar.

Korrierët, pra, shkuan në gjithë Izraelin dhe në Judën me letrat e mbretit dhe të parisë së tij, duke shpallur sipas urdhrit të mbretit: "Bij të Izraelit, kthehuni tek Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me qëllim që ai të rikthehet pranë asaj që iu ka mbetur dhe që ka shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë.

Mos jini si etërit tuaj dhe vëllezërit tuaj, që kanë mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, i cili për këtë shkak i ka braktisur dhe i ka lënë në pikëllim, siç e shihni.

Tani mos e fortësoni zverkun si etërit tuaj, por jepini dorën Zotit, ejani në shenjtëroren e tij që ai ka shenjtëruar përjetë dhe i shërbeni Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet nga ju.

Sepse, në rast se ktheheni tek Zoti, vëllezërit tuaj dhe bijtë tuaj do të trajtohen me dhembshuri nga ata që i kanë internuar dhe do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai".

10 Dhe korrierët kaluan nga një qytet në tjetrin në vendin e Efraimit dhe të Manasit deri në Zabulon; por njerëzit i përqeshnin dhe talleshin me ta.

11 Megjithatë disa burra nga Asheri, nga Zabuloni dhe nga Manasi u përulën dhe erdhën në Jeruzalem.

12 Por në Judë dora e Perëndisë veproi duke u dhënë atyre një zemër të njëllojtë për të kryer urdhrin e mbretit dhe të parisë, sipas fjalës të Zotit.

13 Një turmë e madhe u mblodh në Jeuzalem për të kremtuar festën e të Ndormëve gjatë muajit të dytë; ishte një kuvend shumë i madh.

14 U ngritën dhe zhdukën altarët që ishin në Jeruzalem; zhdukën gjithashtu tërë altarët e temjanit dhe i hodhën në përroin e Kidronit.

15 Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe Levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan olokauste në shtëpinë e Zotit.

16 Ata zunë vendet që u përkisnin sipas normave të përshkruara nga ligji i Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin gjakun, që merrnin nga duart e Levitëve.

17 Duke qenë se shumë njerëz të asamblesë nuk ishin shenjtëruar, Levitët kishin për detyrë t’i flijonin qengjat e Pashkës për tërë ata që nuk ishin të pastër, për t’ia shenjtëruar Zotit.

18 Në të vërtetë një pjesë e madhe e popullit, shumë nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e hëngrën njëlloj Pashkën, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut për ata, duke thënë: "Zoti, që është i mirë, të falë cilindo

19 që ia ka kushtuar zemrën e tij të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa pastrimin që kërkon shenjtërorja".

20 Dhe Zoti dëgjoi Ezekian dhe shëroi popullin.

21 Kështu bijtë e Izraelit, që ishin në Jeruzalem, kremtuan festën e të Ndormëve shtatë ditë me radhë në një atmosferë gëzimi të madh, kurse Levitët dhe priftërinjtë lëvdonin çdo ditë Zotin, duke i kënduar me vegla tingëllonjëse Zotit.

22 Ezekia i foli zemrës të të gjithë Levitëve që tregonin njohje të mirë të gjërave të Zotit. Kështu ata hëngrën për shtatë ditët e caktuara të festës, duke ofruar flijime falenderimi dhe duke lëvduar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.

23 Pastaj tërë kuvendi vendosi ta kremtojë festën shtatë ditë të tjera; kështu e kremtuan shtatë ditë të tjera me gëzim.

24 Në fakt Ezekia, mbret i Judës, i kishte falur kuvendit një mijë dema të vegjël dhe shtatë mijë dele; edhe paria i kishte dhuruar kuvendit një mijë dema të vegjël dhe dhjetë mijë dele; dhe një numër i madh priftërinjsh ishte shenjtëruar.

25 Tërë asambleja e Judës kremtoi festën bashkë me priftërinjtë, me Levitët, me tërë asamblenë e atyre që erdhën nga Izraeli dhe me të huajt që kishin mbërritur nga vendin e Izraelit ose që banonin në Judë.

26 Kështu pati një gëzim të madh në Jeruzalem. Nga koha e Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, nuk kishte ndodhur asgjë e tillë në Jeruzalem.

27 Pastaj priftërinjtë Levitë u ngritën dhe bekuan popullin; zëri i tyre u dëgjua dhe lutja e tyre arriti deri në banesën e shenjtë të Zotit në qiell.

31 Mbasi mbaruan tërë këtë punë, Izraelitët e pranishëm u nisën për në qytetet e Judës, për të thyer kollonat e shenjta, për të shembur Asherimët dhe për të shkatërruar vendet e larta dhe altarët në tërë Judën dhe Beniaminin, ashtu edhe në Efraim dhe në Manas, deri në shkatërrim të plotë. Pastaj tërë bijtë e Izraelit u kthyen në qytetet e tyre, secili në pronën e tij.

Ezekia rindërtoi klasat e priftërinjve dhe të Levitëve në bazë të klasave të tyre, secila sipas shërbimit të tij, priftërinjtë dhe Levitët për olokaustet dhe flijimet e falenderimit për të shërbyer, për të falenderuar dhe për të lëvduar në portat e kampeve të Zotit.

Mbreti caktoi edhe pjesën e pasurive të tij, që do t’i caktoheshin për olokauste; olokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes, olokaustet e të shtunave, të ditëve të hënës së re dhe të festave solemne, ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit.

Gjithashtu urdhëroi popullin, ata që banonin në Jeruzalem, t’u jepnin priftërinjve dhe Levitëve pjesën që u takonte, me qëllim që të tregoheshin të vendosur në ligjin e Zotit.

Sa u përhap ky urdhër, bijtë e Izraelit dhanë me shumicë prodhimet e para të grurit, të verës, të vajit, të mjaltit dhe të të gjitha prodhimeve të arave; dhe çuan një të dhjetë të bollshme nga çdo gjë.

Bijtë e Izraelit dhe të Judës që banonin në qytetet e Judës çuan edhe ata të dhjetën e lopëve dhe të deleve, po kështu edhe të dhjetën e gjërave të shenjta të shenjtëruara Zotit, Perëndisë të tyre, dhe krijuan me to shumë grumbuj.

Filluan t’i bëjnë grumbujt në muajin e tretë dhe e përfunduan këtë punë në muajin e shtatë.

Kur Ezekia dhe krerët erdhën për të parë grumbujt, bekuan Zotin dhe popullin e tij të Izraelit.

Pastaj Ezekia pyeti priftërinjtë dhe Levitët për grumbujt;

10 kryeprifti Azariah, nga shtëpia e Tsadokut, iu përgjigj: "Që kur filloi prurja e ofertave në shtëpinë e Zotit, kemi ngrënë sa jemi ngopur dhe kanë mbetur gjëra me shumicë, sepse Zoti ka bekuar popullin e tij; dhe kjo është sasia e madhe që ka tepruar".

11 Atëherë Ezekia i urdhëroi ata të përgatisnin disa dhoma në shtëpinë e Zotit. Ata i përgatitën,

12 dhe sollën aty me besnikëri ofertat, të dhjetën dhe gjërat e shenjtëruara. Levitit Konaniahu iu besua kryeintendenca dhe mbas tij vinte i vëllai, Shimei.

13 Jehieli, Ahaziahu, Nahathi, Asahelli, Jerimothi, Jozabadi, Elieli, Ismakiahu, Mahathi dhe Benajahu ishin mbikqyrës nën urdhrat e Konaniahut dhe të vëllait të tij Shimei, me porosi të mbretit Ezekia dhe të Azariahut, kreu i shtëpisë së Perëndisë.

14 Leviti Kore, bir i Imnahut, rojë e portës lindore, ishte caktuar për ofertat vullnetare që i bëheshin Perëndisë për të shpërndarë ofertat e larta të Zotit dhe gjërat shumë të shenjta.

15 Nën urdhrat e tij ishin Edeni, Miniamini, Jeshua, Shemajahu, Amariahu, Shekaniahu në qytetet e priftërinjve, që duhet t’u bënin me përpikmëri shpërndarjen vëllezërve të tyre, të mëdhenj apo të vegjël, sipas klasave të tyre;

16 me përjashtim të meshkujve që ishin regjistruar në gjeneologjitë e tyre nga mosha tre vjeç e lart, ata u shpërndanin të gjithë atyre që hynin në shtëpinë e Zotit racionin e tyre të përditshëm për shërbimin e tyre, sipas funksioneve të tyre dhe në bazë të klasës së cilës i përkisnin,

17 priftërinjve të regjistruar në gjenealogjitë sipas shtëpive atërore dhe Levitëve me moshë njëzet vjeç e lart, sipas detyrave të tyre dhe klasave të cilave u përkisnin,

18 dhe gjithë atyre që ishin regjistruar në gjenealogjinë, domethënë fëmijët e tyre të vegjël, bashkëshortet e tyre bijtë e tyre dhe bijat e tyre si anëtarë të të gjithë asamblesë; sepse në funksionin që u ishte caktuar ata u shenjtëruan në shenjtëri.

19 Edhe për priftërinjtë, bijtë e Aaronit, që banonin në fshat, në zonat rreth qyteteve, kishte në çdo qytet njerëz të caktuar me emër për të ndarë racionet çdo mashkulli midis priftërinjve dhe tërë Levitëve të regjistruar në gjenealogjitë.

20 Ezekia veproi kështu në të gjithë Judën; bëri atë që është e mirë, e drejtë dhe e vërtetë përpara Zotit, Perëndisë të tij.

21 Çdo punë që ndërmori për shërbimin e shtëpisë të Perëndisë, për ligjin dhe për urdhërimet, për të kërkuar Perëndinë e tij, ai e bëri me gjithë zemër; prandaj ai pati mbarësi.

48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.

I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.

Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.

Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,

por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.

Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,

në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.

Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.

Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.

10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.

11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.

12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,

13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.

14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.