Add parallel Print Page Options

14 Vitin e dytë të Joasit, birit të Jehoahazit, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Amatsiahu, bir i Joasit, mbret i Judës.

Kur filloi të mbretërojë ishte njëzet e pesë vjeç, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jehoadan, ishte nga Jeruzalemi.

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, por jo si Davidi, ati i tij; bëri gjithçka ashtu siç kishte vepruar Joasi, ati i tij.

Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

Sa filloi të ushtrojë një kontroll të rreptë mbi mbretërinë, ai i vrau shërbëtorët e tij që kishin vrarë të atin, mbretin;

por nuk vrau bijtë e vrasësve, sipas asaj që është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, në të cilin Zoti ka urdhëruar duke thënë: "Etërit nuk do të dënohen me vdekje për bijtë e tyre, as bijtë nuk do të vriten për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet".

Ai vrau dhjetë mijë Idumej në luginën e Kripës; dhe me luftë pushtoi Selën dhe i vuri emrin Joktheel, që ka mbetur deri më sot.

Atëherë Amatsiahu i dërgoi lajmëtarë Joasit, birit të Jehoahazit, birit të Jehut, mbret i Izraelit, për t’i thënë: "Eja, të ndeshemi njeri me tjetrin në betejë".

Joasi, mbret i Izraelit, dërgoi t’i thonë Amatsiahut, mbretit të Judës: Gjembi i Libanit i dërgoi fjalë kedrit të Libanit: "Jepi tët bijë për grua birit tim". Por andej kaloi një kafshë e egër e Libanit dhe e shkeli gjembin.

10 Ti ke mundur Edomin dhe zemra jote të ka bërë krenar. Lavdërou megjithatë, por rri në shtëpinë tënde. Pse dëshiron një fatkeqësi, duke marrë më qafë veten dhe Judën bashkë me ty?".

11 Por Amatsiahu nuk e dëgjoi. Kështu Joasi mbret i Izraelit, doli; prandaj ai dhe Amatsiahu, mbret i Judës, u ndeshën njeri me tjetrin në Beth-Shemesh, që ishte pronë e Judës.

12 Juda u mund nga Izraeli, dhe secili prej tyre iku në çadrën e vet.

13 Në Beth-Shemesh Joasi, mbret i Izraelit, kapi Amatsiahun, mbretin e Judës, birin e Joasit, që ishte bir i Ashaziahut. Pastaj shkoi në Jeruzalem ku bëri një të çarë prej katërqind kubitësh në muret e Jeruzalemit, nga porta e Efraimit deri te porta e Qoshes.

14 Gjithashtu mori tërë arin dhe argjendin dhe tërë sendet që ndodheshin në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e shtëpisë së mbretit, bashkë me njerëzit peng, dhe u kthye në Samari.

15 Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, trimëria e tij dhe si luftoi kundër Amatsiahut mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

16 Kështu Joasin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros në Samari me mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jeroboami.

17 Amatsiahu, bir i Joasit dhe mbret i Judës, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas vdekjes së Joasit, birit të Jehoahazit dhe mbret i Izraelit.

18 Pjesa tjetër e bëmave të Amatsiahut a nuk është e shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

19 Kundër tij u kurdis një komplot në Jeruzalem dhe ai iku në Lakish; por e ndoqën deri në Lakish, ku e vranë.

20 Pastaj e mbartën me kuaj dhe e varrosën në Jeruzalem bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit.

21 Atëherë tërë populli i Judës mori Azariahun, që ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe e bëri mbret në vend të atit të tij Amatsiah.

22 Mbasi mbretin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij, ai rindërtoi Elathin dhe ripushtoi Judën.

23 Në vitin e pesëmbëdhjetë të Amatsiahut, birit të Joasit dhe mbret i Judës, filloi të mbretërojë në Samari Jeroboami, bir i Joasit, mbret i Izraelit, dhe e mbajti fronin dyzet e një vjet.

24 Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit; nuk u largua nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, që kishte bërë të kryente mëkate Izraelin.

25 Ai rivendosi kufijtë e Izraelit nga hyrja e Hamathit në detin e Arahahut, sipas fjalës të Zotit, Perëndisë të Izraelit, të shqiptuar nga profeti Jona, birit të Amitait, që ishte nga Gath-Heferi.

26 Në fakt Zoti kishte parë që dëshpërimi i Izraelit ishte shumë i thellë; nuk kishte më as skllevër as të lirë, dhe nuk kishte as edhe një që t’i vinte në ndihmë Izraelit.

27 Zoti nuk kishte thënë akoma të zhdukej emri i Izraelin poshtë qiellit; prandaj e shpëtoi me anë të Jeroboamit, birit të Joasit.

28 Pjesa tjetër e bëmave të Jeroboamit, tërë atë që kreu, trimëria e tij në luftë dhe si i ripushtoi Izraelit Damaskun dhe Hamathin që kishin qenë pronë e Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

29 Kështu Jeroboamin e zuri gjumi me etërit e tij, mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Zakaria.

25 Amatsiahu ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jehoadan dhe ishte nga Jeruzalemi.

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, por jo me gjithë zemër.

Mbasi përforcoi mbretërinë e tij, ai vrau shërbëtorët e tij që kishin vrarë mbretin, atin e tij.

Megjithatë ai nuk i vriste bijtë e tyre, por veproi siç është shkuar në ligj në librin e Moisiut, të cilin Zoti e urdhëroi duke thënë: "Etërit nuk do të vriten për fajin e bijve të tyre, dhe as bijtë e tyre nuk do të vriten për fajin e etërve; por secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet".

Përveç kësaj Amatsiahu mblodhi ata të Judës dhe caktoi mbi ta komandantët e mijëshëve dhe të qindëshëve sipas shtëpive të tyre atërore, për tërë Judën dhe Beniaminin; pastaj bëri regjistrimin nga njëzet vjeç e lart dhe doli që ishin treqind mijë burra të zgjedhur, të aftë për luftë dhe të zotë të përdorin ushtën dhe mburojën.

Rekrutoi gjithashtu me para njëqind mijë burra nga Izraeli, të fortë dhe trima, për njëqind talenta argjendi.

Por një njeriu i Perëndisë erdhi tek ai dhe i tha: "O mbret, ushtria e Izraelit të mos vijë me ty, sepse Zoti nuk është me Izraelin, as me ndonjë nga bijtë e Efraimit!

Por në rast se dëshiron të shkosh, shko megjithatë; edhe po të tregohesh trim në betejë, Perëndia do të të bëjë të biesh para armikut, sepse Perëndia ka pushtet të ndihmojë dhe të të bëjë që të biesh".

Amatsiahu i tha atëherë njeriut të Perëndisë: "Por çdo t’i bëj njëqind talentat që ia dhashë ushtrisë së Izraelit?". Njeriu i Perëndisë u përgjigj: Zoti mund të të japë më tepër se aqq".

10 Atëherë Amatsiahu e shpërndau ushtrinë që kishte ardhur tek ai nga Efraimi, me qëllim që të kthehej në shtëpi të saj; por zemërimi i pjesëtarëve të saj u rrit shumë kundër Judës dhe ata u kthyen në shtëpi me një zemërim të madh.

11 Pastaj Amatsiahu, mbasi mori zemër, u vu në krye të popullit të tij, shkoi në luginën e Kripës dhe vrau dhjetë mijë njerëz të Seirit.

12 Bijtë e Judës kapën gjallë dhjetë mijë të tjerë dhe i çuan në majë të shkëmbit, prej ku i hodhën poshtë; dhe të tërë u bënë copë-copë.

13 Por burrat e ushtrisë, që Amatsiahu kishte shpërndarë që të mos vinin me të për të luftuar, u vërsulën mbi qytetet e Judës, nga Samaria deri në Beth-Horon, duke vrarë tre mijë banorë dhe duke marrë një plaçkë të madhe.

14 Pas kthimit të tij nga masakra e Edomitëve, Amatsiahu urdhëroi që t’i sillnin perënditë e bijve të Seirit, i vendosi si perëndi të tij, ra përmbys përpara tyre dhe u ofroj temjan.

15 Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Amatsiahut dhe i dërgoi një profet për t’i thënë: "Pse kërkove perënditë e këtij populli, që nuk kanë qenë të zotë të çlirojnë popullin e tyre nga dora jote?".

16 Ndërsa vazhdonte të fliste akoma me të, mbreti i tha: "A të kemi bërë vallë këshilltar të mbretit? Pusho! Pse kërkon të vritesh?". Atëherë profeti nuk foli më, por tha: "Unë e di që Perëndia ka vendosur të të shkatërrojë, sepse ke bërë këtë dhe nuk more parasysh këshillën time".

17 Atëherë Amatsiahu, mbret i Judës, pasi u këshillua, dërgoi t’i thotë Joasit, birit të Jehoahazit, birit të Jehut, mbret i Izraelit: "Eja të ballafaqohemi njeri me tjetrin në betejë".

18 Por Joasi, mbret i Izraelit, dërgoi t’i thotë Amatsiahut, mbretit të Judës: "Gjembi i Libanit i çoi fjalë kedrit të Libanit: "Jepi vajzën tënde për grua birit tim". Por një kafshë e egër e Libanit kaloi andej dhe e shkeli gjembin.

19 Ti ke thënë: "Ja, unë kam mundur Edomin," dhe zemra jote të ka bërë krenar aq sa të mburresh. Rri në shtëpinë tënde. Pse kërkon të shkaktosh fatkeqësi, duke shkatërruar veten tënde dhe Judën bashkë me ty?".

20 Por Amatsiahu nuk e dëgjoi; kjo gjë vinte në të vërtetë nga Perëndia, me qëllim që të jepeshin në dorën e armikut, sepse kishin kërkuar perënditë e Edomit.

21 Kështu Joasi, mbret i Izraelit, doli kundër Judës; dhe ai dhe Amatsiahu, mbret i Judës, u ndeshën me njeri-tjetrin në Beth-Shemesh që i përkiste Judës.

22 Juda u mund nga Izraeli, dhe secili ia mbathi në çadrën e vet.

23 Joasi, mbret i Izraelit, zuri në Beth-Shemesh Amatsiahun, mbretin e Judës, birin e Joasit, bir i Jehoahazit; e çoi në Jeruzalem dhe bëri një të çarë prej katërqind kubitësh në muret e Jeruzalemit që nga porta Efraimit deri te porta e Qoshes.

24 Mori tërë arin dhe argjendin dhe të gjitha sendet që gjendeshin në shtëpinë e Perëndisë, që i ishin besuar Obed-Edomit, thesaret e pallatit mbretëror dhe disa pengje, pastaj u kthye përsëri në Samari.

25 Amatsiahu, bir i Joasit, mbretit të Judës, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas vdekjes së Joasit, birit të Jehoahazit, mbret i Izraelit.

26 Pjesa tjetër e bëmave të Amatsiahut, nga të parat gjer në ato të fundit, a nuk janë të shkruara vallë, në librin e mbretërve të Judës dhe të Izraelit?

27 Mbas largimit të Amatsiahut nga Zoti, u kurdis kundër tij një komplot në Jeruzalem; ai iku në Lakish, por e ndoqën deri në Lakish dhe aty e vranë.

28 E ngarkuan pastaj mbi kuaj dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në qytetin e Judës.